Hamza Halabaku: Takimi me Ibrahim Kadriun

2h më parë

TAKIMI ME IBRAHIM KADRIUN

Nga Hamza Halabaku

Nga data katër deri më datë dymbëdhjetë e dhjetorit të vitit 2016 isha në Prishtinë. Miku im, Shaban Bërbatovci, më kishte njoftuar me telefon se më 10 dhjetor 2016, në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë, në orën 12 bëhej promovimi i librit të mikut tonë Frrok Kristaj, me titull “Si e njoha Nënë Terezën”.

Pas promovimit, bashkë me Shabanin, Hazir Krasniqin e Gani Bajramin, gjetëm një kafeteri, të cilat tani në Prishtinë i ke me bollëk, për të kaluar një kohë së bashku, meqë kishte kohë që nuk ishim parë.

Pasi u çmallëm si miq të vjetër, u ndamë, se¬cili në drejtimin e vet. Unë, nga kafeteria, dola në rrugën “Agim Ramadani” të kryeqytetit dhe u nisa në drejtim të Mensës së Studentëve. Kur arrita afër Men¬sës së Studentëve, aty ku kryqëzohen rruga “Agim Ramadani” dhe rruga “Eqrem Çabej”, si me përtesë mora rrugën përpjetë, drejt lagjes “Bregu i Diellit”, pasi ajo përpjetëze më dukej si kafshatë e madhe për moshën time.

Derisa isha duke udhëtuar, po i sistemoja për¬shtypjet nga takimi që e realizova me miqtë e mi dhe kjo më duket se ma shkurtoi rrugën dhe m’u duk se sa çel e mbyll sytë, arrita në kryqëzimin tjetër, pra e kisha kaluar Sallën “Një Tetori”. E kalova edhe këtë kryqëzim dhe mendoja se tani e kam më të lehtë, sepse arrita gati në drejtim të Furrës së bukës “Qerimi II”.

Isha plot humor, se duket që më ishte plotë¬suar lutja e çdo mëngjesi, kur zgjohem nga gjumi, që i madhi Zot të më takojë me njerëz të mirë. Në atë moment, para meje u ndal një veturë e vogël “Pezho” me ngjyrë të kuqe. Nga vetura doli shkrimtari ynë i madh, Ibrahim Kadriu, i cili ka shumë vjet që po na i plotëson bibliotekat tona me tituj të rinj e me përmbajtje të mrekullueshme, për çka nuk po mbetet i pavërejtshëm as nga ata që merren me vlerësime dhe dhënie të çmimeve prestigjioze për letërsi, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri.

Pasi doli nga vetura e më përshëndeti me një ngrohtësi shumë miqësore, Ibrahimi më fali romanin e tij më të ri, voluminoz, “Misioni rus”, botim i Shtëpisë botuese “Faik Konica” dhe atë me poezi, me titull shumë domethënës për aktualitetin tonë në Kosovë, “Teatri Kosovë”, botim i së njëjtës shtëpi botuese.

U gëzova shumë për dhuratat e asaj dite. E fal묬nderova dhe e përqafova Ibrahimin për së dyti. Tani edhe me më shumë ngrohtësi dhe dashuri!

Iu afrova dritares së djathtë të veturës dhe u përshëndeta edhe me zonjën e Ibrahimit. Edhe atë e urova për botimet e Ibrahimit. E di se edhe ajo në një mënyrë ka kontributin e saj për punën që po bën poeti i guximshëm, shkrimtari i palodhur, romancieri i zëshëm, kronistit kreativ e symprehtë, Ibrahim Kadriu.


Ibrahim Kadriu, Hamza Halabaku dhe Adem Shala

Nuk e di a e di Ibrahmi se ai është shkrimtar i të gjithë shqiptarëve, por i familjes sime, gjithsesi. E them këtë, se të gjithë titujt e tij, sapo i lexoj unë, presin në radhë edhe bijat e mia për t’i lexuar. Më kujtohet, kur e kam lexuar, menjëherë pas botimit, librin “Kapërcimi i ujit të madh”, bija ime e pestë, Ida, mezi që priste ta merrte e ta lexonte këtë roman.

Kur e kishte përfunduar Ida, leximin unë isha në Nuremberg. Më telefonoi dhe më tha: “Babi, çka të bëj tani, librin e lexova dhe disi m’u duk se shumë shpejt iu harxhuan faqet! Ishte libër i mrekullueshëm. Thuaj axhës Ibrahim, do ta kisha lexuar deri në pafund!”