Sabile Basha: Roli i mërgatës shqiptare në kujtesën historike të Kosovës (60)
ROLI I MËRGATËS SHQIPTARE NË KUJTESËN HISTORIKE TË KOSOVËS (60)
Diskursi
i Robërisë dhe Rezistencës në Traktet e Demonstratave të Vitit 1981

Në
vijim të traktit, autorët ndalen te pasojat që, sipas tyre, prodhoi vala e
represionit të ushtruar nga aparati shtetëror jugosllav pas demonstratave. Ata
shprehin bindjen se udhëheqja politike në Beograd besonte se përdorimi i forcës
ushtarake dhe policore do të ishte i mjaftueshëm për ta thyer rezistencën
shqiptare dhe për ta detyruar popullin e Kosovës të hiqte dorë nga kërkesat e
tij politike. Në dokument thuhet se, pas sulmeve të egra të policisë dhe
ushtrisë jugosllave mbi Kosovën, udhëheqësit serbë dhe ata jugosllavë menduan
se do ta gjunjëzonin popullin shqiptar, por, zhvillimet që pasuan dëshmuan
pikërisht të kundërtën.
Andaj,
dhuna shtetërore nuk solli nënshtrimin e shqiptarëve, por forcoi edhe më tej
frymën e kundërshtimit. Demonstratat, grevat dhe format e tjera të rezistencës
jo vetëm që nuk u shuan, por vazhduan me një intensitet edhe më të madh. Ky
konstatim pasqyron bindjen e organizatave ilegale se represioni nuk mund ta
shuante aspiratën për liri, sepse ajo tashmë ishte bërë pjesë e ndërgjegjes
kolektive të popullit. Në këtë këndvështrim, çdo akt dhune prodhonte jo frikë,
por vendosmëri, ndërsa çdo përpjekje për ta shtypur rezistencën shndërrohej në
një faktor të ri mobilizimi.
Autorët
përdorin një gjuhë me simbolikë kur shkruajnë se "dora e fuqishme e
popullit po godet pa mëshirë policët pushtues", duke e paraqitur
rezistencën si një reagim të natyrshëm ndaj dhunës së ushtruar nga pushteti. Ky
formulim nuk duhet parë vetëm si përshkrim i një përballjeje fizike, por edhe
si një metaforë e qëndresës së përgjithshme të shqiptarëve. Përmes tij, autorët
synojnë të përcjellin idenë se populli kishte kaluar nga faza e mbrojtjes
pasive në një fazë të vetëdijshme të kundërshtimit aktiv, duke mos pranuar më
të jetonte nën frikën e represionit.
Një
vend të veçantë në këtë fragment zë edhe përmendja e Prekazit të Drenicës, të
cilin autorët e paraqesin si një simbol të rezistencës shqiptare. Sipas tyre,
ngjarjet e zhvilluara në këtë trevë përbënin një mësim të rëndësishëm për
pushtetin dhe për ata shqiptarë që ata i cilësonin si bashkëpunëtorë të
regjimit. Për ilegalen shqiptare, Drenica nuk ishte vetëm një hapësirë
gjeografike, por një territor me një traditë të gjatë kryengritjesh dhe
qëndrese kundër pushtuesve. Përmendja e saj kishte për qëllim të zgjonte
kujtesën historike të lexuesit dhe ta lidhte rezistencën e viteve tetëdhjetë me
traditën shumë më të hershme të luftës për liri.
Veçanërisht
domethënës është krahasimi që autorët bëjnë me figurën e Ahmet Delisë, një prej
luftëtarëve më të njohur të Drenicës në fillim të shekullit XX. Në trakt thuhet
se, gjatë ngjarjeve të Prekazit, "u ringjall Ahmet Delia",
duke përdorur një metaforë që nuk nënkupton ringjalljen fizike të heroit, por
ringjalljen e frymës së tij luftarake. Përmes kësaj figure, autorët dëshirojnë
të tregojnë se tradita e rezistencës shqiptare nuk ishte shuar, por jetonte
ende në karakterin dhe qëndresën e brezave të rinj. Ahmet Delia shndërrohet
kështu në simbol të vazhdimësisë historike të luftës për liri, një figurë që
lidhte kryengritjet e fillimit të shekullit XX me rezistencën politike të
viteve tetëdhjetë.
Po
aq domethënës është edhe formulimi se "kur t'ia rrethosh shqiptarit
shtëpinë, ai e ka zakon të të presë me pushkë." Kjo shprehje, e
ndërtuar mbi traditën popullore shqiptare, mishëron idenë se shtëpia, familja
dhe nderi kanë qenë gjithmonë vlera të shenjta në kulturën shqiptare dhe se
mbrojtja e tyre është konsideruar detyrim moral. Në kontekstin e traktit, kjo
frazë përdoret si simbol i vendosmërisë për të mos pranuar nënshtrimin dhe për
të kundërshtuar çdo formë dhune që cenon lirinë dhe dinjitetin e popullit.
Nga
këndvështrimi historik, ky fragment është veçanërisht i rëndësishëm, sepse
pasqyron mënyrën se si organizatat ilegale ndërtonin narrativën e tyre
politike. Ato nuk kufizoheshin vetëm në komentimin e zhvillimeve të kohës, por
t'i interpretonin ato si vazhdimësi të historisë së gjatë të qëndresës
shqiptare. Duke thirrur në kujtesë figura si Ahmet Delia dhe duke e vendosur
Drenicën në qendër të rrëfimit, autorët synonin t'i rrëfenin lexuesit se
rezistenca e viteve tetëdhjetë nuk ishte një reagim i rastësishëm ndaj
rrethanave politike, por pjesë e një tradite shekullore të mbrojtjes së lirisë,
identitetit dhe dinjitetit kombëtar. Në këtë mënyrë, dokumenti fiton jo vetëm
vlerën e një materiali historik, por edhe rëndësinë e një burimi që pasqyron
mënyrën se si lëvizja ilegale shqiptare e konceptonte historinë, simbolikën dhe
vazhdimësinë e rezistencës kombëtare.
Pas
përshkrimit të zhvillimeve politike dhe të qëndresës së popullit shqiptar,
autorët e traktit rikthehen edhe një herë te forma karakteristike e komunikimit
me lexuesin, duke përdorur thirrjen "TË
DASHUR VËLLEZËR!". Kjo mënyrë e të shkruarit nuk ishte
vetëm një formulë hyrëse, por një element i rëndësishëm i kulturës politike të
shtypit ilegal shqiptar. Në pothuajse të gjitha traktet, fletushkat dhe
komunikatat e organizatave ilegale, lexuesi nuk trajtohej si një individ
anonim, por si pjesëtar i një bashkësie të madhe kombëtare, të lidhur nga
historia, gjuha, gjaku dhe ideali i përbashkët për liri. Përmes këtij adresimi,
autorët synonin të krijonin një marrëdhënie besimi me bashkatdhetarët,
veçanërisht me shqiptarët e mërguar, të cilët konsideroheshin një pjesë e
pandashme e frontit të rezistencës kombëtare.
Menjëherë
pas kësaj thirrjeje, dokumenti vazhdon me një përshkrim të ashpër të politikave
që, pushteti jugosllav kishte ndërmarrë kundër shqiptarëve pas demonstratave të
vitit 1981. Në tekst theksohet se, përveç dhunës fizike, burgosjeve dhe
vrasjeve, regjimi kishte kaluar në një fazë të re të represionit, duke goditur
sistematikisht institucionet arsimore, kulturore dhe ekonomike të shqiptarëve. Këto
masa nuk ishin veprime të izoluara administrative, por pjesë e një strategjie
të menduar për të dobësuar themelet e identitetit kombëtar shqiptar dhe për ta
privuar popullin nga instrumentet kryesore të zhvillimit të tij intelektual e
kulturor.
Një
vend të veçantë në këtë kritikë zë Universiteti
i Kosovës, i cili llogaritet si një nga arritjet më të mëdha të
shqiptarëve pas Luftës së Dytë Botërore. Ata kujtojnë se ky institucion ishte
ndërtuar "me aq shumë mundime e sakrifica", duke nënvizuar se
themelimi i tij nuk ishte një dhuratë e pushtetit, por rezultat i përpjekjeve
shumëvjeçare të inteligjencës shqiptare dhe i kërkesave të vazhdueshme të
popullit për arsimim në gjuhën amtare. Në këtë këndvështrim, goditja ndaj
Universitetit nuk interpretohej vetëm si një masë administrative, por si një
sulm ndaj një prej shtyllave më të rëndësishme të identitetit kombëtar dhe
zhvillimit kulturor të shqiptarëve në Kosovë.
Autorët
ndalen edhe te largimi masiv i profesorëve dhe pedagogëve nga universiteti,
duke e paraqitur atë si një përpjekje për ta zbrazur institucionin nga elita
intelektuale shqiptare. Për organizatat ilegale, inteligjencia nuk shihej vetëm
si bartëse e dijes, por edhe si ruajtëse e vetëdijes kombëtare. Për këtë arsye,
largimi i profesorëve interpretohej si një goditje e drejtpërdrejtë ndaj
mendimit kritik dhe ndaj aftësisë së shoqërisë shqiptare për të prodhuar elitën
e saj arsimore e shkencore.
Po
aq shqetësuese paraqitet edhe ndërprerja e marrëveshjeve të bashkëpunimit
arsimor ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Në optikën kombëtare, këto marrëveshje
kishin një rëndësi të veçantë, sepse mundësonin shkëmbimin e literaturës, të
profesorëve, të përvojave akademike dhe të bashkëpunimit në fushën e kulturës,
artit dhe arsimit. Ndërprerja e tyre interpretohej si një përpjekje për ta
izoluar shqiptarin e Kosovës nga hapësira e tij natyrore kulturore dhe për të
penguar çdo afrim me Shqipërinë. Për këtë arsye, autorët e traktit konsideronin
këtë vendim jo vetëm politik, por edhe një sulm ndaj unitetit kulturor të
kombit shqiptar.
Në
vazhdim, dokumenti përshkruan edhe pasojat sociale të politikave shtetërore.
Sipas tij, nga vendet e punës po largoheshin qindra punëtorë shqiptarë, ndërsa
një fat të ngjashëm po përjetonin edhe mësimdhënësit e shkollave të mesme dhe
të atyre fillore. Në këndvështrimin e shqiptarëve, këto masa nuk kishin
karakter ekonomik apo organizativ, por ishin pjesë e një politike diskriminuese
që synonte dobësimin e pranisë shqiptare në administratë, në arsim dhe në
sektorët kyç të jetës publike. Humbja e vendeve të punës nuk paraqitej vetëm si
një problem ekonomik, por edhe si një mjet presioni politik ndaj popullsisë
shqiptare.
Një
rëndësi të veçantë në tekst merr edhe çështja e teksteve shkollore. Autorët shprehin shqetësimin se
pushteti kishte vendosur të ndryshonte librat e gjuhës shqipe, të historisë dhe
të lëndëve të tjera, duke e interpretuar këtë si një përpjekje për të ndërhyrë
në kujtesën historike dhe në formimin kombëtar të brezave të rinj. Për popullin
shqiptar, arsimi nuk ishte thjesht një proces mësimor, por një nga mekanizmat
më të rëndësishëm për ruajtjen e identitetit kulturor dhe historik të
shqiptarëve. Pikërisht për këtë arsye, çdo ndërhyrje në përmbajtjen e teksteve
shihej si një përpjekje për të rishkruar historinë, për të relativizuar
identitetin shqiptar dhe për të dobësuar vetëdijen kombëtare të brezave që po
rriteshin.
Në
fund të këtij fragmenti, autorët paralajmërojnë se këto nuk ishin masat e vetme
dhe se regjimi kishte në plan të ndërmerrte edhe hapa të tjerë kundër
shqiptarëve. Ky konstatim pasqyron gjendjen e pasigurisë dhe të ankthit që
mbizotëronte në mesin e shqiptarëve gjatë viteve pas demonstratave të vitit 1981,
kur çdo vendim i autoriteteve shihej si pjesë e një politike më të gjerë
represive. Në diskursin e traktit, këto masa përbënin jo vetëm një sulm ndaj
individit, por një ofensivë kundër vetë ekzistencës kulturore, arsimore dhe
kombëtare të shqiptarëve në Jugosllavi.
Ky
tekst, veç tjerash ishte një dëshmi e rëndësishme e mënyrës se si organizatortët
e demonstratës e interpretonin politikën e Beogradit pas vitit 1981. Ai
pasqyron perceptimin e tyre se lufta nuk zhvillohej vetëm në rrugë, në
demonstrata apo në përballjet me policinë, por edhe në universitete, në
shkolla, në institucionet kulturore dhe në vendet e punës. Për autorët e
traktit, mbrojtja e arsimit, e kulturës dhe e kujtesës historike ishte po aq e
rëndësishme sa edhe rezistenca politike, sepse pikërisht në këto institucione
ruhej identiteti i një populli dhe përgatiteshin brezat që do të bartnin më tej
idealin e lirisë. Për këtë arsye, ky trakt përbën një burim me vlerë të veçantë
për të kuptuar jo vetëm diskursin politik të lëvizjes ilegale shqiptare, por
edhe rëndësinë që ajo i kushtonte arsimit dhe kulturës si shtylla themelore të
mbijetesës kombëtare.
Në
vazhdim të traktit, autorët arrijnë në një nga mesazhet më domethënëse të
dokumentit, ku përpiqen ta shndërrojnë përshkrimin e represionit në një thirrje
për bashkim dhe rezistencë të organizuar. Sipas tyre, zhvillimet politike të
asaj kohe kishin krijuar një realitet të ri, në të cilin shqiptarëve nuk u
kishte mbetur më asnjë alternativë tjetër përveç forcimit të qëndresës. Ata
shkruajnë se, "në këto kushte nuk na ka mbetur rrugë tjetër pos të
forcojmë luftën tonë, që t'i përgjigjemi armikut ashtu si e ka zakon
shqiptari." Kjo fjali nuk duhet kuptuar vetëm si një thirrje politike
e momentit, por si një përpjekje për ta lidhur rezistencën e kohës me traditën
historike të qëndresës shqiptare. Për autorët e traktit, përgjigjja ndaj dhunës
nuk ishte një reagim spontan, por pjesë e një kulture historike të mbijetesës,
që kishte shoqëruar shqiptarët nëpër shekuj.
Poashtu,
dokumenti sjell një episod që autorët e konsiderojnë si një nga zhvillimet më
domethënëse të kohës. Ata e përshkruajnë atë si një "fenomen të
çuditshëm", jo sepse ishte i pashpjegueshëm, por sepse përfaqësonte
një kthesë të jashtëzakonshme në marrëdhëniet shoqërore të shqiptarëve. Sipas traktit,
në disa vise të Kosovës ndodhi diçka që i kujtonte kohët e hershme të pajtimeve
tradicionale: familje dhe njerëz që prej vitesh apo dekadash ishin ndarë nga
hasmëritë dhe gjakmarrjet vendosën t'i linin mënjanë konfliktet e tyre. Ata
shkuan në shtëpitë e njëri-tjetrit, shtrinë dorën e pajtimit, falën gjaqet dhe
u përqafuan si vëllezër.
Kjo
e dhënë ka një peshë të veçantë historike, sepse pasqyron një fenomen që do të
merrte përmasa edhe më të mëdha në fund të viteve tetëdhjetë dhe në fillim të
viteve nëntëdhjetë me lëvizjen gjithëpopullore të pajtimit të gjaqeve. Edhe pse
ky trakt i paraprin asaj lëvizjeje të organizuar, ai dëshmon se ideja e kapërcimit
të ndarjeve të brendshme për hir të interesit kombëtar kishte filluar të
qarkullonte shumë më herët në mendimin politik të rezistencës shqiptare. Për
autorët, pajtimi nuk ishte vetëm një akt moral apo fetar, por një domosdoshmëri
kombëtare. Ata besonin se një popull i përçarë nuk mund të përballej me sukses
me një pushtet të organizuar, ndërsa një popull i bashkuar fitonte forcë morale
dhe politike.
Në
pasqyrimin e traktit, falja e gjaqeve merr një kuptim shumë më të gjerë sesa
zgjidhja e një konflikti ndërmjet dy familjeve. Ajo shndërrohet në simbol të
rilindjes së unitetit kombëtar. Përqafimi i dikurshëm i armiqve nuk paraqitet
si një gjest individual, por si një akt historik që i shërbente interesit të
përgjithshëm të popullit. Autorët e përshkruajnë këtë moment me tone
emocionale, duke theksuar se shqiptarët, pasi kishin lënë pas armiqësitë, dolën
"dorë për dore si vëllezër" në demonstrata dhe vazhduan të
qëndronin "krah për krah" në mbrojtje të njëri-tjetrit. Kjo
metaforë e fuqishme e dorës së bashkuar shndërrohet në simbol të një kombi që
kishte kuptuar se forca e tij buronte nga uniteti dhe jo nga ndarjet.
Gjithashtu,
ky është një nga fragmentet më të bukura të traktit, sepse zhvendos vëmendjen
nga dhuna dhe represioni drejt fuqisë së pajtimit dhe solidaritetit. Në vend të
një populli të frikësuar, autorët paraqesin një shoqëri që rilind përmes
bashkimit, duke i lënë pas konfliktet shekullore për t'u përqendruar te një
ideal më i madh. Kjo ide përfaqëson një nga mesazhet më të rëndësishme politike
të dokumentit: se liria nuk mund të ndërtohet mbi përçarje, por vetëm mbi
pajtim, mirëkuptim dhe përgjegjësi të përbashkët.
Më
tej, autorët shpjegojnë se shqiptarët nuk u bashkuan vetëm nga rreziku që i
kërcënonte, por edhe nga "idealet e larta të popullit e të
atdheut." Për ta, rezistenca nuk ishte vetëm një reagim ndaj
padrejtësive të momentit, por një mision i lidhur me mbrojtjen e dinjitetit
kombëtar. Ata theksojnë se njerëzit i bashkoi dëshira për të mbrojtur nderin e
motrave dhe nënave shqiptare, për të mbrojtur fëmijët dhe për të siguruar të
ardhmen e tyre përballë një regjimi që, sipas këndvështrimit të autorëve,
ushtronte dhunë sistematike mbi popullin shqiptar. Këto figura nuk përdoren
vetëm për të krijuar ngarkesë emocionale, por për të paraqitur luftën si një
detyrim moral ndaj familjes, brezave të rinj dhe vetë ekzistencës së kombit.
Nga
këndvështrimi historik, ky fragment është një dëshmi me vlerë të veçantë për
mënyrën se si organizatat ilegale shqiptare e konceptonin unitetin kombëtar. Ai
tregon se rezistenca nuk ndërtohej vetëm mbi organizimin politik apo mbi
kundërshtimin ndaj regjimit, por edhe mbi kapërcimin e ndarjeve të brendshme që
për shekuj kishin rënduar jetën e shoqërisë shqiptare. Në këtë kuptim, autori i
traktit e shndërron pajtimin në një akt patriotik dhe e paraqet atë si kusht të
domosdoshëm për suksesin e luftës çlirimtare. Pikërisht ky bashkim i idealeve
kombëtare me vlerat tradicionale të pajtimit dhe solidaritetit e bën këtë
fragment një nga pjesët më domethënëse të dokumentit dhe një pasqyrim të qartë
të filozofisë politike që udhëhiqte rezistencën shqiptare në mesin e viteve
tetëdhjetë.
Pastaj
vazhdojnë autorët e traktit, duke e drejtuar fjalën posaçërisht kah shqiptarët
që jetonin larg atdheut, duke përdorur një thirrje plot ngrohtësi dhe afërsi
shpirtërore: "TË DASHUR BASHKATDHETARË NË MËRGIM!" Kjo hyrje
nuk kishte karakter thjesht formal. Ajo përfaqësonte një përpjekje të
vetëdijshme për ta forcuar lidhjen ndërmjet Kosovës dhe mërgatës shqiptare,
duke e bërë këtë të fundit jo një spektatore të zhvillimeve, por një
pjesëmarrëse aktive në fatin historik të popullit të saj. Për organizatat
ilegale, mërgata nuk ishte vetëm një komunitet i shpërndarë nëpër shtete të
ndryshme të Evropës, por një pjesë organike e kombit, një forcë politike,
ekonomike dhe morale, e cila kishte detyrimin të qëndronte pranë atdheut në
momentet më të vështira të historisë së tij.
Autorët
rikujtojnë me tone prekëse arsyet që i kishin detyruar mijëra shqiptarë të
merrnin rrugën e mërgimit. Ata nuk e paraqesin emigrimin si një zgjedhje të
lirë ekonomike, por si një "rrugë të trishtueshme të kurbetit",
të imponuar nga rrethanat politike, ekonomike dhe shoqërore që mbizotëronin në
Kosovë. Në këtë mënyrë, kurbeti nuk shihet vetëm si largim fizik nga vendlindja,
por si një plagë e hapur në jetën e individit dhe të kombit. Pas çdo
mërgimtari, sipas këtij rrëfimi, mbeteshin prindër të përlotur, familje të
ndara dhe një Kosovë që përcillte bijtë e saj me shpresën se ata nuk do ta
harronin kurrë vendin prej nga kishin dalë.
Veçanërisht
prekës është momenti kur autorët kujtojnë amanetin e prindërve. Ata shkruajnë
se, në çastin e ndarjes, nënat dhe baballarët i porositën bijtë e tyre të
mos e harronin vendlindjen, gjuhën dhe popullin që i kishte lindur e rritur.
Ky nuk ishte një amanet i zakonshëm familjar. Në kulturën shqiptare, amaneti ka
qenë gjithmonë një institucion moral me peshë të jashtëzakonshme, një obligim
që kalon përtej brezave dhe që lidhet me nderin, besën dhe identitetin
kombëtar. Pikërisht për këtë arsye, autorët e traktit e paraqesin ruajtjen e
gjuhës, të kulturës dhe të lidhjes me atdheun si një detyrë të shenjtë, të
cilën mërgimtari duhet ta mbajë gjallë pavarësisht largësisë gjeografike.
Më
tej, dokumenti shpreh bindjen se shqiptarët e mërguar i kishin qëndruar besnikë
këtij amaneti. Ata deklarojnë se mërgata ishte bërë "më e fortë dhe më
e bashkuar se kurrë", duke e lidhur këtë forcë me demonstratat,
protestat dhe aktivitetet që shqiptarët organizonin në vendet ku jetonin. Në
optikën e autorëve, këto veprimtari nuk ishin vetëm tubime politike, por dëshmi
se mërgata vazhdonte të jetonte me hallet e Kosovës dhe se nuk e kishte
shkëputur asnjëherë lidhjen shpirtërore me vendlindjen. Përmes demonstratave në
qytetet evropiane, ajo ndërkombëtarizonte çështjen e Kosovës dhe e bënte të
njohur para opinionit botëror padrejtësinë që ushtrohej ndaj shqiptarëve.
Në
një gjuhë të pasur me figura letrare dhe simbolikë kombëtare, autorët premtojnë
se kjo luftë nuk do të ndërpritej derisa Kosova të njihte ditë më të mira. Ata
shprehen se do të vazhdonin përpjekjet "që Kosova Nënë të ketë
dritë", një metaforë që simbolizon çlirimin, lirinë dhe shpresën për
një të ardhme më të drejtë. Kosova personifikohet si "Nënë", një
figurë e njohur në letërsinë dhe publicistikën patriotike shqiptare, e cila
mishëron tokën amtare, vuajtjen, dashurinë dhe sakrificën. Duke e quajtur
Kosovën "Nënë", autorët e ngritin çështjen kombëtare në një dimension
emocional, ku mbrojtja e atdheut barazohet me mbrojtjen e nënës dhe të vetë
identitetit.
Po
aq domethënës është edhe vizioni që ata ndërtojnë për të ardhmen. Ata
ëndërrojnë një Kosovë ku balli i popullit të mos jetë më i rrudhur nga
vuajtjet, ku fëmijët të mos zgjohen natën të tmerruar nga trokitjet e policisë
dhe nga britma kërcënuese "Otvorite vrata!" ("Hapni
derën!"), një shprehje që për shumë familje shqiptare ishte bërë
simbol i frikës, i bastisjeve të natës dhe i arrestimeve politike. Vetëm
përmendja e kësaj thirrjeje në gjuhën serbokroate mjaftonte për të rikthyer
kujtesën e netëve të ankthshme, kur hyrja e forcave të sigurimit në shtëpitë
shqiptare shoqërohej me arrestime, dhunë dhe pasiguri.
Në
vazhdim, autorët ndërtojnë një tablo poetike të Kosovës së lirë. Ata dëshirojnë
që arat shqiptare të mos shkeleshin më nga zinxhirët e tankeve dhe automjetet
ushtarake, por të mbeteshin vend i punës dhe i jetës. Po aq e fuqishme është
edhe figura e lulëkuqeve të Kosovës, të cilat, sipas tyre, duhet të "hapin
lirshëm fletët e veta." Lulëkuqja, në këtë kontekst, nuk është vetëm
një element i natyrës, por një simbol i jetës, i gjakut të derdhur për liri dhe
i shpresës që rilind pas çdo stuhie historike.
Në
fund të këtij trakti, autorët kthehen sërish te drama e mërgimit. Ata shprehin
dëshirën që shqiptarët të mos detyroheshin më të "hanin bukën e hidhur
të kurbetit." Kjo metaforë, e rrënjosur thellë në kulturën popullore
shqiptare, përmbledh gjithë dhimbjen e emigrimit: largësinë nga familja, mallin
për vendlindjen, sakrificat e jetës në dhe të huaj dhe ndjenjën e përhershme të
mungesës. Për autorët, kurbeti nuk ishte vetëm një gjendje ekonomike, por një
plagë kombëtare që do të mbyllej vetëm atëherë kur shqiptarët të mund të
jetonin të lirë dhe me dinjitet në vendin e tyre.
Nga
këndvështrimi historik, ky tekst përbën një nga pjesët më të ndjera të traktit.
Ai dëshmon se organizatat ilegale nuk e shihnin mërgatën vetëm si burim
mbështetjeje materiale apo politike, por si pjesë të pandashme të qenies
kombëtare shqiptare. Përmes një gjuhe të pasur me simbole, kujtime dhe
metafora, autorët ndërtojnë një rrëfim ku malli për vendlindjen, amaneti i
prindërve, dhimbja e kurbetit dhe shpresa për një Kosovë të lirë shkrihen në
një ideal të vetëm. Pikërisht kjo ndërthurje e kujtesës historike me ndjenjën e
përgjegjësisë kombëtare e bën këtë pasazh një nga fragmentet më të fuqishme të
publicistikës ilegale shqiptare të viteve tetëdhjetë, duke pasqyruar jo vetëm
programin politik të rezistencës, por edhe universin shpirtëror të shqiptarëve
të mërguar.
Në
pjesën përmbyllëse të traktit, autorët artikulojnë qartë kërkesën politike që,
sipas tyre, përfaqësonte aspiratën themelore të shqiptarëve të Kosovës në atë
periudhë historike. Ata theksojnë se populli i Kosovës kërkon, para së
gjithash, njohjen e Krahinës së Kosovës me statusin e republikës, duke gëzuar
të gjitha të drejtat kushtetuese që u takonin republikave të tjera të Federatës
Jugosllave. Ky formulim pasqyron besnikërisht diskursin politik të viteve
tetëdhjetë dhe veçanërisht frymën e demonstratave të pranverës së vitit 1981,
kur kërkesa "Kosova Republikë" u shndërrua në boshtin kryesor
të mobilizimit politik të shqiptarëve.
Në
këndvështrimin e autorëve të traktit, kjo kërkesë nuk paraqitej si një
privilegj apo si një pretendim i pabazuar, por si një e drejtë që buronte nga
parimi i barazisë ndërmjet popujve të Federatës Jugosllave. Ata e konsideronin
pozitën kushtetuese të Kosovës të paplotë dhe diskriminuese, duke argumentuar
se shqiptarët, si një nga popujt më të mëdhenj në Jugosllavi, duhej të gëzonin
të njëjtin status politik e institucional si popujt e tjerë që jetonin në
republikat federative. Në këtë mënyrë, kërkesa për republikë paraqitej si një
përpjekje për afirmimin e barazisë politike, juridike dhe kombëtare, e jo si
një thirrje e izoluar apo e rastësishme.
Vijon…


