Albert Vataj: Bota e makthshme e ferrit të luftës, ku erdhi në jetë "Lamtumirë armë" e Ernest Hemingway
Bota e makthshme e ferrit të luftës, ku erdhi në jetë "Lamtumirë armë" e Ernest Hemingway

Ishte
8 korrik 1918. Përgjatë brigjeve të lumit Piave në Fossalta di Piave, Itali,
një djalosh 18-vjeçar nga Illinoisi i quajtur Ernest Hemingway, përjetoi një
natë tmerri që jo vetëm do të shënjonte trupin e tij, por do të ndryshonte
përgjithmonë kursin e letërsisë botërore.
I
mbushur me idealizmin e rinisë dhe i etur për të parë botën e për të përjetuar
aventurën e luftës, Hemingway i hodh si vullnetar si shofer ambulance për
Kryqin e Kuq Amerikan në frontin brutal italian.
Atë
natë vere, pranë linjës së parë të frontit, aventura u shndërrua në një makth
me ngjyra gjaku.
Gjatë
shpërndarjes së çokollatave dhe cigareve për ushtarët italianë në llogore, pa
asnjë paralajmërim, një predhë vieneze mortaje (Minenwerfer) shpërtheu me një
zhurmë shurdhuese. Shpërthimi tronditës mbushi ajrin me shrapnel. Më shumë se
200 fragmente metalike të nxehta u ngulën në këmbët e Hemingwayt. Jetën e tij
atë sekondë e shpëtoi trupi i një ushtari italian pranë tij, i identifikuar më
vonë si Fedele Temperini, i cili mori goditjen kryesore të shpërthimit dhe
ndërroi jetë menjëherë.
Pavarësisht
dhimbjes përvëluese dhe faktit se po i rridhte gjak me shumicë nga çizmet,
instinkti i Hemingwayt nuk qe vetëruajtja, por njerëzorja. Nëpër errësirë, ai
pa një ushtar tjetër italian të plagosur rëndë që stërmundohej për jetën.
Duke
refuzuar ta linte pas, adoleshenti e ngriti ushtarin mbi shpinë dhe nisi të
zvarritej e të lëkundej drejt postës më të afërt të ndihmës së shpejtë. Drita e
projektorëve armiq e pikasi lëvizjen dhe një breshëri mitralozi shpoi natën,
duke e goditur Hemingwayn edhe dy herë të tjera në këmbë. Ai nuk e rrëzoi
barrën e tij. Vazhdoi të ecte me vullnet të hekurt derisa arriti në vend të
sigurt, ku u shemb i humbur nga ndjenjat pikërisht pasi ia dorëzoi ushtarin e
shpëtuar mjekëve.
Për
këtë akt të jashtëzakonshëm guximi, qeveria italiane e dekoroi me Medaljen e
Argjendtë të Trimërisë Ushtarake (Medaglia d'Argento al Valore Militare).
Hemingway
mbijetoi pas muajve të gjatë rikuperimi në një spital të Milanos, ku iu
nënshtrua operacioneve të shumta për t'i hequr copëzat e metalit. Por plagët e
atij 8 korriku ishin më të thella se ato fizike. Djali që kishte lundruar drejt
Evropës i etur për lavdi u zëvendësua nga një burrë që e njihte mirë fytyrën e
vërtetë të luftës, bragullisjen e vdekjes dhe cenueshmërinë njerëzore.
Ajo
natë në lumë u bë bërthama emocionale e krijimtarisë së tij, duke frymëzuar
drejtpërdrejt kryeveprën e tij "Lamtumirë armë" dhe duke i dhënë
letërsisë atë stil të prerë, të zhveshur nga romantizmit i rremë, i cili u bë i
njohur si filozofi e jetës: "Bota i thyen të gjithë, por më pas, shumë
bëhen më të fortë pikërisht në vendet e thyera."
Kjo
foto është ajo që pasoi tmerrin, jeta që sfidoi vdekjen, përvoja e makthshme që
po merrte frymë zoritshëm në trupin dhe shpirtin e një të pathyeshmi që u dha
“Lamtumire armëve”.
Në
qendër të kësaj fotoje është Ernest Hemingway, oborrin e Spitalit të Kryqit të
Kuq Amerikan në Milano, Itali, ai sapo kishte mbushur 19 vjeç, i veshur me
uniformën e shoferit të Kryqit të Kuq Amerikan dhe duke u mbajtur në paterica
për shkak të plagëve të rënda në këmbë.
Ajo
është bërë rreth muajit gusht ose shtator të vitit 1918, pak javë pas plagosjes
së tij të rëndë më 8 korrik 1918 në frontin e Piaves.
Hemingway
po rikuperohej me shumë ngadalësi nga operacionet e njëpasnjëshme për heqjen e
më shumë se 200 copëzave të një predhe shpërthyese nga këmbët.
Është
kjo periudhë dhe ky spital në Milano ku Hemingway u dashurua me infermieren e
tij amerikane, Agnes von Kurowsky, e cila ishte 7 vjet më e madhe se ai. Kjo
histori dashurie e dështuar shërbeu si frymëzim kryesor për personazhin e
Catherine Barkley në romanin e tij "Lamtumirë armë".
Pavarësisht
tmerrit që kishte kaluar dhe dhimbjeve fizike, ai pozon me një buzëqeshje
sfiduese, një qëndrim që më vonë do të përcaktonte personazhin e tij publik si
"njeriu i fortë" përballe fatkeqësive.
Kjo
fotografi është një dëshmi vizuale ku adoleshenti aventurier nga Illinoisi u
shndërrua në veteranin e plagosur që do të riformësonte letërsinë e shekullit
XX.
Këtu
lindi "Lamtumire armë"(1929) që nuk është thjesht një roman mbi
tmerret e Luftës së Parë Botërore apo një histori e trishtë dashurie; ai është
një nga traktatet më të fuqishme ekzistenciale të letërsisë së shekullit XX.
Përmes
historisë së Frederik Henryt, të cilin Hemingway e brumosi nga përvoja e tij e
plagosjes në Itali, dhe Catherine Barkleyt, romani shpalos një seri temash të
thella filozofike.
Lufta
te Hemingway nuk është me fushëbeteja heroike apo ideale të larta kombëtare.
Ajo paraqitet si një makineri kaotike, absurde dhe pa kuptim.
Hemingway
përmes protagonistit refuzon fjalët e mëdha si "lavdi",
"nder", "sakrificë" apo "shenjtëri". Për Henryn,
këto fjalë janë abstrakte dhe të rreme, të vetmet gjëra reale janë emrat e
vendeve, datat dhe numrat e të vdekurve.
Heroizmi
nuk ekziston. Ushtarët vdesin jo sepse janë të guximshëm apo frikacakë, por nga
një rastësi e thjeshtë gjeografike, sepse një predhë qëllon të bie pikërisht në
llogoren e tyre.
Përballe
një bote kaotike dhe shkatërruese, njeriu kërkon një "strehë" ku mund
të gjejë kuptim. Për Frederikun dhe Katerinën, kjo strehë bëhet dashuria.
Të
dy personazhet përpiqen të ndërtojnë një realitet paralel, ku lufta nuk
ekziston. Dashuria e tyre funksionon si një lloj anastezie ekzistenciale ndaj
dhimbjes dhe absurditetit të botës së jashtme.
Dezertimi
i Henryt nga fronti pas tërheqjes dramatike nga Caporetto nuk është thjesht një
akt fizik, por një "paqe e veçuar". Ai i jep "lamtumirën
armëve" sepse kupton se lufta nuk është e tija, zgjedhja e tij
përfundimtare është jetesa e brendshme, jo e ardhmja e shteteve.
Filozofia
më e errët e romanit shpërthen në kapitujt e fundit. Hemingway na paraqet një
botë ku universi është plotësisht indiferent ndaj vuajtjes njerëzore.
Nën
një alegori të famshme, Henry kujton një trung druri që digjej në zjarr dhe
milingonat që vraponin pa krye. Ai mund t'u hidhte ujë për t'i shpëtuar, por
nuk e bëri. Ky imazh pasqyron zotin apo natyrën, një forcë që thjesht vështron
asgjësimin e njeriut pa ndërhyrë në ndryshimin e gjërave.
Bota
"i vret ata që janë të mirë, të ëmbël dhe të guximshëm pa asnjë
dallim." Vdekja e Katerinës gjatë lindjes nuk është ndëshkim moral, por
një fakt i ftohtë, i pashmangshëm natyror. Bota zbut të papërgatiturit duke i
thyer.
Përballe
këtij absurdi dhe kësaj Indiference të gjithësisë, si duhet të jetojë njeriu? Këtu
lind ai që kritika e quan "Heroi i Kodit Hemingway":
Edhe
pse njeriu e di që në fund do të humbasë, sepse vdekja është e pashmangshme, ai
duhet të mbajë dinjitetin, vetëpërmbajtjen dhe disiplinën deri në sekondën e
fundit.
Stoicizmi
i Frederik Henryt në fund të romanit, kur ai ecën vetëm në shi drejt hotelit
pasi Katerina vdes është manifestimi më i lartë i kësaj filozofie, paqe me
tragjedenë, pa histeri, duke pranuar heshturazi atë që nuk ndryshohet dot.
Filozofia
e "Lamtumirë armë" është jeta mes flakëve të ferrit të luftë, ku
kridhet dhe përpëlitet, përpiqet dhe fiton Ernest Hemingway. Te fjala dhe
mendimi, mesazhi dhe tregimtaria e këtij jetësimi, ekstraktohet vetëdijësimi,
se njeriu është i vetmuar në një botë të paanshme e shpesh mizore. Bota do t'i
thyejë të gjithë, por madhështia njerëzore nuk qëndron te fitorja mbi fatin,
por te aftësia për të dashuruar, për të gjetur kuptim individual dhe për të
qëndruar në këmbë kur çdo gjë rretherrotull është shndërruar në gërmallë.



