Eduard A. Skufi: Vileta e lypesit fisnik

2h më parë

VILETA E LYPESIT FISNIK

Kujtime

NGA DR. EDUARD A. SKUFI - ATHINE

Si çdo njeri, ai e jetonte realitetin e asaj kohe, me shpresën në ëndërrime. Veç ëndërrimet e atij të gjori, rendnin prej qoshes së rrugës, ku fati  e vendosi  të lypte, e deri tek  lëmosha  e  adhuruar. Kur një gjest bujarie mund  ti ndriçonte jetën, “njeriut stacion”, qoftë dhe për pak, një  kënaqësi, jo vetëm atij që e merrte, por   dhe  atij  që e ofronte. Udhëtimi i brendshëm me ëndërrën, ishte biografia e fshehtë e çdonjërit, ku në rendjen pas ëndërrës gjente ngushëllimin. Ndonëse  ato  mbeteshin    fshehura,  ku  ndeshnin  në  murin e arsyes, por nuk shuheshin... Ajo për të u kthye në një destinë    imponuar, si një  konstante e pakthyeshme, të cilës duhej  ti përkulej. Një pritje  pa  mbarim, në shi e ngricë, mbi një copë kartoni, për një mrekulli në përmasa të vogla, nga dikush me zemër të madhe. Ku jeta duhet të drejtonte shkëlqimin e dritës  dhe mbi  shpirtin e brengosur, mbi  atë  “kristal  të  thyer”, që të vetmin shok kishte varfërinë. Veç ai dallohej nga lypësit e tjerë, si nga fiziognomia dhe  nga  mirësjellja, jo vetëm nga prezantimi i tij i rregulltë, por kryesisht nga “përmbajtja”. Ishte si një romancë joshëse, megjithëse  e  dhimbshme, që të  bënte  ti   riktheheshe.

Ndërmend më erdhën fjalët e La Fontaine “Më mirë një lypës i gjallë, sesa  një perandor  i  varrosur”...

...Thuhej se ishte pinjoll i një familje aristokrate  me  kulturë  dhe tradita. Kishte pak ditë që kishte dalë nga burgu, pasi kishte refuzuar të lironte ndërtesën neoklasike, ku  ai jetonte dhe që  në vazhdim, u vendos gjykata  e rrethit. Kështu përfundoi  i  pastrehë, në skamje  dhe  nga  disa  njerëz, i  përbuzur.


Vështrimi  që  vret

Vitet e rinisë i kishte kaluar në  Romë,  si  student i La Sapienza-s, ku dashuria rinore e pa fre, i frenoi  rrugën  e formimit  universitar. Mandej në krahët e një jete mondane,  mes luksit  dhe dëfrimeve, sakrifikoi  pjesën  e  pasurisë së mbetur. E filloi duke  shitur gjithçka  me  vlerë, si shandanë, lugë e pirunj argjendi, deri në komplete  pjatancash e  kristale veshur floriri dhe libra të çmuar. Nga fraku dhe papijoni, Koli, kështu quhej, përfundoi në lypës, me  një pallto  të  çngjyrosur  dhe  një  borsaline  të  shformuar. Nga pamja e mëparshme i mbeti, shikimi i ëmbël i syve gri, buzëqeshja  e  politesës dhe sjellja e veçantë, fisnike, por flokët e  bardha, të  gjata  dhe  mjekra  e  tejrritur  ja  ndryshuan  portretin.

Ai ishte misterioz, enigmatik, mbase i heshtur, me kokën ulur dhe kur e ngacmonin dhe e fyenin djemuria, vetëm buzëqeshte, vinte pëllëmbën e dorës mbi gjoks, në një falenderim pa fjalë. Shpesh mbante në dorë një libër të vogël  dhe here pas here e shfletonte, me  vështrimin  nga  qielli. Çuditërisht “paneli” i tyre përbëhej  nga intelektualë që kishin studjuar në Kembrixh, Sorbonë, apo Romë, por deziluzioni  me  ngarkesat psikologjike  i vendosi atje...

na ime e njihte mirë prejardhjen e Kolit, kështu sa herë që gatuante diçka të mirë, më dërgonte tek qoshja e pazarit, pranë hotel restaurant “Myzeqesë”, ku ishte strofka e tij, për tja çuar. Unë i hipja biçikletës time, ngjyrë vishnje “Shkollnik”, vendosja në skarë pakon dhe shpejt ndodhesha pranë tij. Ai e merrte, e duke më falenderuar, më thoshte, Oh, Edisoni që gjeneron dritë, çapkëni Çipollino, apo “il corriere della generosità”, mandej nxirrte nga xhepi pak lekë të holla, të mi jepte, por unë  kurrë  nuk  i mora, ndjeja  njëfarë  keqardhje për të. Ndërkaq thërriste Mirushin aty pranë, një vogëlush simpatik si topolino, lipës dhe ai, më një këmbë dhe patericën  si  këmbë  të  dytë, duke e ndarë ushqimin  sëbashku  me  të.

Ata kërkonin pak, shumë pak, një copë bukë dhe një buzëqeshje mirësie. Ikonë që më ngjallte fragmente nga “Kori i lypësve”, tek “Pagliacci” i Leoncavallos. Tashti që e rimendoj, Koli më linte dhe imazhin e asketikut, në vetmohim, një “hije” me  shumë dritë, nga i cili kishe diçka të mësoje. Figura e tij nuk përmblidhet në pak rreshta, sado të pasura qofshin. Ai mundohej ti jepte asaj jete modeste, disa çaste të gëzuara, pasi e dinte se, lumturia mbetej  për  të,  një  ideale  në abstraksion. Kjo ishte epifania, brendësia ishte diçka tjetër, që ai nuk e shfaqte, e fshihte  duke  e  ripërtypur  me  trishtim...

Sa herë e shikoja më kujtohej Lushkovi, “Lypësi” i Çehovit, me magjinë  dhe fuqinë  transformuese    dhëmbshurisë, apo  shndërrimi   në  sensin  metaforik, në  lypës, i  Mbretit  Lir”.

Një ditë shiu duke kaluar në rrugën pranë tyre, instiktivisht ktheva kokën dhe pashë vetëm siluetën e Kolit dhe Mirushin pranë, të cilit i kishte hedhur mbi supe pallton e tij, lypësit e tjerë ishin larguar. Prane tyre Zamira, piktorja e vogël, me një laps skaliste  në  letër  portretin  e  tyre, e  me  mjeshtëri  i  përjetësonte.

Ju afrova dhe u lashë çadrën, por ai nuk e pranoi. Fjalët që më tha më shoqërojnë dhe sot: “Gabimet në jetë paguen. Vlerat njerëzore dhe suksesi, jo gjithmonë përkojnë. Shpesh endja për të kapur ëndërrat dhe për të arritur suksesin të grabit kohën, që mund ti kushtosh vlerave. Kështu njeriu  humbet  dhe  vlerat  dhe  rrugën  e  suksesit, i mbetur  në  udhëkryq. Jeta më mësoi tangon e saj të heshtur, pa muzikë, pa romantizëm, dy hapa para dhe një hap mbrapa”...I shikoja ato portrete,ato skulptura të ngujuara në rrugë, ndërsa piklat e shiut vijëzonin mbi fytyrë, si  një  lotim i  pareshtur i fatit. Mbeti për pak i menduar dhe pas një psherëtime vazhdoi, “Kur ishin kishat, kishim dhe strehë  dhe  bukë, me  mbylljen  e  tyre  dhe  perëndia  na  braktisi”...

Ai ishte një iceberg në oqeanin e jetës, dukej i ftohtë dhe i heshtur, me një buzëqeshje sarkastike, ku  fshihej  një  kulturë  e veçantë, në një enigmë  interesante. Jeta e kishte përbaltur, rrënuar, me shformim të figurës njerëzore, por e rruante me thonjë, atë pak  dinjitet. Jetonte ironinë e fatit, në atë procesion fantazmash, veç pasioni e shtynte për ta sfiduar atë. Slogani i tij  filozofik, që shpesh e përsëriste ishte “Destina nuk është shancë, është  zgjedhje, nuk është  diçka  për të cilën duhet  pritur, është  diçka për  t'u  arritur”...

Mesazhin e jetës ai e kishte marrë, në atë realitet të kudondodhur psikotik, një teatër  absurd, ku njerëzit zvarriteshin, fshiheshin mbas një maske. Një maskë e vinin nga porta e jashtë, tjetrën nga porta e brënda. Ishin bërë qënie të dyfishta ose më tepër, të shtresëzuara, që edhe po ti fragmentoje, qëndronin të gjalla, por nuk  dije  cila  pjesë ishte  e  vlefshme,  apo  kush  ishte  e  vërtetë!

Kur  dilja  nga  shkolla  një ditë, Koli më salutoi me dorë, nga “streha” e tij. Ju afrova dhe ai me kujdes, më futi një libër në çantë, duke më thënë: “Ky është mësuesi më me vlerë. Mos harro se Neroni, tirani romak dogji bibliotekën madhështore bashkë me Romën, për të ndërtuar  më vonë “Casa d'oro”, dhe  kjo i  kushtoi shumë, por Neroni ka lënë dishepuj”... Syri më kapi titullin, “L'arte di ottenere ragione”, Edizione italiana 1933, Arthur Schopenhauer. E përmendni në shkollë Schopenhaurin, më pyeti. Si emër...ju përgjigja. Ai nuk priti ta përfundoja frazën dhe shtoi me ironi, kur  ta  analizosh dhe  si  “mbiemër” do ti kuptosh vlerat.


Lypësi  fisnik  dhe  Dama Pik

I hodha në borsalinon e kthyer përmbys pak të holla, e duke u larguar  dëgjova  disa  herë emrin  tim, por  unë  kisha  ikur...

Ata tipa ishin personazhe të atij deliri grotesk, të jetës urbane të qytetit tonë. Çdonjeri prej tyre mbarte historinë dhe batutat e tij, anekdotat  dhe  portretin e  tij    veçantë. Fatin e tyre tashmë e nënshkruan perënditë e “vetdeklaruara”, ku djalli fshihej tinzar, i veshur    detaje.

Ishte një mënyrë të jetoje kohën dhe jashtë kohën, duke u endur  netëve, në fletët e “Urës së psherëtimave”, një romancë joshëse e cila na mbante zgjuar, me dashurinë, që përpiqej të mbizotërojë mbi gjithçka, krahas “Martin Iden”-it, asaj autobiografie ku M.Iden, me përpjekjet pasionante të vetëedukimit, shpresonte të inkuadrohej në elitën letrare, ndërsa disa të tjerë flinin me “Si u kalit çeliku”-n. Dhe në  ato  përshkrime  gjenim  mjaft  personazhe  nga  jeta  jonë,    na  frymëzonin  ose  jo...

Festa e 1 Majit mbas kremtimit, na gjeti me tufa lulesh në dorë, duke shëtitur. Kur po kalonim pranë strofullës së tij, pashë një grumbull njerëzish që e kishin rrethuar. Kurioziteti më shtyu të shkojë atje. Koli ndeshej në një loje me letra me Dritën, një vajzë e hedhur, e lirë, në një bukuri provokuese, me një kurorë lulesh mbi  gjoks, që  e  thërrisnin  “Dama Pik”.

Në momentin që loja po zhvillohej, Koli reagoi me forcë, pasi vuri re të fshehura  disa letra, nën kurorë, në gjoksin e të resë. Kështu do të më fitosh, ti nuk qënke Dama Pik, por Dama intrigë, i tha, i inatosur. Ajo u skuq në fytyrë dhe  menjëherë u largua. Mua mu kujtua novela interesante e Pushkinit, që frymëzoi Çajkovskin. Disa të rinj që ishin përreth, thirrën “Bravo, xha Koli, ja bëre si inspektor Zhaveri apo si Zhan Valzhani, mbase në këtë mënyrë, ajo na  ka  fituar  dhe  neve”.

...Kështu kaluan ditët, vitet me dëborë e shi dhe Koli tashmë i plakur mbeti besnik, i harruar aty në qoshen e tij, me ritualin e përditshëm, me sytë nga qielli dhe dorën e shtrirë  nga njerëzit, por mirësia në fytyrë nuk ju shua. E mbulonte fuqia e heshtjes, ajo hapsirë ku llogjika ishte tepër e pranishme, në rezonim me lirinë e brendshme. Sa më thellë vendosej në orbitën e tij, aq më shumë     i largohej orbitës të së tjerëve. E lodhën reagimet emocionale impulsive, ai teatër i poshtërimit, donte të mbetej më pak “i disponueshëm” dhe  i  ekspozuar...

Një mbrëmje kur isha mjek roje në spital, sollën Kolin të traumatizuar. Nga krahu e mbante Mirushi, djaloshi me një këmbë. Fytyra e zbehtë e Kolit skicohej, mes rrëmbash gjaku. E mjekuam, i bëmë dhe disa  sutura, unë e shikoja me keqardhje. Ai kur u  qartësua, sapo më pa buzëqeshi,“Dr.Edi më tha, më pruri zoti tek ty, me goditën disa të paudhë, pasi më morën ato pak lekë të mbledhura. Lakmia për para të merr peng  llogjikën. Filozofia antike na mësoi një të vërtetë të madhe se jetën e shkruajnë zotat, ne  vendosim  vetëm  emrin,  por  fatin  kurrë”...Fliste  heshtja,  ne

ndërkohë thirrëm Dr.Myrzabegun, dermatologun, për një infeksion që kishte i gjori në lëkurën e qafës. Mbasi ai  e vizitoi me mënyrën e tij, duke i  ekzaminuar vendin me një shkop të hollë druri, Koli nuk e la pa e komentuar me humor: “Po ky doktor, me shkopin e dirigjentit viziton”, ne të gjithë qeshëm. Para se largohej Koli, unë i vura, në një qeskë disa medikamente e garza dhe ja dhashë. Ai i kënaqur shprehte mirënjohjen, duke  na  falenderuar  me  përulje.


Portreti  i  përgjakur  i  Lypësit

Mbas pak kohe duke kaluar pranë asaj rrugice, vura re se lypësit ishin zhdukur, mungonte ajo mizaskenë e dhimbshme e “zotit të dhashtë”. Kishte vetëm disa pëllumba, që gjurmonin ndonjë thërrime  buke    mbetur...

Ishte pragu i përvjetorit të çlirimit, në universin e lirisë së thyer dhe ajo ikonë duhej fshirë, ose të paktën duhej fshehur,  sepse cënonte “imazhin e sukseseve”. Kështu dhe Koli i dha asaj jete, një lamtumirë të përkohëshme, duke kërkuar strehën diku tjetër. Ecte në mbrëmje, në shoqërinë e  një vargu të sajuar...“mora rrugën për qabé, isha vetëmë”, me një zë që dilte nga thellësia e shpirtit...Në  skelë, pranë  detit, sytë  i  vajtën  tek  një  bunker. Ah, e gjeta tha me vete. Në kohën që futi kokën për të parë,u dëgjua një zë, në diksionin frëng “Monsieur, est occupée”, pardon Toli, ju përgjegj Koli i buzëqeshur, pasi vuri re mbas qiririt të ndezur  portretin  e Tol Francezit, shoku i    njëjtës  destinë, dëshmitar  brënda  dramës.


Vileta  e  lypësit  fisnik

“Monsieur, Më solle imazhin e J.P.Sartre, por pa llullën e pa strabizëm”, sigurisht pa Simone de Beauvoir. Oh, kompliment,  Ndërsa ti zotni, më kujton imazhin, e “fabrikuar”, aq delikat të A.Camus, tek L'Homme révolté, shtoi Koli. Toli qeshi dhe sarkastik, vazhdoi, “Kurse ti, je prerje ideale e Sizifit me...“Si la vie n'a pas de sens, pourquoi vivre”. Ato  replika  kulture të “lypsave    rrugës”, u  mbyllën  me  një  Ciao...

Më tutje tek turizmi, pa një tjetër bunker, u gëzua dhe ju afrua, në çast dëgjoi një zë nga brënda,...Ore, nuk shikon çfarë po bëj?, mesa dukej atë e kishin kthyer, në tualetë  publike. Ju afrua bregut të detit, freskoi fytyrën me pak ujë dhe vazhdoi  kërkimin. Në Ujin e ftohtë, mbi një kodër, pa një bunker tjetër më të madh,…mbase është e treta e vërteta, pëshpëriti, u fut brenda, ishte bosh. Faleminderit o zot, që më ndihmon, tha me vete dhe vendosi në qoshe, çantën  e  vjetër    shpinës, e  vetmja  dhuratë  e  mbetur.


Kisha  e  fshehur    bunker

Nga jeta në rrugë, në jetën me një dritë shprese, qoftë dhe modeste, tashmë ai po kalonte nga pragu i reales, në imagjinaren më të mundshme. Bota tani nuk po i dukej aq e mjegulltë dhe mizore, e perceptonte  si  një  lloj  bekimi  mes  anatemimit. Filloi pastrimin e bunkerit, kur dëgjoi një zë “Çfarë bëni atje, është zonë ushtarake”! Mos, mor fatzi, po tani, tha me vete, me një zë të thyer. Ndërkaq ju afruan dy ushtarë, ata i kërkuan letrën e njoftimit. Koli ja u dha, i mbetur pa fjalë. Ata biseduan në telefonin që kishin, me eprorin e tyre  dhe  mbas  pak, ju  përgjigjën  se  mund    qëndronte. Djersët e ftohta të ankthit, u zëvendësuan nga një hare e pafund. Sytë ju mbushën me lotët e sfidës së madhe. U bëra me strehë, tha mes emocionesh, “vileta  ime e  dashur  mbi det”! Paska dhe për Sizifin e gjorë, pak fat, belbëzoi, duke bërë kryqin dhe vazhdoi punën. “Ah, Habitati  ideal  i njeriut  pa strehë”, tha. Lumturi në një bunker, paradoks     i kohës, apo paranoja  e  iluzionit. Niçja thoshte se “lumturinë e kemi shpikur”. Dhe për mua nëse ajo ekziston, është një ndijesi emocionale  tranzitore, e  pakapshme , mbase  dhe  tinzare ...

Ushtarët herë pas here i binin ushqim dhe ja linin tek hyrja e bunkerit, të cilën e mbulonte me një derë të vogël me dërrasa. Aty pranë mblidhte prakalidhe, lakra të egra dhe ndonjë portokalle e limon, nga pemët përreth. Kërkoi nga ushtarët, një fotografi të udhëheqësit, të cilën e vendosi me qesëndi, në qendër të bunkerit. E përdori këtë trik, pasi në anët e bunkerit kishte ngulur me gozhda, ikonën e Krishtit dhe disa shënjtorëve, të cilat i maskonte me rrobat që varte mbi to, pra një “bunker kishëz”. Ajo ishte hipoteka  e  shpirtit    tij,    brengosur.

Diku gjeti një karrige të vjetër dhe e përshtati në tavolinë të vogël, ku hante dhe vendoste  mbi  të, një  qiri  mbështetur, në  një  guackë  deti. Si një shprehje  e  dashurisë për  jetën, por  dashuri  pa  dhimbje  nuk  kishte...

Atë mbrëmje erdhi dhe oficeri, i cili i ofroi disa monedha. Kur lypësi po afrohej, ai i hodhi përtokë. Koli u shtang, mandej  i ulur në gjunjë i  kërkonte  ato me dorë, pasi i gjori  nuk  shikonte  mirë, sytë  e  tij  tashmë  shikonin  mes  tingullit.  Oficeri i ngërdheshur, i shtynte më tutje ato me këmbë dhe lypësi i shkretë zvarritej, që ti kapte, ndërsa ai argëtohej: “Bravo, merri, merri”, shprehej në impostim fonetik. Lypësit, në përpjekje për ti gjetur, i ra nga qafa , pellushi Astrakhan  persian, kujtim i çmuar i  nënës. Mbasi i mblodhi, ledhatoi pellushin dhe me ton ironik i tha: “Faleminderit për bujarinë, qoftë dhe të prangosur...nga sadizmi”, fjalën e fundit  e përtypi  me  makth, nëpër dhëmbë, mandej u  largua i menduar. Ishte diçka që nuk meritonte vëmendje dhe për më tepër  përgjigje. Por  i fliste dinamika  e  ekzistencës, ku kufiri midis të mirës dhe të keqes bëhej i padukshëm. Flitej për vite të mbrapshta, por nuk kishte vite të tilla, njerëzit i bënin të mbrapshta, me praninë e të mbiquajturit “aksident historik“. Ata nuk e kuptonin, se  uria   nuk ishte  asgjë,  para  braktisjes   dhe   vetmisë,    ai   vuante!

Dikush qesh me mua që jetojë në bunker, akoma nuk e kanë perceptuar, se  bunkerin ata e mbartin me vete, mbi shpinë, mbi mendim mbi  gjithçka. Unë atë ndjenjë fetare, e kisha dëshirë të fshehur në shpirt, kështu  fati    ndihmoi  ta  realizojë, në  këtë bunker”, dialogonte  me  veten...

...Diku kishte lexuar se në Dusseldorf, një bunker pas luftës,e shndërruan në Sankt Sakrament, po kështu dhe në Nevers të Francës, një kishë përshtatur stilit fillestar të bunkerit, e kthyen në kishën e St.Bernadette, në “formën e një zemre”, duke mbetur simbol inspirimi dhe kurimi shpirtëror, që dëshmonte vazhdimin    e jetës, mbas një mbijetese. Arkitekti dhe filozofi francez Paul Virilio, në veprën e tij “Arkeologjia e një bunkeri kishë”, shkruante...Në këtë mjet mbijetese, jeta nuk është neutrale, u desh një përpjekje për ta bërë më delikate, por dhe më esenciale...   Këto monumente kulture mbetën pika referimi, për  memorjen  historike  e  vlerat  humanitare    vërteta  dhe  jo si   humanizëm  postmodern  “algoritmik”...

Kështu lypësi i gjorë, po bëhej pa dashur unikal, mbase e frymëzoi nervi poetik dhe filozofik i Dostojevskit, që vendosi në gojën e “Vëllezërve Karamazov” shprehjen  metaforike:...“ Nëse përpiqen ta  dëbojnë  zotin  nga  toka, ne  do ta  strehojmë  atë  nën  tokë”...

Kështu e përditshmja e lypësit fisnik, mori ngjyrat e një jete tjetër, ju rikthye optimizmi dhe dëshira për ta jetuar. Ai falenderonte zotin, në lutjet e tij, që i fali viletën, larg asaj bote të gënjeshtërtë, ku tani, çdo mëngjez  e zgjonin cicërimat e  zogjëve  dhe melodia e  dallgëve. Kishte hapur një  shteg, që e nxirrte në bregun e detit, aty  kalonte  orët  duke  peshkuar, i rendur    kujtime dhe në vështrimin  fluturues. Ajo që dukej  si  mallkim, mbase mund    ishte  maska  e  bekimit,  “detox”  i  jetës    tij.!

Mëngjezin e Theofanias, ai nuk u zgjua, mbeti mes ëndrrash, me pellushin e nënës  kurorëzuar. Dera e bunkerit nuk u hap  më, duke mbyllur  siparin e  asaj drame. Ai, si një personazh interesant i asaj kohe, figurë e dalë nga një tjetër epokë, iku me nostalgjinë e një  miku të mohuar, i humbur mes mendimesh të trazuara, mbasi piu me fund  gotën e hidhur të jetës. Ndonëse i braktisur, la  një  jetë mesazh, me energjinë e një vizioni të heshtur dhe ndriçimin e fundit të një shkëlqimi, ku  jeta i  fshiu  identitetin,  por  jo  fisnikërinë. Në atë skenë    fliste  me  modesti, se si mund  ta  prekje  dashurinë  dhe  dhëmbshurinë  për  njeriun  e  “thjeshtë”!

...Vërtet e kaluara nuk ndryshon, pulson brënda nesh, me tingujtë e  kujtesës, veç  të ndryshon  pa  e kuptuar.

Nuk di nëse konsiderohet si një prozë poetike, por dëshiroj të tingëllojë si “kantatë  homazh”, kushtuar atyre Njerëzve, si personazhe të asaj të zakonshme “të rëndomtë”, asaj “operete” rruge, e cila nuk mundi të  frenojë  cilësitë  njerëzore, mbase të  veçanta, ku  gjente  shteg  e  shfaqej  kultura  e  disave  prej  tyre...