Sabile Basha: Miti i “Kosovës së humbur” – historia, propaganda dhe politika e pretendimit territorial serb (2)
MITI I “KOSOVËS SË HUMBUR”- HISTORIA, PROPAGANDA DHE POLITIKA E PRETENDIMIT TERRITORIAL SERB (2)
Kur
propaganda serbe fillon ta besojë vetveten

Sidomos
duhet të ndalemi te momenti kur historia mesjetare përfundon së qeni argumenti
kryesor dhe fillon historia moderne e shteteve kombëtare ballkanike, sepse
pikërisht aty narrativa e “Kosovës së përjetshme serbe” duhet përballur me
pyetje shumë më konkrete: si u vendos pushteti serb mbi Kosovën në fillim të
shekullit XX, në çfarë konteksti të luftërave ballkanike ndodhi kjo, çfarë
raporti kishte ndërmjet shtetit që po zgjeronte kufijtë e tij dhe popullsisë që
gjendej brenda territoreve të përfshira, dhe si u zhvillua më pas marrëdhënia
ndërmjet pushtetit shtetëror dhe shumicës shqiptare?
Këto
pyetje janë të domosdoshme pikërisht sepse historia politike nuk duhet të
fillojë aty ku i leverdis një narrative kombëtare. Nuk mund të kërcejmë nga
Mesjeta drejtpërdrejt në shekullin XXI, duke i kapërcyer shekujt ndërmjet tyre,
dhe pastaj të deklarojmë se ekziston një vijë e pandërprerë pronësie politike.
Po kështu, nuk mund të merret Beteja e Kosovës e vitit 1389 dhe të shndërrohet,
pesë apo gjashtë shekuj më vonë, në një lloj dokumenti kadastral për
përcaktimin e sovranitetit modern. Kujtesa historike ka rëndësi të
jashtëzakonshme për identitetin e popujve, por kujtesa dhe sovraniteti janë
kategori të ndryshme; një popull mund ta konsiderojë një vend pjesë të
rëndësishme të trashëgimisë së vet shpirtërore pa fituar, vetëm për këtë arsye,
të drejtën për të sunduar përgjithmonë mbi njerëzit që jetojnë aty.
Dhe
sa më poshtë që zbresim nëpër këto shkallë të historisë, aq më shumë bëhet e
nevojshme të largohemi nga pyetja emocionale “kujt i përket Kosova?” dhe të
kalojmë te pyetjet e historisë konkrete: kush e sundoi, kur e sundoi, si e
vendosi pushtetin, mbi cilën popullsi e ushtroi atë, me çfarë institucionesh
dhe me çfarë pasojash politike? Sepse vetëm kështu mund të kuptohet dallimi
ndërmjet pranisë dhe pronësisë, ndërmjet trashëgimisë dhe sovranitetit,
ndërmjet një kapitulli të historisë dhe pretendimit për një të drejtë të
përjetshme.
Në
fund të kësaj zbritjeje historike mund të zbulojmë se vetë pyetja “si e humbi
Serbia Kosovën?” është formuluar në mënyrë që përgjigjja të jetë e paracaktuar,
sepse ajo e merr si të provuar pikërisht atë që duhet dëshmuar: se Kosova ishte
e Serbisë në kuptimin e një pronësie historike të padiskutueshme. Prandaj,
përpara se të flasim për “humbjen”, duhet të shqyrtojmë “fitimin”; përpara se
të flasim për shkëputjen, duhet të analizojmë mënyrën e vendosjes së pushtetit;
dhe përpara se historia të përdoret për të kërkuar territore në të tashmen,
duhet ta çlirojmë atë nga detyrimi për t’u shërbyer hartave politike të së
sotmes.
Le
të lëshohemi, pra, shkallëve të historisë. Por le të zbresim pa mite të gatshme
në duar dhe pa përfundime të shkruara paraprakisht, duke ndjekur kronologjinë,
dokumentet dhe kontekstin e secilës periudhë. Sepse vetëm atëherë mund t’i
afrohemi pyetjes që propaganda përpiqet ta paraqesë si të mbyllur prej kohësh:
kur thuhet se Serbia “e humbi Kosovën”, çfarë historie fshihet pas pretendimit
se Kosova kishte qenë, në radhë të parë, “e saj”?
Edhe
zogjtë e malit, po të mund të flisnin me gjuhën e historisë, do ta dinin se
Kosova nuk mund të reduktohet në formulën politike sipas së cilës ajo paska qenë,
qenka dhe duhet të mbetet përjetësisht serbe. Sepse një pretendim i përsëritur
mijëra herë, sado solemnisht të shqiptohet në foltore politike, sado fort të
përforcohet nga propaganda dhe sado thellë të mbillet në kujtesën kolektive,
nuk shndërrohet vetëm nga përsëritja në një të vërtetë historike të
pakontestueshme. Historia është shumë më e ndërlikuar sesa parullat, ndërsa
gjeografia është shumë më kokëfortë sesa mitologjitë politike që përpiqen ta
bëjnë territorin pronë të përjetshme të një Serbie.
Kosova
ka pasur historinë e saj të gjatë, të ndërlikuar dhe të ndërthurur me historitë
e popujve, mbretërive, perandorive dhe shteteve që kanë vepruar në këtë pjesë
të Ballkanit. Pikërisht për këtë arsye, asnjë lexim serioz i së kaluarës nuk
duhet ta trajtojë atë sikur historia e saj të fillonte dhe të përfundonte me
një shtet të vetëm. Në periudha të ndryshme, kjo hapësirë ka qenë pjesë e
formacioneve të ndryshme politike dhe administrative; mbi të kanë kaluar
pushtete, ushtri dhe sisteme të ndryshme sundimi, ndërsa popullsia e saj ka
bartur mbi vete pasojat e këtyre ndryshimeve. Të zgjedhësh vetëm një periudhë
të kësaj historie dhe ta shpallësh atë si argument të përjetshëm pronësie do të
thotë të mos e lexosh historinë në tërësinë e saj, por ta përdorësh atë në
mënyrë selektive për nevojat e politikës së sotme.
Natyrisht,
një analizë serioze nuk ka nevojë të mohojë historinë e tjetrit për ta mbrojtur
historinë e vet. Por pikërisht këtu qëndron dallimi thelbësor: prania historike
nuk është sinonim i pronësisë së përjetshme, monumenti nuk është tapi, kujtesa
nuk është kadastër dhe miti kombëtar nuk mund të shndërrohet vetvetiu në titull
sovraniteti. Nëse do të pranonim një logjikë të tillë, atëherë pothuajse çdo
shtet evropian do të mund të kërkonte territoret mbi të cilat paraardhësit e
tij kanë sunduar në një moment të caktuar të historisë.
Prandaj
pohimi kategorik se “Kosova është Serbi” duhet parë jo vetëm si një pretendim
territorial, por edhe si një formulë politike që e thjeshton një histori
jashtëzakonisht komplekse. Edhe vetë ata që e prodhojnë dhe e përsërisin këtë
formulë e dinë se ndërmjet mitologjisë politike dhe realitetit ekziston një
hendek i madh: Kosova sot funksionon jashtë sistemit shtetëror të Serbisë, ka
institucionet e veta, është njohur si shtet nga një numër i madh shtetesh dhe
statusi i saj vazhdon të jetë objekt i një mosmarrëveshjeje ndërkombëtare, pasi
Serbia dhe disa shtete të tjera nuk e njohin pavarësinë e saj. Këto janë
realitete politike që nuk zhduken duke përsëritur një parullë.
Historikisht,
pyetja bëhet edhe më e thellë. Në vend që të thuhet thjesht se Kosova “ka qenë
serbe”, duhet pyetur: në cilën periudhë, nën cilin formacion politik, brenda
cilëve kufij, me çfarë strukture demografike dhe në çfarë rrethanash historike?
Sepse fjala “gjithmonë” është një nga fjalët më të rrezikshme kur përdoret për
historinë. Në histori pothuajse asgjë nuk është “gjithmonë”: ndryshojnë
perandoritë, shtetet, kufijtë, sistemet politike dhe raportet ndërmjet popujve.
Ajo që mbetet janë gjurmët e këtyre periudhave, të cilat duhet të studiohen, jo
të shndërrohen në armë politike.
Edhe
gjeografia, të cilës politika shpesh përpiqet t’i japë kuptime ideologjike, nuk
mund të bëhet argument i thjeshtë pronësie kombëtare. Malet, fushat dhe
lumenjtë nuk kanë kombësi. Ibri nuk bëhet serb kur kalon në veri dhe shqiptar
kur rrjedh në një hapësirë tjetër; Sharri nuk ndryshon identitet sipas hartave
politike; toka nuk mban në vetvete pasaportën e një shteti. Janë njerëzit dhe
sistemet politike ata që ndërtojnë kufij, identitete dhe institucione, dhe
pikërisht për këtë arsye çështjet territoriale nuk mund të zgjidhen duke ua
atribuar maleve, lumenjve apo monumenteve një kombësi të përjetshme.
Ajo
që duhet kundërshtuar, pra, nuk është kujtesa historike e popullit serb, sepse
çdo popull ka të drejtë ta ruajë kujtesën e vet, por shndërrimi i asaj kujtese
në argument për sundim politik mbi një popull tjetër. Dhe ndoshta këtu metafora
e zogjve të malit merr kuptimin e saj më të fuqishëm: zogjtë fluturojnë mbi
kufijtë që njerëzit i kanë vizatuar, mbi hartat që janë ndryshuar dhjetëra
herë, mbi varret, xhamitë, kishat, qytetet dhe fshatrat që dëshmojnë se kjo
tokë ka kaluar nëpër histori shumë më të ndërlikuara sesa mund të përmbledhë
një parullë. Ata sikur na kujtojnë se toka është më e vjetër se shtetet, se
lumenjtë janë më të vjetër se kufijtë dhe se historia është shumë më e gjatë se
çdo regjim që ka pretenduar se do të sundojë përgjithmonë.
Prandaj,
çështja nuk është të zëvendësojmë një mit me një mit tjetër, por t’ia kthejmë
historisë kompleksitetin që politika ia ka marrë. Dhe kur kjo histori lexohet
në tërësinë e saj, bëhet shumë më e vështirë të mbrohet ideja se një periudhë
sundimi, një kujtesë mesjetare apo një mit kombëtar mund të prodhojë një të
drejtë të përjetshme mbi Kosovën. Kosova nuk është një send i humbur që pret
pronarin e dikurshëm ta marrë përsëri; ajo është një hapësirë politike dhe
njerëzore, e ardhmja e së cilës nuk mund të ndërtohet duke ringjallur
pretendimet e së kaluarës, por duke respektuar realitetin, të drejtat e
njerëzve që jetojnë aty dhe një paqe që nuk mbështetet mbi mitin e pronësisë
territoriale.
Por
populli im, që gjatë historisë ka mësuar jo vetëm nga librat, por edhe nga
përvoja e hidhur e pushteteve, nga padrejtësitë, nga heshtjet e imponuara dhe
nga propaganda që shpesh është përpjekur ta paraqesë të pavërtetën si të
vërtetë, e ka një urti të thjeshtë, por jashtëzakonisht domethënëse: përsërite
një gënjeshtër mjaftueshëm gjatë dhe, në fund, rrezikon që edhe ti vetë, që e
ke shpikur, të fillosh ta besosh atë. Në këtë thënie popullore fshihet një
mekanizëm i tërë psikologjik dhe politik, sepse gënjeshtra, kur mbetet një
pohim i vetëm, mund të kundërshtohet lehtë, por kur përsëritet brez pas brezi,
kur futet në fjalimet politike, në tekstet shkollore, në media, në ceremonitë
shtetërore, në letërsi, në simbolikën fetare dhe në kujtesën kolektive, ajo
gradualisht mund të humbasë pamjen e saj fillestare si konstruksion dhe të
fillojë të perceptohet si një e vërtetë që nuk kërkon më as dëshmi dhe as
argument.
Kjo
është fuqia e propagandës politike: jo domosdoshmërisht ta bindë menjëherë
njeriun për diçka që nuk është e vërtetë, por ta përsërisë të njëjtën tezë aq
gjatë, në aq shumë forma dhe nga aq shumë institucione, saqë me kalimin e kohës
vetë pyetja nëse ajo është apo jo e vërtetë të duket e panevojshme. Atëherë
propaganda e ka arritur qëllimin e saj më të madh, sepse nuk ka më nevojë të
argumentojë; mjafton të kujtojë. Nuk ka më nevojë të dëshmojë; mjafton të
përsërisë. Dhe pikërisht në atë çast miti politik fillon të funksionojë si
kujtesë historike, ndërsa kujtesa e ndërtuar politikisht fillon të paraqitet si
fakt i pakontestueshëm.
Në
këtë mënyrë mund të kuptohet edhe këmbëngulja me të cilën për dekada është
përsëritur formula se “Kosova është Serbi”. Përsëritja e saj në vetvete nuk e
zgjidh debatin historik dhe juridik për Kosovën, por ka një funksion të
fuqishëm politik: ajo ndërton një mënyrë të caktuar të të menduarit. Kur një
fëmijë e dëgjon këtë pohim në familje, e gjen më pas në tekstet e historisë, e
dëgjon nga politikanët, e sheh të shkruar në pankarta, e dëgjon në stadiume dhe
e has në diskursin publik, ai mund të rritet jo duke e konsideruar atë një
pretendim politik që duhet analizuar, por si një të vërtetë të trashëguar që nuk
duhet vënë në pikëpyetje. Kështu ndërtohen mitet politike jetëgjata: jo vetëm
përmes forcës së argumentit, por përmes fuqisë së përsëritjes.
Dhe
kur një narrativë përsëritet për breza të tërë, ndodh diçka edhe më e
rrezikshme: kufiri ndërmjet atij që propagandon dhe atij që beson propagandën
fillon të zhduket. Në fillim, dikush mund ta prodhojë një tezë për qëllime
politike; më pas institucionet e përsërisin atë; brezi tjetër rritet me të;
ndërsa një brez edhe më i vonshëm mund të mos e dijë më se ku përfundon fakti
dhe ku fillon miti. Kështu, një konstruksion politik mund të fitojë me kalimin
e kohës fuqinë emocionale të një kujtese personale, deri në atë masë sa
kundërshtimi i tij të perceptohet jo si debat mbi historinë, por si sulm ndaj
identitetit kombëtar.
Kjo
është arsyeja pse propaganda më jetëgjatë nuk është ajo që vetëm i mashtron të
tjerët, por ajo që përfundimisht i burgos edhe vetë krijuesit dhe
trashëgimtarët e saj brenda narrativës që kanë ndërtuar. Në një moment të
caktuar, politika nuk është më e lirë ta ndryshojë tregimin, sepse vetë
shoqëria është edukuar ta konsiderojë atë tregim si të shenjtë. Udhëheqësit
mund ta kuptojnë kompleksitetin e realitetit, diplomatët mund ta shohin se bota
ka ndryshuar, historianët mund të njohin nuancat që propaganda i ka fshirë, por
politika vazhdon të mbetet peng i fjalëve që ka përsëritur për dekada.
Dhe
këtu urtia e popullit tim bëhet pothuajse një paralajmërim filozofik: ruaju nga
gënjeshtra që e përsërit shumë gjatë, sepse një ditë mund të mos jesh më në
gjendje ta dallosh nga e vërteta. Atëherë nuk ke mashtruar vetëm tjetrin; ke
filluar të mashtrosh edhe veten. Dhe vetë-mashtrimi politik është shumë më i
rrezikshëm se propaganda e zakonshme, sepse një politikë që e di se po
manipulon mund të ndryshojë kurs kur ndryshojnë interesat, ndërsa një politikë
që ka filluar ta besojë mitin e vet bëhet shumë më e vështirë për t'u
korrigjuar.
Pikërisht
këtu qëndron një nga tragjeditë më të mëdha të nacionalizmit serb: ai mund ta
ndërtojë një histori aq të përsosur për nevojat e veta, saqë në fund të mos
jetë më në gjendje të jetojë jashtë saj. Çdo fakt që nuk përshtatet me
narrativën shpallet armiqësor, çdo dokument që e ndërlikon tregimin
anashkalohet, çdo interpretim tjetër shihet si provokim dhe çdo përpjekje për
ta ballafaquar mitin me realitetin përjetohet si cenim kombëtar. Në këtë mënyrë
historia pushon së qeni hapësirë e kërkimit dhe shndërrohet në fortesë
ideologjike.
Por
e vërteta historike nuk përcaktohet me numrin e herëve që përsëritet një fjali.
Një pretendim nuk bëhet fakt vetëm sepse është përsëritur për njëqind vjet; një
mit nuk bëhet dokument vetëm sepse është mësuar përmendësh nga disa breza; dhe
një parullë nuk shndërrohet në të drejtë historike vetëm sepse miliona njerëz
janë mësuar ta dëgjojnë. Historia kërkon dokumente, kontekst, krahasim burimesh
dhe gatishmëri për t'u përballur edhe me ato fakte që nuk i pëlqejnë narrativës
së palës tjetër.
Prandaj,
kur dëgjoj përsëri të njëjtat formula për Kosovën, më rikthehet pikërisht ajo
urti e vjetër e popullit tim. Ndoshta disa prej atyre që sot i shqiptojnë këto
pohime nuk mendojnë më se po përsërisin një narrativë politike; ndoshta, pas
kaq shumë dekadash, ata janë bërë vetë banorë të mitit që politika e tyre ka
ndërtuar. Dhe kjo është ndoshta fitorja më paradoksale, por njëkohësisht edhe
disfata më e madhe e propagandës: ajo fillon duke synuar t'i bindë të tjerët
dhe përfundon duke e bindur vetveten.
Kështu,
në një masë të madhe, ndodhi edhe me narrativën nacionaliste serbe për Kosovën:
një pretendim politik, i përsëritur për breza të tërë dhe i ushqyer vazhdimisht
nga mitologjia kombëtare, historiografia e politizuar, propaganda shtetërore
dhe diskursi publik, filloi të trajtohej jo më si një interpretim i historisë,
por si një aksiomë që nuk duhej diskutuar. Mirëpo historia reale e Kosovës,
sidomos ajo e periudhave kur mbi shqiptarët u ushtruan politika represive, nuk
mund të reduktohet në formulën e thjeshtë të një territori që “i përkiste”
natyrshëm Serbisë. Ajo është histori pushtetesh dhe kundërshtimesh, përpjekjesh
për kontroll, politikash shtetërore, rezistence, përndjekjesh dhe
shpërnguljesh, por njëkohësisht edhe histori e një popullsie shqiptare që,
pavarësisht trysnive të ndryshme historike, vazhdoi ta ruante lidhjen e saj me
vendin, gjuhën, kulturën dhe identitetin e vet.
Kosova
u vu nën pushtetin serb në rrethana të caktuara historike, ndërsa në periudha
të ndryshme shqiptarët u përballën me represion, diskriminim, dhunë dhe
politika që nxitën ose shkaktuan largimin e tyre. Sidomos gjatë luftës së
viteve 1998–1999, dhuna mori përmasa katastrofike: popullsia civile shqiptare u
përball me vrasje, dëbime masive, shkatërrime të vendbanimeve dhe forma të
tjera të rënda të dhunës, të dokumentuara gjerësisht edhe nga institucione
ndërkombëtare. Por as dhuna dhe as dëbimi nuk mundën ta zgjidhnin çështjen e
Kosovës në mënyrën që kishte synuar politika e forcës; përkundrazi, ato e
thelluan deri në pikën e pakthyeshme shkëputjen politike ndërmjet shumicës
shqiptare të Kosovës dhe shtetit serb.
Njerëzit
u përndoqën nga shtëpitë e tyre, familjet u detyruan të merrnin rrugën e
refugjatit, pronat u dogjën e u shkatërruan, ndërsa shumë civilë u vranë, u
keqtrajtuan ose u zhdukën. Megjithatë, ajo që politika e represionit nuk arriti
ta ndryshonte ishte fakti se për
shqiptaret Kosova vazhdonte të ishte atdheu i tyre, vendi ku lidhej
kujtesa familjare me identitetin kombëtar dhe ku projektohej e ardhmja
politike. Mund ta dëbosh njeriun përkohësisht nga shtëpia, por është shumë më e
vështirë ta dëbosh shtëpinë nga kujtesa e tij.
Këtu
qëndron edhe dështimi themelor i çdo politike që beson se identiteti i një
hapësire mund të ndryshohet vetëm përmes forcës shtetërore. Ushtria mund ta
kontrollojë një territor, policia mund të vendosë pika kontrolli, administrata
mund të ndryshojë emërtimet, pushteti mund të hartojë ligje dhe propaganda mund
të prodhojë versione të përshtatshme të historisë, por asnjëra prej tyre nuk
mund ta krijojë automatikisht ndjenjën e përkatësisë së popullsisë ndaj një
shteti. Sovraniteti i imponuar dhe legjitimiteti i pranuar nuk janë e njëjta
gjë. Njëri mund të mbahet për një periudhë me forcë; tjetri kërkon pranimin e
njerëzve mbi të cilët ushtrohet pushteti.
Pikërisht
këtë nuk arriti ta kuptonte për një kohë të gjatë politika nacionaliste serbe në
raport me Kosovën: se problemi nuk ishte vetëm kontrolli mbi tokën, por
marrëdhënia me njerëzit që jetonin mbi të. Mund të kërkohej Kosova si territor,
ndërkohë që humbej çdo ditë e më shumë mundësia që shqiptarët e Kosovës ta
konsideronin shtetin serb si shtetin e tyre. Dhe kur një shtet kërkon me çdo
kusht tokën, por përmes politikave të tij e largon politikisht dhe
emocionalisht shumicën e njerëzve që jetojnë në atë tokë, atëherë ai krijon
paradoksin më të madh të nacionalizmit territorial: dëshiron territorin, por
humbet popullsinë.
Vijon


