Albert Vataj: Të lutem më fal, më duhet të iki e të të lë vetëm!

3h më parë

Të lutem më fal, më duhet të iki e të të lë vetëm!

Nga Albert Vataj

Ajo i tha: Të përgjërohem, mos e thirr doktorin!

Dua të më zërë gjumi, me dorën tënde mbi timen. Vetëm kaq është ajo që e paqëton shpirtin tim.

Ti do ta kesh të vështirë ta besosh, edhe pse thellë brenda teje ka kohë që të gërryen kjo frikë.

Më duket se kaq ishte udha ime që bëra me ty. Nuk ka ilaç as doktor që më kthen nga rruga që kam marrë, edhe pse si ti, edhe unë, duam kaq shumë të jemi sërish e sërish bashkë.

Por askush nuk erdhi në jetë, as unë, për të qëndruar përgjithmonë.

Sot po të kërkoj të më plotësosh edhe një dëshirë, që do të jetë e fundit. Nuk do të mund të të kërkoj më asgjë, edhe pse nuk je kursyer kurrë të më bëje të isha princeshë krah një mbreti pa kurorë, por me një shpirt të bukur dhe një zemër të bardhë, dritë.

Ajo që dua të më japësh është që në këtë moment të kem vetëm ty pranë, siç të pata në çdo hap të jetës, ndërsa sytë e saj gati në të shuar e shihnin me pikëllim. Ndarja po i hynte në mes ngadalë-ngadalë.

Ti ishe dhe ke mbetu gjëja e vetme që pata dhe kam.

Kush erdhi nga ne në jetën tonë, ikën në jetën e tyre edhe pse ne deshëm t’i kishim pranë, por jo sot. Sot duhet ta ndaj këtë moment vetëm me ty. Sepse me ty e pata gjithçka kisha në shpirt, e çdo gjë që e mata me rrahje zemre dhe me dridhje zëri, me frymëmarrje të shpejtuara dhe të qeshura me gjithë shpirt.

Më vjen keq, që më duhet të iki e të të lë vetëm. Por më vjen mirë që po të çliroj, nga kaq shumë mund dhe lodhje, që t’u desh për kaq shumë kohë që unë të mund të qëndroja ende me ty.

Tu desh kaq shumë për të më treguar, se sa i rëndësishëm ishe për mua dhe se sa i pazëvendësueshëm mbete gjatë gjithë jetës, edhe sot.

Të lutem më fal se më duhet të fle, ndërsa ty të duhet të rrish zgjuar për të më shikuar si aq e aq herë, duke u mbushur me bukurin time në prehje.

Besom, ju luta Zotit që të kishim të tjera role sot, ti duke mbajtur dorën time, por Ai vendosi, që unë të jem shtrirë duke mbajtur dorën tënde mbi timen, e ti ulur duke më përcjellë me vështrimin tënd të ëmbël, për në atë gjumë që kaq shumë e kam pritur dhe kaq shumë e kam dëshiruar.

Do të më marrë malli shumë për ty. Do të më mungojnë të qëndruarit pranë njëri-tjetrit, duke mos thënë asgjë, vetëm duke dëgjuar frymëmarrjet tona dhe heshtjen që sa herë na e prishte ndonjë kollitje apo rënkim.

Nuk do të doja të ikja, por më duhet të iki para teje, zemërthyer por shpirtplot, se po iki duke marrë pjesë tënden që ke lënë tek unë, të cilën do të ta kthej kur të ritakohemi atje përtej, atje ku do të jemi sërish bashkë dhe nuk do të ketë asgjë të na ndajë.

Me sytë që mbusheshin me lot e shpirtin që përpiqej të paqtonte plagën, ai nisi t’i tregonte asaj për të kaluarën, mënyrën se si u takuan, puthjen e tyre të parë. Ata nuk qanë për çfarë kishte ikur. Ata buzëqeshën, sepse e dinin se kjo ishte çfarë i bëri të lumtur dhe të guximshëm në betejat e jetës.

Ata nuk u penduan për asgjë, ndoshta edhe për gabimet që bënë dhe faljet që kërkuan. Ishin mirënjohës për gjithçka, edhe për lotët që derdhën dhe të qarat që veshën në trishtim.

Pas çdo fjale e fraze, një heshtje u qëndronte në mes syve që shiheshin ujshëm e shpirtrave që po tentonin të ndaheshin pa lamtumirë. Ikja po e endte gjithnjë e më trashë pëlhurën e ndarjes që u rrinte në mes.

Mes një tisi mjegulle që dendësohej në sy dhe zërit që i pakej, mundi të shqiptonte ndarazi dhe vajshëm fjalët që ishin të fundit që ajo mundi të thoshte para se ta zinte gjumi: "Të dua përgjithmonë!"

“Edhe unë përjetë do të të dua”, ai i tha këto fjalë me zërin që i dridhej, e puthi butë në ballë dhe në syt që nuk do t’i hapte më.

Qëndroi ai disa çaste duke e kundruar, derisa dora e saj që mbante të tijën, u këput dhe ra.

Të gjithë vijmë te ky cak. E gjithë jeta jonë merr kuptim, ndoshta shumë vonë, por vetëm tek ky moment, tek kjo ndarje që tenton t’u hyjë në mes, por pa mundur t’i këputë atë frymë atë ndjesi, ata që mund të mos jenë mbrujtur që në fillesë nga dalldija e dashurisë, por që ka qenë pikërisht ajo që i ka mësuar se si të jetojnë kaq gjatë dhe të shkojnë të flenë për të mos u zgjuar më.

Vjen kur nuk duhet ajo që duhet të besojmë se vetëm dashuria është ajo që ka rëndësi, sepse njeriu vjen në këtë botë me asgjë tjetër përveç dashurisë dhe largohet me të njëjtën gjë, duke mos mundur të marrë asgjë veç saj. Profesioni, karriera, llogaria bankare, vlerat pasurore, janë vetëm mjete, asgjë më shumë. Gjithçka qëndron këtu, çfarë fituam me kaq shumë përpjekje dhe sakrifica, mbetet këtu, duke mos mundur të jetë më e jona, më shumë se ky moment, duke mbajtur dorën e njëri-tjetrit në fund.


Foto është e huazuar. Edhe pse bëra përpjekje ta gjej autorin e saj e pata të pamundur.

Faleminderit!