Albert Vataj: Sot, në ditëlindjen e Martin Camajt
SOT NË DITËLINDJEN E MARTIN CAMAJT
Një e kremte në altarim e fjalës së
këndimshme të shpirtit

Martin Camaj ishte
padyshim një vullnet lartësimi vlerash dhe kontribuimi krenues. Një begati e
amshuar që na shpërblen bujarisht me urtësinë e asaj mendjeje të dritshme dhe
me hirin e lartë të një zemre të bardhë.
Askush nuk do ta besonte
se një djalosh i shkulur prej atyre rrënjëve të thella, i lindur “…në një vis
të egër, ‘ku s’ka shkelë kurrë kamba e kalit’”, do të shndërrohej në një prej shtyllave
më unike të albanologjisë dhe në njërin prej poetikëve më modernë e më
metafizikë të letrarisë sonë. Djali i Kolë Camës, njëherësh bari e bujk i
lidhur me dheun, dhe i nënës Tereza nga Prekali, ishte paracaktuar të përbënte
atë përjashtim fatlum të historisë.
U lind më 21 korrik 1925
në Temal të Dukagjinit, atje ku gurët fshijnë mjegullën e ku luten e përbetohen
"për qiell e për dhé". Sepse pikërisht aty, në skajet më të ashpra të
këtyre caqeve gege, ngjizet vullneti i më të Epërmit.
Ai
zu të fluturojë orëve kur edhe qiellit i vunë gardhe, e kur shpresën e detyruan
të fshihej si një ëndërr e ndaluar.
Iku në kërkim të lirisë,
jo si ikje, por si shtegtim drejt vetvetes. Dhe përmes kësaj arratisjeje
fisnike, gjeti misionarin e vlerave që e bënë atë të pavdekshëm. Camaj nuk e
mori me vete Atdheun e zhurmshëm, por mori gjuhën, atë e kthjelloi, e distiloi
si argjend të gjallë në mërgim, duke i dhënë shqipes dimensionin e një teksture
universale. Sot, në ditën e tij të lindjes, ai nuk kujtohet egyszer?isht si një
emër letërsie, por si një frymë që ende banon te guri, te drita dhe te heshtja
poetike e viseve nga ku buron.


