Albert Vataj: T'falem nderës!

43m më parë

T'falem nderës!

Nga Albert Vataj

Imagjinojeni një burrë shtatlartë, të drejtë si lis, me një shprehje kalorsiake në fytyrë, thue sapo asht kthy prej nji lufte.

Me sytë që i struken thellë në zgavrat e nji kafke të skalitun nga krijimi, kqyr sikur shigjeton me shndritje që i buron nga çdo pore e nerv, si nji çlirim.

Hirin e njasaj ashpërsie ndriçuese që reflekton mirësi në fytyrë, mundesh me i'a lexu kjart, në rrudhat që i'a shkruajn porterin dhe nurin, ku ai skalit qenien.

I cili, tue dasht me ju falenderu, për ç'ka e ka thirrë në kyt solemnitet fisnik, ai ven dorën në krahnor, nji dorë që ngjan me nji tufë rrënjësh, tue u përkul si nji pemë prej stuhisë, e tue t'përla me vështrim plot vezullim, shqipton me nji za gryke, si nji kumbim: T'falem nderës!

Mbas ksaj t'falune, e dorzanje nderi, bese e burrnie, ngrihet, si nji diell që mbështetun mbi supet e agut, shpërthen n'dritën që bjen nadjen e thërret zgjimin.

E ndigjon, e përjeton, t'magjeps, e... shastisja asht njihershe sa adhurimi, ndërsa akti i këtij teatri hershmërie, ka beh përnjiher me hapjen e siparit.

E kundron e përmendesh, dritesh fund e krye n'shend, e vetmevedi thue se kjo qenie sapo asht kthye ikjes së kakohëshme. Tue dal si prej legjendës, a tue zdryp prej tingujve t'lahutës, si nji këndim kreshnikësh, për me diftu e dëshmu, se këtij trulli, e njiksaj hijeshije, ka me ken, sa t'i bien dielli tokës, njejt t'naltsume, shenjtnisht t'bekume, n'përulsi e krenim, nderi.

Dhe... e tankja munet me ken veç nji moment, e jo ma, si nji shkreptimë rrufeje. Por njaq i mjafton me kallxu me tan fuqin; me t'cillën del fjala prej shpirtit, me i çit faqe dritet krej hiret e kësaj krenarie. Që siç din me u fal nderës, nepet i tani si nji blatimi, tue u përkul, ma nalt i'a çon kreshtën e respektit që i epet me përulësi.

Natij burri, zezon e idhnim, nuk ka mujt me ia ul kryet, me e përkul a me e thy, pa dek jo, sa mirnjohja!

T’falem nderës!

Asht krejt ç'ka e thërret prania dikënd, në teatralitetin e njasaj fisnikërie, shqiptare njiqin për qind, ma hijeshueshëm se çdo gjest fisnik, që keni pa në ceremoni monarkësh, apo përcjellë jeni në faqet e vërdhemta të librave që ndalin kohën, siç ky burrë guxon me e lan të tashmen me vërshu, stolisun me petkat e njiksaj bukurie t'fisme, që na ofrohet si mirnjohje. Por ma s'shumti, na e shtron përmes këtij gjesti njat gosti t'begatume në shpirtin e dritun të traditës, kulturës dhe trashëgimisë, që përmes t'folmes vjen me na dhuru thesarin e kohnave.

Bane vedin për me meritu ky mirnjohje, dhe ke me kuptu se nuk ka pas falje ma t'hyjt e nderim ma t'nalt qi t'ka ba hise.

T’falem nderës!

Ty që pate mirsinë tue i ba vend këtij solemniteti shprehës.

T’falem nderës!

Ty që përulja jeme e dritun n'nderim, me dritë t'lan, e me hir t'mbush, tue t'ken mirnjohës e falenderus, për ç'ka kyt akt e çon njaq nalt, sa me me e meritur gjithkush, qi ka zemër njaq t'bardh e shpirt t'mëkum n'mirësi e dashni.

Ju falem nderës!

Tanve ju qi m'lejut me ju fal nderës me përulësi dhe me xan vend ndër ju, njejt krenueshëm si ky falenderim, si krejt ai ceremonial që ka rrugëtu nëpër shkrepa e stuhi, gjamve e gjëmimeve, tue kja e këndu, tue dek si me lé, për me mbërri tekkëtu ku kena me meritu dhe me i'a urdhnu vedit, si ma t'naltin akt nderimi që nder e krenim mëkon.

T’falem nderës!

Ty i madhi dhe i lumnumi Zot, që më mbushe me pranin tande dhe më shpërbleve me shëmbëllimin tand, që t'ban me ju fal nderës, për ç'ka në nderim dhe respekt e urdhnon, si n'besim.

Amen!


Foto ilustruese nga Giuseppe Massani, 1940, dy malësor të Shqipërisë së Veriut, duke ju falur njëri-tjetrit