Gjekë Gjonaj: Historia kombëtare - një e drejtë ende e mohuar për nxënësit shqiptarë në Mal të Zi

Historia kombëtare - një e drejtë ende e mohuar për nxënësit shqiptarë në Mal të Zi
Padrejtësi që vazhdon

Mësimi i historisë është e drejtë themelore
Historia
është një nga shtyllat kryesore mbi të cilat ndërtohet identiteti i një populli.
Përmes saj brezat e rinj njohin rrënjët e tyre, zhvillimet historike, figurat
kombëtare, sakrificat dhe vlerat që kanë formësuar identitetin e tyre.
Pikërisht për këtë arsye, e drejta për të mësuar historinë kombëtare është një
e drejtë themelore arsimore, kulturore dhe njerëzore, e garantuar nga
standardet dhe konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të pakicave.
Megjithatë,
nxënësit shqiptarë në Mal të Zi, edhe sot në një sistem që deklarohet
demokratik dhe multietnik, vazhdojnë të mos e gëzojnë plotësisht këtë të
drejtë. Ata nuk kanë mundësi të njihen në mënyrë të plotë dhe sistematike me
historinë e popullit të tyre, sepse tekstet mësimore të historisë nuk e
pasqyrojnë atë në masën që kërkojnë nevojat arsimore dhe identitare.
Tekstet ekzistuese dhe
boshllëku i historisë kombëtare
Tekstet
mësimore të lëndës së historisë për klasat VI–IX të shkollës fillore dhe klasat
I–IV të gjimnazit janë hartuar nga autorë joshqiptarë dhe botuar nga Enti i
Teksteve dhe Mjeteve Mësimore në Podgoricë, me miratimin e Ministrisë së
Arsimit të Malit të Zi.
Sipas
historianëve dhe mësimdhënësve të kësaj lënde, këto tekste nuk përfshijnë një
pjesë të konsiderueshme të ngjarjeve më të rëndësishme të historisë kombëtare
shqiptare. Historia e shqiptarëve paraqitet në mënyrë të kufizuar, fragmentare
dhe shpeshherë pa kontekstin e nevojshëm, duke lënë jashtë shumë procese
historike, personalitete dhe periudha që kanë rëndësi të veçantë për formimin e
vetëdijes kombëtare të nxënësve.
Si
rrjedhojë, brezat e rinj shqiptarë në Mal të Zi diplomojnë me njohuri të
pamjaftueshme për historinë e popullit të tyre, për luftërat e tij shekullore,
për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar, si dhe për figurat që
kanë lënë gjurmë në historinë shqiptare.
Një çështje identitare
ende e pazgjidhur
Mohimi
ose kufizimi i së drejtës për të mësuar historinë kombëtare nuk është thjesht
një problem pedagogjik. Ai prek drejtpërdrejt të drejtën identitare të një
komuniteti autokton.
Shqiptarët
në Malin e Zi janë popull autokton dhe
pjesë e pandashme e historisë së këtij shteti. Pikërisht për këtë arsye,
mungesa e përmbajtjeve të mjaftueshme nga historia kombëtare në tekstet zyrtare
përbën një mangësi serioze, e cila nuk përputhet me standardet demokratike dhe
me detyrimet që burojnë nga konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut
dhe të pakicave kombëtare.
Një
shtet demokratik nuk matet vetëm me ligjet që miraton, por edhe me mënyrën se
si garanton zbatimin praktik të të drejtave të qytetarëve të tij.
Premtimi i parealizuar
për 20 për qind histori kombëtare
Vite
më parë, Ministria e Arsimit e Malit të Zi premtoi se tekstet e historisë për
shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe do të përmbanin rreth 20 për
qind përmbajtje nga historia kombëtare shqiptare.
Ky
premtim u mirëprit si një hap i rëndësishëm drejt korrigjimit të një
padrejtësie të kahershme. Megjithatë, sipas mësimdhënësve dhe ekspertëve të
historisë, ai nuk u realizua në praktikë.
Për
më tepër, nuk u sqarua asnjëherë se në çfarë forme do të realizohej ky 20 për
qindësh: nëse do të integrohej në tekstet ekzistuese, do të zhvillohej përmes
njësive fakultative apo do të mbulohej me materiale plotësuese?! Kjo paqartësi
bëri që problemi të mbetej i pazgjidhur edhe pas shumë vitesh.
Një iniciativë që
plotëson boshllëkun e madh
Pikërisht
për shkak të mungesës së historisë kombëtare në programet mësimore, një grup
historianësh, pedagogësh dhe ekspertësh morën përsipër një nismë me rëndësi të
veçantë.
Grupi
punues, i përbërë nga Dr. Nexhat Avdiu, Mark Junçaj, Sabit Kurti, Jetmira
Sella, Endrit Cuca, Tomë Lucaj, Dom Nik Ukgjini dhe Ismet Kallaba, me
mbështetjen e bashkëpunëtorëve institucionalë, hartoi dhe botoi dy tekste
plotësuese shkollore me titull "Historia
e Shqiptarëve", një për arsimin fillor dhe një për arsimin
e mesëm.
Këto
botime janë rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve
dhe Shtëpisë Botuese “Albas”, me synimin për të plotësuar boshllëkun e krijuar në programet
ekzistuese të historisë.
Tekstet
përmbajnë njësi mësimore të përzgjedhura nga historia kombëtare shqiptare dhe u
ofrojnë nxënësve mundësinë të njihen me ngjarjet, figurat dhe proceset
historike që deri më tani kanë munguar ose janë trajtuar sipërfaqësisht.
Vetëm fillimi i një
procesi të domosdoshëm
Botimi
i këtyre dy teksteve përbën një hap shumë të rëndësishëm, por nuk është
zgjidhja përfundimtare. Ato nuk mund dhe nuk duhet të mbeten vetëm materiale
ndihmëse. Qëllimi i tyre duhet të jetë integrimi institucional në procesin
mësimor, përmes miratimit nga institucionet kompetente shtetërore dhe
përdorimit të tyre në shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe.
Vetëm
në këtë mënyrë nxënësit shqiptarë do të kenë mundësi të mësojnë historinë që u
takon, historinë e popullit të tyre, të qëndresës shekullore për ruajtjen e
gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar, si edhe të njohin personalitetet që
kanë kontribuar në historinë shqiptare.
Një përgjegjësi e
përbashkët
Realizimi
i kësaj të drejte nuk mund të mbështetet vetëm mbi përpjekjet e një grupi
autorësh apo të një institucioni. Ai kërkon bashkëpunimin serioz të të gjitha
subjekteve politike shqiptare, historianëve, studiuesve, mësimdhënësve,
institucioneve arsimore, Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve dhe, mbi të gjitha,
institucioneve shtetërore të Malit të Zi.
Kjo
nuk është vetëm një çështje arsimore. Është një përgjegjësi kombëtare dhe
qytetare. Vetëm përmes dialogut institucional dhe vullnetit politik mund të
sigurohet që nxënësit shqiptarë të mësojnë historinë kombëtare nëpërmjet
teksteve të miratuara zyrtarisht dhe të përdorura në procesin e rregullt
mësimor.
Koha për veprim, jo
vetëm për premtime
Dy
tekstet plotësuese "Historia
e Shqiptarëve" tashmë janë botuar dhe janë përuruar para
opinionit publik. Ato përfaqësojnë një punë serioze shkencore dhe pedagogjike
dhe dëshmojnë se ekzistojnë kapacitetet profesionale për ta plotësuar këtë
boshllëk.
Tani
ka ardhur koha që këto botime të mos mbeten në raftet e bibliotekave apo në
sirtarët e institucioneve shtetërore. Është momenti që ato të shndërrohen në
pjesë të procesit të rregullt mësimor dhe të hapin rrugën për hartimin e
teksteve të reja, të balancuara dhe gjithëpërfshirëse të historisë.
Kjo
nuk është një kërkesë politike dhe as një privilegj për shqiptarët në Malin e Zi. Është realizimi i një të drejte
elementare: që çdo fëmijë të ketë mundësi të mësojë historinë e popullit të
vet, të njohë rrënjët e identitetit të tij dhe të ndërtojë të ardhmen mbi
njohjen e së kaluarës.
Sepse
një shoqëri demokratike nuk mund të ndërtohet mbi harresën e historisë së një
pjese të qytetarëve të saj. Ajo ndërtohet mbi njohjen, respektimin dhe
përfshirjen e barabartë të historisë dhe identitetit të të gjithë popujve që e
përbëjnë atë.


