Gjon Marku: Amaneti i babait

Tregim nga Gjon Marku
Ishte
buzëmbrëmje. Prej lumit ngjitej ngadalë, si një plak i lodhur, muzgu. Bora
kishte mbuluar gjithçka me vellon e saj të bardhë. Era frynte si një ulkonjë e
plagosur dhe shungullonte nëpër pemët rreth shtëpisë sonë. Unë kisha shumë
frikë dhe strukesha pranë tim vëllai, ndërsa nuk guxoja ta hidhja vështrimin
nga dritarja, prapa së cilës errësira mundohej ta mbështillte me petkun e natës
bardhësinë e pastër. Baba mori një latushë të madhe, e vendosi mes këmbëve dhe
nisi ta limonte. Era fërshëllente rreth shtëpisë, shkulte ndonjë tjegull dhe e
përplaste përtokë. Tri motrat, të futura nën një postahe leshi pranë
njëra-tjetrës, nuk bëzanin - vetëm më e vogla, Lira, mërmëriste nganjëherë
emrin e nënës në gjumë, si të kërkonte të sigurohej se ishte ende afër. Nëna
vente e vinte nëpër dhomën e vogël si e hutuar. Ajo kishte kundërshtuar që
babai të shkonte roje natën, por nuk kishte mundur t'ia ndërronte mendjen. Sa
herë ai largohej nga shtëpia, një e keqe e pashpjegueshme sikur sillej rreth
shtëpisë sonë buzë lumit të vrullshëm. Im vëlla vështronte prushin në oxhak, me
duart bërë grusht njëra mbi tjetrën dhe mjekrën mbështetur mbi to.
Nëna
mori një pjatë me groshë dhe një kokër hudhër. Pasi i vendosi mbi tavolinën e
vogël, ia afroi babës. Ai e ndau copën e bukës përgjysmë dhe e vendosi në cep
të oxhakut të rreshkej. Nuk fliste. Askush nuk fliste.
Në
raftin e vogël pranë oxhakut, nëna nxori filxhanët, xhezven, kutinë e kafes dhe
të sheqerit e nisi t'i ziente kafen babait.
- Ha, - iu drejtua ajo. - U bë vonë.
Baba
e hodhi vështrimin nga ne dhe pa se e shihnim ngultas, herë atë, herë pjatën
gjysmë plot me groshë, të paprekur.
- Jepu fëmijëve të hanë, se duket...
Nëna
nuk foli, ndërsa Lira mërmëriti diçka në gjumë. Ai e ndau copën e rreshkur të
bukës më dysh dhe na e zgjati. Pastaj shtyu drejt nesh pjatën me groshë dhe,
pasi përtypi një kafshatë buke, afroi edhe tavolinën. Në sytë e vëllait pashë
një kokërr loti të ngrirë. Ai e shikonte babën pa lëvizur, ndërsa baba na lutej
të hanim.
- Hani, ju pastë baba, se duhet të flini
tash.
Por
ne nuk prekëm asgjë.
- Po ti ha për vete, se ua bëj unë
fëmijëve, - tha nëna.
Ai
mori filxhanin e kafes dhe me një frymë e piu të gjithin. U ngrit dhe doli. Ne
e përcollëm deri në oborr. E vuri latushën në lakun e krahut dhe, nëpër terr,
kapërceu kthesën, prej nga nuk mund ta shihnim më.
Kur
nëna u fut brenda, mua më kishin zënë të dridhurat e një frike të pazakontë dhe
strukesha gjithnjë e më pranë vëllait të madh, i cili nuk ishte veçse katër
vjet më i madh se unë; pra, edhe ai ishte ende fëmijë.
Që
kur ishte djegur shtëpia jonë, jetonim mjaft keq. Ishim detyruar të
strehoheshim në atë kasolle të vogël me thupra e dërrasa. Pikërisht aty, atë
dimër të parë në kasolle, kishte ndodhur edhe një tjetër hata. Edhe atëherë
kishte qenë një natë furtune. Binte një shi i rrëmbyeshëm dhe lumi, në fund të
arës, dukej sikur do të përpinte gjithçka. Baba kishte shkuar, si zakonisht, në
punë, ndërsa nëna rrinte pranë djepit të vëllait të vogël, që përpëlitej në
luftën mes jetës dhe vdekjes. Sa lot kishte derdhur ajo atë natë të gjatë
fundvjeshte, ndërsa shiu binte pa pushim. Çatia pikonte pothuajse në çdo cep.
Edhe batanija e leshtë, me të cilën ishin mbuluar tri motrat pranë oxhakut,
nxirrte avull nga nxehtësia e zjarrit, por nuk thahej kurrë, sepse mbi të binin
vazhdimisht pika shiu.
Nëna
e merrte djepin dhe e lëvizte nga njëri cep në tjetrin, në përpjekje për të
gjetur një vend ku shiu të mos binte mbi trupin e njomë të vëllait të vogël.
Lehtë i prekte ballin, ofshante dhe mërmëriste një lutje që Zoti ta shpëtonte,
të paktën derisa të kthehej baba.
- E kujt t'i bëzaj unë, e mjera, - thoshte
me vete.
Shtëpia
më e afërt ndodhej më shumë se gjysmë ore larg. Që kur ishte martuar, nëna e
kishte pasur gjithmonë frikë lumin. Sa herë ai fryhej nga ujërat, zemra i
mbushej ankth.
Më
kishte kapluar një gjumë i rëndë, por nuk e di as vetë se si, mes një ëndrre të
keqe, u zgjova diku pas mesnate. Pashë se nëna jo vetëm nuk kishte fjetur, por
qante me dënesë, ndërsa qepte me ngut diçka në një copë bezeje të bardhë. U
tmerrova kur e pashë të shkulte dy e nga dy fijet e flokëve, t'i përdridhte
bashkë, t'i fuste në gjilpërë dhe të qepte mbi bezen e bardhë.
Ajo
ndaloi. Trupi i vogël në djep nuk lëvizte më.
Nxori
nga djepi trupin pa jetë të vëllait tim dhe e veshi me ato rroba të reja, që i
kishte qepur gjatë gjithë natës, duke përdorur si pe fijet e flokëve të saj.
Mundohesha të shihja nëse flokët i ishin rralluar. Pasi e vendosi vëllanë në
një krevat, nisi të vajtonte me fjalë e me dënesë.
Vëllai
i madh brofi në këmbë dhe iu hodh në qafë. Pastaj të dy ia dhanë të qarit. Baba
nuk po vinte. Ishte nata më e gjatë e jetës sime, nata kur pashë gjëra që nuk i
kisha parë kurrë dhe përjetova një frikë të pazakontë. Aty u bë edhe mortja e
vëllait tim, në shtëpinë tonë prej druri, pranë gërmadhave të shtëpisë së
djegur.
Që
nga ajo ditë, baba ishte bërë tjetër njeri. Ishte heshtur si një gur varri dhe
ishte plakur para kohe. Sa herë kthehej nga puna, merrte në krah vëllanë e
vogël dhe luante gjatë me të, pastaj merrej me ne. Kurrë nuk na ngrinte zërin.
Gjatë netëve gdhendte lodra prej druri dhe herë ia dhuronte njërit, herë
tjetrit. Ne i kishim pothuajse të gjitha kafshët e pyllit të gdhendura nga dora
e babës. Motrat kishin secila nga një zog të vogël prej dëllinje; time motër më
e madhe, Age, e kishte varur të sajin te koka e shtratit, si kanarinë roje.
Menjëherë
pas mortit të vëllait, baba kishte thënë se shtëpia jonë e djegur duhej
rindërtuar, tri kate ashtu siç kishte qenë.
- Po me se? - ia priste nëna.
Ajo
këmbëngulte që ai të mos shkonte roje, por baba përsëriste gjithnjë:
- Fëmijët po heqin keq në këtë të
bekueme kasolle.
Prandaj
vendosi të shkonte përsëri roje, madje në kohën më të vështirë, në mes të
dimrit. Asnjëri prej nesh nuk e donte atë vendim. Edhe kur ishte djegur
shtëpia, baba nuk kishte qenë aty.
Ishte
një ditë vjeshte me erë. Baba kishte thirrur punëtorë për të mbledhur bereqetin
në arë. Me sa dukej, dikush kishte hedhur një cigare të pafikur mirë.
Fillimisht morën flakë mullarët pranë shtëpisë, pastaj zjarri përpiu gjithçka,
duke e bërë shkrumb e hi. Baba kishte shkuar të përcillte dy hallat, që jetonin
rreth një orë larg dhe kishin ardhur të na ndihmonin. Kështu u dogj gjithçka
dhe shpëtuan vetëm njerëzit.
Atëherë
baba e kishte afruar nënën pranë vetes dhe i kishte thënë:
-Ani,
grue, kalamajtë i kemi shëndoshë e mirë. Shtëpinë do ta ngremë prapë, edhe më
të mirë.
Pastaj
kishte marrë në krah vëllanë e vogël dhe e kishte ngritur drejt qiellit.
Por,
kur ai vdiq atë dimër në kasolle, baba sikur u kërrus e u plak brenda pak
ditësh. Zogjtë dhe kafshët e pyllit, që dikur i gdhendte me aq dashuri, i
harroi. U mbyll në vetvete. E megjithatë, atë natë, i tha nënës se do të
shkonte roje.
Kështu
filluan ditët e rënda. Dimri ende nuk kishte ikur mirë dhe pranvera nuk kishte
ardhur, kur baba u sëmur rëndë e mbeti në shtrat. Një kollë e thatë dëgjohej
deri jashtë shtëpisë, ndërsa ai tretej e shuhej ngadalë. Për afro shtatë javë
luftoi me vdekjen dhe nuk e pa më dritën e diellit. Pas kaq ditësh u ngjit nga
qyteti një mjek. I bëri disa mjekime, pastaj tundi kokën, sikur të thoshte:
- Është e kotë.
Ishte
e enjte, kur baba tha se ndihej më mirë dhe donte të dilte të shihte bahçen.
Dielli ndriçonte në qiellin e kthjellët të asaj buzëpranvere. Vëllai e mori
përdore dhe ecën ngadalë nëpër arat pranë shtëpisë. Baba i fliste me zë të
ulët, si të donte t'i linte diçka në zemër.
Në
mbrëmje nëna preu një gjel, por baba nuk hëngri asnjë kafshatë. Pas darkës tha
se donte të bisedonte vetëm me vëllanë e madh. Kur ai doli nga dhoma, po qante.
Baba nuk i kishte bërtitur; i kishte thënë diçka që e kishte rënduar, diçka që
vëllai nuk ma tregoi kurrë. Pastaj në dhomë hyri vetëm nëna.
Unë
u afrova te dera gjysmë e hapur dhe pashë se baba ishte shumë rëndë. Mezi
nxirrte ndonjë fjalë, pastaj e merrte kolla dhe prapë përpiqej të fliste.
Munda
të dëgjoja vetëm një fjali:
- Amanet fëmijët...
Pastaj
ra në një kllapi.
Nëna
vuri një kazan me ujë në zjarr, u shtroi tri motrave të flinin, pastaj edhe
neve. Vetë vente e vinte pa pushim, ndërsa nata kishte mbështjellë me terr
gjithçka.
Baba,
i shtrirë në krevat, në luftën e tij mes jetës dhe vdekjes, kishte filluar të
jepte shpirt. Më kishte zënë gjumi. Nuk pashë më asgjë.
Më
zgjoi e qara me ngashërim e vëllait.
Nëna
kishte nxjerrë të gjitha rrobat e babës: tirqit e bardhë dhe xhamadanin e kuq.
Me ngut qepte njw kops mbi këmishën e tij të bardhë. Mua mu kujtua ajo natw kur
dy e nga dy shkulte fijet e flokëve, i fuste në gjilpërë dhe qepte shpejt mbi
këmishë e vwllajt qw nuk ishte mw . Gjyshja thoshte se flokët nuk i tret dheu.
Brofa
në këmbë dhe u tura drejt krevatit ku dergjej baba. Nëna u ngrit menjëherë dhe
më kërkoi të largohesha. Pastaj thirri vëllanë e madh dhe i tha të më merrte në
dhomën tjetër. Ai qante pa pushim; edhe unë shpërtheva në vaj me gjithë fuqinë
që kisha.
Nuk
pashë më asgjë, veçse kur gjithçka kishte mbaruar. Babën e kishin veshur e
stolisur si dhëndër, për ta përcjellë në një jetë tjetër.
Bashkë
me grushtet e dheut i dhamë edhe lamtumirën e fundit babait.
Pas
varrimit njerëzit u kthyen në shtëpi dhe disa prej tyre u ulën për të ngrënë
bukë. Njëri pas tjetrit hynin djem të rinj me pjata gjysmë të mbushura me
groshë, i vendosnin para njerëzve dhe largoheshin për të sjellë të tjera.
Unë
dhe vëllai u pamë në sy dhe ia plasëm të qarit. Ai u ngrit, erdhi drejt meje,
më përqafoi fort dhe më largoi nga tavolina, larg asaj pjate që na kujtonte
natën kur baba na e kishte shtyrë drejt nesh me duart e veta. Pas nesh rendën
shumë njerëz. Ne vetëm qanim dhe nuk i flisnim askujt. Herë shihnim
njëri-tjetrin, herë pjatat gjysmë plot me groshë. Ata përpiqeshin të na
qetësonin, pa e kuptuar se çfarë na kishte copëtuar zemrën. Ndërsa ne, sikur të
mos ekzistonte askush tjetër, përqafoheshim fort me njëri-tjetrin dhe vetëm
qanim.
Erdhi
nëna, e veshur me të zeza si nata e dimrit. Ne, duke qarë, iu afruam dhe, të
mbështetur te njëri-tjetri, ia dhamë vajit. Atëherë nisi të dëneste edhe ajo.
Gjatë gjithë mortit nuk kishte derdhur asnjë pikë loti, sepse në anët tona
thoshin se ishte turp të qaje për burrin e vdekur.
Në
qiell ishte shfaqur ylli i parë i natës.
Ndoshta
ishte ylli më i ri.
Ndoshta
ishte ati ynë - dhe ndoshta amaneti i tij, ai që i tha vëllait atë mbrëmje dhe
që askush s'e mori vesh kurrë, ishte thjesht ky: të kujdesej për ne, ashtu siç
e kishte bërë vetë, në heshtje, deri në frymën e fundit.


