Albert Vataj: Amaneti i kompozitorit të madh, Frédéric Chopinit, zemra të prehej në atdhe, në Varshavë, trupi në Paris
Amaneti i kompozitorit të madh, Frédéric Chopinit, zemra të prehej në atdhe, në Varshavë, trupi në Paris

Atdheu,
Polonia, ishte vendi ku thërmijat e atij shpërthimi të yjshëm dritën spariherë.
Parisi, Olimpi i perëndive të artit, tempulli ku u lartësuan qiejt e shpirtrave
të pashpërbëshëm të gjenisë dhe kujtesës, e bëri atë të ishte, të jetë dhe të
mbetet, ai që historia e muzikës e ruan atë, Frédéric Chopin, i cili të gjithë
mëkimet e tij, mund të jenë po aq harmonikisht të nderlikuara, sa edhe
teknikisht sfiduese.
Në
vjeshtën e vitit 1849, në Paris, ndërsa jeta e Frédéric Chopinit po shuhej
ngadalë nën peshën e sëmundjes, mendja dhe zemra e tij nuk ndodheshin më në
Francë. Ato kishin mbetur përgjithmonë në Poloni, në tokën ku kishte hedhur
hapat e parë, ku kishte mësuar tingujt e parë të muzikës dhe ku kishte njohur
frymën e lirisë. Mërgimi nuk kishte mundur ta shkëpuste kurrë nga atdheu;
përkundrazi, largësia e kishte bërë dashurinë për vendin e tij edhe më të
thellë.
Prandaj,
pak para se të mbyllte sytë, ai shprehu një dëshirë që do të hynte në histori
si një nga amanetet më prekëse të një artisti: "Kur të vdes, ndani zemrën
time nga trupi dhe çojeni në Varshavë. Trupi im le të prehet këtu, por zemra
ime duhet të kthehet në atdhe."
Kjo
nuk ishte thjesht kërkesa e një njeriu që po ndahej nga jeta. Ishte rrëfimi i
një shpirti që besonte se njeriu mund të largohej nga vendlindja, por
vendlindja nuk largohet kurrë prej tij. Për Chopinin, zemra nuk ishte vetëm një
organ i trupit, por vendi ku banonin kujtesa, identiteti dhe dashuria e pashuar
për Poloninë.
Amaneti
i tij u përmbush me një përkushtim të rrallë. Trupi u varros në Varrezat e
famshme Père Lachaise në Paris, pranë shumë figurave të mëdha të historisë dhe
kulturës evropiane. Zemra, ndërkaq, u vendos me kujdes në një enë qelqi, e
ruajtur në një solucion konservues, dhe u dërgua fshehurazi në Varshavë nga e
motra e tij, Ludwika, e cila u kujdes për kompozitorin e madh në javët e fundit
të jetës.

Zemra
e gjeniut të muzikës u vendos në Kishën e Kryqit të Shenjtë, e mbyllur brenda
një kolone të gurtë, ku mbeti si një relike e shenjtë e kombit polak. Mbi të u
gdhendën fjalët biblike: "Ku është thesari yt, aty do të jetë edhe zemra
jote." Asnjë mbishkrim nuk mund ta përkufizonte më mirë fatin e
kompozitorit.
Me
kalimin e viteve, zemra e Chopinit nuk ishte më vetëm kujtimi fizik i një
gjeniu të muzikës. Ajo u shndërrua në një simbol të identitetit kombëtar, të
qëndresës dhe të lidhjes së pashkëputshme mes artistit dhe popullit të tij. Për
polakët, ajo rrihte si një zemër e përbashkët, duke u kujtuar se arti dhe
atdheu mund të bashkohen në një dashuri që i mbijeton kohës.
Por
historia e saj nuk përfundoi aty. Në errësirën e Luftës së Dytë Botërore, kur
Polonia u pushtua nga Gjermania naziste, edhe zemra e Chopinit u bë objekt i
interesit të pushtuesve. Ata e dinin mirë se nuk kishin përballë vetëm një
relike anatomike, por një simbol të krenarisë dhe të shpirtit kombëtar. Zemra u
mor nga vendi ku prehej, sikur, duke e larguar atë, të mund të shuanin kujtesën
dhe rezistencën e një populli.
Megjithatë,
historia mori një kthesë të pazakontë. Në fund të luftës, zemra iu rikthye
Kishës së Kryqit të Shenjtë dhe u vendos sërish në kolonën ku kishte prehur për
dekada. Ishte një rikthim që mori kuptimin e një fitoreje morale, pushtuesit
mund të plaçkisnin qytete, të rrëzonin monumente e të shkatërronin jetë
njerëzish, por nuk mund të burgosnin kujtesën dhe as të vidhnin dashurinë për
atdheun.
Edhe
sot, zemra e Frédéric Chopin-it vazhdon të prehet në Varshavë, ndërsa trupi i
tij mbetet në Paris. Dy qytete, dy vende dhe një jetë e ndarë mes mërgimit dhe
atdheut. Ndoshta askush nuk e ka shprehur më bukur dramën e mallit sesa vetë
fati i kësaj zemre, e cila vazhdon të dëshmojë se ekzistojnë lidhje që as
vdekja nuk i këput.
Sepse
ka prej atyre zemrave të gjëmimshme, që pushojnë së rrahuri, por nuk pushojnë
kurrë së dashuruari. Dhe zemra e Chopinit mbetet një prej tyre, një zemër që,
edhe në heshtjen e saj, vazhdon të luajë simfoninë e përjetshme të dashurisë
për atdheun.


