Albert Vataj: Pena e poetit, parmenda e shpirtjeve të pasionit dhe magjisë zjarmëtare të ndijimit
Pena e poetit, parmenda e shpirtjeve të pasionit dhe magjisë zjarmëtare të ndijimit

Kur
penën poeti ngërthen gishtërinjve si majëpemët shoshoqen stuhisë, shpirtin ka
thirrur në këtë akt përuljeje hyjnimi. Gjithë qenia e ngjizur në dëshirim, prek
botën përmes kësaj majëpine dhe i kumton fjalën si një blatim krijimi. Gjithçka
e tij që vërshimshëm shpërthen, dridhet në vijëzime që marrin trajtë e gërmëzohen,
pluskojnë gjithësitë ndërsa fjala si shiu që përmbut fushat duke sjellë jetë
etjeve që e zhuritin, ashtu letra, zjermet llavës që e zgjon, në kremtimin e
mendimit që u bë ligjërim, ndijimit që u bë varg, shenjtërimit që poezinë bëri
altar.
Poet,
ndoshta diku thellë teje, në mes territ që dridhet prej hutimit e ngurimit, një
shkëndi ka mundur të bulojë sythin e një ofshame, e vetëm një zemërgur nuk do
ta nxirrte faqe drite këtë vullnesë mugëtimi pranvere, e të sodiste me ëndjen
teksa ajo bukuri do të shumohej në çdo petale luleje, do të lodronte me çdo
farfuri fluturash, në çdo buzë do të ndez një puthje, e në çdo prekje do të çel
një epsh.
E
trishtë është zemra e një poeti, e një poeti që druhet të ngjyejë penën në
përroin vërshues të epshit. E së andejmi të na sjellë atë përmbytje ngulmesh të
ethshme pasioni. Të na shpërfaq atë kurajë miklimesh delikate që zvarget përmes
hukamash e buzësh që djegin përgjatë një kurmi që gufon prej poreve një aromë,
një aromë që do të dehte çdo tërbim e do të yshtte çdo engjëll në gostinë e
zjarrit.
Një
penë që është ngjyer gjithnjë në gjak, do të cytej të lëshonte vërshimin e vet
në andjen për me dëshmu kufijtë. A ndoshta një fluturim për të kthjelluar prej
mërryljes së dyshimit e territ çdo hov që turret zjarmues në kopulimin e gjithë
ngjyrave që jetësojnë më të dëshirueshmet përfytyrime.
Penë
e poeti thuaje, se ngulmet e mendjes dhe harlisjes shkallmojnë çdo rrekje për
ta mbajtur këtë vërshim të kyçur brenda gardheve të perceptueshmes. Pa droje
dëshmo, më më të bukurat fjalë se epshet e zgjerojnë përherë e më shumë
pafundësinë, universin të cilit i përket, si shpërthimet galaktike, duke e
mbajtur gjithnjë të mbushur me shkreptima yjesh qiellin ku kullotim sytë, sytë
e ujitur prej lotëve të zjarmimit, çasteve të flatrimit në eter të shpirtrave.
Qëndise
me fjalë të ngjyera në epshin e dashurisë, poet, rrugën nga gishtat e
ngërthyer, pulitjen e buzëve në puthje, deritek qiejt ku pluskojnë yje e
ndeshjet e dhunshme të dritës që mëkojnë krijimin, po, deri te përplasja e
trupave në kopulim... e do të shohësh se si gjaku s'do të të mjaftojë të
shkruash himnin e këtij shugurimi shpirtrash.
Ngjitu
në krahët e këtij flatrimi eteri fjalësh dhe ndijimi, dhimbjesh dhe mrekullimi,
ngërthe lartësive e epërme të ëndjes, shumë lart, ku kurrë më parë s'ke qenë,
për të prekur pafundësinë dhe mbërritur qenien.
Me
një Eol do të kuvendosh për erërat që lodrojnë nëpër flokët e shpupurishur të
epjes, me një Afërditë do të shihesh si me të hyjshmen ëndërr që ta qëndisi
dalldinë me më të hirshmet pekule, në prehrin e Helenës së Trojës tragjike do
të dëgjosh ninullën e pafajësisë që paqton çdo trazim që ndërzen bukuria. Një
Odise do të gjesh në çdo Itakë të harbimit të mishit dhe një Penelopë do
njohësh, një Penelop që end e ç'end pëlhurën ky pena jote ditirambe do të
qëndis, këndimtare në çdo hare e galdim, baladave do të drithërojë e do shkrepi
në çdo fjalë një yll.


