Albert Vataj: Dante dhe Virgjili, gjenitë italianë në udhëtimin e tyre në ferrin e "Komedisë Hyjnore"
Dante dhe Virgjili, gjenitë italianë në udhëtimin e tyre në ferrin e "Komedisë Hyjnore"

Në
kujtesën e pavdekshme të letërsisë dhe artit, dy emra ngrihen si dy maja të
ndritshme që përqafojnë njëri-tjetrin në amshimin e shpirtit krijues: Dante
Aligeri dhe Virgjili. Njëri, udhëtar i vizionit hyjnor; tjetri, poet i
antikitetit romak, që u bë udhërrëfyes në labirintet e ferrit. Në ditën e
përkujtimit të vdekjes së Virgjilit, kujtesa e bashkëudhëtimit të tyre të
përfytyruar shndërrohet në një nga kapitujt më të fuqishëm të kulturës
botërore.
Pikërisht
këtë takim të madhërishëm, Eugène Delacroix e ngriti në art, duke i dhënë jetë
një pikture që nuk është vetëm ilustrim, por një simfoni ngjyrash dhe drite,
një dramë e ndjenjës së përjetuar në telajo. “Dante dhe Virgjili në Ferr”
(1822), vepra e parë madhore e Delacroix, shënon një kthesë në historinë e
pikturës evropiane: nga ftohtësia e rregullit neoklasik tek drithërima e
pasionit romantik.
Në
telajon e Louvre-it, përfytyrimi i Dantes është i shoqëruar nga Virgjili, teksa
një varkë e brishtë çan me mundim ujërat e errëta të lumit Styx. Rreth tyre,
shpirtra të humbur pluskojnë të kapluar nga dëshpërimi, ndërsa qyteti i të
vdekurve përflaket në një horizont plumbi e zjarri. Nuk është thjesht një ferr
i përshkruar, është ferri i përjetuar, ku njeriu ndien se çdo hap është kalim
përmes ankthit dhe shpresës së shuar.
Virgjili,
poeti i Augustit dhe i “Eneidës”, që dikur këndoi lavdinë e Romës, në veprën e
Dantes shndërrohet në simbol të arsyes, të urtësisë dhe të udhëheqjes përmes
territ. Delacroix e vendos këtë figurë si shtyllë të qëndrueshme mes flakëve
dhe ujërave, duke i dhënë asaj një madhështi që kapërcen kufijtë e kohës.
Krahas
kësaj tabloje, Delacroix do të lëvizte peshoren e artit me kryevepra të tjera
si “Liria në Barrikada”, “Gratë e Algjerit”, apo “Masakra e Qios”, duke
dëshmuar se arti nuk është vetëm pasqyrim, por një përballje e shpirtit me
tragjedinë dhe sublimen.
Sot,
kujtimi i Virgjilit nuk mbetet vetëm në vargjet e tij latine, por edhe në
pasqyrimin e përjetshëm që arti dhe poezia i dhanë figurës së tij. Ai është ura
që bashkon botën klasike me atë mesjetare, Romën me Firencën, të shkuarën me
përjetësinë.



