Xheladin Mjeku: Retrospektiva e një vjershërimi
RETROSPEKTIVA E NJË VJERSHËRIMI
(Aspekte
të krijimtarisë letrare për fëmijë të Dibran Demakut)

Qasje
Profili artistik i Dibran Demakut
është ndërtuar fillimisht gjatë përvojës së tij jetësore në Kosovë, sa ishte i
punësuar gazetar në Programin për Fëmijë të Televizionit të Prishtinës, për t’u pasuruar më tej edhe në
mërgim. Puna
e vazhdueshme me fëmijë, atij i dha njohuri
të thella të psikologjisë, botëkuptimit dhe nevojave emocionale të moshave të
reja. Kjo krijimtari letrare konsiderohet një ndihmesë e rëndësishme,
veçanërisht në pasurimin e letërsisë për fëmijë. Shkrimtari Xhahid Bushati, në
një intervistë për zhvillimet e letërsisë, kryesisht asaj për fëmijë ndër të
tjera thotë: ,,Letërsia për fëmijë është mision. Nuk është e lehtë. Jo,
dokushdo mund “të trokasë” në këtë portë të shenjtë”. Dibran Demaku ka zgjedhur të trokas me kujdes edhe në botën fëmijërore,
për t’iu dhuruar vargje e libra plot imagjinatë e përkushtime nga jeta dhe
përditshmëria e rritës së tyre.
Vjersha në fokus të
dashurisë, lojës dhe edukimit
Për
ta njohur nga afër krijimtarinë letrare për fëmijë të Dibran Demakut, që përbën
një fond prej pesë librash, kryesisht vjersha dhe poema, do të shpalosim disa
aspekte që e karakterizojnë këtë prodhimtari poetike, për ta
njohur nga
brenda frymën e trajtimit tematik dhe motivor
të ngjarjeve që e preokupojnë autorin
dhe porositë
edukative që ia përçon lexuesit të saj.
Kështu, që në librin e parë Vogëlushë dhe shtatore poeti paralajmëron vendosmërinë e një fillimi
të mbarë e plot vrull, me synimet që këto lulëzime të shtrijnë krahët edhe
përtej ëndrrave të tij, që të nis një valle të pashkëputur me fëmijët, bota e
të cilëve për shumëçka dallon nga të tjerët. Këtë botë magjike si duket do ta
ketë kuptuar me kohë Dibrani, i cili ecën nga një moment në tjetrin, nga një
ngjarje a sukses që heton te personazhet e tij frymëzues, për t’ua ndërtuar
kështu Tempullin e gëzimeve, lojës dhe rritës. Ai, me kujdes do të hap perden e saj, ku:
Lulja
me petale
në
mua jetën nis
e
hëna mbi male
ëndrrën
qëndis.
(,,Në vallen e jetës”, fq.
7)
Loja
përmes vargut do të zgjërohet edhe në ambientet familjare, me prindër, vëllezër
e motra, për ta begatuar çdo çast të saj, siç do të shprehet në vjershën ,,Kur
unë hy në lojë”: Askush s’merr në thua/ e
hapur është dera/ në shtëpi pa mua / nuk hyn as pranvera...(po aty, fq. 9).
Pikërisht këtu shpërfaqet bota e mrekullive, për të vazhduar tutje, mes këngës,
shoqërimeve në kopsht, si në vjershën ,,Ku shtrihet kënga ime”, etj.
Kësaj
pene të vyer nuk i kanë shpëtuar as kujtimet e lojës, vallëzimet e përbashkëta,
ku përmes rrëfimeve të përrallave në harmoni të vazhdueshme e shkojnë jetën
bashkë me prindërit ,,Nëntë motra e një vëlla”:
Motrat
i këndojnë vëllait
vëllezërit
i gëzohen motrës
e
dhjeta dredh shaminë
si
flakët e votrës.
(Po aty, fq. 16)

Në përgjithësi poezia e tij për
fëmijë karakterizohet për rimën që u mundëson fëmijëve t'i mbajnë gjatë në
kujtesë këto vargje. Ai e përdor shpesh dialogun brenda vjershave, duke i bërë
personazhet të flasin drejtpërdrejt, gjë që e mban të mbërthyer vëmendjen e
lexuesit të vogël.
Dibran
Demaku me shumë dashuri e përkushtim do t’i këndoi edhe nënës, e cila përveç
tjerash: Ajo është dhe në diell/ gazi i
saj shkreptin në Hënë/ zemra i rrah n’tokë e n’qiell/ e ka emrin: NËNË...
(,,Drithërimë e këndshme në zemër”, fq. 29).
Në
opusin e tij krijues nuk i anashkalon as figura e personalitete të njohura, të
cilët i konsideron pjesë e pandarë e
këtij trolli, ku gjithçka frymon me dashurinë për atdheun, lirinë dhe
ardhmërinë e brezave. Me përkushtim i këndon heroinës Ganimete dhe gërshetave
të saj, të cilën e takon në Abetare, Nënë Terezës, Esad Mekulit, mësueses së
parë që “Është më shumë se dashuri”, etj.
Abetaren
e takojmë të gjithë që nga dita e parë e shkollës, ku edhe për poetin:
Është
e parë ndër libra tjerë
(dhe
për këtë mbahet krenare)
Nuk
vjetrohet asnjëherë
e
ka emrin: Abetare...
(,,E ke shoqe që nga
fillimi”, fq. 34)
Nuk
do të mbesin jashtë orbitës së vrojtimit edhe vende të njohura, që mahnisin për
bukuritë e tyre, si: lumenj, kroje, fusha begatore, livadhe të bleruara ku i
përshkojnë tufa qengjash dhe zukama e bletëve të vyera, emërtimet e të cilëve
do t”ia fal dhuratë pagëzimit të fëmijëve, si në vjershat ,,Një burim i bardhë
- borë”, “Driloni”, etj. Me shumë ndjeshmëri do ta trajton edhe pjesën më të
dashur- familjen, ku me ,,Hapin e parë” i gëzohet fëmiut që ka zënë të ecën,
por rënjet dhe ngritjet e tij i merr si realitete të fillimit të hapërimit në
jetë: Duhet ta kuptosh/ rënie ka në jetë/
sado t’rënda plagët/ ngritje duhet të ketë (po aty, fq. 38).
Tutje
në vjershërimin e tij takojmë edhe gjyshen, që përmes përrallave e përkdheljeve
të ngrohta Lonin e zë gjumi n’krahë të saj (“Pse gjumi nuk vjen ndryshe”, fq. 41).
Në
vitet ’81 e këtej deri në çlirim, ishte kohë e nderë ku gjithçka ishte e
pasigurtë. Njeriu në çdo kohë përballohej me rreziqe permanente, sa askujt nuk
i dihej fati as fatkeqësia që mund t’i ndodhte atbotë. Edhe në kujtesën e
poetit kjo “Kohë e mbrapshtë” do të reflektonte ndjeshëm në shumë situata, ku
babai pas shumë shqetësimeve nga mungesa e gjithçkaje në shtëpi, do të shpreh mllefin duke ngre grushtin/ Dhe qëllon sa mundet? E di
unë seç heq/ Tavolinë e gjorë (po aty, fq. 49). Poaq me kujdes kjo periudhë
e gjatë kohore plot rreziqe e insuinata vazhdon të trajtohet edhe në vjershat:
“Kosovë”, “Malet”, “Fushat”, etj.
Do
të ishte i pa kompletuar ky vështrim, sikur ta tejkalonim pagëzorin e librit, Vogëlushë dhe
shtatore, brenda së cilës flet historia, e shprehur përmes
Shtëpisë së Lidhjes në Prizrenin e lashtë, në zemër të të cilit shekuj më parë
do të ndodh kthesa vendimtare e kombit:
Kalaja
prek qiellin
Shtëpia
buzë lumi
bisedojnë
me diellin
e
kurrë s’i zë gjumi.
(Po aty, fq. 59)
Ndoshta
nuk është heret kur poeti do ta paralajmëron rritjen e tij, duke aluduar në
ndryshimet e moshës dhe kuptimin e jetës më ndryshe, si te vjershat: ,,Ti
bashkojmë ëndrrat”, ,,Ec e thuaj”, ,,Kur të rritem”, etj. me dëshirat që ,,Të
udhëtojmë me fantazi” gjithandej planetit, për të shijuar bukuritë e botës,
ndonëse ai ende e ndien veten ,,Një grusht fëmijë”.
Në
vargjet e këtij libri takojmë një armatë të tërë emrash e figurash që veprojnë
bashkë e të ndarë, varësisht roleve që u takojnë. Të këtillë, si gjysh e
gjyshe, babai dhe nëna, motra e vëllezër, pastaj voglushet Jehona dhe Shega,
Loni shtatëvjeçar, etj., loja dhe gëzimet e të cilëve e begatojnë dhe ia
krijojnë piramidën kësaj ngrehine poetike, që meriton të jetë dashuri e përhershme
e lexuesve të vegjël, të cilëve edhe u dedikohet.
Gjeografia e klasës sime është e veçantë, meqë në
këtë libër trajtohen ngjarje kryesisht nga koha e përplasjeve të stuhishme të
popullit të shtypur, ku ekzodi, pasiguria dhe mungesa e mbrojtes nga torturat,
janë të pranishme në çdo kohë. Aty kulmon e keqja e krijuar nga një aparat i
pamëshirshëm shtetëror, ku gjithçka e ka humbur ekuilibrin e vetë. Fëmijët e
kësaj kohe të nderë do të përjetojnë deri edhe ndarjen nga shokët e shoqet dhe ikjen
në mërgim, plagë që po gërvishtej vazhdimisht. E dhimbshme, por e vërtetë ishte
ajo situatë, ku pak kishte mundësi të ndihmohej, qoftë edhe me një fjalë
përkrahëse, me një veprim qëllimmirë, sado i vogël të jetë, por kishte shumë
kuptim pozitiv. Këtu, edhe pena e Dibran Demakut do të hedh disa gurë qëndrese
në kështjellën e rezistencës përballë të keqes që po i kanosej vazhdimisht
këtij vendi. Këta gurë-kala i takojmë në
këtë përmbledhje vjershash, ku secili ka një mision dhe në bashkëveprim me
njëri-tjetrin do të ngrisin motivin e përballjes me forma e mjete të ndryshme.
Prof. Bedri Dedja në një studim për talentin dhe karakteristikat e tij, ndër të
tjera thotë: “Në shkencën psikologjike është e njohur teza se zhvillimi dhe
edukimi i talentit është në raport të drejtë me mjedisin që ndihmon për ta
kultivuar atë”* Ky mendim padyshim se e tumirë veprimin e penës së Dibranit, i
cili nuk rresht së kërkuari shtigje e mundësi për t’i kaluar vështirësitë që i
kanoseshin çdonjërit, e sidomos fëmijëve, të cilët që në hapat e parë të
shkollimit po e përjetonin rëndë zbrazjen e klasës së tyre, sepse:
Shokët
e klasës sime
Këtë
e them botërisht
Gjeografinë
e botës
e
mësojnë gabimisht
(Po aty, fq. 13)
Poeti
këtë situatë do ta përjetonte shumë rëndë, të cilën e shpreh përmes vargjeve: Pse në poezinë time/ nuk ka nota gëzimi. Pse
në zemrën time/ ka zënë vend pikëllimi? (,,Në poezinë time”, fq. 30). Ai
nuk ndalon veç në klasën që po zbrazej, por ndërkohë gjen edhe mundësi e tema
tjera që do t’i shtjelloi në vazhdimësi, duke krijuar kështu një kronologji
ngjarjesh që do të kujtohen gjithmonë. Pena e tij i mallkon ata që Na i sulmojnë shkronjat/ na i sulmojnë
germat/ na i sulmojnë lojërat/ na i sulmojnë emrat, por jo vetëm kaq, sepse
ata ogurzinjë nuk do të ndalojnë për asnjë çast me sulmet e tyre: Na i sulmojnë këngët/ na e sulmojnë
historinë/ na e sulmojnë diellin/ na e sulmojnë fëmijërinë (,,Ata”, fq.
16). Ata të pamëshirët edhe ,,Artanin” Duke
ardhur në shkollë/ me plumba
i ranë/ ëndrrat fëmijërore/ ia këputën-ia vranë
(po aty, fq. 18). Pastaj do të ndodhin edhe shumë ngjarje të tjera të trishta e
plot dhimbje, sepse ashtu ishte përcaktuar armiku të persekutoj në çdo pore të
jetës. Por, kjo situatë një ditë merr drejtim tjetër, kur ,,Trimat ndezin
plumba” për ta flakur armikun nga trojet tona:
Atje në Drenicë
nis
agu i lirisë
trimat
ndezin plumba
kundër
barbarisë.
Ky veprim i liridashësve
bëri jehonë në gjithë globin:
Thonë
se liria
rrënjët
i ka nga gjaku
kur
ngrihet djalëria
që
të mbrohet pragu.
(Po aty, fq. 29)
Nga këto veprime heroike një ditë vjen liria. Bashkë me lirinë, do të rikthehen edhe ,,Ëndrrat” e fëmijëve gjithandej nëpër botë, që dikur ishin larguar nga atdheu, për t’iu kthyer jetës, lumturisë dhe shkollës. Pas vitesh qëndrese kthehet jeta edhe në klasën e Bardhës, Drenushës, Dritës, Pranverës, Gencit, Drinit, Benit, e shumë të tjerëve, ku do t’iu bashkohen me t’u kthyer nga mërgimi, edhe Eli, Toma, Zana, Tina, Enisi, Arbëri, etj. përveç Artanit, që do t’i takoi historisë, por gjithmonë do ta kujtojnë shokët e shoqet, duke ia stolisur bankën e tij me një lule-buqetë. Tashmë, të gjithë s’bashku me mësuse Lirinë sërish do të vazhdojnë mësimet, e poeti do t’i bekoi me vargjet e tij:
Gjeografia
e klasës
ka
zënë të plotësohet
vijnë
shokët nga mërgimi
klasa
ime gëzohet.
Kënga
jonë krenare
kënga
jonë e mirë
n’pentagram
shtrinë notat
për
atdheun e lirë.
(,,Kënga”, fq. 88)
Ndonëse
në këtë libër çdo njëra vjershë ka mëvetësinë e saj, në parim ato mund të
lexohen dhe kuptohen si një poemë e vetme, ku qëndresa, guximi, liria dhe
fillimi i jetës së re reflektojnë një unitet të pathyeshëm.
Loja rritës i jep krah
Dibran
Demaku, ndonëse shkruan për të rriturit, ai për asnjë çast nuk do ta lë mënjanë
edhe botën magjike të fëmijës, për të cilën çdoherë gjen forma e mundësi të
reja për t’iu qasur, që të vegjlit ta gjejnë vetën të lumtur në çdo varg e çdo
fjalë të tij. I kujdesshëm si çdoherë, ai vjen edhe me librin Nila
dhe Joni, përmes një bashkëbisedimi të gjatë e të frytshëm, që për
bashkëbisedues i ka nipin dhe mbesën, emrat e të cilëve e sajojnë edhe titullin
e librit. Ky
bashkëbisedim merr kahje të ndryshme, sipas ngjarjeve që trajtohen në gjithë
lëndën poetike të librit. Me botën fëmijërore janë marrë shumë krijues,
studiues, psikologë, mjekë, shkrimtarë e profile të tjera, për ta ndihmuar e
zhvilluar këtë brez, i cili kërkon përkushtim të vazhdueshëm. Një ndihmesë në
këtë aspekt do ta jipte edhe polaku Janusz Korçak, pedagog, edukator dhe
shkrimtar, i cili i përafron fëmijët me të rriturit, siç thotë ai: “Në lëmin e
intelektit fëmija është i barabartë me ne; atij i mungon vetëm përvoja”. Dibran
Demaku këtë përvojë do t’ua transmetoj nga afër nipit dhe mbesës, duke
bashkëbiseduar, sqaruar e përkrahur në veprimet e dëshirat e tyre. Ai, që në
fillim të këtij bashkëbisedimi do të paraqesë një portret për Nilin dhe Jonin,
për ta vazhduar pastaj me ecjen krah tyre, duke ua përcjellë çdo veprim,
lëvizje, ndryshim moshe e shqiptim fjalësh.
Krejt
çka ka e krejt çka s’ka
Nila
e vogël e ka një vëlla.
Të
bukur sa s’ka si lule në beze
edhe
diellit i marrin rreze.
Katër
vjeçe është Nila
është buqetë me trëndafila.
Veç nëntë muaj është Joni
buzëqeshjet e tij lule ftoni.
Asgjë në jetë nuk kanë ndryshe
Rriten ëmbël me gjysh e gjyshe.
(,,Nila
dhe Joni”, fq. 11)
Rritës
së Nilës i gëzohen të gjithë në familje. Këtë gëzim do ta fikson përmes
vargjesh edhe gjyshi, i cili i jep një ngjyrim stine, mes pranverës me
vjeshtën, sepse edhe mbesa e tij gjason në lule, që vetë stinës ia ndryshon veprimet.
Ndodh që shtatori nganjëherë ndryshon pozicionin e tij. Mund të jetë
fillimvjeshtë, por pikërisht në shtator ndodh të kthehet pranvera, veçanërisht
kur rastis të ketë ndonjë ditë të veçantë, festë familjare, kur fëmijët e
fillojnë ditën e parë në shkollë, etj. Një veprim të këtillë e takojmë edhe në
vjershën ,,Pranvera në shtator” të Xh. Mjekut: Shami shumë ngjyrash/ Rreth qafës – gazmor/ Për ne po filluaka/
Pranvera në shtator**.
Për
ta shënuar festën e mbesës, Dibran Demaku do t’i rikthen lulet e pranverës,
duke i krahasuar me pamjen e Nilës, e cila në shtator e ka ditëlindjen:
Lulet
çelin në shtator,
çelin
gonxhe, çelin fleta,
Nila
përshëndet me dorë,
ylberohet
dhe vetë jeta.
...........................................
Dajë
Dardani e dajë Driloni,
gjysh
e gjyshe si përherë,
Nilës,
gëzuar pesëvjetorin!
Në
shtator çel një pranverë.
(,,Lulet çelin në shtator”,
fq. 13)
Edhe
shumë veprime tjera të nipit dhe mbesës, qoftë përmes pasqyrimit të ngjarjeve,
në formë të dialogimit apo bashkëveprimit do të parakalojnë në libër, si raste
të fiksuara me përpikmëri. Ardhja e Jonit për herë të parë në shtëpinë e gjyshit
(,,Mirë se vjen”), rastin e parë kur ai do të filloj belbëzimet e tij (,,Bilbil
që cicëron”), muaji i katërt i
lindjes së Jonit, (,,Cingërimë
telefoni”), pastaj shënimi i përvjetorëve të parë, të dytë, të tretë
(,,Medaljon në kraharor”, ,,Dy shekuj dashuri”, ,,Rrjedhë gëzimi”, etj.) e
shumë veprime të tjera, duke i shënuar çastet më të veçuara.
Edhe mbesa e ka vendin e vetë në këtë bashkëbisedim
poetik. Ata janë gëzimi i gjyshit dhe gjyshes.
Sa herë vjen në vizitë mbesa
gëzon numri, gëzon adresa,
Sa herë vjen në vizitë nipi
këndon zogu maje pipi.
(,,Këndon
zogu”, fq. 24)
Krahasimi
i tyre me aromën e ftoit, mollës; ngjasimi në rrjedhë lumi a në rreze dielli,
poaq sa edhe në kaltërsi qielli kur zgjohen nga gjumi, etj, i bëjnë gjithnjë e
më të dashur, më lozonjarë e të hareshëm, meqë përqafimet, gudulisjet,
përkëdheljet e flokëve, faqeve, e shumë cingli-mingla tjera fëmijërore ua
shtojnë dashurinë e gjyshërve, pa praninë e të cilëve dita, java, e mos qoftë,
edhe muaji u duken shekuj. Ata do të jenë gëzimi i lojës, ku i pagëzojnë
edhe gjyshërit me epitete të panumërta, si: gjysh, bebush, pistë avioni, tren
pa orar, herë dëgjuese telefoni, herë stacion për udhëtarë; pastaj mërzia kur ata
kthehen në shtëpinë e tyre e mbesin
gjysh e gjyshe vetëm, janë skena nga më interesntet, sepse
zbaraztësia e shtëpisë kthehet në zbaraztësi malli e dashurie për ta, por jo
edhe dëshirat shpresat të mbarojnë aty. Gjithmonë ka një mrekulli të dytë në
vazhdimësi të jetës, sepse:
Nila
është
këngë mëngjesi e këndesit,
Nila është zëri kumbues i trumbetës,
Nila është ripërtëritja e brezit
Nila është ripërtritja e jetës.
(,,Nila”,
fq. 41)
Sa fillon e rritet Nila, ajo mëson edhe shumë gjëra
interesante. Madje, ajo tashmë di të deklarohet se: Unë jam shqiptare,-/ e thotë qartë e bukur/ dhe hap një dritare/ e brenda hyn një flutur (,,Një flutur”,
fq. 45).
Ndodh që ndonjëherë nuk ndihen mirë me shëndet Nila
ose Joni, dhe atë ditë gjyshi dhe gjyshja nuk lëvizin as përtej pragut të shtëpisë, të
shqetësuar për gjendjen e tyre, derisa ata të kalojnë atë situatë, sikur në
rastin e Nilës, e cila Të nesërmen Nila u
bë më mirë/ kraharorit shpërthyen mijëra buzëqeshje/ ne që natën zgjuar e
kishim gdhirë/ lot gëzimi rrodhën si lumenj, si reshje (,,Lot gëzimi”, fq.
46).
Nila
dhe Joni shpeshherë kthejnë në shtëpinë e gjyshit dhe gjyshes, por edhe kur
ndodh të vonohen paksa, ata nuk harrojnë që edhe nga larg t’iu dërgojnë foto të bukura, për t’i
përshëndetur ëmbël duke ua spjeguar fjalë për fjalë çdo ndryshim të tyre, që
pastaj të reflektojnë ndjenjën e të rriturve krah prindërve:
Ne
jemi të vegjël
veç
po rritemi shpejt
në
këpucët e babit e të mamit
ne
qëndrojmë drejt.
(,,Fotoja”, fq. 63)
Ky
bashkëbisedim poetik, që herë merr konotacione bisedash, herë e dëgjojmë si
tinguj e cicërima zogjësh, e herë-herë do t’na shndërrohet në këngë e hare mes të gjithë bashkëbiseduesve (gjyshi, gjyshja,
Nila e Joni, etj.) shtrinë pushtetin në gjithë librin, ku dialogu si
bashkëbisedim dhe pasqyrimi i veprimeve interesante të vocëve krijojnë
kënaqësinë e leximit dhe kushtimisht librin e bëjnë të dëshiruar.
Kur poemat me pasion
evokojnë historinë
Dibran Demaku me shumë përkushtim e
krijon edhe zhanrin e poemës, përmes së cilës fëmijëve u përcjell fakte për të
kaluarën historike, për trashëgiminë kulturore dhe atdhedashurinë, si rrëfime
që zgjojnë imagjinatën e tyre. Ai vendos përballë botën dinamike dhe plot jetë
të fëmijëve me elementet e historisë dhe qëndresës, veçanërisht në Rrëfimet
e kalasë së vjetër, poemë kjo e ndërtuar mbi legjendën për Kalanë Rozafa, duke e
ndërlidhur me kohërat e pastajme të qëndresës heroike deri në lirinë e
përhershme, ku u këndohet trimave që nga Skënderbeu, e deri te heronjtë e
luftës së Kosovës, për të ndërtuar kështu një fond të mirë të kujtesës
historike, që për fëmijët është i mirëpritur dhe domethënës.
Në realitet, ky rrëfim i përket edhe
Kalasë së Rozafës në Shkodër, edhe Kalasë së Prizrenit, asaj të Krujës dhe
gjitha të tjerave, që nëpër shekuj u rezistuan hordhive barbare, sa herë ia
mësynë trojeve arbërore.
Në këtë poemë për fëmijë rrëfimi
fillon në formë organizimi të një Ekspedite, në të cilën do të nisen bashkë Jetmiri, Valbona/ Gëzimi e Liria/ donin të
mësonin/ diç nga historia. Në rrugëtim e sipër këtij grupi do t’i bashkohen
edhe emra tjerë, si Drenusha, Driloni, Dardani, Iliri, Shkëndia dhe Jetoni, për
të vazhduar pastaj për në Kalanë e vjetër, me qëllimin që të mësojnë më shumë
për historinë e saj.
Unë qëndroj këtu
që nga Iliria
të thella janë
rrënjët e mia
(Po aty, fq. 10)
Rrëfimi për historinë e saj, për
qëndresën heroike nëpër shekuj nuk kishte të mbaruar, derisa filloi të fliste
edhe për ngjarje të rrezikshme, pavarësisht qëndrimit stoik të trimave që
mbante brenda: Por, erdhi një kohë/ një
kohë farmak/ vetë sytë e ujqërve/ kishin një cak (po aty, fq. 13). Fati
tragjik i Kalasë ishte edhe fati i këtyre njerëzve që nga një betejë në
tjetrën, nga një pushtues tek tjetri ishin të shtrënguar të mbronin tokat
arbërore, që hordhi barbare po përpiqeshin në çdo kohë t’i fusnin nën kthetrat
e tyre. Kishin kaluar këndej pushtues nga vende të ndryshme, deri edhe nga
Karpatet, por çdoherë ishin kthyer humbës. Pikërisht atëherë Kur menduam se afër/ për ne ish liria/ një
perandori tjetër/ erdhi nga Azia dhe u vendos në këto troje, gjer kur
lindi nëna/ Trimin Skënderbe (po aty, fq. 36). Mbi dy dekada qëndresë
përballë një perandorie të çmendur për ta çliruar atdheun ishte ndër periudhat
më të lavdishme, ku Kryetrimi do të udhëhiqte ushtrinë e tij. Pasojnë hohëra
tjera, ku çdonjëra do të ketë heronjtë e vetë. Në përpjekje për ta çliruar
atdheun, me radhë vijnë trima e trimëresha, që do të sakrifikohen për lirinë,
ndonëse:
Të rëndë e kishin fatin
nën robëri këto male
gjersa lindi -vetë
Ushtria Çlirimtare
(Po aty, fq. 52)
Në ballë të kësaj ushtrie që kishte
dhënë betimin për çlirimin e atdheut U
ngit Adem Jashari/ shkëmb – granit në gurë/ n’malet e Drenicës/ ngriti një
flamur (po aty, fq. 53). Për të vazhduar luftën krah çlirimtarëve, edhe
Çikat e Drenicës, të cilat kishin prerë gërshetin dhe kishin kapur armët krah
trimave tjerë deri në çlirimin e plotë: Armiku
i lig/ iku nga sytë këmbët/ pasi iu thyen nofullat/pasi iu thyen dhëmbët
(po aty, fq. 65).
Rrëfimi i historisë për Kalanë e vjetër ishte i gjatë, sa vetë koha që kishte kaluar e ngjarjet që kishte përjetuar, derisa:
Atë ditë Qershori
qëndroja krenare
marshonte qytetit
Ushtria Çlirimtare.
Populli e priste
me lule në dorë
krenare për trimat
të rënë dëshmor.
(Po aty, fq. 67)
Një paraqitje retrospektive e
rezistencës shekullore dhe heroizmit të çlirimtarëve do t’i mjaftonte grupit të
Ekspeditës të mësonin për Kalanë e vjetër dhe arritjen e lirisë.
Edhe
poemthi Ëndërr e bardhë, që gjatë leximit përjetohet si një recital,
sjell për lexuesit e vegjël emocione e befasi përmes rrëfimeve të shokëve që
kthehen nga shumë vende e qytete të botës, për t’i krahasuar me bukuritë e
vendlindjes dhe qyteteve të njohura, si Prishtina, Tirana, Prizreni, Peja, etj.
Një takim i menduar mirë mes shoqeve dhe shokëve të klasës,
që para shumë vitesh fati i kishte degdisur në vende të ndryshme të botës për
shkaqe e arsye të shumta, i bashkon në një klasë (të improvizuar) për të kaluar
pak çaste të mira dhe për të evokuar kujtimet nga koha e ikur. Kështu, të mbledhur tok: Para shkollës radhë e gjatë/ Buqetë
lulesh-tridhjetë e shtatë (po aty, fq. 3) do të shprehin mallin dhe
dashurinë e kahershme si shokë e shoqe të dikurshëm, duke ruajtur kështu
lidhjet e tyre edhe pas kaq vitesh: Të
gjithë tok si dikur/ Gëzuar-qeshur, fytyrë nur (po aty, fq. 4) fillojnë me
radhë të rrëfejnë për përjetimet, për qëndrimet dhe për ndodhi tjera nga vendet
ku kanë qëndruar.
U
ngrit Drenusha e para foli:
-Vij
nga qyteti ku jetoi Noli.
Këtyre
rrëfimeve sikur u del përballë krahasimi me atdheun e tyre, që quhet Kosovë. Anës bregut, anës Kodrës/ Ne ëndërrojmë
qiellin e Kosovës (po aty, fq. 7). Rrëfimet nuk kanë të ndalur. Toma do të
tregoi për qytetin ku ka qenë, Romën dhe bukuritë e saj, por përfundimisht: Jam kthyer të jetoj këtu në Prishtinë/ Së
bashku me ju të gëzoj fëmijërinë (po aty, fq. 10). Edhe Driloni do të
shpalos rrëfimet e tij për qytetin tjetër, Uashingtonin, por gjithmonë e ndien
mungesën e atdheut:
Dhe
më merr malli, të gjithë le ta dinë
Kur
flas me shokë për tonën Prishtinë.
Ju
them të vërtetën, të më besoni
Më
e bukur Prishtina se Uashingtoni.
(Po aty, fq. 13)
Kryesisht,
Prishtina do të mbetet pika kryesore e dëshirave të tyre edhe në rrëfimet e
mëtutjeshme, pa mos i harruar edhe shumë qendra tjera nëpër Kosovë. Edhe
rrëfimet e Zanës janë shumë emocionuese. Ajo prej vitesh jeton në Tiranë, ku ka
mësuar gjithçka nga historia për mëmëdheun, por nuk mund të ndryshon asgjë në
raport me Prishtinën, sepse: E dua
Tiranën sa dhe Prishtinën/ Si shoqe Elin si shoqe Tinën (po aty, fq. 17).
Kështu do të vazhdon rrëfimet e tij edhe Enisi për Parisin, por Në Prishtinë do t’vij gjithsesi/ kur
n’Kosovë t’agojë e shtrenjta liri (po aty, fq. 20). Arbëri që vazhdimisht
do të ketë qëndruar në Prishtinë, ku është përballur me shumë peripeti, ka arritur
të mbaroi edhe shkollën dhe tash e gëzon lirinë, mes shumë kujtimeve e
vuajtjeve që kishte përjetuar. Këtij rrëfimi i duartrokasin të gjithë dhe
gëzohen që ia ka dalur të tejkaloi çdo vështirësi dhe tash jeton i lumtur me
familjen e tij. Edhe ndonjëri nga shokët që nuk ia ka dalur të vinte në këtë
takim kaq të veçantë, do të dërgoi ndonjë letër ku shpreh përshëndetjet dhe
dëshirat e tyre që një ditë të jetë edhe ai në Prishtinë. E tillë është edhe shoqja Lavdie nga Australia e
largët, që dërgon letrën e saj plot emocione e mall për shokët, atdheun dhe
gjithë farefisin: Këtu nga Sidneji qytet
i bukur/ Doja të fluturoja në Prishtinë si flutur (po aty, fq. 27). Të
njëjtit që shprehin dashuri e mall janë edhe Endriti nga Madridi, pastaj shoku
tjetër Artani, të cilin të gjithë e dinin për të zhdukur: -U bë kaq kohë që nuk jemi parë/ Ju keni besuar se më kishin vrarë.
(po aty, fq. 31), për të spjeguar pastaj ndodhinë: Dhe siç e shihni, unë erdha këtu/ Që të festoj së bashku me ju...
(po aty, fq. 33).
E
gjithë kjo që takojmë në poemthin Ëndërr
e bardhë, mund të jetë një rrëfim i bukur dëshirash, emocionesh, malli e
dashurie për atdheun, njerëzit e tij dhe lirinë, por togfjalëshi Ëndërr e
bardhë na shpie kaq ëmbël një rrugëtimi nëpër botë, për t’na mbajtur lidhur
fort për Prishtinën, si realitet i padiskutueshëm, apo ndoshta mund të kuptohet
edhe si ëndërr e pambarim, siç shprehet autori në mbyllje të poemthit:
...Nuk
di çfarë ndodhi, nuk di si shkoi
Vetëm
mamaja nga gjumi më zgjoi.
-Ti
flisje diçka pa artikuluar
Diçka
festonit, ti thërrisje: Gëzuar!
Pse
ma prishe ëndrrën, o mamaja ime?
Unë
po festoja me klasën time.
Ëndrra
ime ishte e gjatë, e gjatë
Ne
tok së bashku tridhjetë e shtatë...
(Po aty, fq. 33-35)
Një
poemth i realizuar mirë, që korrespondon me imagjinatën e fëmijëve të cilët
botën e kthejnë në pronësi, me ëndrrat, kujtimet dhe dëshirat e tyre të
pambarim.
Evokimet
nga e kaluara historike dhe nga shoqëria e klasës përmes dy poemave vijnë për
lexuesin si dy ngjarje që flasin me gjuhën e argumenteve, me frymën e dashurisë
dhe mallin e atdheut, që për fëmijët kanë domethënje, sepse atyre gjithmonë
duhet rrëfyer për ngjarje e vepra edhe përtej asaj që mësojnë në shkollë, për
të kuptuar sa më shumë nga historia, nga liria dhe ardhmëria e tyre.
Në vend të përkufizimit
Dibran Demaku me kujdes zbret në
nivelin e botës fëmijërore, duke e ruajtur krijimtarinë e tij me vlerë në
fondin e letërsisë për të vegjlit. Kjo krijimtari letrare ndërtohet nga motive
të shumta të përditshmërisë, lojës dhe formësimit të karakterit të tyre dhe
përçon mesazhe edukative plot ngrohtësi dhe situata jetësore me të cilat
fëmijët identifikohen lehtësisht.
Në
aspektin edukativ këto krijime nxisin ndjenjën e miqësisë, dashurisë për familjen dhe botën
imagjinative që i preokupon.
Një
punë e vyer kjo e Dibran Demakut, që u mbetet dhuratë brezave, me besimin që do të kemi prurje të reja nga ky autor, që konsiderohet mjaft
produktiv edhe me krijimtarinë letrare për fëmijë.
_____________________
*Prof. Bedri Dedja:
“Sekreti i talentit”, traktat, botues ASH e Shkencave e Shqipërisë – Tiranë,
2025, fq. 176
**Xheladin Mjeku:
,,Pranvera në shtator”, poezi për fëmijë, botues ,,Rifat Kukaj” – Prishtinë,
2015, fq. 23
LITERATURA
Prof. Bedri Dedja: “Sekreti
i talentit”, traktat, botues ASH e Shqipërisë – Tiranë, 2025, fq. 176
Xheladin Mjeku: ,,Pranvera
në shtator”, poezi për fëmijë, botues ,,Rifat Kukaj” – Prishtinë, 2015
Hejza - Xhahid Bushati: Letërsia
për fëmijë është mision – Intervistë –
06.11.2021
Dibran Demaku: “Voglushë
dhe shtatore”, poezi për fëmijë, botues ,,Iliriku” – Prishtinë, 2004
Dibran Demaku: “Rrëfimet e
kalasë së vjetër”, poemë për fëmijë, botues ,,Iliriku” – Prishtinë, 2004 Dibran Demaku: “Gjeografia e klasës sime”,
poezi për fëmijë, botues ,,Shkëndija” – Prishtinë, 2007
Dibran Demaku: “Ëndërr e
bardhë”, poemth për fëmijë, botues ,,SAS” – Prishtinë, 2008
Dibran Demaku: “Nila dhe
Joni”, poezi për fëmijë, (Bashkëbisedim në vargje me mbesën dhe nipin),
botues ,,Koliqi” –
Prishtinë, 2023



