Paulin Zefi: Kisha e Shën Gjinit, monumenti që i dha emrin Shëngjinit

1h më parë

Kisha e Shën Gjon Pagëzorit, e njohur më së shumti si Kisha e Shën Gjinit, është monumenti që në vitin 1336 i dha emrin njërit prej qyteteve më turistike të Adriatikut, "Shëngjinit"

Nga Paulin Zefi

Kjo kishë e stilit romano-gotik, me një vazhdimësi historike që shkon deri në Antikitetin e Vonë, siç dëshmojnë edhe gjetjet arkeologjike (qeramika), u hodh në erë me dinamit gjatë regjimit komunist. Sot, pas më shumë se tre dekadash demokraci, ajo vazhdon të mbetet një rrënojë. Përveç çlirimit të territorit nga vegjetacioni dhe gërmimeve të pastrimit që kam udhëhequr në vitin 2014 (vullnetarisht), deri më sot nuk është ndërmarrë asnjë ekspeditë arkeologjike dhe, aq më pak, një projekt serioz restaurimi apo rindërtimi. Shëngjini numëron sot mijëra biznese, të mëdha e të vogla, që zhvillojnë aktivitetin e tyre në Shëngjin, Kune dhe Rânën e Hèdhun. Mjafton që secili të kontribuojë me një shumë tepër simbolike dhe kisha nga e cila qyteti mori emrin e tij mund të ringrihet sërish në këmbë. Kisha nuk gëzon status mbrojtjeje nga Shteti Shqiptar dhe është nën administrimin e Dioqezës së Lezhës. Ruajtja e trashëgimisë kulturore nuk është vetëm një detyrim institucional dhe, në rastin konkret, as vetëm përgjegjësi e Dioqezës së Lezhës. Ajo është një përgjegjësi e përbashkët që kemi ndaj historisë sonë, identitetit kombëtar dhe brezave që do të vijnë.


Foto ilustruese, të cilën po e publikoj për herë të parë, i përket vitit 1971