Albert Vataj: Nusja malësore, një ikonë e trashëgimisë shqiptare
Nusja malësore, një ikonë e trashëgimisë shqiptare

Fotot
e paraqitura në këtë kolazh të disavitshëm e shumëvendshëm, sjellin në sy,
ëndje, hir dhe adhurim, një univers estetik dhe ritual që e vendos nusen
malësore në qendër të një tradite shekullore.
Ato
nuk janë thjesht portrete dhe tërësi shprehëse të grave të veshura bukur, janë
dokumente vizuale të një bote simbolesh, rregullash dhe përfaqësimesh kulturore
që mbijetojnë përtej kohës.
Në
secilin imazh shohim një ansambël të plotë veshjeje, ku xhubleta me valët e saj
shkundullitëse, të njohura dhe të gjithëpranuara si visar i kësaj përkatësie,
bëhen sublime si thelbi i siluetës,, ndërsa mbi ta varen stolitë e shumta,
monedha argjendi, gjerdanë të trashë, kryqëza dhe simbolika kozmike të punuara
me dorë.
Këto
nuk janë vetëm zbukurime dhe ojna të spektaklit etnografik, por edhe gjuhë e
fshehtë që shpjegon statusin shoqëror, prejardhjen krahinore, dhe madje edhe
ndjenjat e një komuniteti për të bukurën.
Në
fotografi, çdonjëren ndër ta, spikasin disa elemente që përforcojnë solemnitetin
e nuses, si mbulimi i kokës. Mbulesat e bardha të qëndisura apo shamitë e zeza
me frëngji të hollë, që tregojnë një hierarki të përgatitjes rituale dhe një
ndarje mes botës së përditshme dhe asaj të sakralizuar deri në hymn.
Objektet
metalike gjithashtu. Rripat e trashë të argjendtë dhe stolitë në gjoks nuk janë
vetëm për zbukurim, por edhe amuletë mbrojtëse, pjesë e një sistemi besimesh që
kërkonte t’i largonte syrit të keq nuses.
Shprehja
e fytyrave te shumica e nuseve të fotografuara nuk buzëqeshin, jo nuk mund të
pozojnë të mikluara. Ky solemnitet është pjesë e ritit. Nusja ndodhej në një
pikë kalimi, ku qetësia e saj para aparatit ishte pjesë e një përqendrim
shpirtëror dhe etik.
Pozimi
në çift ose në grup në disa fotografi, nuset shfaqen së bashku, duke reflektuar
dimensionin kolektiv të ceremonisë. Martesa nuk ishte akt privat, por një
ngjarje që përfshinte gjithë fisin e komunitetin.
Nusja
përfaqëson jo vetëm veten, por edhe familjen, fisin dhe krahinën. Përgatitja e
saj është një akt moral dhe kolektiv, çdo qëndisje dhe stoli flet për kujdesin
e brezave, për mjeshtrinë e nënave dhe gjysheve, për lidhjen me traditën që nuk
mund të prishet.
Në
këtë kuptim, veshja e saj nuk është thjesht “estetikë”, por një fletë etike e
dukshme ku shprehen përgjegjësia, identiteti dhe krenaria.
E
bukura e këtyre veshjeve nuk është vetëm në dritën e ngjyrave apo në shndritjen
e metaleve; është një bukuri e strukturuar nga domethënia, ku çdo detaj është i
mbushur me simbolikë. Ky është një art që nuk kërkon vetëm të kënaqë syrin, por
të komunikojë një histori të gjatë e të ngjeshur, një elegancë që nuk mund të
ndahet nga konteksti kulturor.
Fotot
dëshmojnë se në Malësinë e Madhe dhe në Dukagjin, xhubleta dhe zbukurimet kanë
dallime të holla. Në njërën zonë dominojnë motivet florale, në tjetrën ato
gjeometrike apo kozmike. Stolitë ndryshojnë në formë dhe sasi, por në të gjitha
rastet shohim një kod të përbashkët që lidhet me besimet tradicionale,
paganizmin e hershëm dhe ndërthurjen me simbolikën kristiane më vonë.
Nga
këndvështrimi etnografik, nusja përfaqëson një kalim nga një gjendje në
tjetrën: nga vajzë në grua të martuar. Veshja e saj është një kostum i
tranzicionit, i cili mbart mbi supe jo vetëm bukurinë individuale, por edhe
shenjat e rolit të ri në shoqëri.
Në
kulturën shqiptare, nusja është shpesh përfaqësim i unitetit familjar, por edhe
një figurë e shenjtëruar që bart me vete shpresën për vazhdimësinë e fisit. Në
këto fotografi nuk shohim vetëm një individ, por një ikonë të një kohe ku arti
i punës me dorë, kujdesi për detajin dhe respekti për traditën ishin gurët
themelorë të identitetit kulturor.
Në
mënyrë të veçantë, nusja malësore është një mozaik i gjallë simbolesh:
Një
kujtesë e trashëgimisë iliro-shqiptare.
Një
dëshmi e një etike komunitare që i jep vlerë punës, mjeshtërisë dhe bukurisë.
Një
shfaqje e një estetike të përtejshme, që nuk kufizohet në modë, por shtrihet në
një dimension ritual dhe sakral.
Fotot
që kanë ardhur deri në ditët tona, shumë pret të cilave më shumë se të një
shekulli më parë janë më shumë se një arkiv vizual, ato janë një thesar
kulturor që tregon se si përmes nuses, shoqëria shqiptare ka ditur të kodojë veten,
të shfaqë më të bukurën dhe më të shenjtën në një akt solemn. Nusja malësore
nuk është vetëm një grua e zbukuruar, ajo është një poezi e veshur, një ikonë e
gjallë, një kujtim i gjeneratave të tëra që e panë bukurinë jo si diçka të
rastit, por si një mision kulturor.



