Albert Vataj: At Leonard de Martino, Ati françeskan që mëkoi me dije dhe dritë, At Gjergj Fishtën
IN MEMORIAM
At Leonard de Martino,
Ati françeskan që mëkoi me dije dhe dritë,
At Gjergj Fishtën, shpirtin dhe penën e shërbesës së shqiptarisë

Ata
lindën larg njëri-tjetrit në hapësirë, por të bashkuar në thelbin më të thellë
të përkatësisë, në të njëjtin gjak, në të njëjtin komb, në të njëjtin amanet të
trashëguar brez pas brezi. Njëri erdhi nga brigjet e Arbërisë së përtejdetit,
tjetri u lind në zemrën e tokës shqiptare, por fati i tyre do të shkruhej në të
njëjtën faqe të historisë shpirtërore dhe kulturore të një populli.
At
Leonard de Martino do të vinte nga Greçi i Kampanjës, një nga zemrat e gjalla
të Arbërisë italiane, ku kujtesa e atdheut të humbur ruhej si një flakë e
pashuar në gjuhë, këngë dhe besim. At Gjergj Fishta do të hidhte hapat e parë
të jetës mbi tabanin e tokës shqiptare, në atë truall të bekuar ku fjala,
zakoni dhe besimi ishin ndërthurur si një testament i shenjtë i të parëve.
Ishin
dy udhëtime që do të bashkoheshin nga një vullnet i lartë hyjnor dhe nga një
mision i përbashkët, shërbimi ndaj dijes, dritës dhe shpirtit të kombit. Takimi
i tyre nuk ishte vetëm një takim mes një mësuesi dhe një nxënësi, ishte
përplasja e bekuar e një urtësie të trashëguar me një talent që priste të
zgjohej. Nëpërmjet dorës së At Leonardit, një djalosh nga Zadrima do të gjente
rrugën drejt fjalës së madhe, ndërsa nëpërmjet zërit të Fishtës, një komb do të
dëgjonte jehonën e kujtesës së vet.
Ata
u bashkuan në dashurinë për të shenjtën, për dijen dhe për gjuhën, në kumtin e
një ideali që e shihte kulturën si një formë të lartë shërbimi. Nëpër vargje,
lutje dhe vepra, ata do të dëshmonin shpirtin e një toke epike, të një vendi
kreshnikësh, legjendash dhe historish të mëdha, ku kujtesa e brezave është bërë
pjesë e ndërgjegjes së një kombi.
Dhe
kështu, nga dy skaje të së njëjtës hapësirë shpirtërore, u bashkuan dy jetë që
historia do t'i ruante krah për krah, një françeskan arbëresh që mbolli farën e
dijes dhe një poet shqiptar që e shndërroi atë farë në një pemë të pavdekshme
të kulturës kombëtare.

I
lindur në Greçi të Kampanjës, në zemër të Arbërisë italiane, At Leonardi u rrit
në një mjedis ku kujtesa e Shqipërisë së të parëve ruhej si një amanet i
shenjtë. Arbëreshët, të shpërndarë në tokën italiane pas shekullit XV, kishin
ruajtur gjuhën, zakonet dhe lidhjen shpirtërore me atdheun e origjinës. Në këtë
botë kujtese dhe përkatësie lindi edhe thirrja e tij për t'u kthyer te
shqiptarët.
Kur
mbërriti i ri si misionar françeskan në Shkodër, ai nuk erdhi thjesht si një
klerik i huaj, por si një bir i largët i së njëjtës trashëgimi kulturore.
Shqipërinë ai e pa jo vetëm si një fushë misioni fetar, por si një tokë që
kishte nevojë për dije, arsim dhe vetëdije kulturore.
Për
afro katër dekada ai shërbeu mes shqiptarëve, kryesisht në Troshan, në Zadrimë
dhe në fshatrat e Lezhës. Veprimtaria e tij nuk u kufizua në altar, ai ishte
njëkohësisht meshtar, mësues, poet, edukator dhe përhapës i kulturës. Ai
besonte patundshëm se një popull nuk mund të ndërtojë të ardhmen pa shkollë, pa
gjuhë dhe pa vetëdije për vlerat e veta.
Ishte
ndër nismëtarët e hapjes së shkollës së parë italiane në Shqipëri dhe një
figurë e rëndësishme në përhapjen e arsimit. Për një periudhë shërbeu edhe pranë
Prenk Pashës së Mirditës si sekretar dhe edukator i të birit, Prenk Bibë Dodës,
duke u përfshirë kështu në formimin e një brezi që do të luante një rol kyç në
jetën politike dhe kulturore të vendit.
Por
trashëgimia më e madhe e At Leonard de Martinos nuk qëndron vetëm në
institucionet që ndihmoi të krijoheshin apo në veprat që shkroi. Ajo që e bën
emrin e tij të pavdekshëm është roli që pati në formimin e një prej figurave më
të mëdha të kulturës shqiptare: At Gjergj Fishtës.
Në
një djalosh të thjeshtë nga Zadrima, Zef Ndoci, At Leonardi pikasi një dhunti
të veçantë. Ai dalloi tek ai zgjuarsinë, ndjeshmërinë dhe prirjen e
jashtëzakonshme për dije, duke u bërë udhërrëfyesi i parë i rrugëtimit të tij
intelektual dhe shpirtëror. Nën kujdesin e tij, ai djalosh mori formimin
fillestar që do ta përgatiste për misionin e madh që do të kishte në jetën
kulturore shqiptare.
Ndhimi
i At Leonardit nuk ishte thjesht ai i një mësuesi ndaj nxënësit. Ishte ndikimi
i një mentori që dinte ta ushqente talentin dhe ta drejtonte atë drejt një
horizonti më të gjerë. Ai i dha Fishtës dashurinë për dijen, disiplinën e
studimit, njohjen e traditës klasike dhe bindjen se fjala e shkruar mund të
kthehej në një shërbim sublim ndaj Zotit dhe atdheut.
Në
mjedisin françeskan, nën frymën e edukimit që ai përfaqësonte, Fishta u njoh me
letërsinë klasike, filozofinë, retorikën dhe kulturën evropiane. At Leonardi
nuk i mësoi vetëm rregullat e gjuhës apo mjeshtërinë e vargut; ai i përcolli
një filozofi jetësore: se poeti nuk është vetëm një krijues i së bukurës, por
edhe dëshmitar i kohës së tij, mbrojtës i kujtesës dhe zë i ndërgjegjes së
popullit.

Në
këtë kuptim, At Leonard de Martino nuk ishte thjesht mësuesi i Fishtës. Ai
ishte një nga arkitektët e heshtur të formimit të poetit që do të bëhej zëri më
i fuqishëm i kombit.
At
Leonardi ishte edhe vetë një poet nga natyra. Fillimisht shkroi në italisht,
por më pas, duke përvetësuar me mjeshtëri gegërishten, krijoi edhe në shqip me
një hijeshi të rrallë. Filologu At Justin Rrota e përshkruante me admirim:
"Poet
prej natyre, shkroi e botoi shumë kangë... si e theu dialektin e vet n'atë të
Gegnis, ia muer dorën e shkroi me aq mjeshtri."
Kjo
dëshmi tregon jo vetëm aftësinë e tij artistike, bashkë edhe lidhjen e thellë
shpirtërore që krijoi me gjuhën dhe kulturën shqiptare.
Ndër
veprat e tij më të njohura janë përmbledhja poetike "L'Arpa di un
italo-albanese" ("Harpa e një arbëreshi"), drama "Nata e
Këshnellavet" (një nga veprat e hershme teatrore në gjuhën shqipe), si dhe
shkrimet kushtuar figurës madhështore të Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
Një
vend të veçantë në veprimtarinë e tij zë edhe përkushtimi ndaj Zojës së
Këshillit të Mirë, Pajtores së Shqiptarëve. At Leonard de Martino ndihmoi në
përhapjen dhe thellimin e këtij devocioni përmes poezisë dhe shkrimeve
shpirtërore. Ai i kushtoi Zojës së Bekuar vargje të frymëzuara, duke e lidhur
këtë figurë me kujtesën historike dhe identitetin shpirtëror të shqiptarëve.
Kjo
lidhje kishte një domethënie të veçantë për të si arbëresh. Për komunitetet
arbëreshe, Shenjtërorja e Zojës së Këshillit të Mirë në Genazzano ishte një
simbol i lidhjes së pandërprerë me Shqipërinë e humbur pas pushtimit osman.
Përmes kësaj figure, At Leonardi bashkoi besimin, kujtesën dhe dashurinë për
atdheun.
Edhe
pse vitet e fundit të jetës i kaloi në Itali, ai nuk u largua kurrë
shpirtërisht nga Shqipëria. Zemra e tij mbeti në tokën ku kishte shërbyer, në
mesin e njerëzve të cilëve u kishte falur dije, besim dhe shpresë.
Sot,
kur kujtojmë At Leonard de Martinon, kujtojmë një urë të gjallë mes Arbërisë
dhe Shqipërisë, mes fesë dhe kulturës, mes traditës dhe së ardhmes. Kujtojmë
një njeri që nuk kërkoi të bëhej protagonist i historisë, por që pati fatin e
rrallë të formonte një prej protagonistëve më të mëdhenj të saj.
Sepse
ka mësues që lënë pas libra, por ka edhe mësues që lënë pas njerëz që
ndryshojnë rrjedhën e historisë. At Leonard de Martino i përkiste kësaj
kategorie të rrallë. Ai mbolli një farë në shpirtin e një djaloshi nga Zadrima,
dhe nga ajo farë u rrit një prej pemëve më madhështore të kulturës shqiptare,
At Gjergj Fishta.


