Sadbere Emshiu: Dritoni – një dashni që nuk pati kohë me u jetue

2h më parë


DRITONI – NJË DASHNI QË NUK PATI KOHË ME U JETUE

Një shënim para rrëfimit

Nga Sadbere Emshiu

Ky shkrim është një rrëfim kujtese.

Nuk është gjykim për njerëz, familje, vendime apo rrethana të një kohe që nuk kthehet më.

Është ndërtue mbi rrëfime të përcjella ndër vite, kujtime, biseda dhe gjurmë që kanë mbetë në kujtesën e njerëzve që e kanë njohur atë kohë.

Për këtë arsye, disa hollësi mund të jenë kujtue ndryshe prej njerëzve të ndryshëm. Disa rrethana janë paraqitë në mënyrë të përgjithshme dhe disa hollësi janë ndryshue, pikërisht për me e ruajtë privatësinë e personave që mund të lidhen me këtë histori.

Ky shkrim nuk pretendon me qenë procesverbal i një kohe të shkueme dhe as paraqitja e vetme e mundshme e asaj që ka ndodhë.

Aty ku rrëfimi prek kujtime, ndjenja apo biseda që sot nuk mund të verifikohen me saktësi, ato paraqiten si pjesë e një kujtese dhe jo si fakte të pakundërshtueshme.

Askush nuk gjykohet këtu për fatin e Dritonit, për rrugën që mori jeta e tij apo për fatin e asaj dashnie.

Nuk kërkohen fajtorë.

Nuk kërkohet me gjyku askënd.

Nuk dihet sot çka kishte në zemrën e secilit që, në atë kohë, mori vendime apo u përfshi në jetën e tyne. Prandaj nuk është e drejtë që pas kaq vitesh t'u ngarkohen njerëzve qëllime që vetëm ata mund t'i kenë ditur.

Personat që shfaqen në këtë rrëfim janë pjesë e një historie njerëzore të ruajtun në kujtesë. Ata nuk paraqiten për t'u akuzue, paragjykuar apo dënuar.

Emrat dhe disa hollësi të rrëfimit janë përshtatë për me e mbrojtë privatësinë e personave të përfshimë.

Edhe personazhi i dashnisë së Dritonit nuk paraqitet këtu për me ia ndërhy jetës, familjes apo dinjitetit të saj. Ajo është pjesë e këtij rrëfimi vetëm aq sa kjo histori ka mbetë e gjallë në kujtesë.

Ky shkrim nuk pretendon me tregue të vetmen të vërtetë të mundshme.

Është vetëm një mënyrë me e ruajtë një kujtim.

Sepse ndonjëherë kujtimi nuk shkruhet për ta kthye të kaluarën, por për të mos e lanë atë me u zhdukë pa lënë asnjë fjalë.

Një kangë, një dashni e papërjetuar dhe një kujtim që nuk vdes

Ka kangë që nuk kanë nevojë për instrumente.

Kjo këndohet njëzëshëm, pa asnjë shoqnim tjetër, veç me za.

Ndoshta pikërisht për këtë prek ndryshe.

Kur nuk ka asgjë mes zanit dhe atij që e dëgjon, fjala vjen ma e pastër. Zani nuk fshihet pas muzikës. Mbetet vetëm, i thjeshtë, i zhveshun prej çdo përcjelljeje tjetër. Dhe bashkë me të dalin mallët, kujtimet e dhimbjet që kanë mbetë diku thellë në nesh.

Ka kangë që nuk dëgjohen vetëm me vesh.

Dëgjohen me kujtesë.

Dhe kjo kangë, për këdo që e ka lidhur me historinë e Dritonit, nuk është veç një këngë.

Është një kujtim.

Është një emën.

Është një jetë.

Është edhe historia e një dashnie që kishte nisë shumë ma herët se sa dy zemra të dinin ta quanin me emër.

Dritoni ishte prej atyne njerëzve që mbesin në kujtesë për urtinë, çiltërsinë dhe fisnikërinë e tij. Një bir i Tetovës, një njeri që la pas vetes një gjurmë të veçantë dhe që jeta nuk e la me e çue deri në fund rrugën e vet.

Por historia e Dritonit nuk asht veç historia e një njeriu që u largue herët prej kësaj bote.

Asht edhe historia e një dashnie.

Një dashnie që kishte nisë qysh në bankat e shkollës fillore, në vitet e para të fëmijërisë së vonë.

Atëherë nuk ishin dy të rinj.

Ishin dy fëmijë të së njëjtës moshë, rreth dhjetëvjeçarë, që po rriteshin bashkë dhe që, pa e ditur ende çka ishte dashnia, kishin filluar me e ndie njani-tjetrin në një mënyrë të veçantë.

Rrugët e Dritonit dhe të vajzës që lidhet me këtë histori kryqëzoheshin në farefisni, në mahallë, në klasat e shkollës, në oborrin e shkollës dhe në vendet ku fëmijët e asaj kohe kalonin ditët e tyne.

Ishte koha e viteve '70 dhe '80.

Një kohë kur fëmijëria kishte tjetër ritëm.

Kur mahalla ishte pjesë e jetës, kur farefisnia nuk ishte vetëm një emën, por një botë e tanë.

Kur oborri i shkollës, rruga, klasa dhe vendet ku kalonin fëmijët ishin pjesë e së njëjtës hapësinë.

Në atë botë u rrit edhe kjo ndjenjë.

Ndoshta askush nuk e kishte pyetë.

Ndoshta as ata vetë nuk dinin çka duhej me e quajtë.

Por ajo ishte aty.

Dhe, si shumë gjana që janë të vërteta, nuk kishte nevojë me marrë leje për me ekzistue.

"Pruga"

E veçantë ishte "pruga" – hekurudha pranë Tetovës së asaj kohe.

Edhe aty takoheshin.

Dritoni arrinte deri te "pruga" me biçikletën e asaj kohe, "Poni". Ajo vinte me biçikletën që ia kishte ble babai i saj.

Ishte një vend ku rrallë kalonte kush.

Pak jashtë qytetit.

Pak larg syve.

Një vend ku qetësia dukej sikur i mbronte.

Dhe pikërisht për këtë, "pruga" u ishte ba një prej atyne vendeve ku mundeshin me u pa pa shumë njerëz rreth e rrotull.

Takimet e tyne ishin të fshehta.

Tinzake.

Shkonin aty sikur po ruanin një sekret të madh, edhe pse ishin veç dy fëmijë që sapo kishin shkelë në moshën e pubertetit dhe po përjetonin një ndjenjë që ndoshta as vetë nuk dinin me ia gjetë emnin.

Ndoshta e dinin se atëherë askush nuk do ta kuptonte lehtë një ndjenjë të tillë mes dy fëmijëve.

Ndoshta e dinin se sytë e të rriturve do ta shihnin ndryshe.

Prandaj ishin të dy tinzakë.

Jo pse po bënin diçka të keqe.

Por sepse ajo që po ndienin nuk kishte ende një vend të lejuem në botën e të rriturve.

E kështu e ruanin njani-tjetrin.

I ruanin takimet.

I ruanin fjalët.

E mbi të gjitha, e ruanin atë ndjenjë që kishte nisë aq herët e që për ta ishte krejt e vërtetë.

"Pruga" u ba kështu një vend i vogël i fshehtë i dashnisë së tyne.

Dy biçikleta.

Njëra "Poni" e Dritonit.

Tjetra ajo që ia kishte ble babai i saj.

Dy fëmijë që vinin prej dy anëve të veta.

Dhe një takim që për të tjerët mund të mos kishte ekzistue kurrë.

Por te "pruga", ato pak minuta ishin krejt bota e tyne.

Aty nuk kishte nevojë për shumë fjalë.

Mjaftonte me qenë aty.

Me u pa.

Me u afru.

Me e ditë se tjetri kishte ardhë.

E pastaj secili kthehej në rrugën e vet, me atë sekret të vogël që vetëm dy zemra dinin me e mbajtë.

Ndoshta pikërisht për këtë "pruga" mbeti në kujtesë.

Sepse disa vende nuk bëhen të rëndësishme prej asaj çka janë.

Bëhen të rëndësishme prej asaj që ka ndodhë aty.

E për Dritonin dhe dashninë e tij, "pruga" ishte një prej atyne vendeve ku fëmijëria, pa e ditë ende çka po bënte, kishte fillue me marrë formën e një dashnie.

Dy fëmijë që flisnin me sy

Nuk kishte fjalë të mëdha.

Nuk kishte premtime.

Nuk kishte deklarata.

Kishte vetëm shikime.

Dhe ato shikime dukeshin sikur thoshin gjithçka.

Dritoni dhe ajo që zemra e tij kishte zgjedhur dukeshin sikur duheshin pa fjalë.

Flisnin me sy.

Me ato shikime të thella, të mprehta, tepër shpuese, që nuk ndaleshin vetëm te sytë, por depërtonin përtej tyre.

Një shikim i njanit e gjente tjetrin.

E ndjenja që përcillej përmes tij dukej sikur hynte thellë në shpirt, përshkonte krejt qenien dhe e rrethonte tjetrin pa e prekë.

Ishin pranë edhe kur nuk thoshin asgjë.

E kuptonin njani-tjetrin edhe në heshtje.

Ndonjëherë mjaftonte vetëm një shikim.

Një kthim koke.

Një buzëqeshje e vogël.

Një çast që për të tjerët mund të mos kishte asnjë kuptim, por për ta mund të thoshte një botë të tanë.

Kështu, dalëngadalë, fëmijëria u rrit.

U rritën edhe ata.

Dhe bashkë me ta u rrit edhe ajo ndjenjë që kishte lindur aq herët, pa zhurmë e pa dëshmitarë.

Më vonë, kur filluan me shkëmbye edhe fjalë, ato fjalë ishin të pakta.

Një nga një.

Të rralla.

Të kursyeme.

Por sa shumë mund të thotë një fjalë kur dy njerëz tashma e kanë mësue gjuhën e heshtjes!

Dukej sikur ishin lidhë mish me kockë.

Nuk kishin nevojë me folë gjatë për me u kuptue.

E ndienin praninë e njani-tjetrit edhe pa emocione të shprehuna hapur.

E ndienin atë që nuk thuhej, atë që mbetej pezull mes fjalës dhe heshtjes.

Ata dinin me folë edhe pa fjalë.

Dinin me u ndie edhe pa i shprehë ndjenjat.

E ma vonë, kur nisën edhe me shkrue, letrat nuk ishin veç fjalë të shkrueme në letër.

Ishin vazhdim i asaj gjuhe që kishte nisë qysh në bankat e shkollës.

Një gjuhë që nuk kishte nevojë me u mësue, sepse zemrat e tyne dukej se e dinin vetë.

Çdo fjalë e shkrueme kishte peshën e një fjale të thanë në sy.

Çdo rresht mbante diçka që nuk mund të thuhej para të tjerëve.

E ndoshta pikërisht për këtë ajo dashni mbeti aq thellë.

Sepse nuk kishte lindë prej fjalëve.

Fjalët erdhën ma vonë.

Ajo kishte nisë në bankat e shkollës, në shikime, në heshtje, në ato çaste të vogla që vetëm dy zemra dinë me i kuptue.

Ndoshta dashnitë ma të forta janë pikërisht ato që, para se me mësue me folë, mësojnë me u ndie.

Kur zemra nuk pyetej

Por jeta e asaj kohe nuk pyeste gjithmonë zemrën.

Shpesh vendosnin të tjerët.

Jo domosdoshmërisht prej ligësisë.

Shpesh prej bindjes se po bënin atë që ishte ma e mira.

Në jetën e Dritonit pati edhe vendime familjare që u vunë përballë asaj ndjenje të hershme.

Një e afërme e Dritonit, me mendimin e vet për atë që e quante "të mirën" e tij, u mundue me e lidhë me një bukuroshe të rrethit të saj.

Një vajzë që, sado e bukur mund të ishte në sytë e të tjerëve, nuk zgjonte te Dritoni atë ndjenjë që zemra e tij e kishte njohur shumë ma herët.

Ndoshta dukej si një përpjekje me ia rregullue fatin.

Por zemra nuk rregullohet prej të tjerëve.

Ajo nuk kishte qenë pjesë e atij vendimi.

Vendimi ishte marrë diku tjetër.

Në një vend ku Dritoni nuk kishte hyrje.

Ndoshta as nuk ishte mendue se duhej pyetë.

Dhe kështu, pa ndonjë ngjarje të madhe, pa zhurmë, pa një derë që të përplasej, diçka në jetën e tij filloi me u mbyllë.

Në anën tjetër ishte ajo që Dritoni kishte dashtë.

Dashnia e tij.

Edhe ajo dashni pati pengesën e vet.

Një i afërm i saj, pasi kishte gjetë letrat që dy fëmijët tashma në rritje kishin këmbye mes tyne, ndërhyri dhe i kërkoi Dritonit me heqë dorë prej saj.

Ishte një kërkesë e prerë.

Një vendim i marrë nga të rriturit për një ndjenjë që ishte rritë mes dy fëmijëve.

Ndoshta edhe këtu nuk kishte ligësi.

Ndoshta kishte frikë.

Ndoshta kishte rregulla të kohës.

Ndoshta kishte bindje të trashëgueme.

Ndoshta kishte vetëm atë bindjen e vjetër se të rriturit e dinë ma mirë se fëmijët se çka asht e mirë për ta.

Por zemra nuk e kishte lexue atë rregull.

Dhe nuk dihet sot çka kishte në zemrën e secilit që mori ato vendime.

Nuk është e drejtë që pas kaq vitesh t'u ngarkohen njerëzve qëllime që vetëm ata mund t'i kenë ditur.

Por një gjë mbetet në këtë histori:

Dy zemra u detyruen me marrë rrugë të ndryshme.

Dhe ajo që kishte nisë në bankat e shkollës u përball me vullnetin e të tjerëve.

Ndoshta kjo është pjesa ma e çuditshme e jetës:

Ndonjëherë nuk na merret diçka me forcë.

Thjesht na tregohet një rrugë tjetër.

Dhe ne ecim.

Jeta vazhdoi, por dashnia nuk u zhduk

Jeta vazhdoi.

Ajo që Dritoni kishte dashtë ndërtoi familjen e saj, rriti fëmijët dhe vazhdoi përpara.

Dritoni vazhdoi jetën e vet.

Por disa dashni nuk mbarojnë aty ku mbaron rruga e përbashkët.

Mbeten.

Ndoshta në heshtje.

Ndoshta në një kujtim.

Ndoshta në një letër të vjetër.

Ndoshta në një shikim që koha nuk ka mujt me e fshi.

Vitet kaluen.

Dhe me kalimin e kohës, disa gjana nisën me u pa ndryshe.

Ndoshta ajo që dikur ishte pengue, më vonë nisi me u afru përsëri.

Ndoshta Dritoni po fillonte me e ndreqë diçka prej asaj që jeta ia kishte marrë.

Ndoshta koha, shumë vonë, po i hapte një derë që dikur ishte mbyllë.

Por ndoshta ajo derë ishte hapë veç pak.

Aq sa me u pa se kishte ekzistue.

Aq sa me u kuptue se ndoshta një rrugë tjetër kishte qenë e mundshme.

Dhe pikërisht atëherë, kur dukej se mund të kishte një mundësi tjetër, sëmundja e randë nuk i dha ma kohë.

Në gushtin e vitit 2013, Dritoni u largue prej kësaj bote.

Shumë herët.

Por dhimbja e kësaj historie nuk qëndron vetëm te fakti se ai u largue herët.

Ka diçka edhe ma të thellë:

Në rrëfimet dhe kujtimet që kanë mbijetue ndër vite, duket sikur Dritoni e mbajti gjatë me vete atë dashni që nuk pati mundësi me u ba jetë.

Ndoshta kjo është pjesa ma e dhimbshme e kësaj historie.

Jo vetëm që jeta iu ndërpre.

Por ajo që zemra kishte njohur qysh në fëmijëri, ajo që ishte rritë me të dhe që kishte mbijetuar përmes viteve, nuk pati kohë me u ba jetë.

Një dashni e vërtetë.

Një dashni e pa jetueme.

Një jetë që mund të kishte qenë ndryshe.

Trembëdhjetë vjet më vonë

Kanë kalue trembëdhjetë vjet prej asaj vere.

Trembëdhjetë vjet për kalendarin janë shumë.

Por jo gjithmonë për zemrën.

Sepse zemra nuk i numëron vitet si kalendari.

Disa kujtime nuk plaken.

Disa emna mbesin aty ku i ka lanë dashnia.

E disa njerëz nuk largohen kurrë krejtësisht.

Dritoni asht një prej tyne.

Ai mbetet në kujtesë si një njeri që kishte dashtë, kishte pritë, kishte jetue me një mungesë dhe kishte marrë me vete një pjesë të një historie që nuk pati fundin që mund të kishte pasë.

E pikërisht këtu kjo histori bëhet ma e madhe se vetë Dritoni.

Sepse nuk është vetëm historia e një dashnie të humbun.

Është historia e të gjitha atyne dashnive që kanë ekzistue, por nuk kanë pasë mundësi me u ba jetë.

Është historia e një rruge që nuk u mor.

E një dere që u mbyll para se dy njerëz të rritur ta dinin se çfarë kishte mundur me qenë jeta e tyne.

Është historia e një pyetjeje që mbetet pa përgjigje:

Çka do të kishte ndodhë sikur atëherë të ishte dëgjue zemra?

Nuk dihet.

Ndoshta nuk do të dihet kurrë.

Por një gjë dihet:

Ajo që nuk u jetue, nuk do të thotë se nuk ishte e vërtetë.

Disa dashni mbesin të vërteta edhe kur nuk bëhen kurrë jetë.

Ndoshta Dritoni nuk e humbi dashninë atëherë kur u ndanë rrugët e tyne.

Ndoshta ajo që humbi ishte mundësia me e ditë se çka do të kishte qenë ajo dashni po t'i ishte dhanë një jetë.

E kjo është diçka që askush nuk mund ta dijë.

Sepse disa pyetje nuk kanë përgjigje.

Jo pse përgjigjja është e fshehun.

Por sepse jeta nuk e lejoi kurrë me u ba pyetja deri në fund.

Kanga

Ndoshta prandaj kjo kangë prek kaq shumë.

Sepse nuk kërkon instrumente.

Nuk kërkon zbukurime.

Këndohet njëzëshëm.

Veç me za.

Dhe kur ai za ngrihet, duket sikur bashkë me të ngrihen edhe kujtimet.

Një fëmijëri.

Dy shikime.

Një klasë.

Dy fëmijë të së njëjtës moshë.

Farefisnia.

Mahalla.

Oborri i shkollës.

Klasa.

"Pruga".

Dy biçikleta.

Një "Poni".

Fjalë të pakta.

Letra.

Heshtje.

Takime tinzake.

Një dashni që u rrit bashkë me ta.

Një jetë që mori tjetër drejtim.

Dhe një emën:

Driton.

Një za.

Një kangë.

Një emën.

Një dashni e pa jetueme.

Një jetë që mund të kishte qenë ndryshe.

Dhe ndoshta, sa herë ajo kangë këndohet, Dritoni nuk kthehet në jetë.

Por kthehet në kujtesë.

Në fjalë.

Në ndjenjë.

Në atë hapësirë të heshtun ku koha nuk ka fuqi me i fshi njerëzit që kanë lanë gjurmë.

Sepse disa njerëz largohen prej kësaj bote, por nuk largohen prej kujtesës.

Disa dashni nuk bëhen kurrë jetë, por mbesin të gjalla në kujtime.

E disa histori, sado vite të kalojnë, vazhdojnë me jetue aty ku kanë nisë:

në zemër.

Dritoni asht një prej atyne emnave.

Dhe historia e tij mbetet një kujtim i një dashnie që nisi kur dy fëmijë uleshin në bankat e shkollës, vazhdoi në farefisni, në mahallë, në klasat e shkollës, në oborrin e shkollës, në shikime, heshtje, fjalë të rralla, letra të fshehta dhe takime tinzake te "pruga", ku dy biçikleta – "Poni" i Dritonit dhe ajo që ia kishte ble babai i saj – u bënë dëshmitare të një ndjenje që ata vetë ende nuk dinin me ia gjetë emnin.

Një dashni që u rrit bashkë me ta.

Një dashni që nuk pati kohë me u ba ajo që ndoshta dy zemra e kishin ndie qysh atëherë.

Një dashni që nuk pati kohë me u jetue.

Por që koha nuk pati fuqi me e ba të pavërtetë.

Dhe ndoshta kjo është ajo që mbetet në fund.

Jo pyetja se kush kishte të drejtë.

Jo pyetja se kush kishte gabue.

As pyetja se çka do të kishte qenë.

Vetëm një kujtim.

Dy fëmijë.

Dy biçikleta te "pruga".

Një shikim.

Një dashni.

Dhe një jetë që, për një arsye që askush nuk mund ta ndryshojë ma, nuk pati kohë me u jetue.