Gjon Marku: Njeriu që mbante gurin e rrufesë
Njeriu që mbante gurin e rrufesë

Nata e Krishtlindjeve kishte ardhur e ftohtë, por e bardhë. Një
borë e pastër, sa vetë bardhësia, mbështillte gjithçka. Nëna e plakur e me
trupin e rënduar, si të mbante mbi shpinë gjithë kullën tonë të vjetër, kishte
marrë tim bir për dore dhe ishte drejtuar për në katin e parë të kullës, ku
digjeshin në oxhak disa kërcunj lisi të thatë e prushi skuqte rrasat e gurta.
Ne të
gjithë ishim ulur rreth tavolinës dhe prisnim të vinin ata të dy, pra, nëna, që
i kishte kapërcyer të nëntëdhjetat, dhe im bir, që ishte më i vogli i shtëpisë
e që as nuk donin t'ia dinin për ne. Prisnim që të ziheshin edhe ato dy karrige
boshe: ajo që gjendej në krye të tavolinës, ku do të ulej nëna ime, dhe një
tjetër në fundin e saj, ku do të ulej im bir. Ata nuk po vinin, edhe pse ime
bijë kishte zbritur disa herë shkallët e kullës e i kishte thirrur të vijnë.
Nëna, ulur
në karrigen e vjetër të gdhendur prej tim eti, që sipas saj ishte karrigia ku
ajo ishte ulur kur kishte zbritur prej kalit e kishte nusëruar në këtë shtëpi,
në anën e oxhakut i rrëfente tim biri historinë e legjendës së kalit të bardhë.
Ndërsa im bir, ulur në një stol me tri këmbë gjithashtu të gdhendur prej
babait, dëgjonte me gjithë vëmendje.
Ne
prisnim, ndërsa ata as që donin t'ia dinin... Minutat kalonin. Kështu që unë u
ngrita, zbrita shkallët e drunjta të kullës e hyra në dhomën ku ishin ata.
- Nënë, - iu drejtova.
- Prit! - qe fjala e saj e prerë, sa unë nuk munda
të vijoj më tej. Ndërsa im bir, që ishte përqendruar tek ajo, mërmëriti:
- Trego, gjyshe, trego.
Edhe pse
në tavolinë ishin të gjithë, motra e vëllezër, nipa e mbesa, nuk pata kurajë të
flas më gjatë, kështu që mora një prej shkëmbinjve të drunjtë dhe u ula e
fillova të dëgjoj edhe unë historinë që i tregonte nëna ime tim biri.
...Lugjet
ulërinin kobshëm, ndërsa ai ecte pa ndarë drejt bjeshkëve, vijoi nëna.
Shkëndija shkrepte moti, e një re e zezë hidhej e përdridhej nëpër qiell. Atyre
anëve thoshin se ai e kishte shpirtin e tij në palcën e gurit, në zemrën e atij
shkëmbi të bardhë, ku prej motesh buronte një gurrë.
Ai ecte,
veç ecte e nuk ndalej, mal më mal e fushë me fushë, krojeve e lugjeve. Kishte
ecur me ditë e me muaj, me vite kishte ecur, pa ndarë, në shi e në breshër, në
vapën që digjte, në acarin që të ngrinte. Tamam atëherë, kur nata mbërrin në
pikun e vet, ai ishte gjetur në majën më të lartë të atyre anëve, ku ajo re e
zezë murrashe e mbështillte majëmalin me një mjegull të zezë, mbushur me pika
uji. Ai nuk ishte tutur, po me dorën e tij e kishte shkulur prej shtatit të
asaj reje të zezë kokrrën e rrufesë. Eh, moti kishte kohë që ishte çmendur;
përrenjtë e lumenjtë vërshonin me një ujë të turbullt e vrullshëm, duke marrë
me vete gjithë ç'gjenin përpara. Detet ishin tërbuar e dallgët i ngrinin të
egra.
Reja e
zezë, e madhe e murrashe, që deri atëherë kishte triumfuar mbi gjithçka, e
prrojeve u kishte dhënë një tërbim të paparë, ishte shpërndarë. Prej qielli një
kalë i bardhë, si bora e maleve, kishte zbritur e ishte ndalur para tij. Prej
gurrës në zemër të shkëmbit të bardhë, uji kishte filluar të buronte i pastër
si një kristal.
Ishte
mesnatë, por njeriu që tashmë mbante me vete gurin e rrufesë shihte në terrin e
verbër të natës pa hënë e pa yje. Ai ecte pa u lagur në shiun e furishëm të
asaj reje, që frikshëm turrej majave e prrojet i mbushte me jehonë. Bishat e
bjeshkëve i tuteshin njeriut që mbante me vete gurin e rrufesë. Ulkonjat e
pushonin ulurimën e heshtnin anëve ku ecte e shkelte këmba e tij. Vapa e gushtit
nuk e digjte, por i jepte freski, si uji i gurrave që buronin në rrasën e
bardhë të shkëmbit. Hapat i hidhte të mëdhenj, mal më mal e maleve mbillte
bardhësi.
Kurrë nuk
e kisha dëgjuar nënën time të tregonte këtë histori, edhe pse ajo netëve të
dimrit, aty në dhomën me oxhak, na tregonte histori e përralla pa fund, derisa
më zinte gjumi. Historitë dhe përrallat e saj kishin qenë ndoshta më të shumtat
për mua, jo vetëm se isha i fundit i fëmijëve të saj. Kurrë nuk më kishte
rrahur, e rrallë më qortonte për ndonjë prapësi.
...Ai
njeri, i mbështjellë me një shark të bardhë, ecën maleve, e ngado që vete,
shpërndan veç bardhësi. Sonte duket se ka kaluar këtyre anëve, biri im, vijoi
ajo historinë e saj. Ai zemrën e ka të mirë e fluturon hipur mbi kalin e tij të
bardhë maleve, duke luftuar të ligën, të keqen, biri im, ai e ka zemrën të
bardhë. E liga s'ka çfarë t'i bëjë, se s'e mposht dot, s'e përul e s'e përgjunj
dot, ai ka kokrrën e rrufesë.
- Hajdeni, - u dëgjua zëri i sime shoqeje, diku në
korridorin e katit të dytë të kullës. - Hajdeni, se kemi një orë që po ju
presim.
- Prisni, se erdhëm, - kisha thënë unë kësaj here,
pa mundur t'ua ndërprisja në mes bisedën djalit tim, që ishte më i vogli i asaj
shtëpie të madhe, dhe nënës.
Afro dy
muaj më vonë, në fund të shkurtit, nëna ime ndërroi jetë. Një borë e bardhë
kishte mbuluar gjithçka, e pasi e kishim varrosur trupin e saj të pajetë, ishim
kthyer në kullën e vjetër. Im bir kishte zbritur në dhomën e madhe me oxhak,
rrinte në dritare dhe vështronte borën që binte e bardhë, e bardhë, dhe qante
lehtë.
-Zbrit në dhomën poshtë e merru me djalin, - më
tha ime shoqe, - se ai nuk i bindet askujt, vetëm qan dhe vështron nga dritarja.
Unë zbrita
shkallët e drunjta të kullës e rashë në katin e parë të saj.
Im bir
dënesej në dritare dhe vështronte përjashta borën që binte. Zhabllima e hapave
të mi ia kishte tërhequr vëmendjen dhe ishte ngritur në këmbë e më ishte hedhur
në krahë, duke më përqafuar fort.
- Ah, - kishte lëshuar një dënesë fëmije, - të kisha
pasur kokrrën e rrufesë e t'ia jepja gjyshes, që të mos e zinte vdekja!
Mendja më
shkoi tek legjenda e kalit të bardhë, që e shalon njeriu i veshur me një shark
të bardhë, që mban gurin e rrufesë.
Një natë
më vonë, në qiell kishin dalë yjet. Im bir prapë nga dritarja vështronte
përjashta, mos shihte kalin e bardhë që e shalon njeriu që mban gurin e rrufesë.
Sa herë
shkojmë të çojmë lule atje tek varri, në përvjetorët e saj, bie një borë e
bardhë, e djali im gjithnjë përmend burrin e mbështjellë me një shark të bardhë
të legjendës, që shalon një kalë të bardhë, ndërsa vetë ai mban gurin e rrufesë.


