Sabile Basha: Politikanët shkojnë, popujt mbeten – Zelensky dhe çështja e njohjes së Kosovës
POLITIKANËT SHKOJNË, POPUJT MBETEN: ZELENSKY DHE ÇËSHTJA E NJOHJES SË KOSOVËS

Me
vëmendje të shtuar, por edhe me një ndjenjë të çuditshme habie, e përcolla
deklaratën e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, lidhur me Kosovën.
Thënë të drejtën, fjalët e tij më befasuan. Në një kohë kur Ukraina vetë po
përjeton dramën e rëndë të luftës, pushtimit dhe cenimit të sovranitetit të
saj, pohimi i hapur se nuk e njeh pavarësinë e Kosovës më bëri të ndalem e të
mendoj më gjatë. Jo vetëm për atë që u tha, por edhe për atë që mund të fshihet
pas asaj që thuhet.
Sepse
politika, më shumë se çdo fushë tjetër e jetës njerëzore, na ka mësuar se fjala
e shqiptuar publikisht nuk është gjithmonë e gjithë e vërteta. Ndonjëherë ajo
është vetëm maja e dukshme e një ajsbergu, ndërsa pjesa më e madhe e
interesave, marrëveshjeve, frikës, kalkulimeve dhe kompromiseve mbetet e zhytur
thellë nën sipërfaqe.
Dhe
pikërisht në çaste të tilla më rikthehet në kujtesë një episod i largët nga
vitet e mia studentore në Beograd. Atëherë studioja shkencat politike dhe, si
çdo student i ri që përpiqej ta kuptonte botën, besoja se politika mund të
lexohej përmes librave, teorive, kushtetutave, deklaratave dhe fjalimeve.
Mendonim se ajo që thuhej në foltore ishte, pak a shumë, ajo që edhe mendohej
në zyrat ku merreshin vendimet.
Një
profesor malazez, i cili na ligjëronte lëndën “Kultura politike”, një ditë na
tha diçka që atëherë ndoshta nuk e kuptuam në tërë thellësinë e saj, por që
vitet ma kanë rikthyer shpesh në kujtesë: “Dëgjoni, studentë, mos i besoni
gjithmonë asaj që thuhet hapur. Mos u mashtroni nga politikanët që takohen,
shtrëngojnë duart, dalin para kamerave duke buzëqeshur dhe na tregojnë se sa
miq të mirë janë. Ajo që shihni aty është politikë. Por ajo që ndodh prapa
kulisave – pikërisht asaj duhet t’i kushtoni vëmendje.”
Sa
herë që skena ndërkombëtare prodhon deklarata të papritura, më kujtohen ato
fjalë.
Me
kalimin e viteve kam kuptuar se profesori nuk po na jepte vetëm një leksion për
kulturën politike. Ai po na mësonte ta shihnim politikën përtej fasadës së saj.
Sepse politika është një skenë e madhe, e ndriçuar fort nga projektorët, ku
aktorët dalin para publikut të veshur me kostumin e diplomacisë. Ata
buzëqeshin, shtrëngojnë duart, nënshkruajnë dokumente, shkëmbejnë fjalë
mirësjelljeje dhe flasin për miqësi të përhershme. Por diku pas perdes
zhvillohet një shfaqje tjetër, shumë më e heshtur dhe shpesh shumë më
vendimtare.
Atje
nuk ka gjithmonë kamera. Atje nuk ka duartrokitje. Atje interesat peshohen me
një peshore tjetër. Dhe ndoshta pikërisht aty duhet kërkuar shpjegimi për shumë
prej paradokseve që na befasojnë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në politikë,
shtetet nuk ecin gjithmonë sipas kujtesës së vuajtjeve të tyre dhe as sipas
analogjive morale që ne do të dëshironim të ekzistonin. Ato ecin sipas
interesave, aleancave, rreziqeve, frikës dhe llogarive të së nesërmes. Për këtë
arsye ndodh që një popull që kërkon solidaritet për plagën e vet të mos jetë
domosdoshmërisht i gatshëm ta lexojë plagën e një populli tjetër me të njëjtën
gjuhë.
Kjo
është ajo që e bën politikën ndërkombëtare njëkohësisht të fuqishme dhe të
ftohtë.
Për
ne që vijmë nga Kosova, çështja e pavarësisë nuk është thjesht një formulim
diplomatik. Nuk është një fjali që mund të vendoset apo të hiqet nga një
komunikatë zyrtare. Pas saj qëndrojnë dekada të tëra historie, përpjekjesh,
sakrificash, burgjesh, dëbimesh, humbjesh dhe ëndrrash. Për ne, Kosova nuk
është një koncept abstrakt i së drejtës ndërkombëtare. Është kujtesë. Është
përvojë. Është dhimbje. Është shtëpi.
Prandaj,
kur nga skena ndërkombëtare vjen një deklaratë që prek drejtpërdrejt këtë
histori, është e natyrshme që ajo të zgjojë reagim dhe të na shtyjë drejt
pyetjes: përse? Por ndoshta pyetja më e rëndësishme nuk është vetëm: “Përse e
tha këtë Zelensky?”
Pyetja
më e thellë është: çfarë qëndron pas kësaj deklarate?
Cilat
interesa shtetërore, rrethana diplomatike dhe kalkulime strategjike e
kushtëzojnë një qëndrim të tillë? Çfarë thuhet në tavolinat ku kamerat nuk
lejohen? Çfarë peshohet në heshtje ndërmjet aleatëve? Çfarë premtohet, çfarë
kërkohet dhe çfarë ruhet për një moment tjetër? Këtu më rikthehet përsëri
profesori i dikurshëm dhe ajo fjali e thënë në një auditor studentësh, që
atëherë dukej si një këshillë e zakonshme akademike, ndërsa sot më tingëllon
pothuajse si një paralajmërim: Mos shikoni vetëm skenën. Shikoni edhe perden.
Sepse historia na ka mësuar se nganjëherë një buzëqeshje diplomatike fsheh një
mosmarrëveshje të thellë, ndërsa një deklaratë e ftohtë publike mund të mbulojë
procese shumë më të ndërlikuara që zhvillohen në heshtje. Miqësitë ndërmjet
shteteve nuk janë gjithmonë miqësi në kuptimin njerëzor të fjalës. Ato kanë
ritmin e interesit. Sot afrohen, nesër largohen; sot premtojnë, nesër heshtin;
sot shtrëngojnë duart, ndërsa nesër ulen në tavolina të tjera dhe bëjnë llogari
të reja.
Kjo
nuk do të thotë se duhet ta shohim politikën vetëm me mosbesim. Por do të thotë
se duhet ta lexojmë me sy të hapur. Duhet të dëgjojmë jo vetëm atë që thuhet,
por edhe heshtjen ndërmjet fjalëve. Duhet të shohim jo vetëm duart që
shtrëngohen para kamerave, por edhe interesat që përplasen larg tyre. Dhe, mbi
të gjitha, duhet ta kuptojmë se në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk mjafton
gjithmonë të kesh të drejtë. Duhet të dish edhe ta mbrosh të drejtën tënde, ta
argumentosh atë, të krijosh miq, të ndërtosh aleanca dhe të jesh i pranishëm atje
ku formësohen qëndrimet e shteteve.
Ndoshta
ky është edhe mësimi që Kosova duhet ta mbajë gjithmonë parasysh: pavarësia e
fituar duhet të shoqërohet vazhdimisht me diplomaci të mençur, këmbëngulëse dhe
të durueshme. Sepse njohja ndërkombëtare nuk është vetëm çështje ceremonish dhe
flamujsh. Ajo është një proces i gjatë politik, në të cilin çdo derë e hapur ka
rëndësi dhe çdo derë e mbyllur kërkon të kuptohet përse është mbyllur.
Deklaratat
politike vijnë e shkojnë. Presidentët ndërrohen. Qeveritë bien. Aleancat
ndryshojnë. Interesat zhvendosen. Por popujt dhe kujtesa e tyre mbeten. Prandaj
edhe deklaratën e presidentit ukrainas për Kosovën nuk dua ta shoh vetëm si një
fjali të thënë në një moment të caktuar politik. Dua ta lexoj si një kujtesë se
sa e ndërlikuar është bota në të cilën jetojmë dhe sa pak nga politika e
vërtetë zhvillohet në dritën e plotë të skenës.
Sepse,
në fund, në politikë, ajo që shohim është vetëm skena. Ajo që dëgjojmë është
vetëm dialogu i lejuar për publikun. Ndërsa vendimet që ndryshojnë fatet e
shteteve dhe të popujve shpesh lindin atje ku dritat janë të zbehta, kamerat
janë fikur dhe perdet janë mbyllur.
Dhe
pikërisht për këtë arsye, kur politika na befason, nuk duhet të nxitojmë të
shohim vetëm aktorin që foli.
Duhet
të pyesim edhe se çfarë po ndodh prapa perdes. Ajo që tha presidenti ukrainas
Volodymyr Zelensky nuk ishte një mendim i hedhur rastësisht në një bisedë
private, larg syve të publikut. Ishte një deklaratë e bërë para gazetarëve, në
atë hapësirë ku çdo fjalë e një udhëheqësi shteti merr peshë politike, ku çdo
fjali dëgjohet përtej sallës dhe ku, nganjëherë, edhe një heshtje mund të
interpretohet si qëndrim. Pikërisht për këtë arsye, deklarata e tij më shtyu të
mendoj më gjatë sesa vetë çasti në të cilin u shqiptua.
Dhe
këtu lind një pyetje që nuk mund ta shmang: çfarë duhet të mendojmë? A duhet të
besojmë se Zelensky nuk e njeh historinë e Serbisë së viteve nëntëdhjetë? Se
nuk e di kush ishte Slobodan Milosheviçi dhe çfarë politike përfaqësoi regjimi
i tij? Se nuk e njeh tragjedinë që përfshiu hapësirën e ish-Jugosllavisë dhe
plagët që ajo kohë la pas? Apo duhet të mendojmë se ai i njeh të gjitha këto,
por se politika ndërkombëtare ka logjikën e saj, një logjikë ku kujtesa
historike shpesh vendoset në njërën anë të peshores, ndërsa interesat e së
tashmes në tjetrën?
Vështirë
të besohet se një president evropian, sidomos një president i një vendi që po
përjeton vetë peshën tragjike të luftës, nuk e njeh historinë e afërt të
kontinentit ku jeton. Vështirë të besohet se emri i Milosheviçit është për të
vetëm një emër i largët në faqet e historisë. Po aq e arsyeshme është të
supozohet se ai e di se Aleksandar Vuçiqi ka qenë pjesë e skenës politike serbe
që nga vitet e nëntëdhjetë, përfshirë shërbimin e tij si ministër i Informacionit
në qeverinë serbe gjatë epokës së Milosheviçit.
Prandaj
pyetja, për mua, bëhet edhe më e rëndë. Nëse historia dihet, çfarë e përcakton
fjalën e sotme? Ndoshta pikërisht këtu fillon ajo pjesë e politikës që nuk mund
të kuptohet vetëm duke dëgjuar deklaratat para gazetarëve. Sepse historia dhe
diplomacia nuk ecin gjithmonë krah për krah. Historia kujton; politika
kalkulon. Historia numëron plagët; diplomacia numëron votat, aleancat,
interesat dhe mundësitë. Historia kërkon drejtësi; politika, shumë herë, kërkon
rrugën që në një moment të caktuar i duket më e dobishme.
Dhe
kjo është ndoshta pjesa më e dhimbshme e marrëdhënieve ndërkombëtare: popujt e
lexojnë botën përmes kujtesës së tyre, ndërsa shtetet shpesh e lexojnë përmes
interesit. Për ne, Serbia e epokës së Milosheviçit nuk është një nocion
abstrakt historik. Nuk është një kapitull i ftohtë në një libër që mund ta
mbyllësh pasi ke përfunduar leximin. Është një periudhë që ka lënë gjurmë në
jetën e njerëzve, në familje, në qytete e fshatra, në kujtesën kolektive të
Kosovës. Ka histori që mund t'i lexosh dhe pastaj t'i harrosh. Por ka edhe
histori që një popull nuk i lexon në libra, sepse i ka jetuar mbi lëkurën e
vet.
Prandaj
deklaratat që lidhen me Kosovën nuk dëgjohen këtu vetëm me veshin e diplomacisë.
Ato dëgjohen edhe me kujtesën. Dhe kujtesa ka një dëgjim tjetër. Ajo dëgjon jo
vetëm fjalën e sotme, por edhe jehonën e së djeshmes. Pikërisht për këtë arsye,
kur një deklaratë e tillë bëhet para gazetarëve, pyetja nuk është thjesht nëse
Zelensky e njeh apo jo historinë e Serbisë. Natyrisht, një udhëheqës shteti ka
këshilltarë, diplomatë, raporte dhe institucione që e informojnë për historinë
dhe realitetet politike të vendeve me të cilat ndërvepron. Pyetja më
interesante është tjetër: si e lexon ai atë histori në raport me interesat e
Ukrainës së sotme?
Sepse
mund ta njohësh historinë dhe përsëri të marrësh një vendim politik që nuk
përputhet me mënyrën se si viktimat e asaj historie do të dëshironin që ajo të
lexohej. Këtu qëndron paradoksi. Një popull që ka vuajtur e kupton më mirë se
kushdo çfarë do të thotë frika, humbja, dëbimi dhe pasiguria. Për këtë arsye,
ne shpesh presim që vuajtja të krijojë një gjuhë universale solidariteti.
Presim që ai që e njeh dhimbjen në shtëpinë e vet ta dallojë më lehtë edhe
dhimbjen në shtëpinë e tjetrit. Por politika nuk është gjithmonë poezi e
solidaritetit.
Shpesh
ajo është matematikë e interesave.
Dhe
ndoshta pikërisht këtu duhet kërkuar kuptimi i deklaratës së Zelenskyt: jo duke
supozuar se ai nuk e njeh historinë, por duke pyetur se cilat rrethana politike
e bëjnë Ukrainën të ruajë një qëndrim të caktuar ndaj pavarësisë së Kosovës. Në
fund, deklaratat para gazetarëve zgjasin vetëm disa minuta. Kamerat fiken,
mikrofonat mbyllen dhe politikanët largohen nga podiumi. Por fjalët mbeten. Ato
udhëtojnë më larg se njerëzit që i shqiptuan dhe, kur prekin plagët e
historisë, jetojnë shumë më gjatë se konferenca për shtyp ku u thanë.
Prandaj
edhe unë mbetem me pyetjen time: A është e mundur që Zelensky të mos e dijë kush
ishte Milosheviçi dhe çfarë ndodhi në Kosovë? A është e mundur që të mos e
njohë biografinë politike të Vuçiqit dhe rrënjët e tij në politikën serbe të
viteve nëntëdhjetë? Apo, përkundrazi, ai i di të gjitha këto dhe pikërisht këtu
duhet ta kërkojmë përgjigjen: në hendekun e madh që ekziston ndërmjet asaj që
historia na mëson dhe asaj që interesi politik i kërkon një shteti në një
moment të caktuar? Ndoshta kjo është pyetja që duhet të na shqetësojë më shumë.
Sepse
mosnjohja e historisë është problem. Por kur historia njihet dhe megjithatë
vendoset përkohësisht në heshtje përballë interesit politik, atëherë kemi hyrë
përsëri në atë territor të errët të diplomacisë ku, nuk mjafton të dëgjosh atë
që thuhet para kamerave. Duhet të përpiqesh të kuptosh edhe atë që nuk thuhet. Sepse
nganjëherë pikërisht heshtja ndërmjet dy fjalive politike tregon më shumë se
vetë fjalët.
Edhe
sikur të pranonim, për një çast, se presidenti Zelensky nuk ka pasur kohën e
nevojshme për t'u ndalur gjatë mbi historinë e Kosovës dhe të Serbisë, kjo
përsëri nuk do të ishte një përgjigje bindëse. Presidentët nuk qeverisin vetëm
me atë që kanë lexuar vetë. Përreth tyre ekziston një arkitekturë e tërë
këshilltarësh politikë, diplomatësh, ekspertësh të sigurisë, historianësh,
analistësh dhe njerëzish që çdo ditë përgatisin dosje për shtetet, konfliktet,
aleancat dhe interesat që përplasen në skenën ndërkombëtare.
Prandaj
është e vështirë të besohet se në gjithë atë mori raportesh, analizash dhe
bisedash askush nuk i ka folur ndonjëherë për Kosovën. Është e vështirë të
besohet se askush nuk i ka shpjeguar çfarë ndodhi këtu në fund të shekullit XX;
se askush nuk i ka folur për politikën e regjimit të Slobodan Milosheviçit, për
luftërat që shoqëruan shpërbërjen e Jugosllavisë, për dhunën dhe dëbimet, për
refugjatët, për ndërhyrjen e NATO-s dhe për gjithë atë histori të rëndë që ende
vazhdon të jetojë në kujtesën e njerëzve.
Nëse
ai vetë nuk ka pasur kohë t'i lexojë të gjitha këto, këshilltarët e tij me
siguri kanë pasur detyrën t'ia përmbledhin. Sepse kështu funksionojnë shtetet.
Sepse presidenti nuk mund ta lexojë çdo libër, por shteti duhet ta njohë
dosjen. Ai nuk mund ta dëgjojë çdo dëshmitar, por diplomacia e tij duhet ta
njohë historinë. Ai nuk mund të jetë ekspert i çdo rajoni të botës, por përpara
se të flasë për një çështje kaq të ndjeshme, përreth tij ekzistojnë njerëz që
duhet t'i tregojnë se mbi çfarë historie po shkel fjala e tij.
Dhe
pastaj është një tjetër realitet, aq i dukshëm sa, siç thotë populli, edhe
zogjtë e malit e dinë: lidhjet historike, politike, kulturore dhe strategjike
ndërmjet Serbisë dhe Rusisë janë të thella. Beogradi, megjithëse prej vitesh
përpiqet të ecë në një ekuilibër të ndërlikuar ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit,
ka ruajtur marrëdhënie të rëndësishme me Moskën. Pikërisht kjo e bën edhe më
interesante mënyrën se si Serbia arrin të lëvizë ndërmjet poleve të kundërta,
duke kërkuar përfitimet e afrimit me Evropën, ndërkohë që ruan lidhje politike
e strategjike me Rusinë.
Në
gjuhën e metaforës do të thosha se Rusia ka qenë për një kohë të gjatë një nga
patericat mbi të cilat politika serbe është mbështetur kur i është dashur të
ruajë ekuilibrin e saj ndërkombëtar. Dhe një patericë nuk është thjesht një
copë dru mbi të cilën mbështetesh. Në politikë ajo mund të jetë veto. Mund të
jetë mbështetje diplomatike. Mund të jetë energji. Mund të jetë armë. Mund të
jetë një dorë e ngritur në një institucion ndërkombëtar pikërisht në çastin kur
të duhet.
Prandaj
më duket edhe më e vështirë të mendoj se presidenti ukrainas nuk e njeh këtë
dimension të politikës serbe. Ukraina, më shumë se shumë shtete të tjera
evropiane, ka arsye ta studiojë me kujdes çdo kanal përmes të cilit Rusia
ushtron ndikimin e saj politik, diplomatik dhe strategjik në Evropë. Ballkani
nuk mund të jetë një hapësirë e panjohur në këtë analizë. Për këtë arsye, jam e
bindur se Zelensky dhe aparati i tij diplomatik e njohin shumë më mirë
politikën serbe sesa mund të na lërë të kuptojmë një deklaratë e vetme para
gazetarëve.
E
njohin gjuhën e saj. E njohin manovrimin e saj. E njohin aftësinë e saj për të
qëndruar me njërën këmbë në një hapësirë politike dhe me tjetrën në një tjetër.
Dhe besoj se e njohin edhe atë mënyrë të vjetër të veprimit politik që populli
ynë e ka përmbledhur në një metaforë të jashtëzakonshme: ta hedhësh gurin dhe
ta fshehësh dorën. Sa shumë politikë mund të fshihet brenda kësaj fjalie të
thjeshtë! Guri hidhet, por dora nuk duket. Pasoja mbetet, por përgjegjësia
mjegullohet. Tensioni krijohet, por autori i tij kërkon të paraqitet si
spektator. Pikërisht këtu politika bëhet teatër.
Jo
ai teatër i bukur ku publiku e di se përballë tij janë aktorët, por një teatër
shumë më i ndërlikuar, ku aktori dëshiron të bindë publikun se nuk është duke
luajtur fare. Dhe Ballkani e njeh mirë këtë teatër. E kemi parë shpesh se si
fjalët ndërrojnë veshjen sipas auditorit; si një mesazh jepet në Beograd, një
tjetër në Bruksel, një tjetër në Moskë dhe një tjetër para diplomatëve
perëndimorë. Në këtë lojë të gjatë ndërmjet deklaratës dhe qëllimit, ndërmjet
fjalës dhe veprimit, qytetari i zakonshëm shpesh mbetet duke pyetur veten se
cila prej tyre ishte fytyra e vërtetë.
Por
ndoshta pikërisht këtu gabojmë. Në politikë, ndonjëherë të gjitha fytyrat janë
pjesë e së njëjtës fytyrë. Prandaj nuk dua të besoj se Zelensky nuk e di. Më
bindëse më duket të mendoj se ai e di. E di kush ishte Milosheviçi. E di se Vuçiqi
ka një histori politike që shkon prapa në vitet e nëntëdhjetë. E di çfarë ka
ndodhur në Kosovë. E di se çfarë marrëdhëniesh ka kultivuar Serbia me Rusinë. Dhe
e di se Ballkani është një hapësirë ku një fjali e vetme politike mund të bartë
pas vetes një histori shumë më të gjatë sesa duket.
Atëherë
pyetja që më shqetëson nuk është më: A e di Zelensky? Pyetja është: Nëse e di,
përse flet kështu? Dhe këtu rikthehemi përsëri te ajo perde e padukshme e
politikës. Ndoshta përgjigjja nuk gjendet në historinë që ai njeh, por në
interesin që shteti i tij ka sot. Ndoshta nuk gjendet në atë që mendon
personalisht një president, por në atë që diplomacia e vendit të tij konsideron
të dobishme në një moment të caktuar. Sepse politika ndërkombëtare, sado që ne
do të dëshironim ta ndërtonim vetëm mbi drejtësinë dhe kujtesën, vazhdon të
jetë edhe art i interesit, i ekuilibrit dhe i llogarisë.
Dhe
pikërisht kjo është ajo që më bën të mendoj gjatë pas një deklarate të tillë. Jo
sepse besoj se ai nuk e njeh historinë. Përkundrazi. Sepse kam bindjen se e
njeh. Dhe kur një politikan e njeh historinë, por megjithatë zgjedh një gjuhë
që duket sikur e anashkalon atë, atëherë duhet të dëgjojmë me shumë kujdes jo
vetëm fjalët që shqipton, por edhe heshtjen që lë pas tyre. Sepse ndonjëherë në
diplomaci, pikërisht ajo që nuk thuhet është pjesa më e rëndësishme e
deklaratës.
Kjo
është ajo Serbi që nuk mund të vështrohet vetëm përmes hartave të sotme
politike, deklaratave diplomatike dhe gjuhës së kujdesshme të protokolleve
ndërkombëtare. Për ta kuptuar peshën e së kaluarës së saj politike, duhet të
kthehemi te vitet kur ish-Jugosllavia po shpërbëhej mes luftërash, kolonash
refugjatësh, qytetesh të shkatërruara dhe varresh që mbetën si dëshmi e një
epoke tragjike. Ishte koha kur nacionalizmi agresiv dhe politika e regjimit të
Slobodan Milosheviqit luajtën një rol qendror në konfliktet që përfshinë
Kroacinë, Bosnjë e Hercegovinën dhe, më vonë, Kosovën.
Dhe
pikërisht këtu historia kërkon kujdes në fjalë, por jo heshtje. Sepse kujdesi
nuk duhet të bëhet harresë, as diplomacia nuk duhet të shndërrohet në mjegull
që mbulon përgjegjësinë. Në Bosnjë e Hercegovinë ndodhi Srebrenica, krim që
drejtësia ndërkombëtare e ka përcaktuar si gjenocid. Në gjithë hapësirën e
luftërave jugosllave, miliona njerëz u detyruan të braktisnin shtëpitë e tyre.
Familje të tëra morën rrugën e ikjes duke bartur me vete vetëm atë që mund të
mbahej në duar, ndërsa pas tyre mbetën shtëpitë, oborret, fotografitë
familjare, varret e të parëve dhe një jetë që, brenda pak orësh, ishte
shndërruar në kujtim.
Edhe
Kosova e njeh këtë pamje. E njeh jo nga librat. E njeh nga rrugët. Nga pragjet
e braktisura. Nga kolonat e njerëzve. Nga nënat që shtrëngonin fëmijët për dore
pa e ditur se ku do ta kalonin natën. Nga njerëzit që largoheshin nga shtëpitë
e tyre duke kthyer kokën pas, ndoshta për herë të fundit, për të parë një çati,
një pemë, një dritare, një copë tokë ku kishin menduar se do ta kalonin gjithë
jetën.
Dhe
këtu historia pushon së qeni vetëm histori. Ajo bëhet filozofi e dhimbjes
njerëzore. Sepse çfarë është, në fund të fundit, atdheu? A është vetëm një vijë
e vizatuar mbi hartë? A është një flamur? Një dokument? Një kufi? Apo atdheu është
shumë më tepër: gjuha me të cilën nëna të thërret në emër, oborri ku ke bërë
hapat e parë, rruga që e njeh edhe në errësirë, varri i gjyshit, pema që ka
mbjellë babai, aroma e bukës së shtëpisë? Kur një njeri dëbohet nga toka e tij,
ai nuk humbet vetëm një pronë. Atij i këputet një pjesë e vazhdimësisë së vet. Dhe
pikërisht këtu qëndron tragjedia e madhe e çdo politike që kërkon ta shndërrojë
territorin në pronë duke harruar njerëzit që jetojnë mbi të. Sepse toka nuk
bëhet e jotja vetëm pse e pushton.
Nuk
bëhet e jotja vetëm pse vendos ushtarë mbi të. Nuk bëhet e jotja vetëm pse e
ngjyros me ngjyrën tënde në një hartë. Dhe nuk bëhet e jotja as duke e
përsëritur për dekada se të përket.
Forca
mund ta pushtojë një territor, por nuk mund ta shndërrojë padrejtësinë në të
drejtë.
Këtu
qëndron dallimi i madh ndërmjet fuqisë dhe drejtësisë. Fuqia pyet: Sa mund të
marr? Drejtësia pyet: Çfarë më takon? Fuqia ndërton kufij me ushtarë. Drejtësia
kërkon legjitimitet. Fuqia mund të fitojë një betejë. Por vetëm drejtësia mund
ta fitojë paqen. Dhe ndoshta tragjedia më e madhe e Ballkanit ka qenë pikërisht
ngatërrimi i këtyre dy nocioneve: bindja se ajo që mund të merret me forcë, me
kalimin e kohës mund të paraqitet edhe si e drejtë. Por koha nuk e pastron
automatikisht padrejtësinë. Kalimi i viteve nuk e shndërron viktimën në fajtor
dhe pushtimin në pronësi.
Historia
mund të heshtë për një kohë, por ajo ka një kujtesë të çuditshme. Ajo kthehet.
Kthehet në dokumente, në dëshmi, në arkiva, në varreza, në fotografi, në rrëfimet
e të mbijetuarve dhe në pyetjet e brezave që lindin shumë vite më vonë. “Çfarë
ndodhi këtu?” Dhe dikush duhet t'u përgjigjet. Pikërisht për këtë arsye, kur
flasim për Serbinë e viteve të Milosheviqit, nuk duhet ta bëjmë këtë nga
dëshira për ta dënuar një popull të tërë. Popujt nuk mund të reduktohen në
regjimet që sundojnë mbi ta dhe përgjegjësia historike duhet të lidhet me
politikat, institucionet dhe individët përgjegjës. Por, po aq e rrezikshme sa
fajësimi kolektiv është edhe përpjekja për ta zhveshur historinë nga
përgjegjësia politike.
Sepse
pajtimi nuk ndërtohet duke harruar. As duke zbukuruar. As duke heshtur. Pajtimi
fillon atëherë kur ekziston guximi për ta parë të kaluarën pa ia kthyer
fytyrën. Ndoshta këtu qëndron edhe një nga paradokset më të mëdha të historisë
njerëzore: pothuajse çdo pushtet që kërkon tokën e tjetrit përpiqet më parë të
ndërtojë një tregim se përse ajo tokë “i takon”. Para se të vijë pushtimi
fizik, shpesh vjen pushtimi i rrëfimit. Prodhohen mite, ringjallen histori të largëta,
përzgjidhen kujtime, heshtën fakte dhe ndërtohet bindja se padrejtësia e sotme
është korrigjim i një padrejtësie të lashtë. Kështu fillon rreziku.
Sepse
kur miti shndërrohet në program politik, njeriu real mund të bëhet pengesë për
hartën imagjinare. Dhe atëherë shtëpia e tij shihet si territor. Fshati i tij
si objektiv. Qyteti i tij si pronë e pretenduar. Ndërsa vetë ai, njeriu që ka
lindur dhe jetuar aty, fillon të trajtohet sikur është i tepërt në vendin e
vet. Historia e Ballkanit na ka mësuar me një çmim tepër të lartë se sa e
rrezikshme është kjo logjikë. Prandaj pyetja që duhet të shtrojmë nuk është
vetëm se kush e zotëron një territor. Pyetja më njerëzore është: Kush jeton
aty? Kush ka ndërtuar shtëpinë? Kush ka mbjellë pemët? Kush i ka varrosur të
parët? Kush i ka kënduar fëmijës në atë gjuhë? Kush e ka kthyer atë copë toke
nga një koordinatë gjeografike në një botë njerëzore? Sepse territori pa
njerëzit është vetëm gjeografi. Me njerëzit bëhet atdhe.
Dhe
kjo është arsyeja pse historia e luftërave të ish-Jugosllavisë nuk duhet lexuar
vetëm si histori kufijsh. Ajo duhet lexuar si paralajmërim për atë që ndodh kur
ambicia territoriale vendoset mbi dinjitetin njerëzor, kur miti vendoset mbi
jetën dhe kur pushteti fillon të besojë se forca mund ta prodhojë të drejtën. Nuk
mundet. Mund ta vonojë drejtësinë.
Mund
ta frikësojë njeriun. Mund ta dëbojë nga shtëpia. Mund t'ia djegë pragun. Madje
mund t'ia ndryshojë përkohësisht hartën. Por ekziston diçka që është shumë më e
vështirë për t'u pushtuar: kujtesa. Dhe ndoshta pikërisht aty fillon disfata
morale e çdo politike pushtuese. Sepse ushtritë largohen. Regjimet bien. Udhëheqësit
vdesin. Hartat ndryshojnë. Por kujtesa e një populli vazhdon të ecë nga një
brez te tjetri, duke bartur me vete pyetjen më të vjetër dhe njëkohësisht më
moderne të njerëzimit: A mund të ketë paqe të vërtetë pa drejtësi? Besoj se jo.
Sepse
paqja që ndërtohet mbi harresën është vetëm heshtje ndërmjet dy stuhive. Paqja
e vërtetë fillon vetëm atëherë kur e kaluara pranohet, viktimat kujtohen,
përgjegjësia emërtohet dhe e drejta e tjetrit për të jetuar i lirë në vendin e
vet nuk shihet më si humbje për dikë tjetër. Vetëm atëherë historia pushon së
qeni armë. Dhe mund të bëhet mësim. Jo, këtë nuk ka nevojë ta mësojë askush nga
fillimi, sepse është një e vërtetë që historia e ka shkruar shumë herë me një
alfabet të dhimbshëm dhe që sot, ndoshta më shumë se shumë popuj të tjerë, e
njeh vetë Ukraina, e cila prej vitesh po kalon nëpër një nga periudhat më të
rënda të ekzistencës së saj shtetërore, nën peshën e luftës dhe agresionit rus,
duke e përjetuar në mënyrën më të drejtpërdrejtë se çfarë ndodh kur forca
përpiqet të vendoset mbi të drejtën, kur pushteti i armëve kërkon të flasë më
fort se sovraniteti dhe kur një shtet më i fuqishëm mendon se mund ta imponojë
vullnetin e vet mbi një tjetër pa pyetur se kujt i takon e drejta, kujt i takon
toka dhe çfarë dëshiron populli që jeton mbi të. Pikërisht për këtë arsye
deklarata e Zelenskyt më shtyn drejt një reflektimi edhe më të thellë, sepse njeriu
do të priste që një shtet që po e përjeton kaq rëndë cenimin e sovranitetit të
vet ta kuptonte me një ndjeshmëri të veçantë edhe kujtesën historike dhe
aspiratën për liri të një populli tjetër.
Megjithatë,
ndoshta mësimi që ne duhet të nxjerrim prej kësaj nuk është që të zemërohemi me
një individ, as të ndërtojmë politikën tonë mbi një deklaratë të vetme, por të
kuptojmë edhe një herë se sa e domosdoshme është që Kosova të krijojë miq, t'i
ruajë ata që ka dhe ta zgjerojë vazhdimisht rrethin e shteteve dhe popujve që e
kuptojnë historinë dhe të drejtën e saj. Shtetet e vogla nuk mund ta ndërtojnë
të ardhmen e tyre duke pritur që bota t'i kuptojë vetvetiu; ato duhet të
flasin, të argumentojnë, të jenë të pranishme, të ndërtojnë ura dhe të krijojnë
besim, sepse në politikën ndërkombëtare miqësia nuk është vetëm ndjenjë, por
edhe kapital diplomatik, ndërsa izolimi është një luks që një shtet i vogël
rrallë mund t'ia lejojë vetes.
Zelensky,
në fund të fundit, është një individ dhe, sikurse çdo udhëheqës tjetër, është i
përkohshëm në raport me jetën shumë më të gjatë të një shteti dhe të një
populli. Sot është ai në krye të Ukrainës; nesër do të jetë dikush tjetër.
Kështu ka qenë gjithmonë dhe kështu do të vazhdojë të jetë. Politikanët vijnë
dhe shkojnë, ngjiten në podiume, mbajnë fjalime, marrin vendime, bëhen
protagonistë të një epoke dhe, pas disa vitesh, largohen duke ua lënë vendin të
tjerëve. Bashkë me ta ndryshojnë edhe qëndrimet, prioritetet dhe kalkulimet
politike, ndërsa popujt, shtetet dhe interesat afatgjata mbeten shumë më gjatë
se mandati i cilitdo president apo kryeministër.
Prandaj
nuk duhet ta lidhim marrëdhënien tonë me Ukrainën vetëm me Zelenskyn, sikurse
nuk duhet ta lidhim marrëdhënien me asnjë shtet vetëm me njeriun që
përkohësisht qëndron në krye të tij. Politika serioze duhet të shohë përtej
individit, përtej mandatit dhe, nganjëherë, edhe përtej deklaratës së çastit.
Ajo duhet të mendojë për atë që vjen pas pesë, dhjetë apo njëzet vjetësh, sepse
një president mund të mos e ndryshojë qëndrimin e tij ndaj Kosovës, ndërsa një
brez tjetër politik mund ta shohë të njëjtën çështje me sy krejtësisht të
tjerë. Pikërisht për këtë arsye urat nuk duhet të digjen sa herë që një fjalë
na zhgënjen; përkundrazi, ndonjëherë zhgënjimi duhet të na mësojë se cilën urë
duhet ta ndërtojmë më të fortë.
Se
çfarë e ka shtyrë Zelenskyn të japë një deklaratë të tillë, këtë nuk mund ta
dimë me siguri pa njohur kalkulimet që qëndrojnë pas saj. Mund të ketë arsye
diplomatike, interesa shtetërore, konsiderata të lidhura me pozicionin
ndërkombëtar të Ukrainës apo faktorë të tjerë që publiku nuk i sheh. Në
politikë, një fjali e shqiptuar para kamerave shpesh ka një histori që ka
filluar shumë më herët, në zyra ku nuk ka gazetarë, në biseda që nuk publikohen
dhe në llogari strategjike që nuk shpjegohen para opinionit. Prandaj duhet të
jemi të kujdesshëm që të mos e ngatërrojmë atë që supozojmë me atë që dimë.
Këtu
më vjen ndër mend edhe mendimi i lidhur aq shpesh me Niccolò Machiavellin,
sipas të cilit, në interpretimin e tij më të njohur, qëllimi mund t'i
justifikojë mjetet. Edhe pse kjo formulë nuk gjendet fjalë për fjalë në këtë
trajtë në veprën e tij, ajo ka mbetur ndër shekuj si një përmbledhje e frymës
së realizmit politik: bindja se pushteti, kur gjendet përballë interesit dhe
mbijetesës, jo gjithmonë ecën nëpër rrugët që morali do të dëshironte t'ia
caktonte. Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron një nga kontradiktat më të vjetra
të politikës: individi pyet çfarë është e drejtë, ndërsa shteti shpesh pyet
çfarë është e dobishme; njeriu kujton vuajtjen, ndërsa diplomacia llogarit
interesin; historia kërkon koherencë morale, ndërsa politika shpesh kërkon
hapësirë manovrimi.
Por
kjo nuk do të thotë se edhe ne duhet ta pranojmë cinizmin si të vetmen gjuhë të
politikës. Përkundrazi, duhet ta njohim realitetin pikërisht që të dimë të
veprojmë më mençur brenda tij. Kosova nuk ka nevojë për më shumë armiq; ka
nevojë për më shumë miq. Nuk ka nevojë të numërojë vetëm ata që sot nuk e
njohin, por të punojë që nesër disa prej tyre ta njohin. Diplomacia e një
shteti të vogël nuk duhet të kënaqet duke konstatuar se një derë është e
mbyllur; mjeshtëria e saj qëndron në pyetjen se çfarë duhet bërë që një ditë
ajo derë të hapet.
Sepse
politikanët kalojnë, ndërsa shtetet mbeten; deklaratat e sotme nesër mund të
harrohen, ndërsa marrëdhëniet e ndërtuara me durim mund të mbijetojnë për
breza. Prandaj, në vend që një deklaratë e Zelenskyt të na bëjë të kthejmë
shpinën nga Ukraina, ajo duhet të na shtyjë të pyesim veten se çfarë kemi bërë
dhe çfarë mund të bëjmë më shumë që Ukraina, por edhe çdo shtet tjetër që ende
nuk e njeh Kosovën, ta dëgjojë historinë tonë, t'i njohë argumentet tona dhe të
krijojë një marrëdhënie më të drejtpërdrejtë me realitetin tonë.
Në
fund, ndoshta filozofia më e mençur për një popull të vogël nuk është të presë
që bota të ketë gjithmonë të njëjtën kujtesë dhe të njëjtën ndjeshmëri morale
si ai, por të punojë pareshtur që bota ta njohë, ta dëgjojë dhe ta kuptojë.
Sepse miqtë në politikë nuk gjenden gjithmonë të gatshëm; shpesh ata krijohen
me kohë, me urtësi, me argument, me dinjitet dhe me një diplomaci që di të
shohë përtej zemërimit të ditës. Një deklaratë mund të na zhgënjejë sot, por
nuk duhet të na e marrë aftësinë për të menduar për nesër. Politikanët vijnë e
shkojnë; popujt mbeten. Qëndrimet ndryshojnë; interesat riformësohen. Dyert
mbyllen dhe përsëri hapen. Pikërisht për këtë arsye, politika e mençur nuk
ndërtohet vetëm mbi kujtesën e asaj që dikush tha dje, por edhe mbi vizionin e
asaj që mund të bëhet nesër.
Po
nejse, Zelensky e tha atë që e tha dhe fjala e tij tashmë është pjesë e
hapësirës publike; ajo mund të analizohet, të kundërshtohet, të na habisë apo
edhe të na zhgënjejë, por nuk duhet t'i japim një deklarate të vetme më shumë
fuqi sesa ajo realisht ka. Sepse politika ndërkombëtare nuk ndërtohet mbi
fjalën e një individi të vetëm dhe as fati i një shteti nuk përcaktohet nga një
fjali e shqiptuar para mikrofonave. Përtej saj ekziston një realitet shumë më i
gjerë diplomatik, politik dhe juridik, ekzistojnë aleancat, partneritetet dhe
miqësitë që Kosova ka ndërtuar ndër vite, dhe, çfarë është veçanërisht e
rëndësishme, miqtë tanë të përbashkët, shtetet me të cilat edhe Ukraina edhe
Kosova ndajnë partneritete të rëndësishme, nuk e kanë mohuar shtetësinë e Kosovës.
Përkundrazi, shumë prej tyre e kanë njohur Republikën e Kosovës dhe vazhdojnë
ta trajtojnë atë si shtet, partner dhe subjekt të marrëdhënieve ndërkombëtare.
Prandaj një deklaratë, sado që mund të krijojë jehonë në një ditë të caktuar,
nuk mund ta zhbëjë një realitet të ndërtuar me dekada përpjekjesh, sakrificash,
diplomacie dhe konsolidimi institucional.
Kosova
është shtet i pavarur dhe demokratik, me institucionet, rendin kushtetues dhe
subjektivitetin e vet ndërkombëtar, e njohur nga një numër i madh shtetesh,
edhe pse procesi i njohjes së saj ndërkombëtare nuk është universal dhe
anëtarësimi i saj në disa organizata ndërkombëtare mbetet ende një proces
politik e diplomatik. Pikërisht këtu duhet të jemi të saktë, sepse shteti
serioz nuk ka nevojë ta zmadhojë të vërtetën e vet për ta bërë atë më të
fuqishme. E vërteta është më bindëse kur thuhet me saktësi. Kosova ekziston jo
vetëm në emocionin dhe kujtesën e qytetarëve të saj, por në institucione, në
Kushtetutë, në zgjedhje, në marrëdhënie diplomatike, në marrëveshje
ndërkombëtare dhe në jetën e përditshme të një shoqërie që e ushtron
vetëqeverisjen e saj. Shtetësia nuk është vetëm flamuri që ngrihet në një
ndërtesë; ajo është aftësia për të ndërtuar institucione, për të prodhuar ligj,
për të organizuar jetën publike, për të mbrojtur lirinë e qytetarit dhe për të
marrë përgjegjësi për të ardhmen.
Dhe
ndoshta pikërisht këtu duhet të ndalemi më gjatë, sepse sfida e vërtetë për
Kosovën nuk është të reagojë ndaj çdo deklarate që nuk na pëlqen, por të mësojë
ta përballojë atë me pjekurinë e një shteti që e di kush është. Ekziston një
ndryshim i madh ndërmjet reagimit dhe përgjigjes: reagimi lind nga çasti,
ndërsa përgjigjja lind nga mendimi; reagimi mund të jetë emocional, ndërsa
përgjigjja shtetërore duhet të jetë strategjike; reagimi dëshiron ta fitojë
debatin e sotëm, ndërsa diplomacia duhet të mendojë se çfarë marrëdhënieje
dëshiron të ndërtojë për nesër. Pikërisht për këtë arsye, sfidat e tilla nuk
duhet vetëm të kundërshtohen, por të menaxhohen me urtësi, elegancë dhe
vetëbesim.
Sepse
eleganca në politikë nuk është dobësi. Përkundrazi, shpesh është forma më e
lartë e fuqisë së kontrolluar. Të jesh elegant në diplomaci do të thotë të dish
të kundërshtosh pa fyer, të dish të mbrosh të vërtetën tënde pa bërtitur, të
dish të jesh i vendosur pa u bërë arrogant dhe të dish të ruash një derë të
hapur edhe atëherë kur nga ana tjetër e saj ka ardhur një fjalë që të ka
zhgënjyer. Shtetet e pjekura nuk e matin fuqinë e tyre me ashpërsinë e
deklaratave, por me aftësinë për t'i kthyer pengesat në mundësi diplomatike.
Ndonjëherë një kundërshtar i sotëm mund të bëhet bashkëbiseduesi i nesërm, një
shtet që sot nuk të njeh mund të të njohë pas disa vitesh dhe një derë që sot
duket e mbyllur mund të hapet pikërisht sepse ke pasur mençurinë të mos e
godasësh me zemërim.
Kjo
është arsyeja pse Kosova duhet të ketë kujdes jo vetëm se çfarë thonë të tjerët
për të, por sidomos se si ajo u përgjigjet atyre. Çdo deklaratë që sfidon
shtetësinë tonë është një provë e vogël e pjekurisë sonë diplomatike. Ne mund
ta shohim si provokim dhe të konsumojmë energjinë tonë në zemërim, ose mund ta
shohim si informacion: si një tregues se ku duhet të punojmë më shumë, cilën
derë duhet ta trokasim përsëri, cilin argument duhet ta shpjegojmë më qartë dhe
cilën marrëdhënie duhet ta ndërtojmë më me durim. Diplomacia e mençur nuk pyet
vetëm: “Kush është me ne dhe kush kundër nesh?”, por edhe: “Kush ende nuk është
me ne dhe çfarë duhet të bëjmë që nesër të jetë?”
Në
fund të fundit, një shtet që ka besim në vetvete nuk trembet nga çdo fjali që
thuhet kundër tij. Ai e dëgjon, e analizon, e vendos në kontekst dhe vazhdon
rrugën e vet. Sepse vetëbesimi shtetëror nuk është zhurmë; është qetësi. Nuk
është nevoja për t'iu përgjigjur çdo fjale me një fjalë edhe më të fortë; është
aftësia për të ditur se cilat beteja duhen bërë publike, cilat duhen zhvilluar
në diplomaci dhe cilat duhen lënë të treten vetë në kohë. Nganjëherë heshtja e
matur është më e fuqishme se një deklaratë e ashpër, ashtu si një argument i thënë
qetë mund të peshojë më shumë se njëqind fjali të shqiptuara me zemërim.
Prandaj,
po, Zelensky e tha. Fjala e tij mbetet e tij dhe qëndrimi i Ukrainës ndaj
njohjes së Kosovës është çështje që duhet trajtuar seriozisht, por pa e
dramatizuar deri në atë masë sa të harrojmë gjithë realitetin tjetër që
ekziston rreth nesh. Miqtë tanë janë aty. Partneritetet tona janë aty.
Institucionet tona janë aty. Republika e Kosovës është aty, me qytetarët e saj,
me sfidat, arritjet dhe aspiratat e saj, duke vazhduar të ndërtojë vendin e vet
dhe të kërkojë vendin që synon në bashkësinë ndërkombëtare.
Ndoshta
kjo është edhe filozofia që duhet të na udhëheqë: jo çdo sfidë duhet pritur me
grusht; disa sfida fitohen me dorën e zgjatur, disa me argument, disa me durim
dhe disa thjesht duke vazhduar përpara. Mençuria politike qëndron pikërisht në
aftësinë për të dalluar njërën nga tjetra. Sepse shtetësia nuk dëshmohet vetëm
duke thënë se jemi shtet; ajo dëshmohet edhe në mënyrën se si sillemi si shtet.
Dhe
këtu qëndron, sipas meje, sfida jonë më e madhe: të mësojmë t'i sfidojmë sfidat
me mençuri, t'u përgjigjemi paragjykimeve me argument, mosnjohjes me diplomaci,
provokimit me maturi dhe dyshimit me sukses. Të mos e humbim dinjitetin në
përpjekjen për ta mbrojtur atë. Të mos e humbim mikun e mundshëm të së nesërmes
për shkak të zemërimit të sotëm. Të dimë të jemi të fortë pa qenë të zhurmshëm
dhe të vendosur pa qenë përjashtues.
Sepse
ndoshta fuqia më e bukur e një shteti të vogël është pikërisht kjo: të ecë mes
stuhive pa humbur drejtimin, të përballet me sfidat pa humbur elegancën dhe ta
mbrojë të drejtën e vet pa humbur mençurinë. Në politikë, sikurse edhe në jetë,
nuk fiton gjithmonë ai që flet më fort; shpesh fiton ai që di më mirë se kur
duhet të flasë, çfarë duhet të thotë dhe, mbi të gjitha, përse duhet ta thotë.
Qëllimi
ynë duhet të ketë qenë dhe duhet të mbetet gjithmonë i qartë: të mos mbyllim
dyert e miqësisë, por t'i hapim ato; të mos humbim miqtë që kemi, por t'i
ruajmë me kujdes dhe, mbi të gjitha, të krijojmë miqësi të reja pikërisht atje
ku sot ende nuk i kemi. Për një shtet të vogël si Kosova, miqësia ndërkombëtare
nuk është luks diplomatik dhe as zbukurim ceremonial i politikës së jashtme;
ajo është pjesë e fuqisë së tij, e sigurisë dhe e perspektivës së tij. Prandaj
politika jonë nuk duhet të ndërtohet mbi zemërimin e çastit, por mbi durimin e
së ardhmes, sepse diplomacia e vërtetë nuk matet vetëm me numrin e miqve që ke
sot, por edhe me aftësinë për ta shndërruar të painteresuarin e sotëm në
bashkëbiseduesin e nesërm dhe, pse jo, kundërshtarin e sotëm në mikun e një
dite tjetër.
Pikërisht
nga kjo perspektivë e shoh edhe deklaratën e Zelenskyt. Në sytë e mi, ajo nuk
ishte shprehje e forcës politike, por e një dobësie të çastit; nuk ishte
shembull i maturisë që kërkon fjala e një burrështetasi, por një deklaratë e
pamenduar sa duhet, së cilës i mungoi ajo finesë që diplomacia e ka ngritur në
art gjatë shekujve. Nuk e prisja një deklaratë të tillë prej tij, sidomos duke
pasur parasysh pozitën historike në të cilën ndodhet Ukraina dhe përvojën
dramatike që populli ukrainas po kalon. Pikërisht prej një udhëheqësi që e di
peshën e sovranitetit, territorit, luftës dhe së drejtës për të vendosur mbi
fatin e vendit të vet, do të prisja një gjuhë shumë më të matur kur flitet për
çështje që prekin kujtesën, dinjitetin dhe shtetësinë e një populli tjetër.
Politika,
megjithatë, është arti i nuancës. Të thuash diçka nuk do të thotë
domosdoshmërisht ta thuash në mënyrën më të prerë të mundshme. Të mos jesh ende
i gatshëm për një vendim nuk do të thotë se duhet ta mbyllësh derën për
vendimin e nesërm. Të kesh interesa që të kufizojnë sot nuk do të thotë se
duhet të prodhosh fjali që nesër mund të të bëhen pengesë. Kjo është arsyeja
pse diplomacia ka shpikur një mijë e një mënyra për të thënë “jo” pa e vrarë
mundësinë e një “po”-je të ardhshme, për të mos dhënë atë që nuk mund ta japësh
sot, por njëkohësisht për të mos fyer atë që mund të të duhet nesër. Ndoshta
pikërisht këtu qëndron dallimi ndërmjet politikanit dhe burrështetasit: politikani
mendon për efektin e fjalisë së sotme, ndërsa burrështetasi mendon për pasojën
që ajo fjali mund të ketë pas dhjetë vjetësh.
Populli
ynë e ka një shprehje të bukur dhe jashtëzakonisht filozofike për këtë lloj
mençurie: mishin ta pjekësh dhe hellin të mos e djegësh. Në pamje të parë duket
si një urtësi e thjeshtë popullore, por brenda saj fshihet pothuajse një teori
e tërë e diplomacisë. Sepse të pjekësh mishin dhe të mos e djegësh hellin do të
thotë ta arrish qëllimin pa e shkatërruar mjetin; të mbrosh interesin tënd pa e
poshtëruar tjetrin; të thuash atë që duhet thënë pa e mbyllur rrugën e
komunikimit; të largohesh nga një situatë duke ruajtur edhe interesin, edhe
marrëdhënien, edhe mundësinë për t'u kthyer nesër në të njëjtën tryezë.
Kjo
është mjeshtëria e politikës. Jo të thuash çdo gjë që mendon. Jo të thuash çdo
gjë që mundesh. Por të dish çfarë duhet thënë, kur duhet thënë dhe si duhet
thënë. Sepse fjala e një presidenti nuk është fjala e një qytetari të
zakonshëm. Një qytetar mund të flasë nën ndikimin e emocionit dhe nesër të
thotë se është keqkuptuar; një udhëheqës shteti nuk e ka gjithmonë atë luks.
Fjala e tij regjistrohet, analizohet, përkthehet, arkivohet dhe shndërrohet në
qëndrim politik. Ajo mund të hapë një derë ose ta mbyllë atë, mund të krijojë
një mik ose ta largojë një mik të mundshëm. Për këtë arsye pushteti mbi fjalën
është një nga përgjegjësitë më të mëdha të pushtetit politik.
Dhe
këtu mendoj se Zelensky, me deklaratën e tij, nuk arriti ta ruante këtë
ekuilibër. Ai mund ta kishte mbrojtur qëndrimin aktual të shtetit të tij pa e
formuluar atë në një mënyrë që të perceptohej si mohim i realitetit dhe
ndjeshmërisë së Kosovës. Mund të kishte thënë se çështja kërkon kohë; se
Ukraina ka qëndrimin e saj juridik; se rrethanat aktuale nuk e lejojnë
ndryshimin e politikës; se dialogu duhet të vazhdojë; se e respekton popullin e
Kosovës edhe pse vendi i tij nuk ka marrë vendim për njohje. Diplomacia ka
shumë fjali, shumë dyer dhe shumë korridore. Pikërisht për këtë ekziston ajo.
Prandaj,
duke përdorur metaforën tonë popullore, më duket se kësaj here nuk ndodhi ajo
që një politikan i kujdesshëm do të përpiqej të arrinte: as mishi nuk u poq si
duhet, as helli nuk mbeti i padjegur. Nuk fitoi Kosova, natyrisht, por vështirë
të shihet se çfarë fitoi Ukraina nga një formulim i tillë. Nuk u krijua një urë
e re dhe as nuk u ruajt me elegancë hapësira për një afrim të ardhshëm. Mbeti
vetëm deklarata dhe shija e hidhur që ajo la pas.
Por
pikërisht këtu duhet të ndryshojë sjellja jonë. Ne nuk duhet t'i përgjigjemi
pamaturisë me pamaturi, as një fjale të pakëndshme me një derë të mbyllur. Nëse
mendojmë se dikush tjetër nuk e ruajti hellin, kjo nuk do të thotë se duhet ta
hedhim edhe ne në zjarr. Përkundrazi, mençuria jonë duhet të fillojë aty ku
mendojmë se mençuria e tjetrit mungoi. Kosova duhet të vazhdojë të kërkojë
dialog me Ukrainën, të krijojë kontakte, të shpjegojë historinë dhe argumentet
e saj dhe të ndërtojë marrëdhënie me shoqërinë, institucionet dhe brezat
politikë ukrainas, sepse Zelensky nuk është Ukraina, ashtu si asnjë president
nuk është i barabartë me një popull të tërë.
Në
fund, politikanët janë kalimtarë, ndërsa marrëdhëniet ndërmjet popujve mund të
jenë shumë më jetëgjata. Sot një president mund të thotë “jo”; nesër një tjetër
mund të pyesë “përse jo?”, ndërsa pasnesër historia mund të krijojë rrethana në
të cilat përgjigjja bëhet “po”. Detyra e diplomacisë është që deri atëherë ura
të mos jetë shembur. Prandaj qëllimi ynë duhet të mbetet i njëjtë: të mos
mbyllim miqësi, por të krijojmë të reja; të mos djegim ura, por t'i ndërtojmë
edhe atje ku sot duket se nuk ka brigje për t'i lidhur. Sepse shtetet e vogla
nuk bëhen më të mëdha duke shtuar armiqtë, por duke shumëfishuar miqtë; nuk
bëhen më të fuqishme duke bërtitur më fort, por duke menduar më larg.
Dhe
ndoshta ky është mësimi që duhet të mbetet pas gjithë kësaj: në politikë nuk
mjafton ta kesh qëllimin; duhet të dish edhe rrugën drejt tij. Nuk mjafton ta
kesh të drejtën; duhet të dish ta mbrosh atë. Nuk mjafton ta thuash të
vërtetën; duhet të dish edhe mënyrën, kohën dhe vendin ku ajo duhet thënë.
Sepse diplomacia është pikërisht arti i vjetër për ta pjekur mishin pa e djegur
hellin.
Dhe
kur arrin t'i djegësh të dyja, atëherë nuk kemi më mjeshtëri politike, por një
rast të humbur për të qenë më i mençur.
10 gusht, 2026
Prishtinë


