Albert Vataj: Valsi i artë i lulediellit, një Odise drite dhe shpirti që mrekullon në natyrë dhe na magjeps në art
Valsi i artë i lulediellit, një Odise drite dhe shpirti që mrekullon në natyrë dhe na magjeps në art

Për
shumicën prej nesh, luledielli shfaqet në përditshmëri nën petkun e
thjeshtësisë praktike. E shohim të pranishme në tryezat tona përmes vajit të
gatimit, e shijojmë në çastet e thjeshta të bisedave teksa hamë farat e saj,
apo e blejmë të thurur nëpër buqeta festive për t’u falur buzëqeshje njerëzve
të dashur. Por, pas këtij dobi-përdorimi të zakontë, fshihet një nga misteret
më magjepsëse të natyrës, një dialog i nënzëshëm, por i zjarrtë, mes tokës dhe
qiellit.
Midis
miliona krijesave të mbretërisë bimore, ishte pikërisht luledielli ajo që zgjoi
gjenialitetin e post-impresionistit holandez, Vincent van Gogh. Në tablotë e
tij joshëse, ajo nuk erdhi thjesht si një dekor, por si një manifestim
shpërthyes i atij dielli që i digjej brenda vetes. Van Gogh gjeti te kjo lule
vezullimin e tij shpirtëror, thjerëzat e një drite, me të cilën kërkonte të
shihte botën tej errësirës që e rrethonte. Ai e kuptoi se luledielli nuk është
thjesht një bimë, por një gjendje shpirtërore.
Ndonëse
të gjitha lulet mbajnë një lidhje jetësore me diellin përmes odisesë së gjatë
të fotosintezës, klorofilit dhe shkëmbimit jetëdhënës të gazeve, luledielli
shkon përtej biologjisë. Ajo zhvillon një marrëdhënie pothuajse mistike
reciprociteti me yllin e zjarrtë.
Ajo
është një rrugëtare e palodhur e dritës. Kur agimi zbardh mbi tokë, luledielli
zgjohet dhe kthen "kokën" drejt lindjes. Ky proces, që shkenca e quan
heliotropizëm, udhëhiqet nga një sekret i brendshëm, auksinina, një hormon
rritjeje që grumbullohet në anën e hijesuar të kërcellit, duke e shtyrë lulen
butësisht, me një delikatesë kirurgjikale, drejt rrezeve të ngrohta.
Është
një vals që zgjat gjithë ditën. Luledielli e ndjek diellin në çdo hap të tij
nëpër qiell, deri në perëndimin e purpurt. Por, magjia e vërtetë ndodh natën.
Kur drita fiket, ajo nuk bie në një gjumë vdekjeje. Përgjatë errësirës, në një
lëvizje të ngadaltë e të fshehtë, ajo kthehet në pozicionin fillestar. Ajo pret
në heshtje, me besnikërinë e një dashurie të madhe, lindjen e sërishme të
diellit për të filluar rishtaz rrugëtimin e saj gjallues.
Vetëm
kur arrin pjekurinë e plotë, lulja e ndal këtë vallëzim. Ajo stabilizohet, duke
mbetur përgjithmonë e kthyer nga Lindja, si një monument i përjetshëm që nderon
burimin e jetës së saj.
Në
pagëzimin e saj latin, Helianthus annuus mbart vetë esencën e mitologjisë dhe
natyrës, "lulja njëvjeçare e diellit". Me kërcellin e saj të fortë e
kryelartë që sfidon eterin dhe gjethet e ashpra e të gjelbra, ajo mban mbi supe
një kurorë mbretërore.
Ajo
që ne e shohim si një lule të vetme, në fakt është një bashkësi e madhe jetësh,
një rreth petalesh ngjyrë të florinjtë që rrethojnë një zemër të errët, të
thurur nga mijëra lule të vogla në formë tubthash, të cilat presin puthjen e
insekteve për t'u shndërruar në fara.
Origjina
e saj na çon larg, në hapësirat e egra që shtriheshin nga Amerika Qendrore deri
në jug të Kanadasë së sotme, ku indianët vendas e kultivonin me adhurim. Kur
eksploruesit spanjollë e morën me vete përtej Atlantikut në vitin 1510, Evropa
Perëndimore u dashurua pas bukurisë së saj, duke e mbajtur fillimisht si një
xhevahir zbukurues në kopshtet botanike.
Më
pas, historia shkroi faqe të çuditshme. Farat e saj udhëtuan në Rusinë e largët
falë Car Pjetrit të Madh, ku në shekullin e 19-të fushat e Voronjezhit u kthyen
në dete të pafundme të verdha, duke prodhuar mijëra tonë vaj. Dhe për një ironi
të bukur të fatit, ishin pikërisht emigrantët rusë ata që e rikthyen
lulediellin në Amerikën e Veriut në fund të shekullit të 19-të, pasi
trashëgimtarët e kolonizatorëve të vjetër e kishin harruar krejtësisht
ekzistencën e saj.
Përtej
poezisë, luledielli është një dhuratë bujare e natyrës. Ajo ushqen trupin tonë
me proteina dhe yndyrna të shëndetshme, zbunon lëkurën tonë përmes eliksirëve
kozmetikë dhe kremrave, e madje vihet në shërbim të industrisë më të rëndë.
Në
muajt e nxehtë të verës, një fushë me luledielli shndërrohet në një parajsë
tokësore për bletët, duke u dhuruar atyre nektarin e artë nga i cili lind
mjalti më i kulluar. Dhe kur cikli i saj mbyllet, bima nuk dorëzohet para
harresës, kërcejtë e saj të pasur me celulozë kthehen në letër ose shndërrohen
në pleh organik, duke ushqyer sërish tokën që e lindi.
Luledielli
mbetet kështu një simbol i pastër i jetës, një qenie që jeton me sytë nga
drita, që e kthen ngrohtësinë qiellore në mirësi tokësore dhe që na kujton se,
ashtu si ajo, edhe ne njerëzit kemi nevojë për komunikimin thelbësor me diellin
për të ruajtur gjallërinë, vitalitetin dhe krejt shfaqshmërinë tonë në këtë
realitet, si së brendshmi, ashtu edhe në sipërfaqe.



