Adil Fetahu: Drejtori që nuk pranoi dështimin, as nuk duroi anarkinë
DREJTORI QË NUK PRANOI DËSHTIMIN, AS NUK DUROI ANARKINË
(Mr.
Jusuf Zejnullahu: Feronikeli - nga dështimi, në gjigant metalurgjik; botoi
Printing Press, Prishtinë, 2026)

Është
ky libri më i ri i politikanit, ekonomistit dhe qeveritarit të njohur të
Kosovës, mr.Jusuf Zejnullahu ((1944), mbi historinë e një investimi të madh,
mbi 940 miliona dollarë, që për shkak të organizimit të dobët të punëve
investive dhe të metave në projekte dhe në kontratat mbi teknologjinë e
prodhimit, organizimit dhe udhëheqjes së dobët, po edhe të faktorëve politik -
rrezikohej të dështonte. Është fjala për industrinë metalurgjike të
Feronikelit, në Gllogovc (Drenas).
Në
libër është shtjelluar historia dhe realiteti i Feronikelit, që nga zbulimi
gjeologjik i xehes, në dy lokacione në Kosovë, në Çikatovë të Gllogovcit dhe në
Gllarevë të Lipjanit, themelimi i Ndërmarrjes Feronikeli, punët investive në
ndërtimin e objekteve, blerjen dhe montimin e stabilimenteve dhe teknologjisë
së metalurgjisë, puna provuese e deri te prodhimi i rregullt dhe rafinimi i nikelit, aq i rëndësishëm për
industrinë e çelikut që nuk ndryshket. Në këtë varg të gjatë të punëve, prej
zbulimit të xehes e deri te prodhimi i nikelit, është varg i gjatë i
punëve e proceseve, synimeve, tendencave, dështimeve, sukseseve. Në të gjitha
këto procese, faktori njeri, i përgatitur profesionalisht dhe vendosmërisht i
përkushtuar në punë, është faktor dominant. Kjo përshtypje dhe bindje krijohet
kur lexon librin ‘’Feronikeli – nga dështimi, në gjigant metalurgjik’’.
Pas
parathënies (fq.9-12), në kapitullin e
parë (fq.13-33) të librit :
‘’Feronikeli, nga dështimi në gjigant metalurgjik’’, autori në mënyrë
kronologjike jep një pasqyrë për synimet e realizimit të projektit
‘’Feronikeli’’; ambientin sistemor të investimeve: faktorët ndikues në
investimin e prodhimit të nikelit: formimin e Ndërmarrjes ‘’Feronikeli’’ në
Gllogovc (Drenas): ecurinë e realizimit të investimeve.
Në kapitullin e dytë (fq.39-44), shpjegon
tendencat dhe kërkesat për shpalljen e dështimit të projektit, dhe emërimin e
tij në pozitën e drejtorit të përgjithshëm.
Në
kapitullin e tretë (fq.57-132), përmes 14 vendimeve strategjike dhe urdhërave operative të marrura
në nivel të Kompleksit të Feronikelit, pasqyrohet gjithë aktiviteti i
organizimit dhe udhëheqjes së punëve ndërtimore e montuese , eliminimi i
dobësive dhe anarkisë në punë, vurjen e rregullit dhe disiplinës, suksesin e
arritur dhe eliminimin e tendencës për shpalljen e dështimit të projektit,
ndërrimin e teknologjisë së prodhimit, aftëimin e ekspertëve vendorë dhe largimin
e ekspertëve të huaj, shkëputjen e kontratës me projektuesin e teknologjisë dhe
mbikëqyrjes së procesit të prodhimit provues. Janë këto vendime radikale që
kanë shkaktuar tronditje në praktikën e udhëheqjes dhe marrëdhëniet që kishin
ekzistuar në kolektivin me rreth 2000 punëtor e me qindra ekspertë të jashtëm, në mesin e të cilëve
rreth 200 ekspertë rus të teknologjisë dhe metalurgjisë.
Kapitulli
‘’Ndodhitë në Fabrikë’’(fq.144-187), është një set ngjarjesh të vërteta dhe
interesante të ndodhura në dhe rreth
kompleksit të Feronikelit, të treguara si anekdota të lezetshme për lexim, me
një dozë humori e satire të lehtë e të këndshme për lexim. Ka në libër edhe 40
foto (fq.47-55 dhe fq.136-143), në të cilat vizuelisht tregohen objektet,
teknologjia dhe faza të ndryshme të procesit të punës e prodhimit.
Themlimi
i Ndërmarrjes Feronikeli
Pas
hulumtimeve të gjata gjeologjike dhe zbulimit të bilancuar 20 milion tonë të xehes
me një përbërje të caktuar të feronikelit, Kuvendi i Kosovës (1979) vendosi të
themelojë Ndërmarrjen për Feronikelin, me seli në Gllogovc. Kuvendi kishte
siguruar investimet fillestare për ndërmarrjen në themelim, në shumë mbi 500
milion dollarë amerikanë, dhe ishte garantues për kredi bankare. Parakushtet
për punë të suksesshme të ndërmarrjes ishin të favorshme, sepse xehja nxirrej
me mihje sipërfaqësore, energjia elektrike dhe gazi merrej nga Kombinati në
Obiliq, uji nga Hidrosistemi ‘’Ibër-Lepenc’’, guri gëlqeror e komponentë tjera
të nevojshme për procesin e prodhimit gjithashtu siguroheshin në vend. Mbetej të ndërtohen objektet e të blehet
teknologjia. Dokumentacionin investiv, për objektet, stabilimentet, montimin
dhe teknologjinë, i kishte bërë firma ruse ‘’Gipronikel’’ e Moskës. Për
ndërtimin e objekteve ishin angazhuar shumë ndërmarrje e kompani ndërtimore e
montuese, në të cilat, në faza të
ndryshme ishin angazhuar deri 7000 punëtorë të profileve të ndryshme, në mesin e të cilëve
kishte edhe shumë ekspertë të jashtëm.
Mirëpo
punët ndërtimore zvarriteshin shumë, kaluan katër vjet nga themelimi i
ndërmarrjes dhe gjasat për fillimin e punës prodhuese nuk dukeshin askund, investimet gati
ishin dyfishuar, prej 500 kishin arritur në 940 milion dollarë, në tregun e jashtëm kishte rënë çmimi i
nikelit. Kuvendi i Kosovës, si themelues dhe investitor i projektit, nuk ishte
i gatshëm të ndajë mjete tjera për të investuar në Feronikël. As bankat nuk i
jepnin kredi për një projekt që ishte para dështimit. Mendohej të ndërpriten punët dhe të konzervoheshin
objektet e ndërtuara për një kohë të pacaktuar, deri sa të krijoheshin kushte
të favorshme për të vazhduar e kryer projektin. Kjo në të vërtetë do të thoshte
dështim i projektit. Një aspekt tjetër
latent për dështimin e projektit të Feronikelit ishte kriza që e kishte kapluar
Kombinatin ‘Fe-Ni’’ të Kavadarcit (Maqedoni). Dikujt i levërdiste të dështojë
projekti i Feronikelit të Gllogovcit, në mënyrë që xehja e nikelit nga minierat
e Kosovës të transportoheshin (200 km) e përpunoheshin në Fe-Nin e Kavadarcit.
Xehja e Kosovës përkah kualiteti i përmbajtjes me nikel, ishte dyfish më e mirë se ajo e
Maqedonisë.
Në
situatë të tillë, krerët e udhëheqjes më të lartë të Kosovës, e thërrasin Jusuf Zejnullahun në
bisedë për ta marrë detyrën e drejtorit të
përgjithshëm të kompleksit të Feronikelit. Ç’është e vërteta, këtij i
ofrohej detyra më tepër për mbylljen e investimit, sesa për ta shpëtuar atë,
por për hirë ‘’të kurtoazisë’’ i premtojnë ndihmë dhe mospengesë në punë. Nuk
ishte zakon të refuzohej një detyrë e lartë e caktuar, prandaj Jusufi e pranon
detyrën dhe deklaron se as nuk i nevojitet ndihma, as nuk lejon të pengohet nga
kushdo qoftë. Detyrën e drejtorit të përgjithshëm të Feronikelit, e mori në
vitin 1983.
Jo
vetëm në qarqe të ndryshme të opinionit, por edhe mjetet e informimit kishin
përhapur mendimin se projekti i Feronikelit është i dështuar dhe se vetëm
pritet dita kur do të shpallet mbyllja e tij. Situata në ndërmarrje ishte bërë
kaotike, që rrezikonte sigurinë fizike dhe mbrojtjen e mjeteve. Në kantieret e
ndërmarrjes hynin e dilnin njerëz pa kurrëfar kontrolli. Për ta ndërprerë atë
gjendje kaotike, vendimi i parë i drejtorit të ri ishte formuluar në një urdhër
të prerë, me dy dispozita:
Ndalohet
hyrja pa leje, në të gjitha objektet e Feronikelit. Lejet për hyrje në objekte
i jep drejtoria e përgjithshme
Ndalohet
komunikimi me publik dhe mjete të informimit. Vetëm drejtoria e përgjithshme
komunikon me opinionin
Ky
vendim dhe urdhër iu dha shërbimit të sigurimt të objekteve, për ta zbatuar pa
asnjë përjashtim. Vendimi vlente edhe për zyrtarë të shtetit, posaçërisht për
organet e punëve të brendshme dhe policisë.
Në
objektet e standardit shoqëror brenda Feronikelit ishte vendosur një njësi e
policisë, të cilët gjatë ditës shkonin në detyrë në terren, ndërsa aty
ktheheshin e banonin. Drejtori i ri e takon komandantin e asaj njësie dhe i jep
urdhër të prerë:
‘’Keni
dy orë afat ta lironi objektin dhe përfundimisht të largoheni nga oborri i
ndërmarrjes!’’.
Në
afatin e caktuar, njësia e policisë e liroi objektin dhe u largua nga oborri i
Fabrikës. U ndërprenë hyrje-daljet e njerëzve, u ndërpre edhe dezinformimi
senzacional. Të gjithë ishin të befasuar me zbatimin rigoroz të urdhërave.
Pas
një analize të gjendjes nga procesi i realizimit të projektit, drejtori i ri,
me bashkëpunëtorët kishin zbuluar mangësi të shumta të përcjelljes dhe
kontrollit të punëve të përditshme në ndërtimin e objekteve dhe montimin e
pajisjeve. Ekspertët e huaj, sidomos ata rusë që ishin më të shumtët, silleshin
me një komoditet pa e vrarë mendjen për zhvillimin e punëve. Ata merrnin paga
të larta, madje edhe në pushime në det
shkonin me mjete të Ndërmarrjes. Nga ana tjetër, nga analiza e faktorëve që
kishin sjellë atë gjendje, shihej se faktorët objektivë për realizimin e
projektit ishin të favorshëm, por dobësitë subjektive e kishin sjellur gjendjen
para dështimit. Në situatë të tillë, pason vendimi i dytë i drejtorit të
përgjithshëm:
‘’Aktivizimi
e jo dështimi i projektit të Feronikelit’’
Shpallja
publike e këtij vendimi i befasoi ata që pritnin dështimin, por i gëzoi dhe
enthusiazmoi punëtorët dhe ekspertët vendorë të Feronikelit. Në kaudër të
drejtorisë së përgjithshme u formua shtabi i përcjelljes dhe evidentimit
rigoroz të punëve ditore, sipas pozicioneve të ndërtimit. Pagesa bëhej vetëm
për punët e kryera, por zbatoheshin edhe penale për vonesa ose moskryerje të
punëve në afatet e kontraktuara.
Vendimet
e tjera i impononte vet procesi i ndërtimit dhe aktivizimit të objektit në
tërësinë e tij.
Një
raport i hollësishëm mbi shkallën e realizimit të investimit, iu paraqit Kuvendit të Kosovës, me
konkluzionin se projekti duhet të përfundohet dhe të vihet në funksion. Me
rastin e shqyrtimit të raportit, Drejtori i Përgjithshëm argumentoi bindshëm se
projekti i Feronikelit mund të përfundohet me sukses e të vëhet në veprim.
Raporti mori përkrahjen e Kuvendit, ndonëse Qeveria më shumë kishte anuar kah
konzervimi i objekteve.
Pas
analizës së kontratave me ndërmarrjet
ndërtuese, dhe pas inspektimit detal të objekteve, u zbuluan shumë
dobësi subjektive të drejtuesve, inxhinierëve dhe operuesve, që ishte pasojë e
organizimit të dobët. Deri atëherë, projekti dhe investimet ishin nën kontrolle
të faktorëve të jashtëm, kryesisht të ekspertëve të huaj, të cilët nuk ishin të
interesuar t’i kryenin punët sa më shpejt. Kjo situatë imponoi nevojën që tërë projekti dhe investimet, të gjitha
objektet në ndërtim dhe stabilimentet e montimit të kalojnë nën kontrollin e
drejtpërdrejt të Feronikelit. Ky ishte vendimi i tretë me radhë, i dhënë në
formë Urdhërese të drejtorit të pëërgjithshëm, me këtë përmbajtje:
1.Ndalohet
hyrja në të gjitha objektet e Shkritores së nikelit.
2.
Punëkryesit dhe montazhierët mund të hyjnë në objekte vetëm me prezentimin e
regjistrit të pozicioneve ditore të punimeve që duhet t’i kryejnë.
3.
Mbikqyrjen dhe kontrollin e punimeve e bëjnë inxhinierët e Feronikelit.
4.
Objektet dhe punishtet mund të lëshohen vetëm me leje të inxhinierëve të
reparteve dhe pas kontrollimit të punëve të kryera sipas regjistrit të paraparë
para fillimit të punës.
5.
Baza për pagesë të punimeve të kryera janë raportet e inxhinierëve dhe
përgjegjësve të reparteve të Feronikelit.
6.
Përgjegjës për zbatimin e urdhërit janë drejtoria e Shkritores së nikelit,
njësia e sigurimit të objektit dhe sektori financiar i Feronikelit.
7.
Urdhëri hyn në fuqi menjëherë, duke filluar që nga ora 7:00 në ditën pas
nxjerrjes së tij.
Qëllimi
ishte të vejë rend e rregullt pune, në mënyrë që ndërtimet dhe montimet të
kryheshin sa më parë e të fillonte puna (provuese).Të nesërmen punëtorët nuk u
lejuan të hynin brenda oborrit dhe objekteve, pasi nuk i kishin regjistrat e
pozicioneve dhe punëve që duhej të kryenin atë ditë. Drejtori i përgjithshëm i
ndërtimeve dhe montimit shkoi dhe ankohej te drejtori gjeneral. Ky ia sqaron
çështjen e urdhërit dhe i thotë: ‘’Keni një javë afat t’i përgatitni
regjistrat e pozicioneve dhe punëve ditore, në bazë të cilave do të lejohen të
hyjnë në objekte. Gjatë kësaj jave sa nuk janë në punë, askujt nuk do t’i
paguhen të ardhura personale.’’ Drejtori i ndërtimit, e lutë drejtorin
gjeneral t’i lejojë punëtorët të hyjnë dhe qysh të nesërmen punëtorët hynë në
punë me regjistra të detyrave dhe pozicioneve. Kjo bëri që ndërtimi i objekteve
dhe montimet u kryen më shpejtë dhe mundësuan fillimin e punës provuese në
shkritore.
Vendimi
tjetër i një rëndësie të veçantë, i katërti me radhë, ishte vendimi për
fillimin e punës (provuese) në
shkritore. Tymi dhe flaka që dilnin nga tymtarët i befasoi të
gjithë. Brenda furrës elektrike ishin
2000 tonë xehe që shkrihej metali në temperaturë deri 2000 gradë! Në kohën e
duhur u bë hapja e furrës dhe rridhte metali i skuqur si llavë vullkani, që
përmes kanalit derdhej në bazenin e caktuar. Ishte moment gëzimi dhe
enthusiazmi i pritur gjatë. Vendimi për të filluar prodhimin provues kishte rëndësi për tërë projektin. Tash duhej
faza tjetër, rafinimi i nikelit. Po, në ndërkohë ndodhi havari në furrën e shkrirjes së metaleve, që shpërtheu
dhe nuk ndalej rrjedhja e llavës së metalit, gjë që rrezikonte shkatërrimin e
tërë sistemit. Urdhëri tjetër i radhës ishte Mbrojtja e Shkritores. Pas konsultimit me ekspertët, ndalja e
rrjedhës nga furra u arrit në bazë të ngarkimit të furrës me xehe të
ftohtë, gjë që shkaktonte ngrirjen e metalit të shkrirë, për të mos rrjedhur.
Mbikqyrjen
dhe kontrollimin e punës provuese e
bënin ekspertët rusë. Pas evitimit të havarisë, pritej të fillonte edhe linja e
dytë e shkrirjes së metalit. Por, ekspertët rus e kishin ndalë punën e
shkritores, me arsyetim se tullat rezistuese ndaj zjarrit në muret e furrës po dëmtohen, po shndërrohen
në hi, dhe sipas tyre, furra duhej të shkyqej nga rryma elektrike, të pritet
ftohja dhe të bëhet murosja me tulla të reja. Këto punë do të mund të kryheshin
për gjashtë muaj, apo edhe një vit. Sipas dokumentacionit, furra kishte
garancion dhe remonti duhej të bëhej pas katër vjetëve, por nuk kishin kaluar
as katër muaj dhe furra ishte ndalur. Shpjegimin e ekspertëve rusë nuk e kishte
miratua drejtori i përgjithshëm, veç i kishte urdhëruar inxhinierët dhe
metalurgët e Feronikelit ta ndezin përsëri furrën. Ishte ky vendim tepër i
guximshëm, por që doli i drejtë dhe remonti i asaj furre u bë tek pas më se tri
vjet e gjysëm prodhimi. Në ndërkohë u aktivizua edhe reparti i rafinimit të
nikelit dhe kështu u kompletua tërë vija e prodhimit të feronikelit. Mirëpo, u
shfaq problemi me kazanat në të cilët derdhej xehja e shkrirë, ashtu që nuk
përmbusheshin parametrat e projektuar të prodhimit. Atë problem nuk e zgjidhen ekspertët rusë. Nga analiza e
ekspertëve vendorë u nxor konkludimi se me atë teknologji ruse nuk mund të arrihen parametrat e projektuar
të prodhimit. Pas analizës së ekspertëve
vendorë, drejtori i përgjithshëm nxori vendimin tjetër, i shtati me radhë, i
një rëndësie të veçantë strategjike, që ishte aplikimi i teknologjisë së
re në procesin e prodhimit të nikelit.
Me
zbatimin e këtij vendimi ekspertët rus më nuk e kishin kurrëfar roli drejtues as mbikëqyrës në procesin e prodhimit,
kjo do të thotë se teknologjia ruse e prodhimit të nikelit kishte dështuar. Vendimi i befasoi ekspertët
rusë dhe u bë çështje e marrëdhënieve midis dy shteteve. Me ftesën e qeverisë
federative, drejtori i Feronikelit dha sqarimet dhe arsyet e braktisjes së
teknologjisë së dështuar ruse dhe aplikimit të teknologjisë së re. Aplikimi i
teknologjisë së re dhe drejtimi i prodhimit nga vet ekspertët vendorë, e bëri
të panevojshme praninë e ekspertëve rusë, të cilët vetëm sa shkaktonin
shpenzime. Prandaj, drejtori i përgjithshëm i Feronikelit mori vendimin, sipas
të cilit ‘’Të gjithë ekspertët rusë të largohen nga Ndërmarrja
Feronikeli’’. Atyre iu caktua afat një muaj për largimin.
Pas
këtij vendimi për largimin e afro 200 ekspertëve rusë, në Moskë u zhvilluan
bisedime me ministrin e teknologjisë, të cilit iu bë me dije se Feronikeli do
të kërkojë nga pala ruse kompenzimin e dëmit të shkaktuar nga dështimi i
teknologjisë së tyre dhe mjetet për blerjen e teknologjisë së re. Pas
negociatave të gjata, pala ruse pranoi dështimin e teknologjisë dhe largimin e
ekspertëve të tyre, por jo edhe kompensimin e dëmit. Kjo ishte edhe pasojë e
mangësive të kontraktuara më parë me palën ruse.
Ekspertët
vendorë dhe punëtorët, pa u penguar nga askush, vazhduan punën me sukses, duke
tejkaluar parametrat e projektuara dhe Feronkeli u bë eksportues i madh, që
ndikoi në bilancin pozitiv të tregtisë së jashtme të Kosovës.
Vendimet
tjera me radhë të drejtorit të përgjithshëm, kishin të bënin me shitjen
(eksportin) e feronikelit, importin e repromaterialeve për nevoja të prodhuesve
vendorë; organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës;
rregulloren dhe kriteret stimuluese për të ardhurat personale, atë për
standardin shoqëror, etj.
Pas
katër vjet pune intensive e të vështirë në krye të një programi investiv, i
cili konsiderohej i dështuar, në saje të vizionit të qartë, organizimit të
mirë, profesionalizmit, guximit, vendosmërisë,
përkushtimit dhe bashkëpunimit me ekspertët vendorë, Jusuf
Zejnullahu e lëshoi pozitën e drejtorit
të përgjithshëm dhe u largua nga Ndërmarrja ‘’Feronikeli’’, duke lënë pas vete
suksese të cilat askush nuk i kishte pritur. Ishte arritur prodhimtari
kontinuele mbi parametrat e projektuara dhe Feronikeli u bë eksportues dhe krah
i fortë i ekonomisë së Kosovës. Vendimi për largim ishte personal, pa asnjë
ndikim nga jashtë, ndonëse për shumëkënd ishte befasues, sepse nuk ishte e
zakonshme në drejtori i përgjithshëm të largohej vet kur kishte arritur kulmin
e suksesit në ndërmarrjen të cilën e drejtonte.
***
Libri
i Jusuf Zejnullahut: ‘’Feronikeli – nga dështimi në gjigant metalurgjik’’,
nuk është roman, nuk është as monografi , nuk ka ndonjë përcaktim të zhanrit
letrar, ndonëse do të mbetet vepër e çmuar në letërsinë shqipe, për pasqyrimin
e historikut të një gjiganti ekonomik, me të gjitha rëniet dhe ngritjet. Është
kronikë e historisë së Feronikelit, e treguar përmes vendimeve zyrtare të
drejtorit të përgjithshëm. Ka elemente
romani, biografie, ditari, anekdota, mendime filozofike, teori konspiracioni,
ilustrime vizuele me foto. Nuk ka asnjë emër e mbiemër të përveçëm as data të
sakta! Është dëshmi e një suksesi në udhëheqjen e një investimi të madh, në
kushte e rrethana të vështira ekonomike e politike. Do thosha është një doracak
i çmueshëm, një ‘’inteligjencë natyrale’’ që mund t’iu shërbejë udhëheqësve të
ndërmarrjeve ekonomike, se si arrihet suksesi edhe në situata të pa shpresë.


