Vlash Prendi: Kur dashuron shpirti
...KUR DASHURON SHPIRTI
-
Mendime rreth vëllimit poetik “Ngjyrat e shpirtit” të poetit të njohur Llesh
Ndoj -

Kohët
e fundit doli nga shtypi libri më i ri i poetit të mirënjohur Llesh Ndoj
“Ngjyrat e shpirtit” në të cilin shihet qartë se tashmë poeti në vëllimin e tij
të trembëdhjetë me poezi ka sjellë para lexuesit një konsolidim të vlerave
ideoartistike, duke pasur kurdoherë në fokusin e saj vlerat emocionale dhe
realitetin e sotëm. Poezia e tij, kohë pas kohe ka ardhur duke u rritur, duke
forcuar karakterin kombëtarë, frymën popullore dhe pasqyrimin e realitetit të
sotëm, mbështetur në jetën e gjallë. Kjo arritje e poetit në këtë vëllim poetik,
tregon qartazi se poeti është bazuar në pasurimin e mjeteve të shprehjes
emocionale, përdorimin me vend të vlerave poetike duke transmetuar tek lexuesi
emocione të thella dhe në shumë raste edhe kenaqësi shpirtërore.
Poezitë
e këtij vëllimi, janë një deshmi e qartë e talentit të lindun dhe forces
sintetike dhe shpirtërore të këtij poeti, pasi edhe tematika e tyre është mjaft
e gjërë dhe e pasur, qëndrimi i poetit ndaj realitetit të sotëm ngjan me
dallgët e detit here të qeta dhe të buta, e here të trazuara plot shtërngata
dhe fortune. Kështu, i gjithë materiali poetic përshkohet nga shqetësimi i
natyrshëm i poetit për shumë dukuri negative që shihen dhe jetohen në ditët e
sotme. Diku poeti shprehet: … Një lot më sillet rrotull mbi një re të zezë, / Një
kengë më ngacmon shpirtin që nuk vdes. / Kë të zgjedh unë, / lotin apo
këngën?... dhe e thellon mendimin poeti duke na argumentuar me vargje të
gjetura artistikisht në perputhje me realitetin qe po jetojmë: … Më kot e
mundoj veten t’a zgjidh këtë dilemë, / Ndoshta për të gjithë jetën të dyja
rreth do t’i kemë. Poezi të tillai sjellin freski dhe ngjyrim të ri poezisë
sonë dhe janë pergjithësisht një menyrë efikase për të mbajtur qëndrim kritik
ndaj realitetit të sotëm.
Në
shumicën e poezive të përfshira në këtë vëllim, autori ka ndjerë nevojën e
shprehjes së mendimeve dhe ndjenjave duke perdorur mjeshtërisht gjuhën e vet
poetike, me të cilën komunikon bukur me lexuesin. Kjo ndodh sepse poeti ka një
kontratë morale me lexuesin, shkruan sipas shijeve dhe gjuhës së thjeshtë të
tij, prek zemrat e lexuesëve she në një fare menyre “qanë hallet” e lexuesëve
duke ngritur artistikisht problemet dhe shqetësimet e tyre. Në këto poezi
gjallon një botë e tërë mendimesh dhe ndjenjash që kërkon të pasqyrojë në çdo
varg realitetin e sotëm, për të cilin poeti synon të mbajë një qendrim kritik.
Ja si shprehet poeti tek poezia”Ç’ti bëj…”: Kjo kohë e shurdhët / të flet e
s’të dëgjon / të merr e s’të jep, / të shtrydh e përqesh / n’paudhësi të fton.
/ Me turbulencat e saj, / përmes vetëtimash / si Krishtin, t’kryqëzon. / -
Ç’t’i bëj? / Çirrem dhe bërtas më kot, / shtegut të fatit tim ec gjurmëlehtë /
kohën mos t’a lëndoj. / Por koha ime njerkë me zjarr më prushoi. / Dua t’i ik,
s’më le, / dua t’i shmangem udhën m’a zë! / I them asaj: - Shëndet! / - Plaç!,
- ajo m’a kthen… Ashtu siç kuptohet, në paraqitjen e fenomeneve të realitetit,
veç problemeve shoqërore, ka edhe problem personale, që duke i trajtuar me aq
seriozitet, marrin përmasa shoqërore. Pikërisht këtu, në origjinalitetin e
trajtimit të çështjes, në thellësinë e zbërthimit të karakterit të
personazhëve, dhe shprehjen me nivel të vlerave artistike, qëndron vlera e
vërtetë e poezisë.

Poezia
e Llesh Ndojt karakterizohet nga mendimi dialektik, dinamizmi i brendshëm,
shpirti luftarak dhe fryma polemike, gjë qe ka ndikuar fuqishëm, jo vetëm në
zbulimin e karaktereve të personazhëve, por edhe në pasqyrimin e botës
shpirtërore të vetë poetit, që shpesh herë identifikohet poetikisht me
personazhet dhe mishëron kompeksitetin e zhvillimeve të sotme ekonomike,
psikologjike dhe ideologjike, prandaj ai tek poezia “Do të luftoj me shpirt”,
shprehet: Do t’luftoj me shpirt / retë t’ia pastroj qiellit, / që dashuri e
Huyt / t’mbërrij si rreze e diellit. Do luftoj me shpirt / ferrat t’ia heq
udhës, / që rrezja shkëlqimtare e Hyut / dritë t’i lëshojë kullës…. Do luftoj
me shpirt / t’a gjej unë vetveten, / pjesëz e kësaj bote, / tu e shijue jetën.
Në kendvështrimin tone, vargje të tilla ngjallin përfytyrime emocionale dhe
ndjenjën e përpjekjeve për të luftuar me shpirt ndaj dukurive negative që
shfaqen random në jetën e përditëshme në ditët e sotme.
Një
dukuri tjetër që vihet re në krijimtarinë e poetit të mirënjohur Llesh Ndoj,
është edhe mbështetja në krijimtarinë gojore popullore. Shumë poezi në këtë
vëllim, janë ndërtuar sipas stilistikës poetike popullore, duke i dhënë veprës
bukurinë dhe hijeshinë e gurrës popullore. Vargje të tilla janë të zakonshme në
krijimtarinë e poetit Llesh Ndoj, sepse gjatë periudhave të histories,
krijimtaria folklorike mishëruar aspiratat e popullit, ka promovuar gjininë
krijuese dhe ka konkretizuar shijet estetike dhe ndjenjat shpirtërore të
autorit. Janë disa poezi që kalojnë natyrshëm në stadin e kengës, të cilat kanë
lindur nga gurra e frymëzimeve të pashtershme popullore, e cila ka ushqyer me
bukurinë e saj masat e gjëra popullore.
Shohim një krijim për poetin e shquar Gjokë Becin, legjendën e krijimeve
folklorike shqiptare: Guri “Gjon” sot e shton dritën / Një poet drite paska datëlindjen,
/ Drita mbërrinë tu i ba ball territ, / Jetë merr n’vargun e Gjok Becit. / Qe
poet, me fjalë dritësimi / Vargjet e tij porsi dritë dielli, / I kënduan dritës
e të vërtetës / Lotë gëzimi halleve të jetës. / Nuk ndal kanga në at’ Valmor /
As s’e ndal rrjedhën Uraka, / Në datëlindje t’Gjokës tone / Kuptim tjetër merr
edhe fjala. / Çdo fjalë vargu një metaforë / Çdo varg kange, ushtar jete, /
Kangë e tij, jetën frymëzon, / Vetëtimë qiellit ai i shkrepte…. Të tillë
tingëllim melodik kanë edhe kengët kushtuar shkrimtarit të shquar prof. Anton
Nikë Berishës, apo kengëtarit të njohur Kastriot Kola.
Nuk
di pse në këto çaste, kur po hidhja këto mendime modeste për librin më të ri me
poezi të poetit Llesh Ndoj, m’u kujtua një pasazh i shkrimtarit të shquar
Dhimitër Shuteriqi, i cili kur po shkruante për jetën dhe veprën e Çajupit,
shkruan: ”Jam duke i shkruar këto rrjeshta majë një shkëmbi të Mirditës dhe ku
dy palë oxhakë fabrikash, që shkrijnë e rafinojnë bakrin e nentokës shqiptare i
japin peizazhit diçka, që nuk e ndjej në asnjë shkrim të Çajupit. Prap një
atmosferë çajupjane më duket se më rrethon. Jo sepse e di se atje matanë bregut
bie ndonjë fyell i lashtë, jo sepse poshtë mbi xhade janë duke kaluar dy nuse
veshur me xhokë dhe me djep në krah, po sepse këtu është një vend trim edhe
krenar, si labëria që i kendoi Çajupi…”. Ja, këtu e gjejnë frymëzimin poetët.
Detaje të tilla kanë frymëzuar ndër vite edhe poetin Llesh Ndoj, i cili vijon
të na japë vepra me nivel artistik dhe të kënaqi shijet artistike dhe estetike
të lexuesit. Suksese poet!


