Sabile Basha: Miti i “Kosovës së humbur” – historia, propaganda dhe politika e pretendimit territorial serb (1)
MITI I “KOSOVËS SË HUMBUR”- HISTORIA, PROPAGANDA DHE POLITIKA E PRETENDIMIT TERRITORIAL SERB (1)
“Serbia
e humbi Kosovën” – por kur e pati atë?

Shpesh në mënyrë të pavullnetshme më rikthehet në
kujtesë një formulim që e kam dëgjuar pafundësisht në vokabularin politik,
mediatik dhe publik serb: pohimi se Serbia “e ka humbur Kosovën”, një fjali që
në pamje të parë mund të tingëllojë si pranim i një realiteti historik e
politik, por që, kur shqyrtohet më thellë, bart brenda vetes një ngarkesë shumë
më të madhe ideologjike, sepse vetë nocioni i “humbjes” nënkupton se Kosova
dikur paska qenë një pronë e padiskutueshme e Serbisë, një territor që asaj i
përkiste natyrshëm dhe përgjithmonë, e që më pas, për shkak të rrethanave
historike, ndërhyrjeve ndërkombëtare apo rezistencës shqiptare, i qenka marrë
dhe i qenka shkëputur.
Pikërisht
këtu qëndron një prej problemeve themelore të narrativës politike serbe për
Kosovën: Serbia vazhdon ta artikulojë raportin e saj me Kosovën përmes gjuhës
së pronësisë, humbjes dhe rikthimit, ndërsa shumë më rrallë e shtron pyetjen
historike që do të duhej të ishte në themel të çdo reflektimi serioz politik:
çfarë humbi në të vërtetë Serbia në Kosovë dhe, para së gjithash, si e kishte
vendosur dhe si e kishte ushtruar pushtetin e saj mbi Kosovën dhe mbi shumicën
shqiptare që jetonte aty? Sepse ndërmjet pohimit “e humbëm Kosovën” dhe pyetjes
“pse e humbëm Kosovën” ekziston një dallim i jashtëzakonshëm politik, moral dhe
historik; e para ndërton mitin e viktimës, ndërsa e dyta do të kërkonte
ballafaqim me historinë, me politikat shtetërore, me represionin, me
përjashtimin politik dhe me konfliktet që e përcaktuan marrëdhënien ndërmjet
shtetit serb dhe shqiptarëve të Kosovës në periudha të ndryshme.
Në diskursin politik dhe nacionalist serb, Kosova
është paraqitur vazhdimisht përmes formulës së thjeshtuar se Serbia e ka
“pasur” dhe më pas e ka “humbur”. Një interpretim i tillë e redukton një
çështje komplekse historike, politike dhe kombëtare në konceptin e posedimit
territorial, sikur territori të ishte një hapësirë e zbrazët që mund të
fitohet, zotërohet apo humbet pavarësisht nga popullsia që jeton në të. Mirëpo,
Kosova nuk mund të trajtohet vetëm si kategori territoriale. Ajo është një
hapësirë historike dhe shoqërore në të cilën janë formësuar dhe trashëguar ndër
breza popullsi, gjuhë, kulturë, kujtesë kolektive, identitete dhe aspirata
politike.
Pikërisht për këtë arsye, teza se “Serbia e humbi
Kosovën” kërkon një rishqyrtim kritik. Pyetja historikisht më thelbësore nuk
është vetëm kur dhe si Serbia e humbi kontrollin mbi Kosovën, por edhe si e
vendosi atë kontroll, mbi çfarë baze politike e ushtarake u ndërtua dhe deri në
çfarë mase ai gëzonte legjitimitet në raport me vullnetin e popullsisë shumicë
shqiptare. Në këtë këndvështrim, historia e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe
Kosovës nuk duhet të lexohet vetëm përmes narrativës së “humbjes së
territorit”, por edhe përmes proceseve të pushtimit, aneksimit, administrimit
shtetëror dhe përpjekjeve për ndryshimin e realitetit politik e demografik të
Kosovës.
Prandaj, një nga tezat qendrore të këtij punimi është
se kontrolli i Serbisë mbi Kosovën nuk duhet barazuar automatikisht me një të
drejtë historike të pakontestueshme mbi të. Veçanërisht periudha që fillon me
Luftërat Ballkanike të viteve 1912–1913 duhet analizuar në kontekstin e hyrjes
së ushtrisë serbe në Kosovë, ndryshimeve territoriale të miratuara
ndërkombëtarisht pas luftërave dhe faktit se popullsia shqiptare e Kosovës nuk
ishte subjekt vendimmarrës në përcaktimin e statusit të saj politik. Kjo e
zhvendos analizën nga pyetja se “kujt i përkiste territori” drejt pyetjes më
thelbësore: me çfarë mjetesh u vendos pushteti dhe cili ishte raporti i tij me
vullnetin politik të popullsisë vendëse?
Në këtë kuptim, formulimi se “Serbia e humbi Kosovën”
mund të jetë edhe konceptualisht çorientues, sepse nënkupton se bëhej fjalë për
humbjen e një posedimi historikisht të natyrshëm dhe politikisht të
pakontestueshëm. Një analizë kritike kërkon të shqyrtojë pikërisht këtë
premisë. Shteti mund ta ushtrojë kontrollin mbi një territor pa e shndërruar
domosdoshmërisht atë kontroll në legjitimitet historik dhe politik. Prania e
institucioneve shtetërore, e administratës, e ushtrisë apo e policisë dëshmon
ushtrimin e pushtetit, por nuk mjafton, në vetvete, për të dëshmuar pranimin e
atij pushteti nga popullsia mbi të cilën ushtrohet.
Madje, gjatë shekullit XX, politikat shtetërore serbe
dhe jugosllave ndaj shqiptarëve të Kosovës — të cilat duhen analizuar sipas
periudhave dhe regjimeve përkatëse — krijuan dhe thelluan një hendek të
vazhdueshëm ndërmjet pushtetit dhe popullsisë shqiptare. Represioni politik,
politikat e kolonizimit në periudha të caktuara, shpërnguljet, kufizimi i të
drejtave dhe, në fund të viteve 1980 dhe gjatë viteve 1990, suprimimi i
autonomisë dhe represioni sistematik, e bënë gjithnjë e më të pamundur
ndërtimin e një raporti politik të bazuar në barazi, besim dhe pëlqim.
Për këtë arsye, mund të argumentohet se, shumë përpara
se Serbia të humbiste kontrollin efektiv mbi Kosovën në vitin 1999, ajo kishte
konsumuar në masë të madhe mundësinë për ta legjitimuar atë kontroll përmes
bashkëjetesës demokratike, barazisë politike dhe respektimit të vullnetit të
popullsisë shumicë shqiptare. Në këtë perspektivë, Kosova nuk duhet trajtuar si
një pronë që Serbia “e kishte” dhe më pas “e humbi”, por si një çështje
historike e karakterizuar nga përplasja ndërmjet pretendimit shtetëror për
sovranitet dhe kërkesës së një popullsie për liri, barazi dhe vetëvendosje.
Kështu, pyetja që duhet të shtrohet nuk është thjesht
“Si e humbi Serbia Kosovën?”, por një pyetje shumë më themelore: “Si u vendos
pushteti i Serbisë mbi Kosovën, si u ushtrua ai dhe mbi çfarë baze mund të
pretendohej legjitimiteti i tij përballë vullnetit të popullsisë së Kosovës?”
Pikërisht përgjigjja historike, dokumentare dhe juridiko-politike ndaj kësaj
pyetjeje mund ta zhvendosë debatin nga miti i “territorit të humbur” drejt
analizës së pushtetit, pushtimit, legjitimitetit dhe të drejtës së popujve për
të përcaktuar fatin e tyre politik.
Edhe
lumi Ibër, për fat të keq, është ngarkuar me këtë histori të rëndë simbolesh
dhe ndarjesh. Një lumë që në natyrën e vet nuk njeh kufij etnikë, nuk njeh
ideologji dhe nuk pyet se cilës kombësi i përkasin brigjet e tij, në diskursin
politik është shndërruar në vijë psikologjike dhe politike ndarjeje,
veçanërisht në Mitrovicë. Kjo është ndoshta një nga ironitë më të dhimbshme të
historisë sonë të afërt: pushteti serbë mundohet t’u jap lumenjve kufij që
natyra nuk ua ka dhënë kurrë, t’i shndërrojnë urat nga mjete bashkimi në
simbole konfrontimi dhe të ndërtojnë mbi gjeografinë e zakonshme të një qyteti
të tërë arkitekturën e frikës, mosbesimit dhe konfliktit politik.
Prandaj,
debati për Ibrin nuk është dhe nuk duhet të mbetet vetëm debat për një lumë,
një urë apo një hapësirë urbane; ai është debat për mënyrën se si e konceptojmë
sovranitetin, bashkëjetesën dhe normalitetin në Kosovën e pasluftës, por
njëkohësisht edhe për mënyrën se si Serbia vazhdon ta interpretojë humbjen e
kontrollit mbi Kosovën. Përderisa në Beograd mbijeton ideja se Kosova është një
territor që duhet “rikthyer”, çdo urë, çdo komunë, çdo institucion dhe
pothuajse çdo çështje administrative mund të ngarkohet me domethënie gjeopolitike
shumë më të madhe sesa ka në realitet.
Në
fund, ndoshta pyetja më e rëndësishme nuk është se kur dhe si “Serbia e humbi
Kosovën”, por kur filloi ta humbiste mundësinë për ta parë Kosovën jashtë
kategorive të pronësisë territoriale dhe për t’i parë shqiptarët e Kosovës si
subjekt politik me vullnet, histori dhe aspirata të veta. Sepse shtetet mund të
humbin kontrollin mbi territore në momente të caktuara historike, por humbjet
më të thella politike ndodhin shumë më herët: atëherë kur pushteti humbet
legjitimitetin, kur qytetari shndërrohet në të dyshuar, kur dallimi etnik bëhet
kriter politik dhe kur forca zë vendin e marrëveshjes.
Dhe
pikërisht për këtë arsye, sa herë që dëgjoj të përsëritet fjalia “Serbia e
humbi Kosovën”, mendoj se historia do të kuptohej shumë më drejt sikur pyetja
të shtrohej ndryshe: jo vetëm kur e humbi Serbia Kosovën, por kur e pati Serbia
Kosovën, pastaj çfarë bëri politika serbe për shqiptarët e Kosovës? Në
përgjigjen ndaj kësaj pyetjeje gjendet një pjesë e madhe e së vërtetës
historike që retorika nacionaliste përpiqet ta mbulojë me mite, me metafora
territoriale dhe me nostalgjinë e një sovraniteti të humbur.
Dhe
sa herë që në diskursin politik serb thuhej, me një lloj pikëllimi të fabrikuar
kombëtar, se Serbia “e paska humbur Kosovën”, vetë mënyra e formulimit të kësaj
fjalie e zbulonte një pretendim shumë më të thellë sesa dukej në sipërfaqe,
sepse të thuash se ke humbur diçka do të thotë, në kuptimin më të
drejtpërdrejtë të fjalës, të pretendosh se ajo gjë më parë të ka takuar, se ka
qenë e jotja, se ke pasur mbi të një të drejtë të natyrshme dhe të
pakontestueshme pronësie, ndërsa tani, për shkak të një padrejtësie, të një
disfate apo të ndërhyrjes së dikujt tjetër, ajo të është marrë nga duart.
Pikërisht këtu fillon lajthitja e madhe politike mbi të cilën është ndërtuar
për dekada një pjesë e rëndësishme e narrativës serbe për Kosovën: ngatërrimi i
sundimit me pronësinë, i pushtimit me të drejtën historike, i kontrollit
shtetëror me përkatësinë e përjetshme dhe, mbi të gjitha, përpjekja për ta
paraqitur një raport të krijuar e të ndryshuar nëpër periudha historike si një
e drejtë e pandryshueshme që qëndron mbi vullnetin e njerëzve që jetojnë në atë
hapësirë.
Çfarë
lajthitjeje politike është të besohet se një vend mund të trajtohet si pronë e
trashëguar, sikur toka, qytetet, lumenjtë, malet dhe, mbi të gjitha, njerëzit
që jetojnë aty të mund të futeshin në inventarin historik të një shteti dhe të
kalonin nga një brez në tjetrin si një pasuri e patundshme! Kjo mënyrë e të
menduarit nuk është vetëm problem gjuhësor; ajo zbulon një filozofi politike të
territorit, sipas së cilës fuqia e ushtruar dikur shndërrohet, në
retrospektivë, në argument pronësie, ndërsa sundimi politik paraqitet si dëshmi
e një të drejte të përhershme. Mirëpo historia e Ballkanit, më shumë se
historia e shumë hapësirave të tjera evropiane, na mëson pikërisht të
kundërtën: kufijtë kanë ndryshuar, perandoritë janë ngritur dhe janë shembur,
administratat janë zëvendësuar, territoret kanë kaluar nën pushtete të ndryshme
dhe asnjë periudhë sundimi, vetëm për faktin se ka ekzistuar, nuk mund të
shpallet automatikisht dëshmi e pronësisë së përjetshme mbi një vend.
Prandaj,
kur thuhet se Serbia “e humbi Kosovën”, pyetja që duhet të pasojë nuk është
vetëm se kur dhe në çfarë rrethanash e humbi kontrollin mbi të, por një pyetje
shumë më e parehatshme për narrativën tradicionale nacionaliste: mbi çfarë baze
ndërtohet pretendimi se Kosova duhej konsideruar diçka që Serbia mund ta
“humbiste” sikur të ishte pronë e saj? Sepse ekziston një dallim thelbësor
ndërmjet faktit se një shtet ka ushtruar pushtet mbi një territor në një
periudhë historike dhe pretendimit se ai territor i përket atij shteti
përgjithmonë, pavarësisht zhvillimeve historike, përbërjes së popullsisë,
vullnetit politik të banorëve dhe transformimeve që kanë ndodhur ndërkohë.
Këtu
qëndron edhe paradoksi i madh i retorikës së “Kosovës së humbur”: ajo kërkon të
na bindë të mendojmë për historinë duke filluar nga momenti i humbjes, por jo
nga historia e mënyrës se si është vendosur dhe ushtruar pushteti. Flet për
fundin e kontrollit serb, por shumë më pak për proceset historike që i
paraprinë atij; flet për plagën serbe, por jo gjithmonë me të njëjtën
gatishmëri për përvojën historike të shqiptarëve; flet për territorin, por
shumë më pak për njerëzit; flet për hartën, por jo mjaftueshëm për vullnetin
politik të popullsisë që jetonte brenda asaj harte. Dhe pikërisht kjo
përzgjedhje e kujtesës është mekanizmi përmes të cilit historia mund të
shndërrohet nga fushë e kërkimit dhe e ballafaqimit me faktet në instrument të
legjitimimit politik.
Në
këtë kuptim, nocioni se Serbia “e humbi Kosovën” nuk është një formulim i
pafajshëm. Ai bart brenda vetes një mënyrë të të menduarit që e vendos
territorin përpara njeriut dhe mitin përpara realitetit politik, duke e
reduktuar një histori komplekse marrëdhëniesh, konfliktesh, represioni,
rezistence dhe aspiratash kombëtare në tregimin e thjeshtuar të një pronari që
një ditë zgjohet dhe zbulon se i është marrë prona. Por Kosova nuk ishte një
send që mund të humbej në rrugë, as një pronë që mund të regjistrohej
përgjithmonë në emër të një shteti; ajo ishte dhe mbetet një hapësirë shqiptare,
e banuar nga njerëz me kujtesë historike, identitet, përvojë politike dhe
vullnet për ta përcaktuar të ardhmen e tyre.
Ndoshta
pikërisht këtu duhet përmbysur krejtësisht pyetja që për dekada është
përsëritur në diskursin serb. Në vend që të pyetet vazhdimisht “Si e humbi
Serbia Kosovën?”, historia kërkon të shtrohet edhe pyetja shumë më themelore:
si u krijua dhe u legjitimua pushteti serb mbi Kosovën në periudha të ndryshme,
me çfarë mjetesh u mbajt ai pushtet dhe si e përjetoi atë popullsia shqiptare?
Vetëm atëherë debati largohet nga mitologjia e pronësisë dhe hyn në territorin
shumë më serioz të historisë politike.
Sepse
ndoshta lajthitja më e madhe e një politike aneksionuese nuk qëndron vetëm në
dëshirën për ta zgjeruar ose ruajtur territorin, por në aftësinë për ta bindur
veten, brez pas brezi, se ajo që është marrë ose sunduar në një moment të
historisë ka qenë gjithmonë dhe duhet të mbetet përgjithmonë “e jotja”. Kur një
konstruksion i tillë përsëritet për dekada në politikë, historiografi, media
dhe kulturën publike, ai gradualisht pushon së perceptuari si pretendim politik
dhe fillon të paraqitet si e vërtetë e vetëkuptueshme. Dhe pikërisht aty lind
rreziku: kur miti nuk paraqitet më si mit, por si fakt; kur pretendimi shndërrohet
në “të drejtë”; dhe kur humbja e pushtetit mbi një popull interpretohet jo si
përfundim i një raporti historik sundimi, por si amputim i një prone që duhet,
një ditë, të rikthehet.
Ndoshta
pikërisht këtu duhet të ndalemi për një çast dhe, në vend që t’i pranojmë si të
mirëqena formulimet e përsëritura për dekada nga politika, historiografia dhe
propaganda shtetërore serbe, të lëshohemi ngadalë shkallëve të historisë, jo
për të kërkuar në të atë që dëshirojmë të gjejmë, por për të parë se çfarë na dëshmojnë
proceset, dokumentet, ndryshimet politike dhe raportet e pushtetit që kanë
kaluar mbi Kosovën ndër shekuj. Duhet të zbresim nëpër shtresat e kohës dhe të
shtrojmë një pyetje në dukje të thjeshtë, por politikisht jashtëzakonisht të
rëndësishme: si, kur dhe mbi çfarë baze historike Kosova “paska qenë” e
Serbisë, në kuptimin absolut dhe të përhershëm që përpiqet t’i japë kësaj
marrëdhënieje narrativa nacionaliste serbe?
Sepse
historia nuk mund të lexohet si një dokument pronësie, ku mjafton të gjesh një
periudhë sundimi, një mbretëri mesjetare, një betejë, një monument fetar apo
një administratë shtetërore dhe, mbi atë fragment të së kaluarës, të ndërtosh
të drejtën e përjetshme mbi një territor. Po të përdorej një logjikë e tillë si
parim universal i marrëdhënieve ndërmjet shteteve dhe popujve, atëherë e gjithë
harta politike e Evropës dhe e botës do të mund të hapej çdo mëngjes për
rishikim, sepse pothuajse nuk ekziston një hapësirë historike që, në periudha
të ndryshme, të mos ketë qenë nën sundime, mbretëri, perandori dhe administrata
të ndryshme. Historia dëshmon se kush ka sunduar në një kohë të caktuar; ajo
nuk lëshon çertifikata pronësie për përjetësinë.
Prandaj
duhet të ecim më thellë nëpër këto shkallë të historisë dhe të dallojmë me
kujdes atë që propaganda shpesh e bashkon qëllimisht: praninë historike nga
pronësia politike, trashëgiminë kulturore nga sovraniteti shtetëror, kujtesën
fetare nga e drejta territoriale dhe sundimin e një periudhe nga pretendimi për
zotërim të përhershëm. Askush nuk ka nevojë ta mohojë praninë historike serbe
në Kosovë, monumentet mesjetare serbe apo rëndësinë që Kosova ka në kujtesën
kulturore dhe fetare serbe, për të kundërshtuar përfundimin se prej këtyre
fakteve rrjedh automatikisht një e drejtë e pakufizuar dhe e përjetshme
shtetërore mbi Kosovën. Pikërisht këtu kërkohet ndarja ndërmjet historisë si
shkencë dhe historisë së përdorur si instrument i politikës territoriale.
Duke
zbritur shkallëve të historisë, duhet të pyesim jo vetëm se cilët sundimtarë
kanë kaluar mbi Kosovën, por edhe kush ka jetuar aty, si kanë ndryshuar
strukturat shoqërore dhe demografike, si janë krijuar raportet ndërmjet
komuniteteve dhe, veçanërisht, në çfarë rrethanash moderne politike Kosova
është përfshirë nën pushtetin e shtetit serb. Duhet të shohim periudhat jo si
fotografi të ngrira, të zgjedhura sipas nevojave të politikës së sotme, por si
pjesë të një procesi të gjatë, kontradiktor dhe shpesh tragjik, në të cilin
pushtetet kanë ardhur e kanë ikur, kufijtë janë zhvendosur dhe popullsitë kanë
mbijetuar nën sisteme të ndryshme politike.
Vijon


