Sabile Basha: Roli i mërgatës shqiptare në kujtesën historike të Kosovës (68)
ROLI I MËRGATËS SHQIPTARE NË KUJTESËN HISTORIKE TË KOSOVËS (68)
"DO TË KTHEHEM NË PRISHTINË"(1993) –
NJË HIMN I MËRGATËS SHQIPTARE

Duke
ecur hap pas hapi nëpër shkallët e historisë shqiptare dhe duke ndjekur
rrjedhën e pandërprerë të mërgimit ndër shekuj, më erdhi ndër mend edhe një
këngë tjetër, e lindur në një periudhë krejt tjetër historike, por që mbante në
vete të njëjtën dhimbje të largimit nga atdheu. Nëse baladat e muhaxhirëve të
Sanxhakut të Nishit dhe Toplicës rrëfenin tragjedinë e dëbimeve të dhunshme të
fundit të shekullit XIX, kjo këngë i përket një epoke më të afërt, asaj të
sistemit komunist jugosllav dhe të sundimit serb mbi Kosovën, kur mërgimi mori
forma të reja, por nuk e humbi kurrë karakterin e tij të dhimbshëm.
Me
kalimin e viteve, plagët e largimit jo vetëm që nuk u shëruan, por në shumë
raste u thelluan edhe më tej. Nën regjimin jugosllav, shqiptarët e Kosovës u
përballën me diskriminim politik, ekonomik, kulturor dhe kombëtar. Mungesa e
lirisë, pabarazia në punësim, represioni shtetëror, ndjekjet politike,
burgosjet dhe kufizimi i të drejtave elementare krijuan një realitet që i shtyu
mijëra shqiptarë të merrnin rrugën e mërgimit. Shumë prej tyre u larguan në
kërkim të një jete më të sigurt, ndërsa të tjerë u detyruan të braktisnin
vendlindjen për t'i shpëtuar përndjekjes politike dhe presionit të vazhdueshëm
të aparatit shtetëror jugosllav.
Kështu,
mërgata shqiptare vazhdoi të zgjerohej. Ajo nuk ishte më vetëm pasojë e
dëbimeve të shekullit XIX, por edhe rezultat i politikave të vazhdueshme
shtypëse që ushtronte regjimi komunist jugosllav ndaj shqiptarëve. Çdo dekadë
sillte valë të reja emigrimi, ndërsa çdo familje shqiptare njihte dikë që
kishte marrë rrugën e botës, duke lënë pas prindërit, fëmijët, shtëpinë dhe
vendlindjen.
Ashtu
si në periudhat e mëhershme historike, edhe kjo plagë gjeti pasqyrim në
krijimtarinë artistike e popullore. Kënga u bë përsëri zëri i atyre që
largoheshin dhe i atyre që mbeteshin duke pritur. Ajo shprehu mallin për Kosovën,
dhimbjen e ndarjes, por edhe besimin se lidhja me atdheun nuk mund të këputej,
pavarësisht largësisë. Nëpërmjet vargjeve të saj, historia e mërgimit vazhdoi
të jetonte në kujtesën kolektive të shqiptarëve, duke dëshmuar se largimi nuk
ishte vetëm një fenomen demografik apo ekonomik, por një plagë e thellë
kombëtare që vazhdoi të rëndonte mbi fatin e shqiptarëve gjatë gjithë periudhës
së sundimit jugosllav dhe okupimit serb.
Një
ndër shkaqet më të rëndësishme që ndikoi në shtimin e valëve të emigrimit të
shqiptarëve nga Kosova gjatë dekadave të fundit të shekullit XX ishte
represioni i vazhdueshëm që ushtronte pushteti jugosllav, e më pas ai serb,
ndaj popullsisë shqiptare. Dhuna institucionale, terrori policor, ndjekjet
politike, arrestimet arbitrare dhe dënimet e rënda me burg u shndërruan në
instrumente të përhershme të politikës shtetërore, me anë të të cilave synohej
të frikësohej dhe të nënshtrohej popullsia shqiptare.
Veçanërisht
pas demonstratave të vitit 1981, aparati i sigurisë intensifikoi goditjet ndaj
çdo forme të organizimit politik, kulturor dhe kombëtar të shqiptarëve. Qindra
veprimtarë, studentë, profesorë, intelektualë dhe qytetarë të zakonshëm u
arrestuan, u morën në pyetje, u keqtrajtuan fizikisht e psikologjikisht dhe u
dënuan me procese gjyqësore që shpesh nuk i përmbushnin standardet themelore të
drejtësisë. Dënimet me shumë vite burg, të shqiptuara për veprimtari politike,
për shprehje të identitetit kombëtar apo për kërkesa për të drejta kushtetuese,
krijuan një atmosferë të vazhdueshme frike dhe pasigurie në shoqërinë
shqiptare.
Represioni
nuk kufizohej vetëm te personat e dënuar. Pasojat e tij rëndonin mbi tërë
familjen. Bashkëshortët, prindërit dhe fëmijët e të burgosurve jetonin nën
mbikëqyrje të vazhdueshme, përballeshin me diskriminim në punësim, arsim dhe
jetën shoqërore, ndërsa shpesh stigmatizoheshin vetëm për shkak të lidhjeve
familjare me një të burgosur politik. Në këtë mënyrë, terrori shtetëror nuk
synonte vetëm individin, por krijonte një klimë kolektive pasigurie, e cila
prekte mijëra familje shqiptare.
Përballë
kësaj gjendjeje, shumë shqiptarë e panë largimin nga vendlindja si të vetmen
mundësi për të mbrojtur jetën, lirinë dhe të ardhmen e familjeve të tyre.
Mërgimi nuk ishte gjithmonë një zgjedhje e lirë apo një kërkim i një standardi
më të mirë jetese; në shumë raste ai ishte një akt mbijetese. Shumë veprimtarë
politikë u detyruan të largoheshin për t'i shpëtuar arrestimit, ndërsa të
tjerë, pasi kishin vuajtur dënime të gjata me burg, zgjodhën emigrimin për t'u
shkëputur nga një realitet ku mbeteshin vazhdimisht nën mbikëqyrjen dhe
presionin e organeve shtetërore.
Në
këtë kuptim, emigrimi i shqiptarëve gjatë kësaj periudhe nuk mund të shpjegohet
vetëm me faktorë ekonomikë. Në themel të tij qëndronte një realitet politik i
karakterizuar nga mohimi i lirive themelore, nga dhuna institucionale dhe nga
një sistem represiv që kufizonte të drejtat individuale dhe kolektive të
shqiptarëve. Për këtë arsye, një pjesë e konsiderueshme e mërgatës shqiptare të
krijuar gjatë viteve tetëdhjetë dhe nëntëdhjetë ishte, në thelb, një mërgatë
politike, e lindur si pasojë e përndjekjes, e terrorit shtetëror dhe e mungesës
së lirisë në vendlindje.
Një
tjetër faktor që ndikoi ndjeshëm në shtimin e emigrimit të shqiptarëve nga
Kosova gjatë dekadës së fundit të shekullit XX ishte edhe detyrimi për kryerjen
e shërbimit ushtarak në Ushtrinë Popullore Jugosllave (JNA). Për një numër të
madh familjesh shqiptare, dërgimi i djemve të tyre në kazermat ushtarake nuk
përjetohej si një detyrim i zakonshëm qytetar, por si një burim i vazhdueshëm
ankthi, pasigurie dhe frike. Me kalimin e viteve, sidomos në klimën e
tensionuar politike të fundviteve tetëdhjetë dhe fillimit të viteve
nëntëdhjetë, besimi i shqiptarëve ndaj institucioneve shtetërore ishte zbehur
pothuajse tërësisht, ndërsa shërbimi ushtarak shihej gjithnjë e më shumë si një
rrezik serioz për jetën e të rinjve.
Kjo
ndjenjë pasigurie nuk ishte e pabazë. Në opinionin publik shqiptar u përhapën
dhe u dokumentuan raste të shumta të ushtarëve shqiptarë që humbnin jetën gjatë
shërbimit ushtarak në rrethana të paqarta ose të dyshimta. Shpesh familjeve u
ktheheshin arkivolet e bijve të tyre, të shoqëruara me shpjegime zyrtare që
ngjallnin mosbesim dhe nuk bindnin as familjarët, as opinionin publik. Këto ngjarje
krijuan një traumë kolektive dhe shtuan ndjenjën e pasigurisë, duke bërë që
shumë familje të kërkonin çdo mënyrë të mundshme për t'i larguar djemtë e tyre
nga vendi përpara se të mobilizoheshin.
Njëkohësisht,
klima politike në Kosovë po bëhej gjithnjë e më e rëndë. Pas shfuqizimit të
autonomisë së Kosovës në vitin 1989, represioni shtetëror u intensifikua në të
gjitha fushat e jetës. Arrestimet, bastisjet, marrjet në pyetje, survejimi i
vazhdueshëm dhe presioni ndaj veprimtarëve politikë krijuan një atmosferë të
përgjithshme frike. Shqiptarët ndiheshin gjithnjë e më të përjashtuar nga
institucionet publike dhe të privuar nga të drejtat themelore politike,
kombëtare dhe qytetare.
Në
këtë realitet të rënduar filluan të shfaqeshin edhe organizimet e para ilegale
që synonin organizimin e rezistencës së armatosur kundër regjimit serb. Edhe
pse në fazat e para ato vepronin në mënyrë të fshehtë dhe me struktura të
kufizuara, vetë ekzistenca e tyre dëshmonte se gjendja politike në Kosovë po
hynte në një etapë të re. Përplasja ndërmjet aparatit represiv serb dhe
përpjekjeve të shqiptarëve për organizim kombëtar po bëhej gjithnjë e më e
dukshme, ndërsa tensionet politike po rriteshin dita-ditës.
Për
shumë të rinj shqiptarë, kjo situatë krijonte një dilemë të rëndë. Nga njëra
anë, ata rrezikonin të mobilizoheshin në një ushtri ndaj së cilës nuk kishin
besim dhe ku ndiheshin të diskriminuar; nga ana tjetër, përfshirja ose dyshimi
për lidhje me veprimtarinë politike shqiptare mund t'i ekspozonte ndaj ndjekjes
penale, burgosjes ose përndjekjes së vazhdueshme. Në këto rrethana, emigrimi u
shndërrua për shumë familje në një formë mbrojtjeje dhe mbijetese. Largimi nga
vendlindja nuk ishte vetëm një përpjekje për të siguruar një jetë më të mirë
ekonomikisht, por edhe një mënyrë për t'u shpëtuar rreziqeve që sillte një
realitet politik gjithnjë e më represiv dhe një konflikt që po afrohej me
shpejtësi.
Represioni
që ushtrohej ndaj shqiptarëve gjatë kësaj periudhe nuk ishte një dukuri e
kufizuar vetëm në Kosovë. Përkundrazi, ai shtrihej në të gjitha trevat
shqiptare që ndodheshin brenda kufijve të ish-Jugosllavisë, duke marrë forma të
ndryshme, por me të njëjtin qëllim: dobësimin e pozitës politike, shoqërore dhe
kombëtare të shqiptarëve. Kështu, krahas Kosovës, edhe shqiptarët në Maqedoni,
në Mal të Zi, si dhe në Luginën e Preshevës – Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc –
u përballën me politika diskriminuese, presion institucional dhe kufizim të të
drejtave të tyre kombëtare.
Ndonëse
intensiteti dhe format e represionit ndryshonin nga njëra trevë në tjetrën,
përvoja e shqiptarëve kishte një emërues të përbashkët: ndjenjën e pasigurisë
dhe të margjinalizimit. Në shumë raste, shqiptarët përballeshin me diskriminim
në punësim, në administratë, në arsim, në përdorimin e gjuhës amtare dhe në
ushtrimin e lirë të identitetit të tyre kombëtar. Aktivistët politikë,
intelektualët dhe të rinjtë që shfaqnin angazhim kombëtar ishin shpesh objekt i
mbikëqyrjes së vazhdueshme, marrjeve në pyetje, proceseve gjyqësore dhe formave
të tjera të presionit politik.
Veçanërisht
në Kosovë, pas shfuqizimit të autonomisë në vitin 1989, represioni mori përmasa
shumë më të ashpra, por jehona e kësaj politike ndihej edhe në trevat e tjera
shqiptare. Shqiptarët në Maqedoni përballeshin me kufizime në përfaqësimin
institucional dhe në realizimin e të drejtave të tyre kolektive, ndërsa në Mal
të Zi dhe në Luginën e Preshevës vazhdonin të jetonin nën politika që shpesh
nuk u garantonin barazi të plotë me popullsinë shumicë. Këto zhvillime krijuan
një ndjenjë të përbashkët pasigurie në mbarë hapësirën shqiptare të
ish-Jugosllavisë.
Si
pasojë e këtij realiteti politik dhe shoqëror, emigrimi nuk mbeti vetëm një
fenomen kosovar. Ai u shndërrua në një dukuri që përfshiu pothuajse të gjitha
trevat shqiptare nën administrimin jugosllav. Mijëra shqiptarë nga Tetova,
Gostivari, Kërçova, Struga, Ulqini, Tuzi, Presheva, Bujanoci, Medvegja dhe
shumë vendbanime të tjera morën rrugën e mërgimit drejt vendeve të Evropës
Perëndimore dhe më gjerë. Shkaqet mund të ndryshonin në nuanca nga një rajon në
tjetrin, por në thelb ato lidhnin të njëjtin realitet: mungesën e lirisë së
plotë, pasigurinë politike, diskriminimin institucional dhe kërkimin e një jete
me më shumë dinjitet dhe perspektivë.
Kjo
është edhe arsyeja pse mërgata shqiptare e krijuar gjatë kësaj periudhe nuk
mund të shihet si produkt i zhvillimeve të një territori të vetëm. Ajo ishte
rezultat i një procesi më të gjerë historik që preku shqiptarët në të gjitha
trevat e ish-Jugosllavisë. Për këtë arsye, mërgata e fund shekullit XX
përfaqëson një fenomen mbarëkombëtar, i lindur nga një realitet i përbashkët
politik dhe historik, ku largimi nga vendlindja u bë, për mijëra familje
shqiptare, një zgjedhje e imponuar nga rrethanat dhe jo një dëshirë e lirë.
Pikërisht
për këtë arsye, gjatë kësaj periudhe u krijuan një mori poezish dhe këngësh
kushtuar mërgimit dhe mërgatës shqiptare, të cilat pasqyronin dhimbjen e
largimit, mallin për vendlindjen dhe shpresën e pashuar për rikthim. Në këtë
kontekst historik lindi fillimisht edhe poezia "Ku shkojnë kosovarët?",
e cila nuk e kufizon frymëzimin e saj vetëm te Kosova dhe as nuk e paraqet
mërgimin si një dramë që i përket vetëm një pjese të kombit shqiptar.
Përkundrazi, autori e zgjeron horizontin poetik duke përfshirë edhe treva të
tjera shqiptare, si Tetovën, Ulqinin, Preshevën dhe, në fund, Prishtinën, duke
i shndërruar ato në simbole të një dhimbjeje dhe fati të përbashkët kombëtar.
Në këtë mënyrë, poezia tejkalon kufijtë krahinorë dhe shndërrohet në zërin e
mbarë shqiptarëve, duke dëshmuar se mërgimi i asaj kohe ishte një plagë që
preku pothuajse çdo trevë shqiptare.
Sipas
të dhënave që kam arritur të siguroj gjatë këtij hulumtimi, teksti i kësaj
kënge është shkruar nga Izet
Rraci në vitin 1993,
në një nga periudhat më të rënda të historisë bashkëkohore të Kosovës. Ishte
koha kur represioni i regjimit serb ndaj shqiptarëve kishte arritur kulmin, pas
shfuqizimit të autonomisë së Kosovës dhe vendosjes së një administrimi të
drejtpërdrejtë nga Beogradi. Shqiptarët ishin përjashtuar nga institucionet
shtetërore, mijëra punëtorë ishin larguar nga vendet e tyre të punës, sistemi
arsimor dhe ai shëndetësor funksiononin në rrethana të jashtëzakonshme, ndërsa
arrestimet, bastisjet, burgosjet dhe presioni policor ishin bërë pjesë e
përditshmërisë. Në këtë atmosferë pasigurie, dëshpërimi dhe mungese
perspektive, mijëra të rinj shqiptarë morën rrugën e mërgimit, duke kërkuar
strehë dhe një të ardhme më të sigurt në vendet e Evropës Perëndimore.
Pikërisht
në këtë realitet historik lindi poezia e Izet Rracit, e cila në versionin e saj
të parë mbante titullin "Do të kthehem në Prishtinë". Ky titull nuk
ishte thjesht një shprehje poetike e mallit për vendlindjen, por një premtim
shpirtëror i mërgimtarit shqiptar, i cili, pavarësisht largësisë dhe rrethanave
të vështira, nuk e humbte kurrë shpresën për rikthim. Poezia përmblidhte
ndjenjat e një brezi të tërë që po largohej jo nga dëshira, por i detyruar nga
kushtet politike, ekonomike dhe shoqërore të kohës.
Më
vonë, kjo poezi mori jetë të re artistike kur u kompozua nga Naim Gjoshi dhe u
interpretua mjeshtërisht nga Ilir Shaqiri, duke u shndërruar në një nga këngët
më të njohura dhe më të dashura të repertorit patriotik shqiptar. Përmes
melodisë dhe interpretimit të ndjerë, krijimi kapërceu kufijtë e një poezie të
botuar dhe u bë zë i mërgatës shqiptare të viteve nëntëdhjetë. Kënga u përqafua
shpejt nga shqiptarët brenda dhe jashtë atdheut, sepse secili gjeti në vargjet
e saj një pjesë të historisë dhe të përjetimeve të veta.
Në
këtë kuptim, "Do të kthehem në Prishtinë", e njohur gjerësisht edhe
përmes refrenit "Ku shkojnë kosovarët?", nuk është vetëm një krijim
artistik, por edhe një dokument i rëndësishëm i kujtesës historike. Ajo
pasqyron atmosferën e viteve 1989–1999, kur mërgimi shqiptar mori përmasa të
papara dhe u shndërrua në një nga fenomenet më karakteristike të asaj periudhe.
Përmes një gjuhe të thjeshtë, por thellësisht emocionale, poezia dhe më pas
kënga arritën të shprehin ankthin, mallin, pasigurinë dhe shpresën e mijëra
shqiptarëve që u detyruan të linin vendlindjen, por që nuk e humbën kurrë
besimin se një ditë do të riktheheshin në atdheun e tyre të lirë.
Pikërisht
për këtë arsye, kjo këngë zë një vend të veçantë në historinë e krijimtarisë
shqiptare kushtuar mërgimit. Ajo nuk është vetëm një dëshmi e një kohe të
caktuar historike, por edhe një simbol i lidhjes së pashkëputshme të
mërgimtarit shqiptar me vendlindjen, duke e shndërruar mallin për atdheun në
motivin qendror të identitetit të tij shpirtëror.
Ky
zgjerim gjeografik nuk është një zgjedhje e rastësishme artistike. Ai pasqyron
një realitet historik të fund shekullit XX, kur emigrimi nuk prekte vetëm
shqiptarët e Kosovës, por pothuajse të gjitha hapësirat shqiptare që ndodheshin
brenda kufijve të ish-Jugosllavisë. Përmes përmendjes së këtyre qyteteve, poeti
ndërton një hartë shpirtërore të mërgimit shqiptar, ku secili vend përfaqëson
mijëra familje të ndara, shtëpi të mbetura bosh dhe ëndrra të detyruara të
kërkonin strehë larg atdheut.
Në
vargjet e tij, Tetova nuk përfaqëson vetëm një qytet të shqiptarëve në
Maqedoninë e atëhershme, por simbolizon vuajtjet dhe emigrimin e shqiptarëve të
asaj treve. Ulqini bëhet zëri i shqiptarëve të Malit të Zi, të cilët gjithashtu
përjetuan vështirësi ekonomike, politike dhe shoqërore që i shtynë drejt mërgimit.
Presheva, së bashku me Luginën e saj, përfaqëson shqiptarët që jetonin nën
administrimin serb dhe që u përballën me pasiguri, diskriminim dhe mungesë
perspektive. Ndërsa Prishtina, si kryeqendra e Kosovës, mishëron zemrën
politike, kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve të Kosovës, vendin drejt të
cilit kthehen vazhdimisht mendimet, kujtimet dhe shpresat e mërgimtarit.
Në
këtë mënyrë, kënga kapërcen kufijtë e një krijimi lokal dhe shndërrohet në një
himn të mbarë mërgatës shqiptare. Ajo nuk pyet vetëm "ku shkojnë
kosovarët", por në thelb pyet se pse shqiptarët, kudo që jetojnë në trojet
e tyre etnike, detyrohen të largohen nga vendlindja. Kjo pyetje retorike nuk
kërkon një përgjigje të drejtpërdrejtë; ajo është një formë proteste artistike
ndaj rrethanave historike dhe politike që prodhuan valë të njëpasnjëshme
emigrimi.
Prandaj,
kjo poezi-këngë duhet parë si një dëshmi e rëndësishme e kujtesës kolektive të
shqiptarëve në fund të shekullit XX. Ajo i jep zë një përvoje të përbashkët
historike, duke dëshmuar se mërgimi nuk njohu kufij krahinorë, por preku
pothuajse çdo trevë shqiptare në ish-Jugosllavi. Përmes gjuhës poetike, autori
arrin të bashkojë në një të vetme dhimbjen e Kosovës, të Tetovës, të Ulqinit,
të Preshevës dhe të të gjitha viseve shqiptare, duke e shndërruar këngën në një
simbol të unitetit shpirtëror të kombit dhe të mallit të përhershëm për
atdheun.
Ndryshe
nga baladat historike të muhaxhirëve të Nishit dhe Toplicës, të cilat lindën si
pasojë e dëbimit me dhunë dhe spastrimit etnik, kjo këngë i përket një periudhe
tjetër historike. Megjithatë, ajo dëshmon se plagët e largimit vazhdojnë të
jenë pjesë e ndërgjegjes kombëtare shqiptare.
Që
në vargjet e para, autori ndërton një dialog poetik me natyrën. Zogjtë e malit,
valët e detit dhe vetë peizazhi shqiptar bëhen dëshmitarë të zbrazjes së
trojeve shqiptare. Ata shtrojnë një pyetje që në pamje të parë duket e
thjeshtë, por që mbart një ngarkesë të madhe emocionale dhe shoqërore:
Kjo
pyetje nuk kërkon një përgjigje të drejtpërdrejtë. Ajo është një pyetje
retorike, një thirrje që shpreh habinë dhe dhimbjen për largimin e vazhdueshëm
të shqiptarëve nga vendlindja e tyre. Nëpërmjet saj, autori e shndërron
emigrimin në një shqetësim kombëtar dhe e fton dëgjuesin të reflektojë mbi
shkaqet që i detyrojnë njerëzit të braktisin vendin e tyre.
Veçoria
më e rëndësishme e kësaj kënge qëndron në faktin se ajo nuk kufizohet vetëm te
Kosova. Përmendja e Ulqinit, Tetovës dhe Preshevës e zgjeron mesazhin e saj në
të gjitha hapësirat shqiptare të Ballkanit. Kështu, mërgimi nuk paraqitet si
një fenomen lokal, por si një plagë e përbashkët e kombit shqiptar. Përmes
këtij zgjerimi gjeografik, kënga krijon një hartë emocionale të trojeve
shqiptare, ku secili qytet bëhet simbol i zbrazjes demografike dhe i dhimbjes
së largimit.
Pas
përshkrimit të dramës së largimit dhe shtrirjes së saj në të gjitha trevat
shqiptare, autori e thellon edhe më tej dimensionin emocional të poezisë duke
përdorur një figurë artistike sa të thjeshtë, aq edhe domethënëse. Ai i
drejtohet natyrës dhe, përmes zogjve të malit, ndërton një dialog simbolik që
shpalos peshën e mërgimit në ndërgjegjen e njeriut. Në vargjet:
Zogjtë
nuk paraqiten thjesht si pjesë e peizazhit natyror, por si dëshmitarë të
heshtur të fatit të mërgimtarit. Në traditën e letërsisë dhe folklorit
shqiptar, natyra shpesh është personifikuar dhe është bërë bashkëbiseduese e
njeriut në çastet e tij më të vështira. Edhe këtu, zogjtë marrin rolin e
ndërgjegjes që e ndjek mërgimtarin kudo që ai shkon, duke i rikthyer
vazhdimisht të njëjtën pyetje që rëndon mbi shpirtin e tij.
Megjithatë,
pyetja e zogjve nuk duhet kuptuar vetëm në kuptimin e saj të drejtpërdrejtë.
Ajo mbart një domethënie më të thellë simbolike. Autori e di se arsyeja e
largimit të shqiptarëve është e njohur për të gjithë. E dinë familjet që
përcollën bijtë e tyre drejt mërgimit, e dinë ata që mbetën në vendlindje, e
dinë vetë mërgimtarët, e dinë bota për këtë tragjedi, e dinë edhe okupuesi dhe,
në mënyrë metaforike, e di edhe natyra. Prandaj shprehja "sikur nuk e
dinë" është një ironi e hollë poetike. Ajo nënkupton se e vërteta është aq
e dukshme, saqë çdo pyetje duket e panevojshme. Të gjithë e dinë pse shqiptarët
po largohen: pas tyre qëndron një realitet i mbushur me shtypje politike,
pasiguri, dhunë, mungesë lirie dhe një e ardhme e errët në vendlindje.
Në
planin historik, këto vargje pasqyrojnë atmosferën e viteve nëntëdhjetë, kur
rrugët e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare mbusheshin çdo ditë me njerëz
që niseshin drejt një bote të panjohur. Emigrimi ishte bërë një fenomen aq i
përhapur, saqë nuk përbënte më një ngjarje të veçantë, por një realitet të
përditshëm. Çdo familje kishte dikë në mërgim, çdo lagje përcillte të rinj që
largoheshin dhe pothuajse çdo shtëpi jetonte me mallin e ndarjes. Pikërisht për
këtë arsye, autori shpreh habinë e tij poetike: si është e mundur të shtrohet
ende pyetja "ku po shkojnë" ose "pse po largohen", kur
përgjigjja është e shkruar në vetë realitetin e kohës?
Në
këtë mënyrë, metafora e zogjve të malit tejkalon funksionin estetik dhe
shndërrohet në një kritikë të heshtur ndaj indiferencës dhe shtirjes. Ajo na kujton
se ka momente në histori kur e vërteta është aq e dukshme, saqë vetëm ai që
zgjedh të mos shohë mund të sillet "sikur nuk e di". Përmes kësaj
figure poetike, autori arrin të bashkojë bukurinë e vargut me peshën e
historisë, duke e bërë poezinë jo vetëm një rrëfim të mallit të mërgimtarit,
por edhe një dëshmi artistike të një prej periudhave më të dhimbshme të
historisë së shqiptarëve.
Një
tjetër element me rëndësi është fundi optimist i këngës. Pas gjithë rrugëtimit
të mërgimtarit, pas pyetjeve, mallit dhe endjes së pafund, autori e mbyll
këngën me një premtim që përbën boshtin emocional të gjithë krijimit:
Këto
vargje shprehin një të vërtetë që ka shoqëruar mërgatën shqiptare ndër shekuj:
largimi nuk ka nënkuptuar kurrë shkëputje shpirtërore nga atdheu. Edhe kur
mërgimtari ndërton jetën larg vendlindjes, në zemrën e tij vazhdon të jetojë
dëshira për t'u kthyer. Pikërisht kjo shpresë për rikthim e dallon këtë këngë
nga shumë krijime të tjera kushtuar emigrimit dhe e bën atë një himn të lidhjes
së pashkëputshme të shqiptarit me vendin e vet.
Në
këtë kuptim, "Ku shkojnë kosovarët?" nuk është vetëm një këngë për
emigrimin, por një reflektim mbi identitetin, përkatësinë dhe mallin për
atdheun. Ajo dëshmon se, pavarësisht kohës dhe rrethanave historike, atdheu
mbetet pika e referimit shpirtëror e çdo mërgimtari shqiptar dhe se ëndrra e
kthimit vazhdon të jetojë në ndërgjegjen e tij.
Teksti
i poezisë:
Ku
Shkojnë Kosovaret
sikur nuk e din
ku shkojn Kosovaret
pse n'Kosove nuk rrinë
m'pyesin ata m'pyesin
sikur nuk e din
ku shkojn Kosovaret
pse n'Kosove nuk rrinë
Detit po te shkoj
dita mbehet natë
m'pyesin valët e detit
nuk me lën rehat
m'pyesin ato m'pyesin
sikur nuk e din
ku shkojn Ulqinaket
pse n'Ulqin nuk rrinë
Sharrit do te ngjitem
eci ditë e natë
m'pyesin zogjet e malit
nuk me lën rehat
m'pyesin ata m'pyesin
sikur nuk e din
ku shkojn Tetovaret
pse n'Tetovë nuk rrinë
m'pyesin ata m'pysin
sikur nuk e din
ku shkojn Preshevaret
pse n'Preshevë nuk rrinë
Ngado qe te shkoj
njeri i pa fat
enderrat per at'dhe
nuk me lën rehat
m'zgjojn ato m'zgjojn
e sikur e din
zemra ime me thotë
dot' kthehem n ‘Prishtinë
dot' kthehem n ‘Prishtinë
Sqarim terminologjik: Mërgimi, gurbeti dhe diaspora
Në studimet që trajtojnë lëvizjet migratore të
shqiptarëve, termat mërgim, gurbet dhe diasporë përdoren shpesh si sinonime.
Megjithatë, ndonëse lidhen ngushtë me njëri-tjetrin, ata nuk kanë të njëjtin
kuptim dhe as të njëjtën përmbajtje historike, shoqërore e kulturore. Për këtë
arsye, në këtë punim është bërë një dallim i qartë ndërmjet këtyre nocioneve,
duke i përdorur ato sipas kuptimit që mbart secili në kontekstin përkatës.
Me termin mërgim nënkuptohet procesi i largimit
të individëve ose grupeve nga vendlindja dhe atdheu, qoftë për shkaqe politike,
ekonomike, ushtarake, shoqërore apo si pasojë e luftërave dhe përndjekjeve. Në
historinë shqiptare, mërgimi përfshin valët e ndryshme të largimeve që nga
eksodi i arbërve pas vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, dëbimet e
dhunshme të shqiptarëve nga trojet e tyre etnike, emigrimin ekonomik të
shekullit XX, e deri te largimet masive të viteve 1989–1999 dhe periudhës së
pasluftës. Në këtë kuptim, mërgimi përfaqëson vetë procesin historik të
shpërnguljes dhe të jetës larg atdheut.
Ndërkaq, kurbeti është një nocion që në
traditën shqiptare ka marrë një përmbajtje më shumë emocionale, shpirtërore dhe
folklorike. Ai lidhet kryesisht me largimin për të siguruar jetesën dhe me
përvojën e dhimbshme të ndarjes nga familja dhe vendlindja. Në këngët
popullore, në poezi dhe në letërsinë shqiptare, kurbeti nuk paraqitet vetëm si
një udhëtim fizik, por si një gjendje e vazhdueshme malli, vetmie, sakrifice
dhe shprese për rikthim. Prandaj, në këtë studim, termi gërbet përdoret
kryesisht gjatë analizës së krijimtarisë popullore dhe letrare, ku theksi vihet
mbi përjetimin njerëzor dhe emocional të largimit.
Ndryshe nga këto dy nocione, diaspora nuk nënkupton
aktin e largimit, por bashkësinë e njerëzve që jetojnë jashtë atdheut, duke
ruajtur identitetin e tyre kombëtar, kulturor dhe gjuhësor, si edhe lidhjet me
vendin e origjinës. Diaspora shqiptare, veçanërisht gjatë shekujve XIX, XX dhe
në ditët tona, ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në ruajtjen e identitetit
kombëtar, në zhvillimin ekonomik, në mbështetjen e arsimit e kulturës, në
sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar dhe në mbështetjen politike e
financiare të proceseve historike që lidhen me çështjen shqiptare.
Prandaj, në këtë monografi, termat mërgim, kurbet dhe
diasporë nuk përdoren si sinonime, por sipas kuptimit të tyre të veçantë.
Mërgimi shënon procesin historik të largimit nga atdheu, kurbeti shpreh
përjetimin emocional dhe shpirtëror të kësaj largësie, ndërsa diaspora
përfaqëson komunitetin shqiptar të krijuar jashtë trojeve etnike dhe
kontributin e tij në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe në zhvillimet
historike të kombit shqiptar.


