Pashk Alia: Gjurmë në kujtesë
Për të mos u harruar:
GJURMË
NË KUJTESË
- Ali Hasan Furriku - ky personalitet i veçantë
pukjanë -

Ish
- Përgjegjës i Seksionit të Kuadrit në ish - Komitetin Eksekutiv të KP Rrethit
Pukë
Ali
Hasan Furriku ka lindur me datën 13 maj viti 1922 në fshatin Meçe, Kabash të
rrethit Pukë, dhe u nda nga jeta më 6 tetor të vitit 2000. Ish - partizan,
drejtues në disa lokalitete, përgjegjës në thuajse gjithë stabilimentet e
sharrave të rrethit të Pukës, kryetar koperative e drejtues i niveleve më të
larta, Ali Hasani ka lënë gjurmë të pashlyeshme kudo ku ka punuar e jetuar. Për
punë e rezultate është dekoruar nga ish - Presidiumi i Kuvendit Popullor me
Urdhërin e Punës të Klasit III - të (Nr.dekreti 3282, datë 06.05.1961) dhe të
klasit të II - të (Nr.dekreti 4635, datë 24.01.1970). Pas vdekjes është nderuar
me titullin “Qytetar Nderi” nga Këshilli Bashkiak i Fushë Arrëzit, me vendimin nr. 21, datë
25.08.2009, ndërsa nga komiteti i veteranëve me titullin e lartë “Nderi i
Komitetit të Veteranëve të LANÇ”, dhe me certifikatë mirënjohje nga Bashkia
Pukë në maj 1996 per kontribut të çmuar në jetën shoqërore si drejtues model.
Është nderuar me titullin “Ambasador i Paqes” në vitin 2026, nga Shoqata
Ndërkombëtare për paqe në Bruksel, si dhe “Nderi i Kombit” nga agjensia për të
drejtat e njeriut në Bruksel, si dhe me çmimin jubilar “Skenderbeu” për paqen,
nga Komiteti i Pajtimit Mbarëkombetarë.
***
Në
historinë shoqërore të Fushë - Arrëzit dhe të krahinës së Pukës ka njerëz që
nuk mbahen mend vetëm për postet që kanë mbajtur, por kryesisht e në radhë të
parë për gjurmët që kanë lënë në zemrat e mendjet e njerëzve. Njëri prej tyre
ishte pa dyshim Ali Hasan Furriku, ish - partizan, kontribues në zhdukjen e
analfabetizmit në fshatin e tij, drejtues i njohur i sektorit të sharrave në
rrethin e Pukës, ish - kryetar i lokalitetit Pukë Qendër, dhe në të gjithë
lokalitetet e Rrethit Pukë me radhë, drejtues i thuajse të gjitha
stabilementeve të sharrave, njërit nga sektorët përparësorë të këtij rrethi,
për disa vite ika sherbyer si kryetar i Kooperativës Bujqësore të Fushë -
Arrëzit, i cili lirisht mund të quhet drejtues i përjetshëm. Eshtë ky një rast
i rrallë në të gjithë rrethin e Pukës e më gjërë. Dhe jetëgjatësia e tij në
funksione drejtuese e ka një sekret: Ali
Hasani nuk i shihte njerëzit me gjuhën e protokollit zyrtarë, apo të detyrës,
por me gjuhën e respektit dhe të zemrës. Njerëzit për të nuk ishin thjeshtë
numra, kemi 100 na duhen edhe 50 që të bejnë 150. Me Aliun mund të kishe edhe
120 veta, por për nga lidhjet dhe marrdhëniet që ndërtonte me ta ai arrrinte
ato rezultate që mund të arriheshin edhe me 150 punonjës. Ai “korrte” prej
njerëzve të njejtin respekt, nuk ishte thjesht drejtuesi që duhej t’i bindeshe,
por njeriu që e ndiqje nga pas me vullnet e dëshirë të plotë. Në qytetin e
Fushë - Arrëzit dhe në fshatrat përreth dëgjohej shpesh shprehja: “Burrë më të
mirë se Ali Hasani nuk ka lindur nëna në anët tona”. Kjo nuk ishte thjesht një fjalë
mirësjelljeje. Ishte vlerësimi që i bëhej një njeriu që e kishte kthyer ndihmën
ndaj të tjerëve në kredon e jetës së tij. Të arrish që me punën, sjelljen,
karakterin, dijen dhe dhuntitë që mbart, të bësh njerëzit të të ndjekin përkrah
edhe pse në kohë të vështira, dhe ata të të lartësojnë me fjalë të tilla, kjo
është ajo që kërkohet atëherë dhe sot për të arritur suksese në detyrat qe
shtronte koha.
Aliu
si tërë kuadrot e asaj përiudhe, nuk erdhi nga katedrat akademike, as ato
universitare, apo të shkollave profesionale. Ai u rrit e u formua në odat
malësore të trevës së Pukës, në dëgjesat e kuvendeve, në ambientet e ngrohta
dhe të ëmbla të familjes më vlera pukjane. Aliu vinte nga brezi i njerëzve që u
rritën dhe u formuan me sakrifica, në luftë dhe në punë. Ai i përkiste asaj
race burrash që nuk e kërkonin pushtetin, postet, por ato kanë nevojë për
cilësitë, vlerat dhe virtytet e tij, sepase Aliu nuk e shihte pushtetin si
privilegj, por si angazhim, si përgjegjësi, si detyrë të rendë të cilën duhej
t’a kryente me nder. Kudo ku shërbeu, qoftë në pushtetin vendor, në sektorin e
industrisë së drurit apo në bujqësi, ai mbeti i njëjti: i thjeshtë, i drejtë
dhe gjithmonë pranë njerëzve.
Kur
mori drejtimin e Kooperativës Bujqësore të Fushë - Arrëzit, e përbërë nga pesë
fshatra, ai nuk hyri si një administrator i zakonshëm, por si një njohës i
thellë i njerëzve dhe i halleve të tyre, i territorit e vështirësive që ai
paraqiste, i aktualitetit dhe perspektivës së saj të afërt e të largët. Ai
njihte familjet, historitë e tyre, hallet dhe mundësitë e secilës. Kjo njohje e
drejtpërdrejtë e fituar gjatë viteve në punë e në shoqëri me njerëzit, e bëri
të besueshëm dhe të pranueshëm për të gjithë. Forca e tij nuk qëndronte tek
urdhri, por tek bindja. Ai nuk ishte drejtuesi që priste raportime nga zyra,
por drejtuesi që gjendej në arë, në livadh, pranë bagëtive, në kanalet e
ujitjes, në aksionet e ndërtimit dhe në çdo vatër pune ku kërkohej prania e
tij. Shpesh shihej me çizme në këmbë mes fshatarëve, duke diskutuar për
prodhimin, për tokën, për blegtorinë apo për hallet e përditshme të fshatarëve.
Ai e dinte se drejtimi fillon me njohjen e realitetit dhe jo me dhënien e
urdhrave, e se zbatimi i urdhërave varej jo nga forca e pushtetit të tij, por
nga ndërgjegjësimi i njerëzve që do të duhej t’i zbatonin ato.

Njerëzit
e kujtojnë ende thjeshtësinë e tij. Edhe kur mosha dhe shëndeti nisën t’a
rëndonin, ai nuk iu nda punës. Gjendej në krye të aksioneve, në ndërtimin e
objekteve, në organizimin e fushatave bujqësore dhe në çdo veprimtari ku
kërkohej angazhim. Nuk kërkonte privilegje dhe nuk pranonte trajtim të veçantë.
Ndihej mirë mes njerëzve dhe njerëzit ndiheshin mirë pranë tij. Në kujtesën e
bashkëkohësve kanë mbetur shumë episode që flasin për humanizmin e tij. Ai
ishte njeriu që ndante natën me fshatarët në odat e tyre, që gëzonte me gëzimet
e tyre dhe shqetësohej për hallet e tyre. Kjo afërsi e natyrshme krijoi një
lidhje të rrallë besimi midis tij dhe komunitetit. Dhe rezultatet e punës së
tij nuk munguan. Në vitet kur drejtoi kooperativën u arritën tregues të lartë
prodhimi në bujqësi dhe blegtori, u përmirësua struktura racore e bagëtive, u
shtuan të ardhurat dhe u rrit mirëqënia e familjeve kooperativiste. Por ndoshta
arritja më e madhe nuk ishte një shifër ekonomike, por besimi që ai mbolli tek
njerëzit, bindja se puna e ndershme dhe drejtimi kompetent mund të sjellin
zhvillim. Sot, kur shumë emra të së kaluarës po mbulohen nga harresa, figura e
Ali Hasanit meriton të kujtohet, jo vetëm si veteran, drejtues apo organizator
i aftë, por në radhë të parë e mbi të gjitha si një model qytetarie dhe
humanizmi. Ai i përkiste atij brezi burrash që e matnin veten me shërbimin ndaj
njerëzve dhe jo me privilegjet e pushtetit.
Ali
Hasani mbetet një nga figurat më të dashura të Fushë - Arrëzit dhe të Pukës,
një burrë që jetoi me njerëzit, punoi për njerëzit dhe la pas respektin tek
njerëzve. Kjo është pasuria më e madhe, që mund të lërë një njeri pas vetes.
Por ai la pas edhe një pasuri shumë të madhe njerëzore, emrin e lartë të
familjes dhe të bijve ekselentë. Vlera e një njeriu nuk matet vetëm nga detyrat
që ka mbajtur, apo nga sukseset personale që ka arritur në jetë, por mbi të
gjitha nga gjurma që lë në ndërgjegjen e njerëzve dhe nga brezi që formon e
trashëgon. Një njeri që gjatë gjithë jetës drejton me ndershmëri sektorë të
rëndësishëm, fiton respektin e popullit dhe mbetet në kujtesën e tij si simbol
i drejtësisë, përgjegjësisë dhe përkushtimit dhe ka ndërtuar një trashëgimi
morale të rrallë e ka siguruar jetesën, në kujtesën e respektin e njerëzve edhe
pasi jeta fizike ndërpritet një ditë, ashtu si për të gjithë të tjerët. Mirëpo
kjo trashëgimi bëhet edhe më e madhe kur le pas fëmijë të edukuar, të
shkolluar, me dinjitet e ndershmëri të cilët, me punën dhe karakterin e tyre,
nderojnë emrin e prindit dhe marrin mbi supe drejtimin e sektorëve të ndjeshëm
me të njëjtin integritet. Kjo është vazhdimësia e vërtetë e një jete të jetuar
me vlera. Emri i mirë nuk trashëgohet si privilegj, po trashëgohet si
përgjegjësi. Dhe kur pasardhësit e mbajnë atë emër me po aq ndershmëri sa
prindi që ua la, atëherë mund të thuhet se ai prind ka fituar suksesin më të
madh, që mund të arrijë një njeri, sepse ka lënë pas jo vetëm kujtime të mira,
por edhe një brez që vazhdon të shërbejë me nder e dinjitet njerzorë.
Emri
i mirë është pasuria më e madhe që mund të lërë një njeri, por ai nuk ndërtohet
me fjalë, por me një jetë të tërë të jetuar me ndershmëri, drejtësi dhe
përkushtim ndaj detyrës. Prindi që rrit fëmijë të edukuar, të shkolluar, me
dinjitet e karakter, nuk u le atyre vetëm një mbiemër, por një përgjegjësi të
madhe, qe t’a mbajnë atë emër po aq të pastër, sa e trashëguan. Kur
pasardhësit, me punën dhe ndershmërinë e tyre, lartësojnë emrin e familjes dhe
fitojnë besimin për të drejtuar sektorë të rëndësishëm e delikatë, atëherë vlerat
e prindit dëshmojnë se nuk kanë qenë të rastësishme, por janë shndërruar në
trashëgimi, prandaj Ali Hasani e ka arritur edhe këtë me jetën e tij dinjitoze.


