Sabile Basha: Roli i mërgatës shqiptare në kujtesën historike të Kosovës (24)
ROLI I MËRGATËS SHQIPTARE NË KUJTESËN HISTORIKE TË KOSOVËS (24)
Kërkesat e mërgatës shqiptare

Një
vend të rëndësishëm zë edhe çështja e pasurive të Kosovës. Traktshkruesi
argumenton se resurset natyrore dhe ekonomike të vendit duhet t’i shërbejnë
zhvillimit të popullsisë vendase dhe jo të shfrytëzohen në mënyrë të padrejtë.
Kjo kërkesë pasqyron një nga debatet më të rëndësishme të kohës mbi raportet
ekonomike brenda federatës jugosllave. Në gjuhën e traktit, pasuritë e Kosovës
paraqiten si frytet e një toke që duhet të ushqejë bijtë e saj dhe jo të mbetet
simbol i një mirëqenieje që ndërtohet larg saj.
Po
aq domethënëse është edhe kërkesa për punësimin e të papunëve dhe kthimin e
mërgimtarëve. Këtu autori prek një plagë të madhe shoqërore të shqiptarëve:
emigrimin ekonomik. Në planin analitik, mërgimtari paraqitet si një njeri i
ndarë midis dy botëve, që ndërton pasuri larg vendit të vet ndërsa zemra i
mbetet në shtëpinë e lënë pas. Traktshkruesi ëndërron një të ardhme ku djersa e
mërgimtarëve do të derdhet për ndërtimin e vendlindjes dhe jo për pasurimin e
ekonomive të huaja.
Kërkesat
e tjera lidhen me normalizimin e jetës publike: heqjen reale të shtetrrethimit,
përfundimin e orës policore dhe tërheqjen e forcave policore e ushtarake të
sjella nga republikat e tjera. Këto kërkesa pasqyrojnë dëshirën për kthimin e
jetës së zakonshme, për çlirimin e hapësirës publike nga klima e frikës dhe për
rikthimin e besimit në marrëdhëniet midis qytetarëve dhe institucioneve.
Në
fund, traktshkruesi kërkon që autorët e krimeve të dalin para drejtësisë. Në
interpretimin e tij, pa drejtësi nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme. Kjo
kërkesë nuk paraqitet vetëm si akt ndëshkimi, por si nevojë morale për të
rikthyer besimin e shoqërisë në rendin e drejtë.
Në
tërësinë e saj, kjo pjesë e fundit e traktit ngjan me një testament politik të
mërgatës shqiptare të asaj kohe. Ajo nuk është thjesht një listë kërkesash
administrative apo juridike; është një vizion për të ardhmen. Në të përzihen
idealizmi, kujtesa historike, emocionet kombëtare dhe aspiratat sociale. Përmes
gjuhës së saj të zjarrtë dhe simbolike, ajo paraqet një popull që kërkon të
dalë nga hija e represionit dhe të ndërtojë një të ardhme ku liria politike,
drejtësia shoqërore, dinjiteti kombëtar dhe mirëqenia ekonomike të ecin së
bashku.
Në
planin poetik, ky manifest përmbyllës ngjan me një amanet të lënë në prag të
historisë: një zë që ngrihet nga mërgimi, kapërcen kufijtë dhe malet, kalon
përmes burgjeve dhe heshtjeve, për t’u bashkuar me zërin e atyre që ndodhen në
vendlindje. Dhe në këtë bashkim zërash, traktshkruesi sheh jo fundin e një
rruge, por fillimin e një kapitulli të ri që ai beson se do të shkruhet nga
vetë populli.
Në
pjesën përmbyllëse të traktit, autori nuk mjaftohet më vetëm me paraqitjen e
kërkesave politike dhe shoqërore të popullit shqiptar. Ai ndien nevojën t’i
justifikojë ato, t’u japë një bazë morale, historike dhe politike, duke i
paraqitur jo si aspirata të lindura nga dëshira për privilegje apo pushtet, por
si vazhdimësi të një lufte të gjatë për dinjitet dhe drejtësi. Kjo pjesë e
tekstit përfaqëson kulmin emocional të traktit, aty ku argumenti politik
shkrihet me betimin moral dhe ku kujtesa historike shndërrohet në thirrje për
veprim.
Traktshkruesi
pohon se këto kërkesa nuk janë produkte të një momenti të caktuar politik dhe
as rezultat i ndonjë pakënaqësie të përkohshme. Në optikën e tij, ato janë fryt
i një historie të gjatë rezistence, një historie që ka kaluar nga brezi në brez
si një amanet i pashkruar. Për këto ideale, thotë ai, populli ka luftuar në të
kaluarën, po lufton në të tashmen dhe do të vazhdojë të luftojë edhe në të
ardhmen. Kjo ide e vazhdimësisë historike është thelbësore në diskursin e
traktit. Lufta nuk paraqitet si një episod, por si një rrjedhë e pandërprerë që
lidh të kaluarën me të tashmen dhe të tashmen me të ardhmen.
Një
vend të veçantë në këtë pjesë zë simbolika e gjakut të derdhur. Autori flet për
sakrificën e një viti të tërë protestash, përndjekjesh dhe përballjesh, duke e
paraqitur atë si dëshmi të sinqeritetit të kërkesave të popullit. Në gjuhën e
tij, gjaku i dëshmorëve nuk është thjesht humbje njerëzore, ai është vulë
morale që legjitimon kërkesat e ngritura. Kjo është një figurë e njohur në historinë
politike dhe kombëtare, ku sakrifica shndërrohet në argument dhe martirizimi në
dëshmi të drejtësisë së kauzës.
Në
aspektin politik, autori nëpër mes traktit ndërton atë që studiuesit e quajnë legjitimitet përmes sakrificës kolektive.
Lëvizjet që kalojnë nëpër periudha represioni shpesh i shohin vuajtjet dhe
humbjet si elemente që forcojnë identitetin dhe kohezionin e tyre. Sa më i madh
perceptohet çmimi i paguar, aq më e drejtë dhe më e shenjtë duket kauza për të
cilën luftohet.
Më
tej, traktshkruesi thekson se realizimi i këtyre kërkesave është kusht për
paqen dhe stabilitetin. Përndryshe, sipas tij, lufta do të vazhdojë me
intensitet edhe më të madh. Kjo pjesë e tekstit pasqyron bindjen se konflikti
nuk është krijuar nga populli, por nga mohimi i të drejtave të tij. Në këtë
logjikë, fundi i konfliktit nuk mund të arrihet përmes represionit, por vetëm
përmes njohjes së këtyre të drejtave.
Në
planin shkencor, kjo ide ngre një pyetje universale: a mund të shuhet një
kërkesë që buron nga ndjenja e padrejtësisë? Historia e shumë popujve tregon se
kërkesat e mohuara nuk zhduken, ato mund të heshtin përkohësisht, por vazhdojnë
të jetojnë në kujtesën kolektive. Pikërisht këtë përpiqet të shprehë autori kur
thotë se populli do të përdorë të gjitha format e luftës që i konsideron të
nevojshme. Në mendimin e tij, rezistenca është pasojë e padrejtësisë dhe jo
shkaku i saj.
Një
element veçanërisht i rëndësishëm është refuzimi i konceptit të lëmoshës
politike. Traktshkruesi këmbëngul se të drejtat që kërkohen nuk janë favore që
mund të jepen apo të mohohen sipas vullnetit të pushtetit. Ato paraqiten si të
drejta natyrore, historike dhe legjitime, të cilat janë mohuar dhe rrëmbyer. Në
këtë mënyrë, kërkesa politike fiton një dimension etik. Nuk bëhet fjalë për një
privilegj që kërkohet, por për një padrejtësi që duhet korrigjuar.
Duhet
theksua se kjo pjesë e trektit tingëllon si zëri i një njeriu që qëndron para
portës së shtëpisë së vet dhe kërkon jo mëshirë, por çelësin që i përket. Ai
nuk lutet për të hyrë, ai kërkon të drejtën për të hyrë në atë që e konsideron
të vetën.
Pjesa
e fundit e traktit merr formën e parullave politike, të cilat përbëjnë një
përmbledhje emocionale dhe ideologjike të gjithë mesazhit të tij. Këto parulla
nuk janë vetëm slogane. Në historinë e lëvizjeve politike, ato kanë funksionuar
si formula të përqendruara të identitetit kolektiv, si mënyra për të
sintetizuar një program të tërë në pak fjalë.
Thirrjet
kundër terrorit, represionit dhe aparatit të sigurisë pasqyrojnë revoltën ndaj
sistemit që autori e konsideron shtypës. Ato përfaqësojnë mohimin e një rendi
politik që, sipas tij, mbështetet mbi dhunën dhe frikën.
Por
është domethënëse se trakti nuk përfundon me gjuhën e urrejtjes ndaj popujve të
tjerë. Përkundrazi, ndër parullat e fundit gjendet edhe thirrja “Rrofshin popujt e Jugosllavisë!”.
Kjo tregon se autori përpiqet të bëjë dallimin midis regjimit politik dhe
popujve që jetojnë brenda tij. Në logjikën e traktit, kundërshtari nuk është
një komb i tërë, por politika që perceptohet si shtypëse.
Më
pas vjen lavdërimi për popullin shqiptar, i përshkruar si heroik dhe i
palëkundur në përpjekjet e tij. Kjo figurë e popullit heroik është një nga
motivet më të vjetra të letërsisë patriotike shqiptare. Ajo krijon imazhin e
një bashkësie që, pavarësisht vuajtjeve, nuk e humb kurrë dinjitetin dhe forcën
morale.
Dhe
në fund, si një lutje laike dhe si një elegji kombëtare, vjen homazhi për të
rënët. Kjo është pika ku retorika politike shndërrohet në kujtesë njerëzore.
Emrat e dëshmorëve mund të mos përmenden, por prania e tyre ndihet në çdo
rresht. Ata paraqiten si gurët themeltarë të së ardhmes së ëndërruar, si ata që
kanë paguar çmimin më të lartë për idealet e përbashkëta.
Dhe
krejt në fund trakti ngjan me një ceremoni të heshtur në muzg. Flamujt
valëviten mbi varret e të rënëve, zërat e të gjallëve bashkohen në betime për
të ardhmen dhe historia duket sikur ndalet për një çast për të dëgjuar jehonën
e atyre që nuk janë më. Në atë çast, trakti nuk është më vetëm një dokument
politik, ai bëhet një testament i një kohe, një pasqyrë e emocioneve, shpresave
dhe bindjeve që përshkonin një pjesë të rëndësishme të shoqërisë shqiptare në
fillim të viteve tetëdhjetë. Ai mbyllet me bindjen se sakrifica nuk do të
harrohet dhe se aspiratat për të cilat është luftuar do të vazhdojnë të jetojnë
në kujtesën dhe ndërgjegjen e brezave që do të vijnë.
Trakti
ka këtë përmbajtje:
Gjendemi
sot këtu në Bonn, në kryeqytetin e Gjermanisë Perëndimore, që ta demonstrojmë
vendosmërinë e unitetin tonë në mbështetje të popullit dhe përkrahje të plotë
të inteligjencës e rinisë sonë përparimtare në njërën anë, kurse në anën tjetër
ta demonstrojmë revoltën e indinjatën kundra gjendjes së jashtëzakonshme,
gjendjes së luftës, që dje mbushi vitin që kur u shpall vetëm mbi Kosovën
shqiptare. Po kështu, me këtë rast, demonstrojmë edhe pakënaqësinë, revoltën e
protestat kundra qëndrimit të qeverisë gjermane, e cila ende po ndihmon
qeverinë vrastare të Beogradit, në fushën politike e ekonomike, në luftën
kundra popullit tonë. Pra, ajo qeveri që ndihmon një qeveri tjetër vrastare, me
të ashtuquajtura kredi e ndihma tjera, me të drejtë mund të akuzohet së tërthorazi
ka dorë në vrasje, atëherë kur financon qeverinë vrasëse.
Shokë e shoqe të dashur,
Dje
u mbush një vit i vrasjeve, terrorit e masakrave, arrestimeve e dënimeve të
rënda, të legalizuara me ligj përmes të shpalljes së gjendjes së
jashtëzakonshme mbi trojet tona. Me këtë rast u vërtetua se shovinistët e
sotshëm të Beogradit janë çetnikët e djeshëm, por vetëm se maskoheshin. Që një
vit qeveria e Beogradit, nën komandën e plotë të klikës serbomadhe, nuk ngurron
të komandojë vrasjen edhe të fëmijëve shqiptarë dhe format më vandaliste të
terrorit mbi rininë dhe inteligjencën, deri edhe të paaftësimit të motrave
tona, që ato të mos lindin më bija e bijë të shqipes, por fara jonë të shuhet.
Populli ynë është dëshmitar i politikës fashiste, shkuar fashizmit, pse
fashizmi nuk është vetëm fashizmi ala hitlerian, por çdo fashizëm që në fakt
është fashizëm, pa marrë parasysh se si emërtohet për t’u maskuar.
Por
po kështu, po bëhet një vit e një gjysmë muaji, nga 11 Marsi i vitit të kaluar,
që kur populli shqiptar humbi durimin për të jetuar në robëri të rëndë dhe u
ngrit në demonstrata masovike paqësore për t’i kërkuar të drejtat e veta të
ligjshme dhe për t’u protestuar kundra politikës diskriminuese, shtypëse e
shfrytëzuese, që ushtrohet mbi popullin nga klika titiste. Ç ‘ndodhi në atë
rast? Qeveria e Beogradit në vend që t’i përgjigjej popullit tonë përkatësisht,
në forma paqësore, njëherit rrezikoi paqen në Ballkan. Ndodhi e kundërt, nga
ajo që synonte klani serbomadhe: Populli ynë u bashkua më fortë se çdoherë për
të rezistuar me heroizëm armikun, me bindje të plotë se është e vetmja rrugë që
do ta shpie ke fitoret! U bind populli se në pyetje janë ekzistenca, atdheu e
liria, bile edhe ato pak të drejta që më parë i kishte fituar me gjak e
sakrifica edhe njerëzore. Sot jemi dëshmitarë të rezistencës heroike të
popullit tonë, të cilën se priti jo vetëm klika serbomadhe, por as
oportunistët, frikacakët e të luhatshmit, që patën humbur besimin në forcat e
popullit, sidomos ajo e popullit tonë, i cili në raste të tilla bashkohet shumë
shpejt e dendur, i bindur se vetëm i bashkuar mund ta përballonë armikun dhe ta
fitojë.
Bashkatdhetarë, revolucionarë e demokratë të nderuar,
Populli
ynë nuk u nënshtrua asnjëherë dhe pse me shekuj jeton në robëri. Lufta e
popullit tonë për pavarësi, liri e të drejta nuk pushon asnjëherë, por vetë
ndërroi format. Në kryengritje çlirimtare, luftë rezistence pasive, që më natë
të lindin luftëtarë të ri dhe populli të mbledh forca të reja për kryengritje
të ardhshme gjer në fitore. Përkundrazi, edhe përvëluarat me heronjtë të
paepur, nga të ashtuquajturit të mëdhenj ju bë o padrejtë, të cilët për
interesa të veta imperialiste si dhe për hatër të zotërive shoviniste fqinjë,
veçmas Mbretërisë serbe, copëtuan tokat tona, duke ia aneksuar ato mbretërisë
serbe e malazeze, edhe pas kryengritjes tona kundra sulltanëve andollakë
dhjetëra kontribute të mëdha në luftën e popujve evropianë kundra invazionit
turk të Perëndimit. Këto padrejtësi u vërtetuan nga Konferenca e Ambasadorëve
të Fuqive të Mëdha në Londër më 1913 dhe Konferenca e Versajës më 1919. Këtyre
vendimeve antishqiptare ne të drejtat popullit ynë nuk ju bind, por luftojë pa
ndërprerë për pavarësi e liri, deri kur shpërtheu Lufta e Dytë Botërore. Këto
kryengritje në historinë tonë njihen si lëvizje të kaçakëve.
Të dashur bashkatdhetarë, revolucionarë e demokratë,
Lufta
e përbashkët në duart e juaja është e mirë dhe e drejtësisë në Ballkan, e
atëherë kur popujt, pasi t’i kenë çliruar vendet e tyre nga hordhitë fashiste,
do të gëzojnë të drejtën për vetëvendosje. Kjo njëherë do ndihmonte shërimin e
plagëve të shkaktuara në të kaluarën. Ndodhi e kundërta: e ashtuquajtura PKJ
tradhtoi luftën e përbashkët dhe marrëveshjet, si ajo e Bujanit, me ç’rast
ripushtoi trojet tona dhe vazhdoi politikën e egër të Paraluftës. Pasuan
vrasjet, djegiet e fshatrave e qyteteve, zhdukja në masë, internimi,
shpërngulja me dhunë, etj., etj., duke synuar nënshtrimin e popullit tonë dhe
asimilimin e tij të plotë, aspiratë kjo e krajlëve të mëparshëm. Viktimë e këtij
ripushtimi bien mbi 42.000 shqiptarë.
Në
vitet e para të të ashtuquajturit Pushtet Popullor, populli ynë i pllakosi
kafshata e fundit. Këtë plaçkitje populli e njeh me emrin famëkeq “otkup”. Po
kështu edhe i ashtuquajturi kolektivizim i tokave, që bëhej vetëm në trojet
shqiptare, nuk ishte tjetër pos vazhdim i të ashtuquajturave “reforma agrare”
të Paraluftës, përmes të cilave synohej serbizimi i Kosovës ku për ministër
agrar ishte zgjedhur prap shovenisti i tërbuar, me eksperiencë të Paraluftës,
Qubrilloviq. Politika e tillë kushtëzoi shpërnguljen me dhunë të mbi 380.000
shqiptarëve për Turqi vetëm pas Luftës.
Në
tokatë e tyre qeveria jugosllave solli dhjetëra mijëra kolonë serbë, malazezë,
si dhe “egejca” nga Greqia në viset shqiptare në Maqedoni. Sot, kur klika
serbomadhe është tërbuar fare dhe është ende në pushtet, nuk pranoi së mbajturi
plenume për të penguar shpërnguljen e kolonëve serbë e malazezë, të cilët
shkojnë nga Kosova për të jetuar më mirë në viset e tyre, atëherë ku tokat e plaçkitura
i shesin shumë shtrenjtë. Këta kolonë dinë për padrejtësitë që na janë bërë,
prandaj mund që i frikësohen edhe hakmarrjes. Histerizmi i klikës serbomadhe
bënë edhe të tilla llogari të çuditshme: prej afro 18.000 kolonë të
shpërngulur, siç thonë ata, u dolën 57.000(!), kur t’u llogaritet shtimi, por
sipas rregullave shoviniste. Kurse po e njëjta klikë nuk përmend asnjëherë
ndjekjen e shqiptarëve për në Turqi, edhe pse kur ua deshi demagogjia në
Plenumin e Brioneve (1966) “kritikuan bandën e banditit Rankoviq” për
shpërngulje për shpërnguljen me dhunë të shqiptarëve.
Klika
serbomadhe përmes fushatës për pengimin e shpërnguljes së kolonëve nga Kosova,
si dhe propagandës po aq shoviniste e raciste, donë t’u mëshonë popujve të
Jugosllavisë, sidomos atij serb e malazez, duke i bashkuar ata kundra popullit
tonë, se gjoja populli ynë luftuaka kundra popujve të Jugosllavisë dhe jo për
të drejtat elementare. Por ne jemi të sigurtë se proletariati dhe popujt e
Jugosllavisë nuk do të mashtrohen e të bien në kurthet që po ngrenë armiku ynë
e i tyre, revizionistët titistë. Ata duhet të jenë të vetëdijshëm se populli
shqiptar, si gjatë gjithë historisë së vetë ashtu edhe sot, nuk ka luftuar që
të vëllezëron dhe as më pak të robërojë ndokënd. Prandaj që këtu i thërrasim
popujt e Jugosllavisë, klasën punëtore, inteligjencën përparimtare e
patriotike, rininë revolucionare, që t’i kuptojnë kërkesat e popullit tonë si
të drejta që janë, që përkrahësisht dalin nga Kushtetuta Jugosllave, pa lënë të
hasmohen kundra popullit tonë paqedashës. Klikës titiste, e goditur rëndë për
vdekje nga krizat ekonomike, politike e ideologjike, po i vije fundi. Popujve
tanë u duhet mirëkuptimi dhe bashkëjetesa fqinjësore në paqe e liri! Këtë duke
e kuptuar drejtë e me kohë! Ai që lenë të ndërsehet, ai është armik për vdekje
i popullit tonë dhe të “vetve”, pamarre parasysh a është ai serb, malazez,
maqedon, shqiptar a kushdoqoftë!
Të dashur bashkatdhetarë, revolucionarë e demokratë,
Sa
u përket shfrytëzimit ekonomik, prapambetjes së Kosovës dhe viseve shqiptare në
Jugosllavi si dhe papunësisë, nuk është koha të flitet shumë, pse kur një
qeveri vetë e terrorizon një popull, atëherë këto dukuri kanë qenë sëmundje e gjithhershme.
Populli është ngritur kundra tyre, kurse
qeverisë si mbetet formë tjetër nënshtrimi, pos ta përdorë formën e fundit,
vrasjen dhe arrestimet në masë derisa të mundet nga populli, i cili ka vendosur të luftojë gjer në fitore të plotë, si në rastin
tonë!
Të dashur bashkatdhetarë, revolucionarë e demokratë
tjerë,
Sot kur lufta e popullit tonë ka arritur kahen e vetë,
me rëndësi të veçantë është morali i masave, bertëse të kësaj lufte. Analizat e
gjendjes flasin për moral të lartë të popullit, vendosmëri të thellë e shpirt
të sakrificës, të cilin nevojitet edhe nga parulla e thirrur: "ska darsëm
pa mish!" Po kështu edhe forcat e organizuara revolucionare janë duke i
konsoliduar radhët vendore e më mirë, edhe pse vrasjet e arrestimet po i
godasin. Armiku po provon t’i mashtronë masat se “janë kapur organizatorët”,
“sa herë që ndonjë patrioti revolucionar i japin dënim të rëndë. Edhe dëshira
për bashkimin e të gjitha forcave revolucionare është e pranishme, pse është
kuptuar se është imperativ i kohës dhe domosdoshmëri për fitore.
Se ka vend për optimizëm për të ardhshmen, dëshmon
anali i njëvjetoritë: edhe atëherë kur mbretëron gjendje lufte, forcat
patriotike e revolucionare gjejnë forca, mundësi e raste për organizimin e
demonstratave të njëpasnjëshme. Kremtimi i 1-vjetorit të shpërthimit të
demonstratës së parë u shënua kudo me demonstrata të reja, edhe pse UDB-ja dhe
ushtria fashiste jugosllave kanë sjellur forca të reja, që të bëjnë roje në çdo
skutë. Lufta do të vazhdojë. Kjo luftë është duke u zhvilluar në formë të
demonstratave tani për tani, pse populli e ka gjetur si formë më të mirë. Se
çfarë lufte do zhvillohet nesër, varet nga armiku. Një gjë është e qartë:
Populli ynë kësaj radhe do Republikën – le të rrojë Republika!
Të dashur shokë e shoqe,
Populli ynë, i bashkuar si çdoherë në momente të
rëndësishme historike, gjatë një viti haptas e me vendosmëri, e edhe duke dhënë
shumë dëshmorë, njëzërit kërkon të drejtat e tij të ligjshme. Edhe ne u
bashkangjitemi vendosmërisht, prandaj kërkojmë:
Republikën e federuar të Kosovës, me të gjitha tokat
shqiptare!
Njohjen e statusit të kombit dhe, rrjedhimisht, të
drejta demokratike e leniniste për vetëvendosje gjer në shkëputje!
Amnisti të të gjithë të burgosurve politikë pa kusht
dhe kthimin në Kosovë të të gjithë të burgosurve tjerë!
Të mos plaçkiten pasuritë e Kosovës nga republikat
jugosllave!
Punësimin e të gjithë atyre që nuk kanë punë dhe
kthimin e mërgimtarëve si dhe punësimin e tyre në vendlindje, pranë fëmijëve e
familjeve, që djersa e tyre të derdhet për ndërtimin e vendit tonë dhe jo për
profitet e monopoleve perëndimore!
Realizimin e vërtetë të pezullimit zyrtar të vendimit
për shtetrrethimin dhe orën policore në Kosovë dhe troje tjera shqiptare në
Jugosllavi!
Tërheqjen e të gjitha forcave policore e ushtarake të sjella
nga jashtë në Kosovë dhe vise tjera shqiptare në Jugosllavi!
Autorët e krimeve të nxirren para gjyqit të popullit
për t’i marrë dënimet e merituara!
Për këto kërkesa ka luftuar, lufton e do të luftojë
populli ynë. Për to gjatë më shumë se një viti po derdhet gjaku si lumë dhe nuk
ka forcë në botë që do ta ndalë hovin e luftës sonë të drejtë deri në
realizimin e të gjitha aspiratave tona të ligjshme. Përderisa të mos realizohen
të drejtat tona, populli ynë do ta vazhdojë edhe më me furi luftën. Do të
përdorë të gjitha mjetet e format e luftës, që i gjënë më të nevojshme. Këto të
drejta nuk i kërkojmë si dhuratë as si lëmoshë, por si të drejta tona që na
janë rrëmbyer e mohuar nga shovinistët jugosllavë, në krye me klikën serbomadhe
të Beogradit!
Poshtë terrori e masakrat në Kosovë!
Poshtë ushtria fashiste dhe UDB-ja famëkeqe
jugosllave!
Poshtë revizionistët titistë, tradhtarët dhe politika
e tyre e poshtër antishqiptare!
Rrofshin popujt e Jugosllavisë!
Rroftë populli ynë heroik!
Lavdi motrave e vëllezërve të rënë në fushën e nderit!
Vijon







