Gjon Marku: Ora me qostek

Tregim nga Gjon Marku
Atë ditë mesgushti vapa pikonte etje. Qielli digjej e digjte.
Bretkosat nëpër kanale nuk pushonin së kukaturi. Gjethet ndër lisa
shushurisnin. Në zabel, gjinkallat zhuzhiturinin deri në pëlcitje. Ishte ora më
e vdekur e ditës në zheg. Prej kupës së kaltër, pa njolla, të qiellit u shigjetua
një skifter e ra në përtejqafë ndër lugje, atje ku gurgullon uji i kulluar si
lot vashe. Në atë vetull mali kullotat këndonin kwngwheshtjen e tyre, ndërsa
sukat në krye të kodrës ngjitur, disa shpendkëqinj, pendëzinj, i kishin zaptuar
me këngën e tyre krrau-krrau. E midis kësaj kodre e atij mali që ndante
Gjakovën me Tropojën, hepohj Lëndina e Pikëllimit. Gazetari i njohur i njërës
prej të përditshmeve kombëtare kishte mbërritur në atë lëndinë kur ende
dhjetëra trupa gjendeshin mbi dhé. Ai kishte qenë autori i disa prej kronikave
më të dhimbshme të asaj paslufte të përgjakshme e të përmortshme.
Nëpër
mendje i erdhi kronika për Lëndinën e Pikëllimit, në të cilën atij i ishte bërë
sikur prej nëndheu qoheshin kufomat e atij varri masiv në Mejë, që ndoshta ishte
i vetmi në llojin e vet në botë. Vazhdimisht sillen eshtra dhe varrosen aty.
Poshtë, nën tokë, gjenden eshtrat e qindra burrave dhe grave të pafajshme,
bijve të popullit të Gjakovës dhe trevave përreth, ndërsa sipër një mal
kurorash dhe lulesh, të cilat, sa më shumë që ecën koha, aq më shumë duket se e
ndjejnë pikëllimin. Gjithkush që bën të mbërrijë gjer në Lëndinën e Pikëllimit,
natyrshëm do të ndjejë peshën e një emocioni dhe dhembjeje jo të zakonshme.
Lëndina vetë duket sikur buçet e klith. Drejtori i Bibliotekës së Gjakovës prek
lehtë pllakën e varrit, pastaj fshin lehtë pluhurin mbi të, sikur friket mos iu
lëndon plagët vëllezërve të vet. Pastaj tregon se i vranë të katërt lidhur dorë
për dore. Sipër u hodhën librat, të cilave iu vunë zjarrin, dhe kështu i dogjën
pasi i kishin vrarë, aq sa ne nuk e njohëm asnjërin.
Eh, medet, si do t'i tresë dheu barbarët që si bisha u turrën
mbi foshnja të njoma...
Ishte
zhytur në mendime të tilla dhe në ato kronika të dhimbshme, kur ra zilja e
telefonit e ai sikur u zgjua nga një ëndërr e trishtë.
- Jam
drejtori i Bibliotekës së Gjakovës, - kishte dëgjuar zërin e tjetrit në
receptorin e telefonit, por ende s'e kishte mbledhur veten e iu duk si një
klithmë e ardhur prej Lëndinës së Pikëllimit, aty nga varri i Mejës.
U vesh dhe
zbriti poshtë, ku u përshëndet me drejtorin e bibliotekës dhe me Ajetin,
kolegun e tij në gazetën „Bota sot". Prej një makine të kuqe zbriti një
mesoburrë rreth të shtatëdhjetave.
- Unë jam
Nikolli, - tha tjetri duke i zgjatur dorën.
Koha kishte
rrëshqitur nën duar si gjarpërinjtë nëpër gurë, mendoi Arbëri, ngaqë nuk po
kujtohej se kush ishte Nikolli. Pra, atë nuk po e njihte, por nuk këmbyen shumë
fjalë, pasi të gjithë u drejtuan drejt makinave, të cilat morën udhën e ngushtë
mes për mes Çarshisë së Vjetër, e pasi dolën në kodrën ngjitur mbi Gjakovë,
hynë në një restorant.
Akoma nuk
kishte ardhur porosia, kur një djalë i vogël u afrua me një çantë me lajthi.
- Një euro
një qese, - tha ai duke vështruar secilin prej nesh si të kërkonte mëshirë.
E
vështruam me keqardhje. Nikolli e mbajti për krahu dhe e pyeti se në ç'klasë
ishte e i kujt ishte. Djali sypërlotur filloi të mërmëriste për të atin, i cili
kishte mbetur në luftën e Kosovës, dhe tha se ai kishte lindur në Shqipëri atë
ditë që i ishte vrarë i ati, e kur kishte ardhur nga Shqipëria pas luftës,
kishte qenë një foshnjë pa baba.
Nikolli, i
përlotur, nxjerr portofolin.
- Unë e
dua një pako, - i thotë djaloshit dhe i zgjat një dhjetëeuroshe.
Djali e
nxjerr pakon me lajthi dhe kërkon t'i kthejë kusur.
- Jo, jo,
- i tha Nikolli, dhe sërish shikoi portofolin e tij. - Jepu të gjithëve nga një
pako me lajthi dhe hajde merr lekët.
Djaloshi
na zgjati dhe neve nga një pako me lajthi dhe kërkoi t'i kthejë Nikollit ndonjë
euro, por tjetri nuk e mori kusurin dhe sërish nxori një kartëmonedhë me një
prerje disa herë më të madhe, duke ia zgjatur fëmijës, i tha:
- Merri,
merri këto dhe shko të shesësh lajthitë e tjera.
Fëmija
largohej me sytë që i ndrisnin dhe vazhdimisht kthente kokën mbrapa e na hidhte
vështrimin neve, pastaj vështronte Nikollin që nuk ia ndante sytë.
Nikolli,
sypërlotur, pasi tha se i ati i atij djali ishte vrarë bashkë me të birin e
tij, vijoi:
- Nuk e di
se ç'qe ai kob i zi që na ra, duke më lënë mua pa djalin e vetëm e këtë
vogëlush pa babanë e tij, që ditën që lindi. E, pra, ditëlindja e tij ishte në
një ditë me ditëvdekjen e të atit, vrarë prej plumbave në pabesi.
- Ju
faleminderit, mor bir, - iu drejtua Arbërit. - Unë jam shumë borxhli ndaj teje. Sikur ma ngjallje tim
bir, kur lexoja ato kronikat e tua për të dhe luftëtarët e tjerë.
Shpejt, si
e kishte fshirë lotin, e kishte pyetur dhe Arbërin se ç'njerëz kishte.
- Babai më
ka lënë të vogël, - vijoi ai t'u përgjigjej pyetjeve të tij.
Kjo
ndoshta kishte qenë fjalia më e paduhur. Pse duhej ta niste me të vdekurit para
tyre...
E kështu
ishte njohur me Nikollin. Kështu kishte shkuar ajo ditë e ai ishte kthyer në
Shqipëri. Kishte qenë duke punuar në redaksi, kur kishte rënë zilja e telefonit.
- Jam
Nikolli, - kishte dëgjuar zërin në receptor, dhe menjëherë ishte kujtuar për
djalin e lajthive.
- Si e ke
babën? - kishte pyetur ai nga Zyrihu, ku ishte.
Tjetri
ishte hutuar prej pyetjes së tij. Kishte heshtur disa çaste, pastaj ishte
munduar të shpjegohej.
- Dëgjo,
Nikollë, mua babai më ka lënë të vogël. Më duket se nuk ua paskam thënë kur
ishim në Gjakovë?
- A më
vjen keq, - tha tjetri dhe vijoi pyetjet e zakonshme. - Të jam borxhli për atë
që keni bërë për mua dhe djalin tim, - ishte fjalia e fundit e Nikollit.
Në mes të
vjeshtës Arbëri kishte ditëlindjen e të birit, i cili mbushte dhjetë vjeç, kur
ra zilja e derës. Postieri solli një dhuratë për të birin, brenda së cilës
ishte dhe një letër prej Nikollit.
- Ju uroj
jetë të gjatë për djalin, ta lashtë zoti, - niste letra, pastaj vijonte me
pyetjen: – Po babën si e ke, a erdhi me të urue për djalin?
Arbëri
mori telefonin e formoi numrin e Nikollit, të cilin, si e falenderoi për
dhuratën dhe urimin për të birin, i tha:
- Po të
saktësoj se babain nuk e kam, ai ka shumë vjet që më ka vdekur, o Nikollë.
"Eh,
more mik, sa mirë e paske mbajur mend ditëlindjen e tim biri", - mërmëriti
me vete ai, pasi kishte mbyllur telefonin." Po sa çudi, si nuk i kujtohet
se unë i kam thënë sa herë se babai më ka vdekur."
Muajt
kalonin e erdhi Viti i Ri. Arbëri ishte duke u bërë gati të ulej në tavolinë,
kur ra zilja e telefonit.
- Jam
Nikolli, po të flas nga Kosova, mora me të urue Vitin e Ri.
E, pas
urimit, ai menjëherë kishte pyetur për babanë. Arbëri ishte dredhur e nuk
kishte ditur çfarë të thoshte.
- Më vjen
keq, Nikollë, po babai mua më ka vdekur kur unë kam qenë fëmijë, - i ishte
përgjigjur, për kushedi për të satën herë.
- Më fal,
Arbër, kujtoja se e kishe babën gjallë. Gjithsesi, gëzuar familjarisht!
Në fillim
të pranverës Arbëri shkoi në Kopenhagen, në një kurs trajnimi. Ishte duke pirë
një kafe në një ndër pushimet, kur ra telefoni. Zërin e Nikollit e njohu
menjëherë.
- Gëzohem,
Arbër, që paske shkuar në Europë, aq larg, po si i ke nga shtëpia, a je lidhë
në telefon me babën, si është me shëndet?
Arbëri
s'kishte ditur çfarë të thoshte.
- Nikollë,
unë besoj se ua kam thënë sa herë... se nuk e kam babën, ai nuk rron prej
vitesh.
- Eh, të
lashtë zoti kë ke, mora me e ditë se si je, e nëse ke ndonjë nevojë, më thirr
në telefon! - kishte thënë në fund të bisedës Nikolli.
Arbëri
ishte trazuar prej asaj telefonate, a thua tjetri i ndillte ndonjë të keqe, a
thua shihte ëndrra ku i përhiheshin të vdekurit. Por, meqë hyri menjëherë në
leksion, e harroi telefonatën.
Mbërriti
në Shqipëri e filloi punën si zakonisht në redaksi. I erdhi një letër prej
Nikollit, i cili kishte shkuar për disa ditë tek i vëllai në Australi. „Arbër,
unë do të jem disa ditë në Australi, po kur të kthehem do të vij dy a tre ditë
në Shqipëri. Bëj, të fala babës prej meje!" Tek kjo fjali gërmat sikur i
ishin bashkuar, e nuk kishte dashur ta besojë atë fjali, por pasi ishte
përqendruar sërish, kishte lexuar qartë fjalët „bëj, të fala ba...."
- Eh, mor
Nikollë, babai im tash është tretur nën dhe e veç kockat i kanë mbetur, - tha
me vete, dhe nxori prej paketës e filloi të tymoste një cigare.
Nikolli,
në kthimin e tij prej Australisë, ishte ndalur në Shtudgard, ndërsa Arbëri
gjendej në Stamboll. Ishte në hyrje të sarajeve të sulltanit, në sheshin
përpara atyre sarajeve, duke vështruar detin Marmara, kur ra zilja e telefonit.
- Arbër,
jam tuj u kthye prej Australie, tash ndodhem në Shtudgard. Jam këtu në një
dyqan orësh e kam gjetë një orë të mirë me qostek, e sapo ta kam ble, për babën.
- Nikollë,
të lutem, mos blej asgjë, babai im ka vite që ka vdekë.
Këtu kishte
mbaruar bateria e telefonit e biseda kishte mbetur pa përfunduar. Pavarësisht
prej njëri-tjetrit, Arbëri u kthye prej Stambollit në Shqipëri, e Nikolli prej
Australisë në Kosovë.
Ishte
fundi i prillit, e mërkura e Pashkëve, kur Arbërit i ra sërish telefoni.
- Jam
Nikolli, - u dëgjua zëri përtej telefonit.
- Gëzuar
Pashkët, e për shumë mot, Nikollë. Jam munduar të të marr e të të uroj, po nuk
më je përgjigjur. Unë jam në fshat, tek njerëzit e mi.
- Nuk kam
qenë, isha për Pashkë tek motra në Gjermani, po harrova telefonin, kështu që të
mora sot unë me të urue. Po si i ke? A po ma jep babën në telefon, që t'ia uroj
Pashkët dhe atij, se asht plak njeri e i bahet qejfi? Mos harro, orën me qostek
e kam gati, kur të vij atje do t'ia sjell si dhuratë...
Arbëri, i
stërlodhur prej kësaj pyetje, nuk diti çfarë t'i thoshte, e megjithatë ia ktheu.
- Nikollë,
baba më ka vdekur bash si sot, të dielën e Pashkëve!...
- Zoti të
dhashtë forcë! - dëgjoi zërin e tjetrit prapa telefonit. - Arbër, unë qenkam
korit që nuk mundem me ardhë në mort. Kam borxhe ndaj teje.
- Po më
vjen keq.
"Çudi,
- mendoi Arbëri, - Nikolli ishte burrë i veçantë, kujtohej për gjithçka, e
pyeste pa harruar asgjë, as emrin e djalit e vajzës, bile kujtohej e uronte dhe
për ditëlindjet e tyre, fiks në datën e caktuar. Bashkë me urimin, u postonte
prej larg edhe ndonjë dhuratë të vogël. Por çudi, veç vdekjen e babës gjithnjë
e harronte, e gjithnjë vazhdonte të pyeste për të? Apo nuk i kishte blerë dhe
orën me qostek?"
E pa në
ëndërr babanë atë natë. Iu duk më i lodhur, më i plakur, mbushur plot e përplot
me dhembshuri.


