Albert Vataj: I uroj ditëlindjen dajës tim, me të cilin ndamë prindërit dhe ëndrrat
I UROJ DITËLINDJEN ?DAJËS TIM, ME TË CILIN NDAMË PRINDËRIT DHE ËNDRRAT

?Ekzistojnë disa
destinacione jetësore që nuk shkruhen në harta, por në gjeografinë e shpirtit.
I tillë ishte fati im, i bekuar nën të njëjtën çati, në të njëjtin pallat ku
muret nuk ndanin hapësira, por bashkonin jetë. Aty ku unë pata fatin e madh e
të rrallë të rritesha mes dy botëve të ngrohta, mes prindërve të mi dhe
prindërve të tij, gjyshërve të mi të shtrenjtë, që na mbështollën të gjithëve
me të njëjtën dashuri të pakurorëzuar.
?Në atë vatër të
përbashkët, ku ndamë të njëjtët prindër, të njëjtat gëzime e të njëjtat
shtrëngata, unë gjeta tek ai jo thjesht dajën, por shembullin e gjallë se si
ndiqet një ëndërr. Në një kohë kur horizontet dukeshin të mbyllura dhe
rrethanat shpesh të pamundura, ai më mësoi artin e madh të qëndresës: se si të
ngrihesh dhe të fitosh edhe atëherë kur fati duket se ka vendosur të kundërtën.
Ai ishte drita që më tregoi se ëndrrat nuk janë thjesht dëshira, por beteja që
ia vlen t'i luftosh me dinjitet titanik.
?Ndaj, kjo foto-kartolinë
nuk është thjesht një kujtim, por një monument i asaj rruge që nisëm bashkë,
nën shikimin e ngrohtë të atyre që na mësuan të duam dhe të guxojmë...
E
shkuara ka mbetur tej, i shtrenjti im, atje ku kujtimet dhe dhimbjet rrëmoi
koha, e na i hodhi në shpirt. Ikën njëri pas tjetrit, ata që na shpërblyen me
mirësinë e tyre dhe mirënjohja jonë për ta gjithnjë ishte e pamjaftueshme. Ikja
mori duart që shenjtëroi mirësia në shpirtin e asaj nëne që ndamë të dy në
dashuri dhe në dhimbje. Koha mori gjithçka që la gjurmë tek ne, pa mundur të
marrë çfarë na kthen pas, këtë foto, e cila më shumë se një grishje në kujtime,
është hiri që derdhi e hershmja, dëshirimi që plazmoi kumtimi i saj.
Vite
mbetur pas në këtë fokus, daja im shtrenjtë, dhe ne nuk jemi më si atëherë, por
jemi çfarë deshëm, kemi çfarë merituam. Ecëm dhe sfiduam, kohën dhe veten.
Patëm më shumë luftra dhe më të mëdha fitoret. S'harruam t'i linim bekuar ato
zemra, që na dhanë shenjtërinë e dashurisë së tyre dhe guxuam më shumë se sa
mundëm për të arritur te ëndrrat tona.
Daja
im i veçantë, sot ne jemi ata që deshëm me gjithë zemër dhe ngulmuam me gjithë
shpirt. Jemi shënjime të arritjeve, asaj që na krenon, asaj, me të cilën u
shpërblyem. Kjo fale ngulmit dhe sakrificave tona titanike. Sepse prindërit
tanë ishin njerëz të thjeshtë, por të ndershëm, e përmbi të gjitha, fort të
dashtun.
Ishe
për mua më shumë se daj. Të pata idhull, më prive e të ndoqa nga pas. Më dhe
një dorë, e të shpërbleva me krenari. Krenarinë që ke marrë nga përpjekjet e
mija krijuese, i ke të legjitimuar, si çmim i asaj që le tek unë. Kjosh
gjithmonë ai që je në këtë foto, ai që je në përpjekjet e fëmijëve tuaj, ai qe
ishe për prindërit tuaj dhe të mijtë.
Daja,
të uroj nga zemra gëzuar ditëlindjen. Paç zemrën plot dhe shpirtit të ndritur.
Shëndeti të priftë e motivimi marrtë nga ty atë energji djaloshare dhe vrull që
pate gjithmonë. Gëzofsh me më të shtrenjtit tuaj, me ata që i dhanë një
dimension të ri ëndrrave dhe synimeve tuaja. Me shumë mirënjohje, dashuri dhe
respekt, nipi jot.
T'rroku
fort, Berti!


