Albert Vataj: Plisi në kokën e Odisesë, një udhëtim 3000-vjeçar
Plisi në kokën e Odisesë, një udhëtim 3000-vjeçar i këtij komponenti unik etnografik i përkatësisë

Në
historinë e artit dhe të letërsisë perëndimore, pak momente mbajnë peshën e një
natyre aq njerëzore dhe thellësisht tronditëse sa takimi i Odisesë me qenin e
tij, Argosin. Në Këngën XVII të Odisesë së Homerit, ky takim mbart një
tragjizëm të thellë. Odiseu kthehet në Itakë pas 20 vitesh mungese, i
transformuar nga Athinaja në një lypës të plakur e të leckosur për të mos u
diktuar nga pretendentët e fronit. Askush nuk e njeh: as shërbëtorët, as
njerëzit e tij më të afërt.
I
vetmi që e identifikon menjëherë është Argosi, qeni i tij i gjahut, të cilin
Odiseu e kishte rritur vetë përpara se të nisej për në Trojë. I lënë pas dore,
i plakur dhe duke dergjur mbi hedhurina, Argosi, i rraskapitur nga pleshtat,
mënjanja dhe mosha, dëgjon zërin e të zotit. Ai nuk ka më fuqi të ngrihet apo
të vrapojë drejt tij, por ul veshët në shenjë nënshtrimi e dashurie dhe tund
bishtin me sa fuqi i ka mbetur.
Odiseu,
për të mos zbuluar identitetin e tij përpara Eumeut (bariut të derkucëve që e
shoqëronte), detyrohet të fshijë një lot në heshtje, pa e kthyer kokën nga qeni
i tij besnik. Po atë moment, pasi priti të zotin për dy dekada, Argosi mbyll
sytë përgjithmonë.
Kryevepra
e Durandit dhe Ikonografia Antike
Skulptori
francez Pierre-Amédée Durand e ka realizuar me mjeshtëri këtë dinamikë
psikologjike në relievin e tij prej mermeri. Në këtë jetësim krijues, Odiseu
paraqitet i përkulur, me dorën që shtrihet lehtë drejt kokës së Argosit, ndërsa
dora tjetër mban shkopin e lypësit. Shikimi i Odisesë nuk është thjesht i trishtuar,
por i ngarkuar me tensionin e të qenit i detyruar të fshehë dhimbjen, një
kryevepër e vërtetë e skulpturës neoklasike që i jep formë guri besnikërisë që
i mbijeton kohës.
Në
kokë, Odiseu mban një plis (qeleshe), detaj ky që e ngulit në thellësi të kohës
praninë e këtij komponenti identifikues. Detaji i kapelës në kokën e Odisesë në
skulpturë quhej në antikitet Pilos (në greqishten e vjetër: ?????) ose Pileus në
latinisht. Në traditën vizuale klasike, heroi i Itakës paraqitej gati gjithmonë
me këtë kapelë shajaku pa strehë. Odiseut nuk i vendosej mbi krye kurora e artë
e sundimtarit, por pilosi, mbulesa e thjeshtë e kokës e punuar prej leshi të
ngjeshur.
Në
ikonografinë antike, çdo hyjni apo hero e kishte të përcaktuar "veshjen
simbole". Odiseu, heroi i detrave, i sprovave dhe i kurbetit,
identifikohej gjithnjë me Plis.
Plisi
simbolizonte udhëtarin, detarin, njeriun e sprovave dhe të punës, e jo një
mbret që rri në fron. Si hero endacak që kaloi 10 vite në detra, kapela e
shajakut ishte mbrojtja e tij praktike ndaj diellit dhe detit.
Nga
Pileusi Romak te Trashëgimia Iliro-Shqiptare
Në
Romën antike, variantit latin i pilosit (pileus) iu dha një domethënie e thellë
shoqërore dhe politike përmes Ritualit të Manumisionit. Kur një skllav fitonte
apo blinte lirinë, zotëria ose magjistrati i vendoste mbi krye një pileus. Nga
ai moment, ai shndërrohej në libertus (njeri i lirë). Për këtë arsye, në
monedhat romake, pileusi i prerë mes dy thikave u bë simboli i përmbysjes së
tiranisë (siç ndodhi në monedhat e prera nga Bruti pas vrasjes së Jul Qezarit,
simbolikë që shekuj më vonë u trashëgua te Kapeleja Frigjiane e Revolucionit
Francez).
Gjatë
periudhës klasike, pilosi përdorej masivisht nga popullsitë e Mesdheut (grekët,
ilirët, trakasit dhe etruskët) si mbulesë praktike nga shiu dhe dielli, pasi
punohej nga leshi i ngjeshur (shajaku) pa thurje peri, i cili ishte
ujëpërballues.
Ajo
çfarë e lidh këtë element me shqiptarët e sotëm bazohet në tri shtylla
kryesore:
1.
Prejardhja Etimologjike (Pilos \\rightarrow Plis): Gjuhëtarët dhe albanologët,
përfshirë Eqrem Çabejn dhe Vladimir Orelin, kanë dokumentuar se fjala shqipe
plis rrjedh nga forma proto-shqiptare/mesdhetare e antikitetit *p(i)litja, e
cila lidhet me pilos (greqisht) dhe pilleus (latinisht), me kuptimin fillestar:
stof shajaku / lesh i ngjeshur.
2.
Dëshmitë Arkeologjike dhe Etnografike Ilire: Zbulimet arkeologjike në trojet
ilire, si helmetat apo figurinat e bronzit në Ilirinë e Jugut dhe Liburni,
tregojnë përdorimin e gjerë të kësaj kapele shajaku gjysmësferike. Ilirët
paraqiteshin në artin antik me elemente të caktuara: simbrika / guna e shajakut
(mantel i trashë i kapur me fibulë), tunika ilire me mëngë të gjata e me brez,
si dhe kapelet e shajakut (plisi). Teknika e ngjeshjes së leshit, opingat dhe
xhubleta (e mbrojtur nga UNESCO) përbëjnë dëshmi vizuale të kësaj jatëgjatësie
kulturore.
3.
Vazhdimësia e Ndërprerë: Me rënien e botës antike dhe transformimet mesjetare,
shumica e popujve të Mesdheut e zëvendësuan këtë kapelë me mbulesa të tjera
(stofa të thurura, turbana apo kapele me strehë). Popullsia iliro-arbërore
ishte e vetmja në Ballkan që e ruajti këtë formë pa ndërprerje deri në ditët e
sotme në formën e plisit/qeleshes.
Fakti
që gjuha shqipe është e vetmja degë më vete në familjen e gjuhëve indoevropiane
që i mbijetoi romanizimit dhe sllavizimit në këtë pjesë të Ballkanit, përbën
dëshminë më shkencore se popullsia iliro-shqiptare ishte dhe mbeti faktori
kryesor autokton në këto vise.
Prandaj,
kur shohim relievin në mermer të Pierre-Amédée Durand apo skulpturat antike,
vërejmë urën e padukshme 3000-vjeçare të trashëgimisë materiale mesdhetare që
ka mbijetuar e gjallë te plisi shqiptar.



