Albert Vataj: Marilyn Monroe – buzëqeshja që u fik në shpërthimin e një ylli, 64 vite që ndaluan kohën

Marilyn Monroe, buzëqeshja që u fik në shpërthimin e një ylli, 64 vite që ndaluan kohën

Një
vdekje e denjë për mistikën e një ikonë si Marilyn Monroe, e papritur, e errët
dhe e veshur me velin e pluhurt të sekreteve. Një fund që la pas më shumë
pyetje se përgjigje, duke mbjellë dekada me trille, hipoteza dhe teori
konspirative që nuk u zbehën kurrë. Edhe në panoramën e saj mortore, ajo vdekje
ruajti një shkëlqim të ftohtë e të magjishëm. Kishte ikur Marilyn Monroe. Ishte
rrëzuar një nga mitet më të qëndrueshme të shekullit të XX; ishte shuar një yll
që nuk thjesht ndriçoi, por dogji qiellin llamburitës të botës së ëndrrave
amerikane.
Ajo
ndoshta nuk ishte më e bukura sipas kanoneve klasike, por çdo bukuri tjetër
zbehej e bëhej e papërfillshme përpara shpërthimit të saj magnetik. Nuk mund të
thuash me siguri se ishte më sensualja në atë galeri të pafundme femrash
sharmante, por zotëronte një alkimi të panjohur, një miks pafajësie fëmijërore
dhe erotizmi absolut, që arriti të dalldisë e të nënshtrojë burrat më të
pushtetshëm, më të mençur e më të famshëm të kohës.
Më
5 gusht të vitit 1962, trupi i saj u gjend i pajetë në dhomën e gjumit në
shtëpinë e saj në Brentwood, Los Angeles. Ora kishte ndalur për gruan që mbante
ritmin e zemrës së një kombi. Pavarësisht versionit zyrtar të mjekësisë ligjore
që e cilësoi si "vetëvrasje të mundshme" nga mbidoza e barbiturikeve,
vdekja e saj mbeti në kryelistën e enigmave të mëdha botërore. Mjegullnaja e
dyshimeve nuk u tret kurrë. Ajo vazhdoi të ishte një vdekje e trazuar, e minuar
nga hamendësimet, e rrethuar nga hijet e CIA-s, FBI-së dhe oborrit politik të
Uashingtonit.
Marilyn
Monroe ishte dhe mbeti emblema e patjetërsueshme e kinematografisë botërore.
Ishte
femra që bëri të përvëlohen në ethet e dëshirimeve miliona meshkuj e të
frymëzohen miliona femra.
Ishte
simboli absolut i gruas së viteve '50 , e përkëdhelura e fatit dhe e famës, por
njëkohësisht edhe e ndëshkuara e madhe e atij shkëlqimi të paimagjinueshëm.
Pashmangshmëria e bukurisë, eleganca spontane dhe miklimi i saj magjepsës
dalldisën nga vëllezërit Kennedy te Frank Sinatra, nga romantizmi i Joe DiMaggio-s
te thellësia intelektuale e Arthur Miller-it. Guximi i saj për të sfiduar
tabutë, i ndërthurur me një pafajësi pothuajse prekëse, e bëri imazhin e saj
edhe më të adhurueshëm. Por ishin edhe linjat e saj trupore, shëmbëllim i një
perfeksioni fizik e me dritë të brendshme, që i dhuruan përgjithmonë kurorën e
ikonës së bukurisë artistike.
Prapa
buzëqeshjes platinate të Marilyn-ës, fshihej përherë brishtësia e pambojtur e
Norma Jeane Mortensonit, vajzës jetime që kërkoi dashuri në sytë e të gjithë
botës, por gjeti vetëm dritat e ftohta të projektorëve. Të gjithë donin pjesën
e tyre nga "Marilyn", por pothuajse askush nuk u ndal të kuptonte
Norma Jeane-in.
Ndoshta
i gjithë ky shpërthim drite ishte i destinuar të sakrifikonte vetë burimin; të
flijonte mbi altarin e mistikës jo thjesht një qenie fizike, por emrin, famën
dhe mitin, rreth të cilit u thurën interest e pushtetit politik, financiar dhe
mediatik në Amerikë. Ajo u bë kurban i idhullit që krijoi vetë.
Sot,
64 vite nga ajo e diel tragjike e gushtit, Marilyn Monroe vazhdon të mbetet një
prani hipnotizuese. Koha nuk e plak stop-kaadrin e saj; vitet vetëm sa i
shtonjë patinë legjendës. Ajo mbetet figura më e rëndësishme, më e kopjuar dhe
më e padeshifrueshme që ka parë ndonjëherë ekrani dhe kultura popullore.
Ajo
iku herët, në kulmin e rrezatimit të saj, për të lënë pas një mjegullnajë të
dendur dyshimesh, aludimesh dhe vramendjesh. Iku e re, duke mbetur e re
përgjithmonë. Ajo vdiq në mister, duke fituar mbi kohën, sepse nëse jetës i dha
gjithçka, nga vdekja fitoi përjetësinë.


