Albert Vataj: Gjon Shllaku: “Iliada e Homerit asht shkrue në gegnisht...”
Gjon Shllaku: “Iliada e Homerit asht shkrue në gegnisht...” “...përktheva Iliaden prej shqipes në shqip.”

Gjon
Shllaku ishte prej atyre kolosëve e përdori gjuhën që t’i kushtojnë jetën për
ta zbuluar, për ta përkthyer, për ta mbrojtur dhe për ta çuar përtej kufijve të
kohës. Për të, gjuha nuk ishte vetëm mjet shprehjeje, ishte një kujtesë e
gjallë, një arkeologji e shpirtit dhe një dëshmi e rrënjëve të një populli.
Në
ligjërimin e tij për gegnishten, Shllaku shfaqet si një intelektual i bindur se
kjo e folme shqiptare ruan në strukturën, fonetikën dhe leksikun e saj gjurmë
të thella të lashtësisë. Ai shkruante: “Nuk e di a egziston nji gjuhë tjetër e
gjallë, që pasqyron në mënyrën ma besnike të mundëshme vjetërsinë e saj.”
Dhe
më tej, me një këmbëngulje që e karakterizonte shton se “Problemi i gegnishtes
dhe i lashtësisë së saj duhet t’jetë objektivi i parë i gjuhësisë shkencore dhe
i gjuhëtarëve shkenctarë të Akademisë Shqiptare.”
Në
mendimin e tij, gegnishtja nuk ishte thjesht një çështje dialektologjike. Ajo
lidhej me një pyetje shumë më të madhe, çfarë mund të na tregojë gjuha për
historinë, autoktoninë dhe etnogjenezën e shqiptarëve në hapësirën ballkanike?
Shllaku
e formulonte këtë bindje në mënyrë të drejtpërdrejtë se: “Gegnishtja ma shumë
se asgja tjetër tregon rrajët tona si etnogjenezë e autoktoni në Ballkan-Iliri.”
Këto
pohime duhen lexuar edhe si pjesë e një vizioni të tij intelektual dhe
gjuhësor, jo si përfundime të konsoliduara të albanologjisë bashkëkohore.
Marrëdhëniet midis shqipes, gjuhëve paleo-ballkanike, greqishtes së vjetër dhe
latinishtes, janë objekt i kërkimeve komplekse historiko-gjuhësore dhe nuk mund
të reduktohen në një ekuacion të vetëm. Por pikërisht këtu qëndron edhe forca e
figurës së Shllakut, ai guxonte të bënte pyetje të mëdha dhe të kërkonte në
gjuhë dëshmi të largësive të mëdha të kohës.
“Iliada
e Homerit asht shkrue në gegnisht”
Një
nga tezat më të guximshme të Shllakut ishte ajo që lidhej me marrëdhënien mes
gegnishtes dhe greqishtes së lashtë. Duke vërejtur afri që ai i konsideronte
domethënëse në fjalë e struktura, Shllaku ngrinte një hipotezë të
jashtëzakonshme, gati provokuese: “Shumë fjalë të greqishtes klasike spjegohen
qartë në Gegnisht.”
Dhe
prej këtu ai ndërtonte dy mundësi, të cilat i shprehte me humorin, guximin dhe
imagjinatën e një eruditi: “Ose ndonji malsor shqiptar para 2,775 vjetësh ka
shkrue ‘Iliaden’ e ‘Odisenë’, ose vetë Homeri ka folë nji gjuhë që përgjet me
gegnishten e sotme…”
Kjo
e çonte Shllakun drejt formulimit të tij më të bujshëm:
“ILIADA
E HOMERIT ASHT SHKRUE NË GEGNISHT.”
Dhe,
me një lojë të jashtëzakonshme intelektuale me idenë e përkthimit, ai do të thoshte:
“PËRKTHEVA
ILIADEN PREJ SHQIPES NË SHQIP.”

Sigurisht,
një tezë e tillë nuk përbën sot një përfundim të pranuar nga shkenca
historiko-krahasuese e gjuhës. Ajo kërkon prova sistematike fonetike,
morfologjike, sintaksore dhe etimologjike, si dhe përputhje me kronologjinë e
dokumentuar të gjuhëve. Por edhe kur kundërshtohet si përfundim shkencor, ajo
mbetet dëshmi e një pasioni të jashtëzakonshëm për lashtësinë e shqipes dhe e
një përpjekjeje për ta vendosur gjuhën shqipe në dialog me botën e lashtë
mesdhetare.
Gjon
Shllaku nuk ishte vetëm njeriu i tezave të mëdha për gegnishten. Ai ishte, mbi
të gjitha, një përkthyes i jashtëzakonshëm, erudit dhe punëtor i palodhur i
fjalës.
Në
tryezën e tij u takuan autorë, epoka dhe qytetërime: Homeri, Virgjili, Ovidi,
Lukreci, Euripidi, Sofokliu, Eskili, Shekspiri, Hygoi, Shatobriani, Rasini,
Lamartini, Bomarshéja, Papa Gjon Pali II e shumë të tjerë.
Ai
i solli shqipes vepra nga greqishtja e vjetër, latinishtja, frëngjishtja dhe
gjuhë të tjera, duke dëshmuar një horizont kulturor që ishte shumë më i gjerë
se kufijtë e një biblioteke.
Ndër
veprat dhe projektet e tij përmenden:
“Ben
Hur” – Lew Wallace
“Eneida”
– Virgjili, pjesë të zgjedhura
“Gjeorgjikat”
– Virgjili
“De
rerum natura” – Lukreci
“Metamorfozat”
– Ovidi
pjesë
nga Euripidi dhe Sofokliu
“Ruy
Blas” – Viktor Hygo
“Martirët”
– Shatobrian
“Cid”
– Kornej
“Atalia”
dhe “Estera” – Rasini
“Liqeni”
– Lamartin
“Robëresha
e re” – André Chénier
tekste
biblike nga greqishtja e vjetër, përfshirë “Veprat e Apostujve”, “Apokalipsin”,
Letrat e Shën Pjetrit dhe Letrat e Shën Gjonit
“Lufta
kundër vdekjes” – Metalnikov
shtatë
drama të Shekspirit
“Iliada”
– Homeri
gjashtë
këngë të “Odisesë”
“Fjalor
helenik”, greqisht e vjetër–shqip, me rreth 20 mijë fjalë
“Berberi
i Seviljes” dhe “Dasma e Figaros” – Bomarshé
“Prometeu
i lidhur” – Eskili
shtatë
tragjedi të Sofokliut: “Edipi mbret”, “Edipi në Kolon”, “Antigona”, “Ajaksi”,
“Elektra”, “Trakinitet”, “Filokteti”
“Ifigjenia
në Aulidë”, “Alkesta”, “Hipoliti”, “Medea” – Euripidi
Fjalori
diakronik latinisht–shqip
“Të
kapërcehet pragu i shpresës” – Papa Gjon Pali II
“Historia
e Skënderbeut” – Sansovino
“Kanga
e Rolandit” – Turoldi
360
himne kishtare, të përkthyera nga origjinali latinisht dhe të botuara në Romë
Dhe
kjo është vetëm një pjesë e një veprimtarie që duket sikur nuk e njihte
lodhjen.
Përkthyesi
i madh nuk përkthen vetëm fjalët. Ai përkthen epoka, mentalitete, ritme,
kujtesa dhe mënyra të të menduarit.
Kjo
është arsyeja pse puna e Gjon Shllakut merr një dimension të veçantë. Ai nuk e
shihte shqipen si një enë ku duhej të derdheshin mekanikisht kryeveprat e
letërsisë botërore. Ai kërkonte një shqipe që të mund t’i mbante ato vepra pa
humbur as madhështinë e origjinalit, as dinjitetin e gjuhës pritëse.
Në
këtë kuptim, përkthimet e tij janë një lloj arkeologjie kulturore. Ai zbriste
në greqishten e vjetër e në latinisht, në tekstet biblike e në letërsinë
klasike, në tragjedinë antike e në dramaturgjinë moderne, dhe prej andej sillte
në shqip jo vetëm fjalën, por edhe frymën e një qytetërimi.
Prandaj,
kur flitet për Gjon Shllakun, nuk mjafton të thuhet se ishte përkthyes. Ai
ishte ndërmjetësues i qytetërimeve.
Përtej
librave, përkthimeve, fjalorëve dhe tezave të tij të guximshme, mbetet njeriu.
Gjon
Shllaku ishte një ndër ata dishepuj të devotshëm të dijes që e përjetonin
krijimin si një formë vetmohimi. Ai ishte përkushtim, përkorësi, heshtje dhe
punë. Një nga ata njerëz që nuk kanë nevojë të bëjnë zhurmë për të dëshmuar
madhështinë e tyre, sepse ajo është e pranishme në mënyrën si flasin, si
dëgjojnë dhe si e shohin botën.
Kam
pasur fatin ta njoh dhe ta takoj. Për fat të keq, takimi i fundit ndodhi një
vit përpara se të ndahej nga jeta.
E
mbaj mend si një njeri të dlirë. Zërin dhe vështrimin e tij i mbamend si ndër
më paqësorët që kisha rrokur deri atëherë. Kishte në praninë e tij diçka që nuk
kërkonte të impononte asgjë. Ishte një qetësi e fituar përmes dijes, një butësi
që vinte jo nga dobësia, por nga një jetë e gjatë e kaluar në shoqërinë e
librave, gjuhëve dhe mendimit.
Ndoshta
ky është paradoksi më i bukur i njerëzve të mëdhenj të dijes, sa më thellë
hyjnë në kompleksitetin e botës, aq më të thjeshtë bëhen në sjellje.
Gjon
Shllaku ishte i tillë.
Debati
për gegnishten nuk mund të reduktohet në një përplasje politike, emocionale apo
identitare. Ai është, në thelb, një çështje e historisë së gjuhës, e kulturës
dhe e kujtesës shqiptare.
Gegnishtja
ka prodhuar një pasuri të jashtëzakonshme letrare, prej traditës së hershme të
shkrimit shqip, te Buzuku, Pjetër Bogdani, Pjetër Budi, Frang Bardhi, e deri te
Fishta, Mjeda, Koliqi, Migjeni, Camaj e shumë të tjerë. Ajo është një nga
shtyllat themelore të historisë së shkrimit dhe të letërsisë shqipe.
Prandaj,
edhe pyetja e Shllakut duhet të mbetet e gjallë, edhe aty ku përgjigjet e tij
kërkojnë verifikim shkencor: Sa e vjetër është struktura e shqipes? Çfarë
shtresash të lashta ruhen në të? Çfarë mund të na tregojë gegnishtja për
historinë e shqipes? Çfarë raportesh ka pasur ajo me gjuhët e tjera të
Ballkanit dhe të Mesdheut? Dhe sa prej asaj që sot na duket e harruar është në
të vërtetë ende gjallë në fjalët tona?
Këto
janë pyetje që nuk zgjidhen me pasionin e njëanshëm të identitetit, por me
dokumente, krahasime, metoda historiko-krahasuese dhe kërkim të pandërprerë.
Por pa njerëz që guxojnë t'i shtrojnë ato, shkenca rrezikon të mbetet vetëm në
sigurinë e asaj që tashmë dihet.
Gjon
Shllaku ishte nga ata që kërkonte përtej kufirit të së diturës.
Dhe
ndoshta ky është trashëgimi i tij më i çmuar, të mos e shohim shqipen vetëm si
gjuhën që flasim sot, por edhe si një qytetërim që duhet të vazhdojmë ta
hulumtojmë.
Sepse
një gjuhë nuk është vetëm fjalori i saj.
Është
kujtesa e njerëzve që e kanë folur.
Është
toka ku ka marrë frymë.
Është
heshtja e shekujve që ka mbetur brenda fjalëve.
Dhe
është ajo pjesë e misterit njerëzor që, edhe pasi gjithçka duket e thënë, na
detyron ende të pyesim:
Nga
kemi ardhur dhe sa larg në kohë mund të dëgjohet zëri ynë?
Për
Gjon Shllakun, ky zë vinte nga një largësi e jashtëzakonshme. Ai e dëgjonte në
gegnisht.
Dhe
ia kushtoi jetën për ta bërë të dëgjueshëm këtë hir të hyjt të fjalës.
------
Thënia
e Gjon Shllakut se “Iliada e Homerit asht shkrue në gegnisht...” “...përktheva
Iliaden prej shqipes në shqip.” nuk është një pretendim historik literal, por
një alegori gjeniale artistike. Ai donte të tregonte se bota heroike e Homerit,
kodi i nderit, eposi, besa dhe psikologjia e personazheve, gjeti te shqipja,
dhe veçanërisht te gegnishtja arkaike, një habitat aq natyral gjuhësor e
kulturor, saqë gjatë përkthimit nuk ndjeu se po transkiptonte një kulturë të
huaj, por po rindërtonte diçka që rezononte thellësisht me vetë rrënjët tona.
(Nëse
dikush di se ku ka përfunduar arkiva e NTV, 2001-2002, do ju isha mirënjohës të
më kontaktojë. Ndoshta mund të gjejmë kasetën e INTERVISTES që ai dha. Do të
ishte një shërbesë që do t'i bënim shqipes dhe një kthim në të gjallë të këtij
kontributori të pashoq të vlerave)


