Albert Vataj: Një gjyshe e denjë për respekt
Një gjyshe e denjë për respekt
Kur
dashuria e një zemre nëne nuk e lë atë të dalë në pension

Ka
një moshë kur bota të thotë se ke bërë mjaft. Ke rritur fëmijët, ke përmbushur
detyrimet, ke kaluar netët pa gjumë, ke mbajtur mbi supe shqetësime që askush
nuk i ka numëruar dhe tani, më në fund, të takon të ulesh, të pushosh, të
jetosh për vete.
Por
dashuria nuk njeh pension, ajo zemër që troket në kraharorin e mrekullive të
mëdha të njerëzores, nuk jepet.
Dhe
një nënë e vërtetë nuk e mat jetën me orët e punës, as përkushtimin me moshën.
Shpesh,
në nxitimin për të shpallur të përmbushur misionin e prindërimit, për t'ua
dorëzuar brezave të rinj fushëbetejat e jetës dhe për të kërkuar më në fund një
botë pa shqetësime, pa zhurmë, pa përgjegjësi e pa sfida, shumë njerëz të
moshës së tretë largohen gradualisht nga ajo që i ka mbajtur të gjallë për
dekada, ndjenja se janë ende të nevojshëm.
Dhe
ndonjëherë, pa e kuptuar, duke kërkuar qetësinë, fillojnë të largohen edhe nga
vetë kuptimi i jetës.
Nuk
është e lehtë të plakesh.
Por
ndoshta është edhe më e vështirë të besosh se, pasi ke rritur fëmijët, nuk ke
më asgjë për t'u dhënë.
Shumë
nëna kanë vuajtur. Shumë kanë sakrifikuar. Kanë rritur fëmijë në varfëri, në
ankth, në mungesa, në net të gjata pa gjumë. Shumë e kanë bërë këtë thuajse të
vetme, sepse burrat e tyre nuk kanë qenë gjithmonë krahë të barabartë në atë
betejë të përbashkët që quhet prindërim.
Ato
kanë dhënë rininë, bukurinë, kohën, shëndetin dhe shpesh ëndrrat e tyre, që
fëmijët të mund të ndërtonin ëndrrat e veta.
Dhe
kur fëmijët rriten, martohen, krijojnë familjet e tyre, duket sikur misioni
përfundon.
Por
jo.
Një
nënë nuk heq dorë nga të qenit nënë.
Një
gjyshe nuk pushon së qeni gjyshe.
Ajo
heq dorë vetëm kur mbyll sytë.
Vetëm
atëherë mund ta flakë tej bohçen e saj të padukshme, atë bohçe ku gjithmonë
gjendet diçka për t'ia ëmbëlsuar syrin, shpirtin e gojën fëmijëve të fëmijëve
të saj.
Vetëm
atëherë mund të tkurret prehri që ka qenë strehë për trishtimet, të pushojë
dora që ka ditur të ledhatojë ballin e përvëluar, të heshtë zëri që ka ditur të
thotë fjalën e duhur në çastin kur gjithçka tjetër dukej e kotë.
Vetëm
atëherë mund të pushojë ai kraharor që ka dëgjuar kaq shumë zemra të vogla të
rrahin me ankth, me frikë, me gëzim, me jetë.
Sepse
në prehrin e një nëne dhe gjysheje nuk kemi gjetur vetëm ngrohtësi.
Kemi
gjetur kurajën për t'u rrëzuar e për t'u ngritur.
Kemi
gjetur një vend ku mund të qanim pa turp.
Një
vend ku dobësia nuk na turpëronte.
Një
vend ku bota, sado e ashpër të ishte jashtë, për disa çaste bëhej më e butë.
E
gjithë kjo më erdhi në mendje duke parë një gjyshe të lagjes sime.
Një
zonjë që, së bashku me bashkëshortin, mban një aktivitet të vogël ku, përveç
shërbimit, duket sikur ofrojnë edhe diçka shumë më të rrallë: njerëzillëk.
Ajo
i ka rritur fëmijët e saj. I ka parë të rriten, të martohen, të ndërtojnë
familjet e tyre dhe të ecin në rrugën e vet.
Mund
të kishte thënë: “Tani është radha ime të pushoj.”
Dhe
askush nuk do ta kishte gjykuar.
Por
ajo nuk e ka bërë këtë.
Ajo
vazhdon misionin e nënës dhe të gjyshes. Jo me kohë të plotë, por me zemër të
plotë.

Nuk
ka asnjë spektakël në këtë.
Asnjë
duartrokitje.
Asnjë
ceremoni.
Vetëm
jeta e përditshme.
Një
ditë, kur po kthehesha nga puna, ndalova si zakonisht për të bërë ndonjë pazar
në dyqanin e lagjes.
Ajo
ishte aty.
Në
krahët e saj mbante fëmijën e vogël të së bijës. Fëmija, me sa dukej, nuk ndihej
mirë. Ajo e mbante fort pas kraharorit, e qetësonte, e përkundte, ndërsa
njëkohësisht përpiqej të më shërbente.
Në
një ambient aty pranë, e ëma e fëmijës vazhdonte punën e saj.
Dhe
ajo skenë e vogël, thuajse e zakonshme për sytë e një kalimtari, më mbeti në
kujtesë.
M'u
duk si një emblemë e artë e sakrificës.
Një
tablo e vogël e asaj që quhet përkushtim.
Sepse
ajo grua nuk po bënte ndonjë gjë të jashtëzakonshme në sytë e botës. Nuk po
shpëtonte një jetë. Nuk po shkruante një histori që do të botohej në gazeta.
Nuk po merrte një çmim.
Ajo
thjesht po mbante në krahë fëmijën e fëmijës së saj.
Por
ndonjëherë, madhështia e njeriut nuk shfaqet në veprat e mëdha.
Shfaqet
pikërisht në ato gjeste të vogla që askush nuk i fotografon.
Në
një dorë që zgjatet.
Në
një fëmijë që përkundet.
Në
një nënë që punon e qetë, sepse e di se diku pranë saj është një tjetër nënë që
kujdeset për fëmijën e saj.
Kjo
është trashëgimia më e bukur që mund të kalojë nga një brez te tjetri, besimi
se familja nuk është vetëm lidhje gjaku, por edhe përgjegjësi dashurie.
Ajo
nuk e bën këtë për një fotografi në Instagram.
Nuk
e bën për ndjekës në Facebook.
Nuk
e bën për t'u thënë të tjerëve: “Shikoni sa shumë bëj.”
Nuk
kërkon medalje, mirënjohje apo shpërblim.
Ajo
thjesht beson se ka ende diçka për të dhënë.
Dhe
nuk ngurron të japë veten.
Këtu
qëndron madhështia e saj.
Sepse
të jesh i dobishëm për dikë që do, nuk është gjithmonë një barrë. Ndonjëherë
është një nga format më të pastra të lumturisë.
Ka
njerëz që, pasi kanë dalë në pension nga profesioni, dalin pa e kuptuar edhe
nga jeta.
Dhe
ka të tjerë që, edhe pasi kanë përfunduar detyrimet e mëdha të jetës, vazhdojnë
të jenë të pranishëm aty ku dashuria i thërret.
Kjo
gjyshe i përket të dytëve.
Ajo
dëshmon se mosha mund ta ngadalësojë hapin, por nuk ka pse ta ngadalësojë
zemrën.
Se
duart mund të lodhen, por nuk kanë pse të harrojnë të përqafojnë.
Se
një grua mund të ketë përmbushur detyrën e saj si nënë, por dashuria nuk është
një detyrë që përfundon me një afat.
Prandaj,
një nënë e mirë shpesh bëhet një gjyshe e jashtëzakonshme.
Jo
domosdoshmërisht një gjyshe që është aty çdo minutë, por një gjyshe që është
aty kur duhet.
Me
krahët e saj.
Me
kraharorin e saj.
Me
durimin.
Me
fjalën.
Me
përvojën.
Me
atë lloj dashurie që nuk bën zhurmë.
Dhe
kjo ka një çmim që nuk vlerësohet me para.
Sepse
një gjyshe nuk i jep fëmijës së fëmijës vetëm kohën e saj.
I
jep një pjesë të historisë së familjes.
I
jep kujtimet e saj.
I
jep mënyrën se si dikur është dashur ajo vetë.
I
jep një fëmije ndjesinë e hershme dhe të pazëvendësueshme se bota mund të jetë
një vend i sigurt.
Thonë:
“Fëmija i fëmijës është mjalti i mjaltit.”
Ndoshta
kjo shprehje ka lindur pikërisht nga përvoja e mijëra nënave që, pasi kanë
rritur fëmijët e tyre, zbuluan se dashuria mund të ketë edhe një stinë tjetër.
Një
stinë më të butë.
Më
të ëmbël.
Por
kjo gjyshe nuk e sheh mjaltin vetëm si kënaqësi.
Ajo
e kthen atë në shërbim.
Në
prani.
Në
ndihmë.
Në
një dorë të zgjatur për bijën e saj.
Dhe
kështu, pa zhurmë, ajo na kujton një të vërtetë që shpesh e harrojmë, njeriu
nuk plaket atëherë kur i shtohen vitet, plaket atëherë kur bindet se nuk ka më
asgjë për të dhënë.
Për
sa kohë një zemër rreh për dikë tjetër, ajo zemër është ende në udhëtim kah
qiejt e presin si lartësim hyjnor.
Për
sa kohë një prehër pret një fëmijë, ai prehër nuk është bosh.
Për
sa kohë një dorë zgjatet për të ndihmuar, ajo dorë nuk është plakur.
Dhe
për sa kohë një gjyshe mban në krahë fëmijën e fëmijës së saj, ajo nuk po
kthehet pas në jetë.
Ajo
po e vazhdon atë.
Ndoshta
kjo është një nga format më të bukura të pavdekësisë njerëzore, të mos jetosh
vetëm për veten, por të vazhdosh të jetosh në dobinë, kujtesën dhe dashurinë e
atyre që do.
Kjo
është arsyeja pse kjo gjyshe është e denjë për respekt.
Jo
sepse është e detyruar.
Por
sepse zgjedh të jetë aty.
Jo
sepse nuk ka nevojë për pushim.
Por
sepse dashuria e saj është më e fortë se rehatia.
Jo
sepse nuk është lodhur.
Por
sepse e di se ka lodhje që të rrënojnë dhe ka lodhje që të bëjnë të ndihesh
gjallë.
Dhe
ndoshta, në fund të fundit, kjo është ajo që na mësojnë gjyshet më të mira,
sepse të jetosh gjatë nuk është thjesht të mbledhësh vite. Është të mbledhësh
arsye për të qenë ende e nevojshëm.
Ajo
është një prej tyre.
Një
nënë që nuk e ka mbyllur misionin.
Një
gjyshe që nuk e ka mbyllur zemrën.
Një
grua që, në heshtjen e përditshmërisë, na kujton se dashuria e vërtetë nuk
kërkon skenë.
Ajo
thjesht merr një fëmijë në krahë…
dhe
qëndron aty si një shembull.


