Albert Vataj: "Zemra e Jezusit" e çeliktë hap krahët në një përqafim të qiellit
"Zemra e Jezusit" e çeliktë hap krahët në një përqafim të qiellit

Mbi
kurrizin e thyer të Kodrës Gordon, aty ku koha duket se ngadalëson hapat për
t'i lënë vend përjetësisë, ngrihet e vetmuar dhe e madhërishme Statuja
"Zemra e Jezusit", e njohur nga vendasit në krahërorin e tyre
hungarez si Jézus Szíve kilátó, e në atë rumun si Statuia Inima lui Iisus. Në
një lartësi prej 953 metrash mbi nivelin e detit, pranë fshatit piktoresk
Lupeni (Farkaslaka) në rajonin e Harghitës, ky monument i flet qiellit të
Transilvanisë me një gjuhë heshtjeje e drite.
Më
shumë se një ndërtim, ajo është një e hapur duarsh drejt horizontit. Sa
lartësohet në 22 metrat e saj, po aq u ulet shpirtrave që e kërkojnë si një
shenjë paqeje e shprese.
E
lindur nga imagjinata e skulptorit Walter Zavaczky dhe e përuruar në gushtin e
vitit 2013, statuja mban mbi supe më shumë se 60 ton hekur dhe çelik inox. Ky
gur i pashpirt metali, nën rrezatimin e diellit, merr jetë e shkëlqen si një
parzmorë drite, duke ndërthurur pafajësinë e modernes me përshpirtshmërinë e
lashtë.
Kjo
skulpturë nuk është vetëm për t'u parë, por edhe për të parë përmes saj. Brenda
krahërorit të saj metalik fshihet një shkallë e dredhur helikoidale, një
udhëtim i brendshëm drejt majës. Duke u ngjitur deri në brendësi të kokës së
statujës, udhëtari e gjen veten përballë dritareve të vogla të vëzhgimit, nga
ku shpërfaqet një pamje panoramike marramendëse, një pëlhurë e gjallë kodrash,
luginash e mjegullash të Transilvanisë që shtrihen pa fund nën këmbët e
vështrimit.



