Albert Vataj: Nadje, n'Shkodrën e andjeve e andrrave t'mija

2h më parë

Nadje, n'Shkodrën e andjeve e andrrave t'mija

Nga Albert Vataj

Nadja e mirë,

prej njaty ku me ditën lindin tana dritat e dielluna n'shpirtje!

Prej njaty ku malli dhe andja, tue ju dhan dëshirimit, bahet i tamëlti mëkim qi n'za t'nji zogu bylbylshëm këndon.

E mir’ u kjoft nadja tanve ju, qi t'bardhin shpirt ua dritt dita.

E lumnue kjoft njajo andja, e gëzume njaj shend, për tankend që njiherash çil syt dhe zemrën, e nis me këndu, tue ju gazmed diellit që ju kqyr, e n'andje t'dëshirimeve ju përkund, si fmijën nana n'djepin e ninullave e dashtunimit hyjnuer.

N'kët zgjim të mbushun me shend, n'kët çlirim prej natës dhe andrrës... lutem dhe me ju uru po du me tan zemër... ju ardht nji rreze me ju çil synin, ju ardht nji puthje me ju nez buzën, ju ardht nji prekje me ju dalldis andjen.

N'kët shpengim t'hovshëm dëshirimesh, ardht në ju, me sodit shprehje dëshire e tundim andrrimi, për me ju lëshu prehnit të ditës, e me ju mëku begatimit t’jetës e dritës, njatij bekimi mbushun me naltësim qi frymëmerr, n'ne hapsina t’parrokshme, e i harbohet fluturimeve t’qiellshme.

Nadja e mirë!

Asht mëkimi i një urdhnese t'hyjshme drite, qi t’ban me me shndrit n’çdo rreze, me ju dhan ç’do dëshirimi, me u drithëru çdo prekje...

Asht njaj za qi drojshëm derdhet nga shpirti, për me gjet nji solemnitet pror, me ju ba urdhnim e hyjmn.

Asht... gjithçka qi mundet me ken nji ditë, qi n'driten e vet shndrit!

Asht tançka qi vjen me fjalën e bahet vullnet besimi.

Asht, e mundet me ken ç’ka t’bahet ngulm, me u ringrit ku rrzimi t’ka hedh, e droja t’magjeps me shkëlqimin e rrejshëm të triumfit, t’mbarimit të dëshirave, t’fikjes së andrrave.

Nadja e marë!

Asht njajo mëkim zani e zemre qi e shqiptojmë amël, tue e ndi, njejt si tue dëshiru me e nda, siç drita ban, e andja ndez, n'zjermin e njikëtij dielli, flakun ngjyrave e prushun dëshirimi.

Nadja e mirë!

Asht jo vetëm një përshnetje zgjimi, një ledhë fjalësh që shndrrohet në breror rrezatuese fillimdite, qi t'ban me shndrit n'çdo rreze e me u ndez n’çdo andje.

Nadja e mirë!

Ash tue ken refreni i nji kange t'gëzume, qi due me këndu me ty, Shkodra e andjeve e andrrave t'mija!