Sabile Basha: Roli i mërgatës shqiptare në kujtesën historike të Kosovës (65)
ROLI I MËRGATËS SHQIPTARE NË KUJTESËN HISTORIKE TË KOSOVËS (65)
KËNGËT E MUHAXHIRËVE – Kujtesa
Historike e Dëbimit të Shqiptarëve nga Nishi dhe Toplica (1877–1878)[1]

Teksa
hulumtoja dhe shkruaja për valët e ndryshme të mërgimit shqiptar ndër shekuj,
mendja më kthehej vazhdimisht te rrugët e gjata të dhimbjes që ka përshkuar ky
popull. Fillimisht u ndala te largimi i arbërve nga Morea drejt Kalabrisë, një
nga kapitujt më të hershëm të mërgimit të detyruar shqiptar, i cili lindi si
pasojë e pushtimeve dhe trazirave të kohës. Më pas vëmendja ime u përqendrua te
shpërnguljet masive të shqiptarëve drejt Turqisë, të shkaktuara nga politika
shtetërore, presioni i vazhdueshëm dhe kushtet e rënda të jetesës. Në vijim
trajtova edhe historinë e mërgatës shqiptare në Evropë dhe në botë, duke
analizuar rolin e saj në ruajtjen e identitetit kombëtar, të gjuhës, kulturës
dhe në mbështetjen e pandërprerë të çështjes shqiptare.
Por,
sa më shumë që depërtoja në këta kapituj të historisë sonë, aq më tepër më
rikthehej në mendje një nga plagët më të mëdha të kombit shqiptar: dëbimi masiv
i shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit, Toplica dhe viset përreth gjatë viteve
1877–1878. Ishte e pamundur të shkruaja për historinë e mërgimit shqiptar pa u ndalur
te kjo tragjedi, e cila përbën një nga episodet më të dhimbshme të spastrimit
etnik në historinë moderne të Ballkanit.
Gjatë
Luftës Ruso-Osmane të viteve 1877–1878, Serbia dhe Mali i Zi u rreshtuan në
anën e Perandorisë Ruse, duke e parë këtë konflikt si një mundësi historike për
të realizuar aspiratat e tyre ekspansioniste në dëm të Perandorisë Osmane.
Përtej objektivave ushtarake, synimi i tyre ishte zgjerimi territorial drejt
viseve të banuara nga shqiptarët, me qëllim të përfshirjes së këtyre trevave
brenda kufijve të shteteve të tyre dhe ndryshimit të përbërjes etnike të tyre.
Përfundimi
i Luftës Serbo-Osmane të viteve 1877–1878 shënoi një nga kapitujt më tragjikë
në historinë e shqiptarëve të Sanxhakut të Nishit dhe të viseve të tjera etnike
shqiptare që, pas luftës dhe vendimeve të Kongresit të Berlinit, iu aneksuan
Mbretërisë së Serbisë. Fitorja ushtarake e Serbisë nuk u shoqërua vetëm me
zgjerimin e territorit shtetëror, por edhe me zbatimin e një politike të
mirëorganizuar të dëbimit të popullsisë shqiptare nga trojet e saj
stërgjyshore. Në vend që territoret e pushtuara të administroheshin duke
respektuar përbërjen e tyre etnike dhe të drejtat e banorëve autoktonë,
autoritetet serbe ndërmorën një fushatë sistematike të spastrimit etnik të shqiptarëve.
Synimi i kësaj politike ishte ndryshimi rrënjësor i strukturës demografike të
rajonit, duke zbrazur trojet shqiptare nga popullsia e tyre autoktone dhe duke
krijuar hapësira të dominuara nga elementi serb.
Ky
proces u shoqërua me dhunë të organizuar shtetërore, me masakra, djegie të
vendbanimeve, plaçkitje dhe dëbime masive, të cilat detyruan dhjetëra mijëra
shqiptarë të braktisnin shtëpitë dhe pronat e trashëguara ndër breza. Si pasojë
e kësaj politike, u krijua një nga eksodet më të mëdha të shqiptarëve në
shekullin XIX, ndërsa pasojat e tij demografike, shoqërore dhe historike do të
ndiheshin për një kohë shumë të gjatë.
Ky
proces u shoqërua me një dhunë të paparë. Ushtria serbe, e mbështetur nga
formacione të tjera ushtarake dhe paramilitare, ushtroi terror sistematik mbi
popullsinë shqiptare. Vrasjet, masakrat, djegia e fshatrave, plaçkitjet dhe
keqtrajtimet u bënë pjesë e përditshmërisë së banorëve autoktonë, të cilët u
detyruan të largoheshin për të shpëtuar jetën. Përballë kësaj politike të dhunshme,
qindra fshatra shqiptare u zbrazën dhe mijëra familje morën rrugën e mërgimit,
duke lënë pas shtëpitë, tokat, varret e të parëve dhe gjithë pasurinë e krijuar
ndër breza.
Shqiptarët
e dëbuar u shndërruan në muhaxhirë – refugjatë në tokën e tyre kombëtare.
Kolonat e gjata të njerëzve të dëshpëruar u drejtuan kryesisht drejt Vilajetit
të Kosovës, por edhe në vise të tjera të Perandorisë Osmane, duke u përballur
gjatë rrugës me urinë, etjen, të ftohtin, sëmundjet dhe sulmet e vazhdueshme.
Për shumë prej tyre, rruga e mërgimit u shndërrua në një kalvar vuajtjesh,
ndërsa për të tjerë përfundoi tragjikisht para se të arrinin në vendin e
strehimit.
Sipas
të dhënave historike, gjatë kësaj periudhe u dëbuan rreth 160 mijë shqiptarë,
të cilët u detyruan të largoheshin nën kërcënimin e armëve dhe tytave të
ushtrisë serbo-malazeze. Pasojat e këtij eksodi ishin shkatërrimtare jo vetëm
për njerëzit, por edhe për vetë hartën etnike të rajonit. Rreth 640 vendbanime
shqiptare, të shtrira në rrethet e Nishit, Prokuplës, Kurshumlisë, Leskovcit,
Vrajës dhe në zona të tjera përreth, u zbrazën nga popullsia e tyre autoktone
shqiptare. Kështu u realizua një nga proceset më të mëdha të spastrimit etnik
në Ballkan gjatë shekullit XIX, pasojat e të cilit do të ndiheshin për dekada
me radhë.
Kjo
tragjedi nuk përfaqëson vetëm një episod të dhimbshëm të historisë shqiptare,
por një moment vendimtar që ndryshoi përfundimisht përbërjen demografike të një
hapësire të gjerë etnike shqiptare. Muhaxhirët e Nishit, Toplicës, Prokuplës,
Kurshumlisë, Leskovcit dhe Vrajës nuk humbën vetëm vendlindjen e tyre; ata
humbën një pjesë të identitetit të lidhur me trojet e të parëve. Megjithatë,
ata morën me vete kujtesën historike, traditat, këngët dhe rrëfimet e tyre,
duke bërë që drama e dëbimit të mos mbetej vetëm në dokumentet e kohës, por të
jetonte edhe në ndërgjegjen kolektive të popullit shqiptar si një kujtesë e
përhershme e padrejtësisë së përjetuar.
Karvanët
e muhaxhirëve, të përbërë nga pleq, gra, fëmijë dhe burra, morën rrugën e
mërgimit në kushte çnjerëzore. Ata u përballën me urinë, të ftohtin, sëmundjet
dhe sulmet gjatë rrugës, ndërsa shumë prej tyre nuk arritën kurrë në vendet ku
synonin të gjenin strehim. Kjo tragjedi nuk mbeti vetëm në dokumentet
historike, por u ngulit thellë edhe në kujtesën kolektive të shqiptarëve, duke
u ruajtur në rrëfime, vajtime dhe këngë popullore që vazhdojnë të dëshmojnë
dhimbjen e asaj kohe.
Prandaj,
kur shkruaj për mërgimin shqiptar, nuk e shoh atë vetëm si një fenomen të
lëvizjes së popullsisë, por si një histori të gjatë sakrifice, mbijetese dhe
qëndrese. Në këtë histori, dëbimi i shqiptarëve nga Nishi, Toplica dhe viset
përreth zë një vend të veçantë, sepse ai nuk ishte rezultat i një zgjedhjeje të
lirë apo i kërkimit të një jete më të mirë, por pasojë e drejtpërdrejtë e një
politike të dhunshme të spastrimit etnik. Pikërisht për këtë arsye, kjo ngjarje
mbetet një nga gurët themelorë për të kuptuar historinë e mërgimit të detyruar
të shqiptarëve dhe një nga dëshmitë më të rënda të vuajtjeve që ky popull ka
përjetuar në rrugëtimin e tij historik.
Megjithatë,
asnjë dokument zyrtar, statistikë apo kronikë historike nuk arrin ta
përshkruajë me aq ndjenjë dhe vërtetësi dramën e atyre ditëve sa e përshkruan
krijimtaria popullore. Historia na tregon numrin e të dëbuarve, fshatrat e
shkatërruara dhe pasojat politike të spastrimit etnik, por është kënga
popullore ajo që na afron me botën shpirtërore të njerëzve të zakonshëm, me
frikën, dhimbjen dhe ankthin e tyre. Ajo nuk flet me gjuhën e statistikave, por
me gjuhën e lotit; nuk numëron viktimat, por përcjell britmën e një populli që
po humbte vendlindjen, shtëpinë dhe gjithçka që kishte ndërtuar ndër breza.
Teksa
thellohesha në dokumentet historike që dëshmonin për dëbimet masive të
shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit, Toplica dhe viset e tjera shqiptare gjatë
viteve 1877–1878, më lindte vazhdimisht bindja se një tragjedi e tillë nuk mund
të kishte mbetur vetëm në faqet e arkivave apo në raportet diplomatike të
kohës. Një ngjarje që kishte tronditur dhjetëra mijëra familje shqiptare duhej
të kishte lënë gjurmë edhe në kujtesën popullore, në këngët, vajet dhe poezitë
që populli kishte krijuar për ta ruajtur të gjallë kujtimin e asaj katastrofe
njerëzore.
Në
ato çaste, më erdhi ndër mend një kujtim i hershëm. Kisha bindjen se vite më
parë, gjatë leximeve të mia, në ndonjë libër, revistë shkencore apo dokument
folklorik, kisha hasur një këngë ose një poezi kushtuar pikërisht muhaxhirëve
të Nishit dhe Toplicës. Nuk e mbaja mend titullin, as autorin e botimit ku e
kisha lexuar, por më kujtohej qartë se ajo kishte lënë një përshtypje të thellë
tek unë. Ishte një nga ato krijime që, edhe pse kalojnë vite, mbeten të
ngulitura diku në kujtesë.
I
shtyrë nga ky kujtim, fillova një kërkim të gjatë. Shfletova një nga një librat
që kisha në bibliotekën time personale, sidomos ata që trajtonin historinë e
muhaxhirëve, dëbimet e shqiptarëve dhe folklorin historik. U ktheva te botime
që nuk i kisha hapur prej kohësh, rilexova kapituj të tërë dhe kontrollova
shënimet që kisha bërë ndër vite, me shpresën se do ta gjeja përsëri atë këngë.
Por çdo përpjekje rezultoi e pasuksesshme. Krijimi që kërkoja dukej sikur ishte
zhdukur mes qindra faqeve të lexuara ndër vite.
Më
pas kërkimin e vazhdova në burimet elektronike. Shfletova biblioteka digjitale,
artikuj shkencorë dhe materiale të ndryshme në internet, duke menduar se
ndoshta teknologjia do të më ndihmonte aty ku kujtesa ime nuk po arrinte.
Megjithatë, edhe ky kërkim nuk dha rezultatin që prisja. Kënga që kërkoja
vazhdonte të mbetej e paarritshme.
Në
atë moment më erdhi ndër mend një prej studiuesve që prej dekadash ia ka
kushtuar jetën mbledhjes, ruajtjes dhe studimit të folklorit shqiptar,
veçanërisht këngëve historike dhe epikës popullore – profesori i nderuar Prof.
Dr. Adem Zejnullahu. E njihja mirë kontributin e tij shkencor në këtë fushë dhe
e dija se ishte ndër njohësit më të mirë të trashëgimisë sonë folklorike. M'u
kujtuan edhe bisedat që kishim zhvilluar në veprimtaritë e Lidhjes së
Shkrimtarëve të Kosovës (LSHK), ku, ndër tema të shumta, kishim diskutuar edhe
për këngët e muhaxhirëve dhe rëndësinë e tyre si dëshmi të çmuara të kujtesës
historike shqiptare.
Pa
hezituar, e telefonova profesorin. Ia shpjegova qëllimin e hulumtimit tim dhe i
tregova se ndodhesha në fazën e përfundimit të kapitullit të librit kushtuar
mërgatës shqiptare dhe dëbimeve të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit. I shpreha
dëshirën time për të gjetur këngët popullore që kishin ruajtur në kujtesën e
brezave dramën e atyre ngjarjeve. Profesori e kuptoi menjëherë se për çfarë
bëhej fjalë. Biseda jonë ishte e shkurtër, por jashtëzakonisht frytdhënëse.
Vetëm pak minuta pasi përfundoi telefonata, në adresën time elektronike
mbërritën katër këngë popullore kushtuar muhaxhirëve, krijime që bartnin në
vargjet e tyre gjithë dramën e dëbimeve të viteve 1877–1878.
Ndërkohë
vendosa t'i drejtohesha edhe njërit prej studiuesve më të shquar të historisë
së shpërnguljeve shqiptare, Prof. Dr. Jusuf Osmanit. Edhe ai, me gatishmërinë
që e karakterizon, iu përgjigj menjëherë kërkesës sime dhe më dërgoi materialet
folklorike që kishte mbledhur gjatë dekadave të hulumtimit të tij. Kjo më dha
mundësinë të krahasoja variantet e ndryshme të këngëve, të shqyrtoja
ngjashmëritë dhe dallimet ndërmjet tyre dhe të përzgjidhja për analizë baladën që
gjendej si në botimet e Prof. Dr. Adem Zejnullahut, ashtu edhe në ato të Prof.
Dr. Jusuf Osmanit. Ky përkim i dy studiuesve të njohur më dha një siguri edhe
më të madhe për autenticitetin dhe rëndësinë folklorike të variantit të
përzgjedhur.
Ky
ishte një moment gëzimi i veçantë për mua si studiuese. Pas një kërkimi të
gjatë, materiali që kisha kërkuar me aq këmbëngulje ndodhej tashmë para meje.
Nuk bëhej fjalë vetëm për disa këngë popullore, por për dëshmi të çmuara të
kujtesës kolektive shqiptare, të ruajtura falë përkushtimit të studiuesve dhe
traditës së pasur gojore të popullit tonë. Ndjeva një mirënjohje të thellë ndaj
të dy profesorëve për gatishmërinë, bujarinë akademike dhe kontributin e tyre
shumëvjeçar në mbledhjen, sistemimin dhe studimin e kësaj trashëgimie të vyer.
Falë punës së studiuesve të tillë, kujtesa historike e popullit shqiptar nuk
mbetet e shpërndarë në harresë, por vazhdon të jetojë në studime, botime dhe në
këngët që brezat ua përcjellin njëri-tjetrit.
Më
pas iu ktheva me përkushtim leximit të materialit të mbledhur. Çdo këngë që
kisha përpara ishte një dritare e hapur drejt dramës së muhaxhirëve të
Sanxhakut të Nishit. Nëpërmjet vargjeve të tyre nuk dëgjoheshin vetëm zërat e
këngëtarëve popullorë, por edhe jehona e mijëra burrave, grave, pleqve dhe
fëmijëve që u detyruan të braktisnin trojet e tyre stërgjyshore. Ishin këngë të
lindura nga dhimbja, të ruajtura me fanatizëm nga brezat dhe të trashëguara si
një amanet i kujtesës kombëtare, në mënyrë që tragjedia e viteve 1877–1878 të mos
zhytej kurrë në harresë.
Secila
baladë kishte veçantinë e saj. Disa ndaleshin më shumë te dhimbja e mërgimit,
të tjera te masakrat, uria, etja dhe vuajtjet përgjatë rrugës së gjatë drejt
Kosovës, ndërsa disa të tjera shprehnin mallin për vendlindjen e humbur dhe
revoltën ndaj padrejtësisë së ushtruar mbi shqiptarët. Në tërësinë e tyre, ato
përbënin një mozaik të çmuar të kujtesës historike, duke dëshmuar se populli
shqiptar nuk e kishte lënë tragjedinë e muhaxhirëve të zhytej në harresë, por e
kishte ruajtur atë në vargje, në këngë dhe në rrëfimet gojore që u trashëguan
ndër breza.
Megjithatë,
për nevojat e këtij studimi, ndjeva se duhej të përzgjidhja një këngë që,
përveç vlerës së saj artistike dhe emocionale, do të përfaqësonte sa më mirë
edhe dimensionin historik të ngjarjeve që po trajtoja. Pas një leximi të
kujdesshëm, zgjodha baladën që më preku më shumë dhe që, sipas bindjes sime, i
përgjigjej më së miri qëllimit të këtij hulumtimi.
Arsyeja
e kësaj zgjedhjeje nuk lidhej vetëm me fuqinë e saj poetike apo me ndjeshmërinë
që përcillnin vargjet. Mbi të gjitha, ajo më tërhoqi sepse ndërtonte një
panoramë të gjerë gjeografike të dëbimeve. Përmes përmendjes së Nishit,
Toplicës, Leskovcit, Vrajës, Surdulicës, Karadakut, Kikës dhe vendeve të tjera,
kënga krijonte një hartë të gjallë të eksodit shqiptar. Çdo toponim i përfshirë
në të nuk ishte vetëm një pikë në hapësirë, por një dëshmi e shtrirjes së
tragjedisë dhe e përmasave të politikës së dëbimit të zbatuar ndaj shqiptarëve.
Në
këtë mënyrë, balada fitonte një vlerë të dyfishtë. Nga njëra anë, ajo mbetej
një krijim i rrallë artistik, i lindur nga dhimbja dhe përjetimi i
drejtpërdrejtë i popullit. Nga ana tjetër, ajo shndërrohej në një dokument të
rëndësishëm të kujtesës historike, sepse ruante në mënyrë simbolike itinerarin
e eksodit dhe emrat e trojeve nga të cilat shqiptarët u dëbuan me forcë.
Pikërisht kjo ndërthurje e ndjenjës poetike me kujtesën historike ishte arsyeja
kryesore që e bëri këtë këngë më të përshtatshmen për t'u analizuar në këtë
punim, si një dëshmi folklorike që plotëson dhe pasuron burimet historike mbi
një nga kapitujt më tragjikë të historisë së popullit shqiptar.
Balada
"Muhaxhert-o, medet..." përbën një nga dëshmitë më autentike
folklorike të spastrimit etnik të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit gjatë
viteve 1877–1878. Ndryshe nga këngët tradicionale të gurbetit, të cilat
trajtojnë largimin për arsye ekonomike ose personale, kjo baladë e paraqet
mërgimin si pasojë të drejtpërdrejtë të dhunës shtetërore. Përmes përmendjes së
Nishit, Kikës, Surdullit, Karadakut, Leskovcit dhe Vranjës, kënga krijon një
hartë poetike të eksodit shqiptar, ndërsa vargjet "Po na vret, o po na i
pret" dëshmojnë se në kujtesën popullore dëbimi nuk perceptohej si një
shpërngulje e zakonshme, por si një proces i shoqëruar me vrasje sistematike
dhe terror. Në këtë kuptim, balada kushtuar muhaxhirëve të Toplicës dhe Nishit
përfaqëson një nga dëshmitë më të fuqishme të kujtesës kolektive shqiptare.
Nëpërmjet vargjeve të saj, këngëtari popullor nuk rrëfen vetëm një ngjarje
historike, por përjetimin e drejtpërdrejtë të tragjedisë. Ai bëhet zëri i
mijëra burrave, grave, pleqve dhe fëmijëve që u detyruan të braktisnin trojet e
tyre nën kërcënimin e armëve, duke marrë me vete vetëm dhimbjen dhe shpresën e
zbehtë për të mbijetuar. Me pak vargje, ai arrin të ndërtojë një tablo
rrëqethëse të eksodit shqiptar:
Në
këto vargje nuk gjejmë vetëm një përshkrim poetik, por një dëshmi të gjallë të
tragjedisë njerëzore. Muhaxhirët nuk janë udhëtarë që nisen drejt një jete më
të mirë dhe as njerëz që largohen me dëshirën e tyre. Ata janë njerëz të dëbuar
me dhunë, të cilët ecin pa ditur se ku do t'i çojë rruga e mërgimit. Vargu "O
s’p’ e din’ veten, kah po shkojnë"
shpreh më mirë se çdo dokument pasigurinë dhe dëshpërimin e atyre mijëra
familjeve shqiptare që, të shkëputura nga vendlindja, nuk kishin më as një
strehë, as një të ardhme të sigurt.
Edhe
natyra bëhet pjesë e kësaj drame. Bora dhe shiu nuk paraqiten vetëm si dukuri
atmosferike, por si simbole të vuajtjes, të ftohtit dhe të rrugëtimit të pafund
drejt së panjohurës. Ndërsa vargu "O krejt përjashta, more, muhaxheri" përmbledh në pak fjalë
fatin e një populli të tërë, të mbetur pa kulm mbi kokë, pa tokë dhe pa
sigurinë më elementare. Britmat e grave dhe të fëmijëve, të përshkruara në
vargun "O ç’po bërtasin, medet, rob e thmi!", e zhvendosin vëmendjen
nga fushëbeteja te drama e popullsisë civile, duke dëshmuar se viktimat
kryesore të kësaj politike të dhunshme ishin njerëzit e pambrojtur.
Kulmi
i tragjedisë shprehet në vargun tronditës "Po na vret, o po na i
pret." Kjo nuk është më një metaforë poetike, por një akuzë e
drejtpërdrejtë e kujtesës popullore ndaj dhunës së ushtruar mbi shqiptarët. Në
vetëdijen kolektive të popullit, dëbimi nuk u përjetua si një shpërngulje e
zakonshme, por si një proces i shoqëruar me vrasje, masakra dhe terror
sistematik. Pikërisht për këtë arsye, kjo baladë tejkalon kufijtë e një krijimi
folklorik dhe shndërrohet në një dokument të kujtesës historike, që ruan të
gjallë përjetimin e një prej tragjedive më të mëdha kombëtare të shekullit XIX.
Pas
kësaj tabloje rrëqethëse të eksodit, këngëtari popullor e zgjeron rrëfimin e
tij duke e vendosur tragjedinë në hapësirën konkrete gjeografike ku ajo u
zhvillua. Ai nuk flet me emra abstraktë, por përmend vendbanime reale, duke e
shndërruar këngën në një hartë poetike të dhimbjes shqiptare. Përmes vargjeve
të tij, rruga e muhaxhirëve nuk mbetet më një udhëtim i paqartë, por merr
formën e një itinerari tragjik që nis në trojet shqiptare të Sanxhakut të
Nishit dhe vazhdon drejt Kosovës, i shoqëruar në çdo hap nga dhuna, gjaku dhe
vdekja:
Në
këto vargje, çdo toponim mbart një kujtim të dhimbshëm dhe një kapitull të
historisë së spastrimit etnik të shqiptarëve. Nishi, Surdulica, Karadaku dhe
Kika nuk përmenden rastësisht. Ato janë pika reale të hapësirës ku u zhvilluan
dëbimet masive të viteve 1877–1878, kur ushtria serbe, pas pushtimit të këtyre
viseve, zbatoi një politikë sistematike të largimit me forcë të popullsisë
shqiptare nga trojet e saj shekullore. Kështu, kënga popullore nuk është vetëm
një shprehje artistike e dhimbjes, por edhe një dëshmi e kujtesës historike, e
cila ruan në mënyrë të gjallë itinerarin e tragjedisë dhe emrat e vendeve që u
shndërruan në skena të vuajtjes kolektive.
Veçanërisht
domethënës është vargu "Po na i pret dushmani me thikë", i cili nuk përdor gjuhë
të figurshme për të zbukuruar rrëfimin, por një shprehje të drejtpërdrejtë për
të përshkruar dhunën që shoqëroi dëbimin. Në vetëdijen e popullit, largimi nga
Toplica, Nishi dhe viset përreth nuk ishte një shpërngulje e zakonshme, por një
proces i shoqëruar me masakra, vrasje dhe mizori të ushtruara mbi një popullsi
të pambrojtur. Prandaj, fjala "pret"
nuk është thjesht një figurë poetike, por një mënyrë për të përçuar përmasat e
terrorit që kishte lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e brezave.
Po
aq i fuqishëm është edhe vargu "I vret dushmani, o pa i pas' hak", i
cili shpreh ndjenjën e padrejtësisë së thellë që ka mbetur e gdhendur në
kujtesën popullore. Viktimat nuk paraqiten si luftëtarë të rënë në fushëbetejë,
por si njerëz të pafajshëm, të vrarë pa faj dhe pa asnjë arsye tjetër veç
përkatësisë së tyre etnike. Kjo e bën këngën jo vetëm një elegji për të
dëbuarit, por edhe një akt akuze morale ndaj politikës së dhunës dhe spastrimit
etnik që ndryshoi rrënjësisht strukturën demografike të Sanxhakut të Nishit.
Në
këtë mënyrë, këngëtari popullor arrin të ndërthurë historinë me poezinë. Ai nuk
shkruan kronikë, por kujtesë; nuk harton raporte, por ruan të vërtetën në
vetëdijen e popullit. Pikërisht për këtë arsye, këto vargje kanë një vlerë të
shumëfishtë: ato janë një krijim artistik, një monument i kujtesës kolektive
dhe një dëshmi folklorike që plotëson dokumentet historike për një nga
tragjeditë më të mëdha që përjetoi populli shqiptar në fund të shekullit XIX.
Me
të njëjtën ndjenjë dhimbjeje dhe revolte, autori anonim i kësaj balade vazhdon
ta ndërtojë rrëfimin e tij, duke e zhvendosur vëmendjen në një tjetër hapësirë
të tragjedisë. Ai nuk ndalet vetëm te përshkrimi i eksodit dhe i vuajtjeve të
muhaxhirëve, por dëshmon edhe dhunën e pamëshirshme që shoqëroi dëbimin e tyre.
Përmes një gjuhe të thjeshtë, por jashtëzakonisht të fuqishme, ai përshkruan
realitetin tragjik që kishte mbuluar trevat shqiptare nga Leskoci deri në
Vrajë, duke kënduar:
Këto
dy vargje, ndonëse të shkurtra, bartin një peshë të jashtëzakonshme historike
dhe emocionale. Ato nuk janë vetëm një shprehje poetike e dhimbjes, por një
dëshmi e gjallë e kujtesës kolektive të shqiptarëve për ngjarjet tragjike të
viteve 1877–1878. Në to nuk përshkruhet një betejë ndërmjet dy ushtrive, as
heroizmi i luftëtarëve në fushën e betejës, por fati i një popullsie civile që
u përball me dhunën gjatë rrugës së dëbimit. Në vetëdijen popullore, Leskoci
dhe Vraja nuk mbetën vetëm emra qytetesh, por u shndërruan në simbole të
vuajtjes, të gjakderdhjes dhe të humbjes së trojeve stërgjyshore.
Autori
anonim nuk përdor figura të ndërlikuara letrare dhe as përpiqet ta zbukurojë
tragjedinë. Përkundrazi, ai zgjedh fjalët më të drejtpërdrejta dhe më të rënda
që mund të shqiptojë një popull i përballur me shfarosjen. Foljet "na therin"
dhe "na vrajnë"
nuk janë hiperbola poetike, por shprehje që burojnë nga përjetimi i
drejtpërdrejtë i dhunës. Ato pasqyrojnë mënyrën se si kjo tragjedi u ruajt në
kujtesën e brezave, si një ngjarje e shoqëruar me vrasje, masakra dhe mizori të
ushtruara mbi një popullsi të pambrojtur.
Në
këtë aspekt, balada tejkalon funksionin e saj artistik dhe fiton një dimension
të rëndësishëm historik. Ajo bëhet zëri i atyre mijëra shqiptarëve që nuk patën
mundësi të shkruanin kujtimet e tyre, të hartonin kronika apo të linin dëshmi
të shkruara për vuajtjet që përjetuan. Pikërisht kënga popullore mori mbi vete
këtë mision, duke ruajtur në kujtesën kolektive rrëfimin e një tragjedie që la
gjurmë të pashlyeshme në historinë e kombit shqiptar.
Prandaj,
këto vargje nuk duhet të lexohen vetëm si krijim folklorik, por edhe si një
formë e kujtesës historike. Ato dëshmojnë mënyrën se si populli shqiptar e
përjetoi dhe e kujtoi spastrimin etnik të kryer në Sanxhakun e Nishit dhe në
viset përreth. Nëpërmjet tyre, brezat pasardhës trashëguan jo vetëm dhimbjen e
humbjes së vendlindjes, por edhe kujtimin e një politike të dhunshme që
ndryshoi përgjithmonë fatin e mijëra familjeve shqiptare. Në këtë mënyrë, kënga
popullore u shndërrua në një monument të gjallë të kujtesës kombëtare, duke
ruajtur atë që dokumentet zyrtare shpesh e paraqesin vetëm me shifra, ndërsa
ajo e përcjell me zërin e dhimbjes njerëzore.
Duhet
të kesh humbur çdo ndjenjë njerëzore që t'i lexosh këto vargje dhe të mbetesh i
pandikuar prej tyre. Vështirë se mund të ketë zemër që nuk tronditet përballë
kësaj dhimbjeje, sepse ato nuk rrëfejnë thjesht një ngjarje të largët
historike, por bartin britmën e një populli të tërë që u dëbua nga trojet e
veta, u privua nga shtëpia, nga buka, nga siguria dhe, mbi të gjitha, nga e
drejta për të jetuar i lirë në vendin e të parëve. Këto vargje nuk janë vetëm
poezi; ato janë zëri i mijëra burrave, grave, pleqve dhe fëmijëve që ecën nëpër
acar, uri dhe dëshpërim, pa e ditur nëse rruga e tyre do të përfundonte në një
strehë apo në një varr.
Edhe
vetë, sa herë që i kam lexuar këto vargje, nuk kam mundur të mbetem vetëm një
studiuese e historisë apo e politikës. Për një çast, analiza shkencore ia lë
vendin ndjenjës njerëzore. Trishtimi bëhet aq i madh, sa të duket sikur je duke
e përjetuar së bashku me ata njerëz rrugën e mundimshme të mërgimit. Në ato
çaste, pa dashje, më vjen ndër mend Migjeni, poeti i revoltës dhe i dhembjes
njerëzore, me thirrjen e tij të njohur për të mos qëndruar përballë
padrejtësisë si një soditës i heshtur. Ajo revoltë morale që buron nga poezia e
tij zgjon dëshirën e njeriut për të bërë gjithçka që është e mundur për të
mbrojtur të pafajshmit, për të ndalur dhunën dhe për të shpëtuar ata që
historia i ka lënë në mëshirën e mizorisë.
Kjo
është, ndoshta, fuqia më e madhe e këngës popullore. Ajo nuk na lejon të
qëndrojmë të ftohtë përballë tragjedisë. Përkundrazi, na bën bashkudhëtarë të
muhaxhirëve, na bën të ndiejmë urinë e tyre, të ftohtin që u depërtonte në
trup, lodhjen e hapave të tyre dhe ankthin e prindërve që mbanin në krahë
fëmijët, pa ditur nëse do të mbërrinin gjallë në vendin e strehimit.
Kulmi
i kësaj drame shprehet në vargjet:
Në
këto pak fjalë përmblidhet e gjithë tragjedia e eksodit të muhaxhirëve
shqiptarë. Këtu nuk flitet më vetëm për dëbimin nga trojet, por për betejën e
përditshme për mbijetesë. Bora dhe shiu nuk janë thjesht elemente të natyrës;
ato shndërrohen në simbole të vuajtjes, të ftohtit dhe të rrugëtimit të pafund.
Ndërsa uria dhe etja nuk paraqiten vetëm si mungesë e ushqimit dhe e ujit, por
si shenja të një katastrofe humanitare që goditi mijëra familje shqiptare gjatë
dimrit të viteve 1877–1878.
Edhe
dokumentet historike dëshmojnë se një numër i madh muhaxhirësh humbën jetën jo
vetëm nga dhuna e ushtrisë serbe, por edhe nga uria, sëmundjet, të ftohtit dhe
lodhja gjatë rrugës së dëbimit. Pikërisht për këtë arsye, këto vargje marrin
një vlerë të veçantë si dëshmi e kujtesës popullore. Ato nuk japin shifra, nuk përmendin
data dhe nuk përshkruajnë strategji ushtarake, por na rrëfejnë atë që asnjë
statistikë nuk mund ta shprehë: dhimbjen e njeriut që sheh familjen e tij duke
u shuar në rrugën e mërgimit.
Kjo
është arsyeja pse balada e muhaxhirëve mbetet një nga monumentet më prekëse të
folklorit historik shqiptar. Ajo nuk kujton vetëm një tragjedi të së kaluarës,
por na fton ta ruajmë në kujtesë, që vuajtje të tilla të mos përsëriten më
kurrë. Nëpërmjet saj, dhimbja e një brezi shndërrohet në kujtesë të një kombi.
Kulmi
dramatik i kësaj balade arrihet në vargjet e fundit, aty ku dhimbja njerëzore kapërcen
çdo kufi dhe shndërrohet në një tragjedi të përmasave biblike. Nëse deri në
këtë pikë kënga kishte rrëfyer dëbimin, urinë, të ftohtin, masakrat dhe
rrugëtimin e mundimshëm të muhaxhirëve, fundi i saj zbulon pasojën më të rëndë
të këtij eksodi: humbjen e jetës dhe mohimin e dinjitetit njerëzor edhe pas
vdekjes. Këngëtari popullor e përshkruan këtë skenë me një thjeshtësi
tronditëse, por pikërisht kjo thjeshtësi ia shton fuqinë emocionale vargjeve:
Në
këto dy vargje përmblidhet e gjithë drama e muhaxhirëve shqiptarë. Vdekja nuk
paraqitet më si fundi natyror i jetës, por si pjesë e pandashme e rrugës së
dëbimit. Aq i madh ishte numri i viktimave dhe aq të pamundura ishin kushtet e
mbijetesës, sa të vdekurit nuk varroseshin më sipas zakoneve të trashëguara
ndër breza. Mungesa e kohës, frika nga ndjekja dhe dhuna e vazhdueshme i
detyronin të mbijetuarit t'i varrosnin të afërmit e tyre në varre të
përbashkëta, pa pasur mundësi të hapnin një varr për secilin veçmas, siç e
kërkonte tradita shqiptare dhe besimi fetar.
Ky
nuk ishte një veprim i bërë nga mungesa e respektit për të vdekurit, por një
domosdoshmëri e imponuar nga rrethanat tragjike. Karvanët e muhaxhirëve
lëviznin nën frikën e përhershme të ndjekjes. Burimet historike dëshmojnë se
gjatë dëbimit popullsia shqiptare u përball jo vetëm me urinë, të ftohtin dhe
sëmundjet, por edhe me sulme të vazhdueshme, gjë që nuk u linte as kohën dhe as
sigurinë për t'u ndalur gjatë dhe për të kryer ceremonitë mortore sipas
zakonit. Çdo vonesë mund të nënkuptonte rrezik për jetën e atyre që kishin
mbetur gjallë.
Akoma
më prekës është vargu "O s’na ka thirrë kush tallkin përmi!",
i cili shpreh dhimbjen e mohimit të riteve të fundit fetare. Në traditën
shqiptare dhe islame, përcjellja e të ndjerit me lutje dhe me ritet përkatëse
përbën një detyrim moral e shpirtëror ndaj njeriut që largohet nga kjo botë.
Mirëpo, në këtë rast, edhe kjo e drejtë elementare u mohohet viktimave. Ata nuk
mund të përcilleshin me lutjet e fundit, sepse frika nga ndjekësit dhe rreziku
i vazhdueshëm nuk lejonte as ndalimin pranë varrit. Dhuna nuk mjaftohej vetëm
me dëbimin nga vendlindja dhe me marrjen e jetës; ajo prekte edhe të drejtën më
themelore të njeriut për t'u varrosur me dinjitet.
Pikërisht
këtu balada fiton një dimension të jashtëzakonshëm historik dhe njerëzor. Ajo
nuk rrëfen vetëm fatin e individëve, por dramën e një popullsie të tërë që, në
rrugën e mërgimit, humbi jo vetëm shtëpitë, pronat dhe të afërmit, por edhe
mundësinë për t'u dhënë lamtumirën e fundit atyre që vdisnin pranë tyre. Këto
vargje janë ndër dëshmitë më prekëse të kujtesës popullore shqiptare për
tragjedinë e viteve 1877–1878, sepse tregojnë se terrori nuk përfundonte me
dëbimin apo me vrasjen; ai vazhdonte edhe pas vdekjes, duke ua mohuar viktimave
edhe nderimin e fundit sipas zakoneve dhe besimit të tyre.
Në
këtë mënyrë, fundi i baladës nuk është vetëm një vajtim për të vdekurit, por
një akt i fuqishëm kujtese historike. Ai ruan në ndërgjegjen kombëtare një të
vërtetë që nuk mund të shprehet vetëm me dokumente apo statistika: se spastrimi
etnik nuk shkatërroi vetëm vendbanime dhe jetë njerëzish, por cenoi edhe
themelet shpirtërore e kulturore të një populli, duke e detyruar të varroste të
dashurit e tij në nxitim, në heshtje dhe nën hijen e frikës.
Rëndësia
historike e kësaj balade tejkalon kufijtë e një krijimi të zakonshëm folklorik.
Ajo nuk është vetëm një këngë vajtimi për muhaxhirët shqiptarë, por edhe një
dëshmi e vyer e kujtesës historike, e cila ruajti ndër breza përjetimin e një
prej tragjedive më të mëdha që përjetoi populli shqiptar në fund të shekullit
XIX. Përmes vargjeve të saj, autori anonim nuk synon vetëm të shprehë dhimbjen
e njerëzve të dëbuar, por edhe të lërë të gjallë kujtesën për një politikë të
organizuar shtetërore, e cila kishte për qëllim ndryshimin rrënjësor të
përbërjes etnike të viseve të pushtuara.
Në
çdo strofë të kësaj balade ndihet qartë se dëbimi i shqiptarëve nuk paraqitet
si pasojë e rastësishme e luftës, por si pjesë e një procesi të menduar dhe të
zbatuar sistematikisht. Këngëtari popullor përmend Nishin, Toplicën, Leskovcin,
Vrajën, Surdulicën, Karadakun dhe shumë vende të tjera jo vetëm për të treguar
itinerarin e muhaxhirëve, por edhe për të dëshmuar përmasat e një tragjedie që
përfshiu një hapësirë të tërë shqiptare. Në këtë mënyrë, kënga shndërrohet në
një hartë poetike të spastrimit etnik, ku çdo emër vendi përfaqëson një vatër të
shkatërruar, një familje të dëbuar dhe një pjesë të historisë së dhimbshme të
kombit shqiptar.
Burimet
historike dëshmojnë se, pas Luftës Serbo-Osmane të viteve 1877–1878 dhe
vendimeve të Kongresit të Berlinit, autoritetet serbe zbatuan një politikë të
dëbimit masiv të popullsisë shqiptare nga Sanxhaku i Nishit dhe krahinat
përreth. Qindra vendbanime shqiptare u zbrazën me forcë dhe dhjetëra mijëra
shqiptarë u detyruan të merrnin rrugën e mërgimit drejt Kosovës dhe viseve të
tjera të Perandorisë Osmane. Ky proces nuk synonte vetëm pushtimin territorial,
por edhe ndryshimin e strukturës etnike të rajonit, në mënyrë që territoret e
aneksuara të mbeteshin të banuara kryesisht nga popullsia serbe.
Pikërisht
këtë të vërtetë historike e ruan dhe e përcjell kënga popullore. Pa përdorur
terminologji politike apo juridike, ajo e përshkruan me gjuhën e kujtesës
kolektive atë që historiografia e mëvonshme do ta dokumentonte përmes burimeve
arkivore: një proces të organizuar dëbimi të shqiptarëve nga trojet e tyre shekullore.
Në këtë kuptim, balada nuk është vetëm një elegji për viktimat, por edhe një
akt kujtese dhe rezistence kulturore, sepse ruan ndërgjegjen historike të
popullit për atë që ndodhi në Nish, Toplicë dhe në viset e tjera shqiptare të
pushtuara.
Kjo
është arsyeja pse rëndësia e kësaj kënge nuk qëndron vetëm te vlera e saj
artistike. Ajo është një monument i gjallë i kujtesës kombëtare, që i kujton
çdo brezi se pas çdo vargu fshihen fate njerëzore, familje të shkatërruara,
vendbanime të zbrazura dhe një politikë që synonte largimin e shqiptarëve nga
trojet e tyre stërgjyshore. Përmes kësaj trashëgimie gojore, historia nuk mbeti
vetëm në dokumentet e kancelarive dhe në raportet diplomatike, por jetoi në
kujtesën e popullit, duke u përcjellë brez pas brezi si një kujtesë e dhimbshme
dhe si një thirrje për të mos harruar kurrë një nga kapitujt më tragjikë të
historisë shqiptare.
Teksti
i këngës:
Muhaxhert-o,
medet, kah po shkojnë,/
Kah
p’e thrrasin, medet, shoqishojn-e .
O
s’p’ e din’ veten, kah po shkojnë!
Ani
ja ka lshue, medet, borë e shi,
O
krejt përjashta, more, muhaxheri,
O
ç’po bërtasin, medet, rob e thmi!
Po
na vret, o po na i pret./
O
se p’i Nishit, o teri n’Kikë,/
Po
na i pret dushmani me thikë./
O
p’i Surdulli ter’ n’Karadak,
I
vret dushmani, o pa i pas’ hak (...)
O
p’i Leskovcit, o teri n’Vrajë,/
O
po na therin, bre, po na vrajnë!
Ore tanë po desim-o në borë e n’shi,/
Ore bukë pa hangër, medet, uj’ pa pi,/
Ani ka dhetë vetë ni vorr jem hi, /
O s’na ka thirrë kush tallkin përmi!
[1] Shënim:
Për hartimin e këtij punimi janë përdorur këngët popullore që m'u vunë në
dispozicion nga Prof. Dr. Adem Zejnullahu dhe Prof. Dr. Jusuf Osmani, të cilëve
u shpreh mirënjohjen time të sinqertë. Të dy studiuesit kanë dhënë një
kontribut të çmuar në ndriçimin e historisë së dëbimit të shqiptarëve nga
Sanxhaku i Nishit dhe Toplica, secili në fushën e tij kërkimore: Prof. Dr. Adem
Zejnullahu në mbledhjen, studimin dhe interpretimin e këngëve folklorike,
ndërsa Prof. Dr. Jusuf Osmani në hulumtimin dhe dokumentimin historik të
shpërnguljeve të shqiptarëve nga këto troje.


