Albert Vataj: “Të dashuruarit e Mantovas”, përqafimi i neolitit që sfidon epokën e nanoshkencës
“Të dashuruarit e Mantovas”, përqafimi i neolitit që sfidon epokën e nanoshkencës

Është
e vogël, gati e papërfillshme, turma e atyre që ende guxojnë të besojnë në
dashurinë e përjetshme. Nuk është disfatizmi, as dëshpërimi i marrëdhënieve të
dështuara ajo që shuan këtë mit të lartë; është vetë rrjedha e përvojave
njerëzore që, duke shijuar më tepër se ç’duhet konsumimin e ndjesive,
përfundojnë duke e mbyllur rrethin me fjalën e fundit të zhgënjimit.
Romantikët,
këta endacakë të shpirtit, të cilët ne shpeshherë i vendosim në qiellin e
shtatë, nuk kanë arsye të zbresin në truallin e atyre që dyshojnë dhe prodhojnë
energji të errëta. Megjithatë, bota, herë pas here, ka qenë e ndriçuar nga
pulset e dashurive të mëdha. Romeo e Zhulieta, Tristani e Izolta, dhe një
galeri tjetër e ndjenjave të përjetshme, që nuk kanë humbur asnjë grimë
shkëlqimi në udhën e shekujve. Ata janë gjallëria e arsyes për të besuar tek ajo
që duket e pamundur: që dashuria mund të mos shuhet kurrë.
Dhe
ja, si një shenjë, një shfaqje që sfidon jo vetëm skepticizmin, por edhe kohën,
na del përpara “Të dashuruarit e Mantovas”, dy skelete njerëzore të përqafuara
në një përjetësi të heshtur, të zbuluara në një vendgërmim të periudhës së
neolitit, pranë Mantovas, në Italinë e veriut. Fotot e Enrico Pajello për
Reuters, të publikuara më 6 shkurt 2007, kanë mbetur një kumt i paharruar për
arkeologjinë dhe shpirtin njerëzor. Arkeologët besojnë se çifti është varrosur
5.000 deri në 6.000 vite më parë, dhe se veglat e armët e tyre personale, ende
të paprekura, shoqërojnë këtë përqafim që koha nuk e ka mposhtur dot.
Ky
zbulim nuk është thjesht një fakt shkencor; është një dorë e shtrirë nga një
epokë e largët drejt zemrës së sotme. “Të dashuruarit e Mantovas”, kështu i
quajti opinioni publik, u kthyen në një emblemë që shndrit mbi gjerdanin e
njerëzimit, një pasaportë e atyre që ende mbajnë gjallë kredon e dashurisë së
përjetshme. Përballë tyre, skepticizmi bie heshtur, ndërsa ëndrrimtarët e
ndjenjave të mëdha marrin guximin të thonë: çdo dashuri e vërtetë, çdo dashuri
e dlirë, e meriton të besojë në përjetësi.
Ky
përqafim i gurtë, i dalë nga thellësia e mijëvjeçarëve, është një testament që
tejkalon epokat dhe teknologjitë. Ai na kujton se, përtej laboratorëve të
nanoshkencës dhe përtej dyshimit modern, zemra njerëzore mbetet e njëjtë: e
aftë të dashurojë, të sakrifikojë, të ruajë në heshtje përqafimin e saj deri në
amshim.



