Albert Vataj: Të gjithë dashurojnë, por asnjë dashuri nuk është e njëjtë
Të gjithë dashurojnë, por asnjë dashuri nuk është e njëjtë

“Duhet
të pranojmë se, nëse dashuria është pasioni më i përbotshëm, është edhe ai që i
nënshtrohet më shumë gjurmës së individualitetit.”
Ky
pohim është si një gur filozofik, që, kur e prek, lëshon dritë nga të gjitha
anët. Ai na vendos përballë një tensioni krijues, mes asaj që është e
përbashkët për çdo qenie njerëzore dhe asaj që është e papërsëritshme për
secilin prej nesh.
Në
të gjitha kulturat, në të gjitha kohërat, dashuria është përkthyer në këngë dhe
legjenda, në art dhe kujtesë. Ajo është këmbyer si një gjuhë që nuk ka nevojë
për fjalor, edhe pse është ajo, fjala që i dedikoi një vezullim në qiellin
dehës të kumtimit hyjnor. Kur lexojmë Sapphon, ndiejmë të njëjtën dridhje që
përshkon vargjet e një poezie bashkëkohore. Kur dëgjojmë një sonet të
Petrarkës, e kuptojmë pa u munduar se zemra e tij digjej njësoj si çdo zemër që
është dashuruar ndonjëherë.
Ky
universialitet është e jashtëzakonshme. Dashuria është fryma që lidh njerëzit
përtej gjuhëve dhe kohërave, një përvojë që na bën të gjithë pjesëmarrës në të
njëjtin mister.
Por
ç’është universale nuk humb kurrë individualitetin e tij. Në fakt, sa më e
përbotshme të jetë një përvojë, aq më shumë kërkon një shprehje të veçantë në
secilin. Është si uji që merr formën e enës ku derdhet.
Dashuria
ime nuk është dashuria jote, edhe pse të dy e quajmë me të njëjtin emër. Ajo që
zgjon tek unë është e lidhur me historinë time, me rrënjët e shpirtit tim. “Ne
nuk dashurojmë kurrë njeriun në vetvete,” thoshte Marcel Proust, “por imazhin
tonë tek ai.” Dhe ky imazh është unik.
Shiko
një çift të dashuruar në rrugë. Sytë e tyre mund të ngjajnë me sy të tjerë të
dashuruar, por brenda tyre ka një botë që nuk përsëritet. Ka kujtime, frikëra,
gjeste të vogla, një përzierje ngjyrash që nuk mund të rishfaqet në një tjetër
dashuri.
Në
këtë kuptim, dashuria është edhe një akt artistik. Ajo krijon një univers të ri
brenda dy qenieve që takohen. Ndoshta për këtë arsye poezia dashurore është
gjithnjë e pafund. Çdo poet e shkruan ndryshe, sepse nuk ekziston një dashuri e
dytë identike me të parën.
Paul
Éluard do të thoshte:
“Ti
je universi im, që unë zgjedh çdo ditë të shpik.”

Le
ta përfytyrojmë dashurinë si një dritë të bardhë që vjen nga burimi i
përjetshëm i shpirtit njerëzor. Kur ajo hyn në shpirtin tonë, kalon përmes
kristalit të individualitetit tonë dhe shpërndahet në ngjyra të panumërta. Ky
është spektri unik i secilit prej nesh në këtë lartësim të qenies.
Ashtu
si tek një pikturë e Gustav Klimt, ku ari përplaset mbi konturet e trupave dhe
krijon një vezullim të papërsëritshëm, dashuria merr ngjyrat tona të fshehta.
Ajo nuk vjen kurrë e paprekur, ajo gjithmonë mbart erën e shpirtit që e mban.
Kështu,
kjo fjali është një ftesë për të pranuar një të vërtetë të dyfishtë: Dashuria
është e gjithkujt, por askush nuk e përjeton njësoj.
Ajo
është zëri më i lashtë i njerëzimit dhe pëshpërima më e fshehtë e shpirtit. Ai
është flamuri që valëvitet mbi të gjithë bedenat e jetëve, por edhe vula që
secili e vulos me zemrën e tij.
Në
fund të fundit, dashuria është pasioni më i përbotshëm pikërisht sepse është më
i ndërlikuari, më i ngjyrosuri, më i shenjuari nga mënyra jonë unike e të
qenit.
Ajo
na bën të njëjtë dhe të ndryshëm njëkohësisht. Dhe ndoshta, pikërisht aty,
është mrekullia e saj më e madhe.


