Gjon Marku: Lëre ta dëgjojë zemrën

Nga
Gjon Marku
Kokën e vendosa mbi gjoksin e tij të zhveshur dhe dëgjoja ritmin
e zemrës që i rrihte pa ndërprerje. Ai flinte, kurse unë doja ta ndieja atë
ritëm dhe të përkoja frymëmarrjen time me të tijën, të thellë e të ngadaltë, si
frymëmarrja e një dragoi.
Jashtë
mureve të dhomës sonë të fjetjes shtrihej një natë e errët e e trazuar, ku
dukej sikur gjithë kuçedrat e legjendave kacafyteshin dhe turreshin t'ia
mbysnin frymën njëra-tjetrës. Ishte fillim vjeshte, por shirat e shpeshtë e
kishin bërë atë muaj tetor të frikshëm. Qielli, ditë pas dite, mbetej i errët;
retë vërshonin njëra pas tjetrës, sikur garonin me njëra-tjetrën për shpejtësi.
Vetëtimat ndriçonin natën, kurse bubullimat më bënin të dridhesha i tëri nga
frika. Sa herë vetëtinte, unë mbuloja kokën me batanije; por sa herë futesha në
krevatin e babait tim dhe mbetesha pranë tij, ndihesha më i sigurt e i besoja
pa kushte.
Vinte vonë
në shtëpi dhe ikte herët për në punë, por kur ishte me mua, kujdesej më shumë
se kushdo - më sillte gjithmonë diçka, mundohej gjithmonë të më privilegjonte.
"Mos
e prek djalin," i thoshte nënës sa herë ajo turrej të më bërtiste. Dhe kur
ai vinte në shtëpi, unë bëhesha më kryeneç e nuk i bindesha më askujt tjetër.
Një ditë
im atë iku - u shua si një meteor i largët - dhe unë mbeta vetëm me nënën, e
cila shpesh më vinte në gjumë në prehrin e saj, duke më kënduar ninulla të
përziera me lot malli. Sa të gjata ishin, sidomos, netët e para, kur ende nuk
isha mësuar me mungesën e tij! Shpesh prisja tek dera, duke besuar se im atë do
të vinte. Do të trokiste, do të më merrte në krahë, do të më puthte e pastaj do
të largohej sërish. Dhe ndërsa prisja kështu, në mendje më kthehej vazhdimisht
ritmi i rrahjeve të zemrës së tij - ritëm që më dukej se e njihja mirë, si të
mos e kisha ndarë kurrë prej vetes.
Vitet
kaluan shpejt dhe një ditë u bëra edhe unë baba. Tim bir e mbaja gjithnjë me
vete; e doja pa masë, edhe pse ishte çapkën e i trazuar.
Ishte
ditëlindja e tij e ai mbushte pesë vjeç. Pasi kishim ngrënë darkën festive dhe
po ktheheshim në shtëpi, ai më tha se donte të flinte me mua ate natë.
- Mirë, -
i thashë, - sonte do të flesh në krevatin tim.
Erdhi
ngadalë, u zhvesh dhe u fut nën çarçafë.
- Jam
shumë i lumtur, babi, - më tha, dhe e mbështeti kokën mbi gjoksin tim.
Unë humba
në kujtimet e fëmijërisë sime të largët, kur mundohesha të ritmoja frymëmarrjen
time me atë të babait. M'u duk sikur po dëgjoja përsëri rrahjet e asaj zemre -
por tani isha unë ai që fillova të ritmoja frymëmarrjen me birin tim. Si përmes
një ëndrre, m'u duk se isha përsëri në krahët e babait tim, ndërkohë që dora
ime, pa vetëdije, u ngrit e nisi të përkëdhelte flokët e tim biri.
- Babi, sa
te madhe e ke zemrën? - pyeti si përgjysmë në gjumë.
- Ja, si
të të them... sa e një kau, - m'u duk sikur foli im atë përmes meje.
- A e ke
dëgjuar ti kur rrihte zemra e gjyshit?
- Po,
rrihte fort, biri im.
- Po
gjyshi, sa tw madhe e kishte zemrën?
- Gjyshi e
kishte zemrën të madhe dhe të fortë, biri im.
- Po pse e
kishte kaq të madhe?
- Sepse të
gjithë në kohën e gjyshit e kishin zemrën të madhe, biri im. Ata u ndeshën me
një kuçedër të zezë, të madhe, me shumë koka, që vinte si një stuhi e fuqishme
nga të gjitha anët. Rendte nëpër trojet tona, kërkonte t'u ngjitej maleve,
kërkonte të na sillte një fe tjetër, një gjuhë tjetër, një kulturë tjetër.
Gjyshërit tanë i dhanë fjalën njëri-tjetrit, u lidhën krah më krah dhe dolën ta
përballonin kuçedrën e zezë. Kishin zemra të mëdha e të forta; u ndeshën gjatë
dhe, në fund, ia këputën të gjitha kokat.
- Po pse
erdhi këtu kuçedra e zezë me shumë koka?
- Donte të
na mposhtte e të na merrte tokat. Të na prishte varret e shtëpitë. Të na
shkatërronte gjithçka. Por gjyshërit nuk e lanë.
- Fli
tani, - m'u duk sikur pëshpëriti im atë, dhe një gjumë i lehtë e i ëmbël po më
mbulonte sytë, kur im bir u hodh papritur në këmbë, duke më nxjerrë nga ai
kujtim fëmijërie.
- Arbër,
ku po shkon? - pyeta, i frikësuar mos rrëzohej.
- Babi,
këtu, brenda gjoksit tënd, dëgjohet një orë që troket pareshtur.
- Nuk
është orë, biri im. Është zemra e babit.
- Po unë,
a nuk jam unë "zemra e babit"? - pyeti im bir.
(Sa herë e
merrja në krahë, e përkëdhelja duke i thënë: "eja, zemra e babit!")
- Je, biri
im. Prandaj zemra ime rreh kaq fort.
- Po babai
yt ku është, që unë s'e njoh? Ja, mami e ka babain e vet. Unë të kam ty. Edhe
Rigersi e ka babain e vet. Vetëm ti s'ke babi. Të gjithë e kanë babain e tyre.
- Edhe unë
e kam pasur babain tim, biri im. Ishte shumë njeri i mirë, por tani nuk është
më - është ngjitur në qiell dhe fluturon mes yjeve, në kupën qiellore. Trupin
ia kemi varrosur, dhe vetëm trupi i tij mbetet në tokë; shpirti tashmë është i
lirë, në qiellin pa fund.
- Po
varrin, kur do të ma tregosh?
- Fli tani,
se është vonë. Një ditë tjetër do të të tregoj për gjyshin. Edhe unë e kam
dëgjuar zemrën e tij si rrihte - ja, vëre kokën këtu e dëgjo zemrën e babit;
ashtu rrihte edhe zemra e gjyshit. Mua mw zinte gjumin duke dëgjuar atë ritëm
dhe kurrë nuk e kam harruar. Më kujtohet gjithmonë, sidomos kur ti, kështu,
flen mbi gjoksin tim. Natën e mirë, biri im!
- Natën e
mirë, babi. Unë gjithmonë do të fle me ty, që të mos harrosh gjyshin - dhe unë
do ta mësoj ritmin e zemrës së tij.
Im bir
fjeti shpejt, por mua nuk më zuri gjumi gjithë natën. Kisha frikë se mos e
trembja dhe ia prishja gjumin. Ndërkaq, diku brenda meje, m'u duk sikur im atë
më pëshpëriti edhe një herë:
Mos ia prish gjumin. Lëre ta dëgjojë ritmin e zemrës tënde.


