Albert Habazaj: Çamëria si psikologji sociale

24m më parë

ÇAMËRIA SI PSIKOLOGJI SOCIALE

Dy fjalë për librin e autores Samanta Ademaj: “Vështrim psikologjik mbi çështjen çame”

Nga Albert HABAZAJ

Librin e Samantes do ta them me 4 vargje:

Plag’ e gjak e shpirt që dhemb

Aty ngrehu, aty shemb,

Dritë besimi, trimërie

Marathonomak lirie!...

Të nderuar miq të librit dhe dashamirës të Çamërisë!

Të dashur vëllezër e motra çame!

Ndihem i gëzuar, krenar e shpresëblertë, që më bëtë gëzimtar të kësaj veprimtarie kuptimplote, simbolike dhe me mesazhe të qarta të përditësuara të çështjes kombëtare të Çamërisë, e veçantë si prurje në disa rrafshe nevralgjike për qytetarët, për politikanët, për demokracinë, për kohën, për fqinjët, për të mëdhenjtë e të vegjlit, për ne e për ata.

Sinqerisht ndihem mirë dhe për këtë falënderoj mikun e vëllain tim, kryetarin e Shoqatës Patriotike “Çamëria”, dega Vlorë, atdhetarin artist Sali Nuredini, që më njoftoi dhe më dhuroi një libër vërtet me vlerë të autores Samanta Ademaj me titullin “Vështrim psikologjik mbi çështjen çame”.

E quaj fat për Çamërinë, për Vlorën dhe Shqipërinë, që ka në gjirin e intelektualëve me dritë kombëtare edhe një bijë çame të devotshme si Samanta.

Unë e njoh dhe e dua Çamërinë, porsa ju, edhe pse jam lab, por të mos harrojmë se ne të njëri-tjetrit jemi, bëhemi me njëri-tjetrin në të mira e të këqia dhe furtunat, të parët tanë i kanë përballuar jo sikur të të ishin fqinjëtarë gjeografikë e historikë, por si vëllezër e motra të një gjaku.

Në bibliotekën time kam një syzë të mbushur me libra të miqve të mi autorë çamë, që nga Fadil Zeqiri, Selman Sheme, Ibrahim D. Hoxha, Fatmir Muçaj, Sejdi Kondi, Qamil Buxheli, Bilal Xhaferri, Agim L. Bajrami, Vjollca Staro, Esat Mezani, Selfie Zeqiri, Fabit Beqiri, Shefki Hysa, Arben Kondi, Hekuran Halili, Safet Mustafaj, Shaban Mehmeti, Arben Iliazi, Hyqmet Zane, Enver Kushi, Ibrahim Didani, Fatime Kulli, Mirela Dauti, Namik Mane etj., që janë vlera të mirëfillta kushtuar historisë, kulturës dhe çështjes çame, si pjesë e pandashme dhe e pashmangshme e çështjes kombëtare shqiptare.

Një filiz i ri, i freskët, i veçantë dhe i fortë i së ardhmes po rritet shëndetshëm, edhe nëpërmjet veprës që kemi në dorë “Vështrim psikologjik mbi çështjen çame”.

Ky libër i Samantës është i veçantë, pra unikal deri më sot, (mesa kam dijeni) i pari si vështrim psikologjik mbi çështjen çame.

Ky libër meriton vëmendje akademike, sepse është monografi shkencore. Do të doja të shprehesha gjatë për këtë vepër të autores së re Samanta Ademaj përzgjedhur për lexuesin e kulturuar nga studimi shkencor: “TRASHËGIMIA E TRAUMAVE PSIKOLOGJIKE TË SHKAKTUARA NGA GJEONCIDI GREK NDËR BREZAT E NDRYSHËM TË SHQIPTARËVE TË ÇAMËRISË”.

Si bibliograf më vjen mirëb që të shprehem se S. Ademaj është një studiuese serioze e një teme të vështirë, të dhembshme, dinjitoze për historinë që nuk harrohet. Autorja ka respektuar me korrektesë kriteret e një punimi të mirëfilltë shkencor. Monografia, ndërtuar me 5 kre, ka një aparat bibliografik të pasur, me autorë shqiptarë dhe të huaj. Referencat që ka përdorur autorja, janë tregues i diturisë së saj dhe guximit intelektual.

Samanta Ademaj, ndjenjën e dashurisë për dheun e të parëve, nderimin për gjakun e derdhur për trojet e tyre, e ka gjenetike - në lartësinë e fisnikërisë së idealit.

Samanat Ademaj zotëron dije të plota për Çamërinë:

Si kujtesë historike

Si memorje e gjallë

Si lule e lënduar.

Edhe pse ende nuk ka shkelur në rrugicat e vendlindjes së gjyshit, edhe pse ende nuk i ka puthur gurët e avllisë së Filatit, bila çame e ka në gjak Çamërinë, e ka në eshtër, në shpirt, në dritën e syrit dhe ia njeh mirë psikologjinë, jetën, dramat, begatitë, bukuritë, pasuritë dhe tragjeditë përgjatë rrjedhave të historisë.

Unë e njoh Çamërinë edhe nga këngët popullore të Çamërisë, mbledhur e përgatitur nga adhuruesi i pasionuar i traditave gojore të popullit shqiptar dhe në mënyrë të veçantë i folklorit çam - Fatos Mero Rrapaj nga Gumenica e Labërisë së Vlorë, të cilat janë botuar e ribotuar e përbëjnë një thesar shpirtëror dhe kulturor në një vepër solide dhe serioze.

Unë e njoh Çamërinë edhe nga aparati fotografik dhe kujtesa fenomenle e gati shekullorit Skënder Beqiri - Marubit të Vlorës dhe Çamërisë, me të cilin kam njohje gati gjysmë shekullore dhe miqësi familjare, që vijon si stafetë tradite dhe kulture.

Gjenocidi grek ndaj popullatës së pafajshme çame dhe përzënia, shpërngulja e tyre me forcën e armëve nga monarko-fashistët përbën një nga aktet më të dhunshme dhe barbare të ndodhura në historinë e njerëzimit, me trauma aq të rënda e të padëgjuara, saqë jo vetëm njeriun, por edhe gurin e trondisin, e shkërmoqin…

Ky libër është sa shkencor, se trajton tema si psikologjia sociale, gjenocidi, aspekte psikologjike etj., po aq edhe kombëtar, demokratik e qytetar, se trajton çështjen çame, një krahinë shumë të pasur shqiptare, në të gjitha këndvështrimet e mundshme njerëzore dhe qytetare.

E thashë që në fillim, se është fat për ne që kemi një Samantë, sepse është edhe atdhetare, edhe e re, që do ta vijojë këtë stafetë denjësisht, është edhe e ditur që mund të ballafaqohet e të përballet me të tjerët, sidomos ata studiues të huaj, edhe me ndonjë piçirruk tonin, apo edhe lakej e vulgarë të pështirë të tipit Arian Çani për ato deklarata televizive aq të këqia ndaj Çamërisë martire dhe njerëzve të saj, që janë aq të mirë. Po Samanta është pishtare e kësaj teme kaq të rëndësishme e të prekshme që rrok Çamërinë si psikologji sociale, sepse është vijuese (në fushën e saj) e stafetës që mban ende xha Skënderi me arkivin fotografik, si dëshmi tronditëse të sa e sa traumave çnjerëzore të nënave, bijave e bijve çamë, që edhe dora më dridhet t’i shkruaj.

Samanta nuk është vetëm, ajo nuk mund të jetë vetëm. Secili nga ne, jo vetëm bijtë e bijat e Çamërisë, të bëjmë atë që mundim, atë që duhet, ashtu si duhet dhe kur duhet. Koha rrjedh. Për Çamërinë si psikologji sociale, mendoj se vlen të organizohet edhe një konferencë shkencore ndërkombëtare dhe ç’ jehonë të bukur, të mirë e të dobishme do të ketë.


Albert Habazaj gjatë kumtimit për Çamërinë si psikologji sociale të Samantës


Samanta Ademaj - vështrim psikologjik mbi çështjen çame


Çamëria dhe Labëria janë 2 motra, bërë 1 nënë - Shqipëria


Për Çamërinë, si psikologji sociale - në Pallatin e Kulturës Labëria - QKA Vlorë