Albert Vataj: Robert Elsie, udhërrëfyesi vullnetdritshëm i shpirtit shqiptar

NE DITELINDJEN E ALBANOLOGUT
Robert Elsie,
udhërrëfyesi vullnetdritshëm i shpirtit shqiptar në ndërkohje, dëshmuesi dhe
promovuesi i kujtesës sonë

Sot,
në përvjetorin e lindjes së tij, drita e kujtimit kthehet pas te një njeri që
nuk na përkiste me gjak, por që zgjodhi t’i përkiste Shqipërisë me shpirt.
Robert Elsie ishte një udhëtar i amshuar i shpirtit shqiptar, një shtegtar i
palodhur që i fali kombit tonë një pasuri të pamatshme, duke nxjerrë në dritë
atë që shpesh ne vetë e kishim harruar, ose e kishim lënë në mëshirë të
harresës dhe fatit.
Kontributi
i tij i jashtëzakonshëm për të promovuar dhe mbrojtur kulturën, traditat dhe
pasurinë shpirtërore të shqiptarëve është një thesar që kapërcen kufijtë e
përpjekjeve të zakonshme. Elsie nuk ishte thjesht një studiues i ftohtë i
arkivave; ai ishte një urë e gjallë mes shqiptarëve dhe botës, një mbrojtës i
rreptë i së vërtetës sonë historike dhe një dëshmitar besnik i identitetit tonë
kombëtar.
Veprimtaria
e tij, e shtrirë në shumë fusha dhe e shquar për një cilësi monumentale, mbetet
nga më përfaqësueset që njohu ndonjëherë kjo shkencë. Ikja e tij la pas një
hendek të thellë në studimet hulumtuese, një zbrazëti në përpjekjen e
vazhdueshme për të ndriçuar etapat, figurat dhe momentet kyçe të historisë,
gjuhës dhe kulturës shqiptare.
Elsie
ishte nga ata të rrallët që luftoi me një përkushtim të pathyeshëm kundër
harresës, kundër tjetërsimit dhe kundër çdo tentativë për denigrimin e
thesareve tona shpirtërore. Ai i shpëtoi nga hija e fshirjes epokat tona
kulturore, duke i kthyer ato në një testament të gjallë të qenies sonë si komb.
Humbja
e tij nuk qe thjesht ndalja e një hapi në udhën e jetës; ishte shuarja e një
dielli, rrezet e të cilit depërtuan në mjegullat e kohës dhe nxorën në pah një
univers vlerash të fshehura, të shpërfillura apo të cenuara. Përmes punës së
tij, ai i bëri të dukshme kapacitetet e një populli që u mbrujt nën stuhitë e shekujve,
duke gdhendur një identitet që shpesh u vu në sprovë, por që kurrë nuk u shua.
Gjuha,
letërsia, folklori, fotografia, gojtaria, historia, etnosi, këto ishin sferat
ku Elsie ushtroi magjinë e vështrimit të tij të mprehtë. Ai pati mirësinë të na
shpërblente me një punë të pakursyer dhe bujarinë ta bënte këtë trashëgimi të
respektuar në arenën ndërkombëtare.

Ky
shkrimtar, albanolog, përkthyes dhe interpret i shpirtit tonë, i cili ndërroi
jetë në moshën 67-vjeçare, la pas një pasuri shkencore që nuk vjetrohet.
Materialet e tij të shumta, dorëshkrimet, zbulimet fotografike (si ato të
fotografisë së hershme në Ballkan), hulumtimet gjuhësore e historike, përbëjnë
një dritë të fortë që shpërndau mjegullat ballkanike. Ai rrëzoi hamendësime të
qëllimshme dhe kundërshtoi me forcën e dokumentit shkencor sulmet denigruese të
rretheve antishqiptare, duke dëshmuar me fakte të gjalla përkatësinë europiane
dhe lashtësinë e popullit tonë.
Elsie
nuk ishte thjesht një studiues i përpiktë, por edhe një avokat i flaktë i së
vërtetës shqiptare, një ndërkombëtarizues i vlerave tona më fisnike, që i
kumtoi fuqishëm në foltoret e botës së qytetëruar. Ai iu bashkua plejadës së
albanologëve të mëdhenj të historisë, por do të mbahet mend si ai që i dha
zërin më modern, më të besueshëm dhe më të dashur këtij populli.
Nga
Vankuveri në gjiun e shqipërisë, një jetë në shërbim të shkencës
Udhëtimi
i tij jetësor ishte sa gjeografik, aq edhe intelektual.
Robert
Elsie lindi më 29 qershor 1950 në Vankuvër, Kanada. Mbaroi studimet e
filologjisë klasike dhe gjuhësisë në Universitetin e Kolumbisë Britanike më
1972.
Ndoqi
studime të avancuara në Universitetin e Lirë të Berlinit, në École Pratique des
Hautes Études në Paris, në Institutin e Dublinit për Studime të Larta dhe në
Universitetin e Bonit, ku mbrojti doktoraturën më 1978.
Që
nga viti 1978, ai vizitoi herë pas herë Shqipërinë në kuadrin e bashkëpunimeve
shkencore mes Universitetit të Bonit dhe Akademisë së Shkencave, si dhe u bë
një figurë qendrore dhe e pandarë e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën,
Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Prishtinë.
Punoi
për Ministrinë e Jashtme gjermane në Bon dhe, nga viti 2002 deri më 2013,
shërbeu si interpret i nivelit të lartë në Tribunalin e Hagës.

Kur
u nda nga jeta më 2 tetor 2017, ai la pas amanetin më prekës që një i huaj mund
të linte: të prehej përgjithmonë në Shqipëri. Sot, trupi i tij pushon në
prehjen e qetë të Alpeve Shqiptare, në atë tokë që e deshi pa kushte dhe që e
ndriçoi me mendjen e tij gjeniale.
Sot,
kujtimi për Robert Elsie-n nuk është thjesht një shënim në kalendar, por një
përkulje e thellë mirënjohjeje për një jetë që iu fal shqiptarëve. Në çdo faqe
libri të përkthyer, në çdo fotografi të zbuluar, në çdo studim e artikull, ai
vazhdon të na kthejë tek vetvetja, duke na kujtuar pasurinë që shpesh e kemi të
vështirë ta ruajmë e ta çmojmë vetë.
Robert
Elsie u bë zëri i ndërgjegjes sonë kombëtare. Kujtimi i tij është një amanet i
gjallë për të mos lënë kurrë të veniten ato vlera që ai i ngriti në altarin e
kulturës botërore, një thirrje që na fton të jemi krenarë për trashëgiminë tonë
dhe ta mbrojmë atë me po aq dashuri, përkushtim dhe dinjitet sa ai na e mësoi.
I
përjetshëm qoftë kujtimi dhe drita e tij mes nesh!





