Viron Kona: Emine S. Hoti - 'Luftëtari i lirisë'

”Luftëtari i lirisë” një vëllim i ri poetik nga Emine S. HOTI

Poetesha
Emine S. Hoti e ka bërë të njohur prej kohësh mesazhin më të rëndësishëm të
librave të saj poetikë, ai mesazh ka të bëj në radhë të parë me atdhedashurinë,
me mallin e autores si mërgimtare për vendlindjen e saj të shtrenjtë, por dhe
me dashurinë e saj për kombin dhe bashkimin e trojeve shqiptare.
Përmes
vargjeve ajo i këndon heroizmit të popullit shqiptar në shekuj, i thur vargje mbresëlënëse
heronjve dhe dëshmorëve, lashtësisë së popullit shqiptar, vuajtjeve dhe
mundimeve shekullore të këtij populli
heroik. Poetesha i drejtohet lashtësisë ilire, luftërave dhe betejave të
lavdishme të Skënderbeut, përpjekjeve të mëdha të rilindësve tanë për
ardhmërinë e kombit, rrëfen përpjekjet dhe betejat për çlirimin nga okupatori i
huaj turk 500 - vjeçar, por dhe demaskon luftërat e padrejta dhe lakmitë e fqinjëve
grabitqarë. Vend të rëndësishëm në këtë vëllim zë epopeja e luftës çlirimtare
të popullit të Kosovës, heroizmi popullor, figura legjendare e Adem Jasharit,
si dhe heroizmi i qindra e mijëra dëshmorëve të këtij populli. Vëllim ndahet në
disa pjesë.
Në
pjesën e parë, që autorja e titullon “Poezi atdhetare”, spikat poezia
“Luftëtari i lirisë”, ku tërheqin vëmendjen vargjet kushtuar Gjergj
Kastriotit-Skënderbeut, Ditës së Flamurit, apo poezitë “E dua kombin
tim”, “Ju heronj e ju dëshmorë”, “Rroftë 28 nëntori!”, “Një flamur kam qëndis”,
“Shqiptarisht”, ”Rrënjët”, ”Gjuha hyjnore”, etj. Te poezia “Luftëtari i lirisë”, që
është një himn për luftëtarët e atdheut, ndër të tjera ajo përcjellë te lexuesi
vargjet: “Sypatrembur e vizionar,/u
prinë kohëve me flamur,/ndeshet fort në fushëbeteja,/pa fitore s`kthehet
kurrë!” Kurse te poezia “Skënderbeu”, poetesha portretizon figurën legjendare
të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Aty spikatin edhe vargjet: “Kur flasim për
Skënderbeun,/kujtojmë dëshmorët dhe heronjtë,/sakrificat e popullit në
shekuj,/veprat e tyre me jetë i mbrojmë”.
Poezia “Dita e flamurit” shpreh mendimin e frymëzuar të zonjës
Hoti, për flamurin kombëtar, i cili është jo vetëm simbol i kombit shqiptar i
ngritur në Krujë, më 28 nëntor 1443, por ky simbol është edhe një lajtmotiv i
shqiptarëve. Flamuri përfaqëson atdheun, të cilin, Evropa, duke dashur të kënaq
lakmitë e fqinjëve tanë grabitqarë, e
ndau me thikën e kasapit e ua dha fqinjëve grekë, serb, maqedonas e malazezë. Në këtë poezi autorja shkruan: “Pas errësirës
shekullore,/historia me dritë shkëlqeu,/nga gëzimi dhe brohoritjet,/sikur u
ngjall Skënderbeu!”
Kurse te poezia 17 shkurt 2008, poetesha nëpërmjet vargjeve, shprehet me
gëzim në shpirt e në zemër për pavarësinë e Kosovës. Ishte kjo pavarësi, një
fitore tjetër e jashtëzakonshme e popullit shqiptar të Kosovës, që rezistonte
nën thundrat e pushtuesit mizor serb, i cili, kreu mizoritë më të mëdha ndaj
një populli krejtësisht paqësor, duke filluar me persekutimet, burgosjet,
vrasjet, dhe sidomos me gjenocidin e skajshëm, duke synuar zbrazjen e Kosovës
nga shqiptarët dhe zëvendësimin e tyre me serbë. Autorja në këtë poezi ndër të tjera shkruan: “Dardania do të jetoj
përjetë,/vend i dashur për çdo shqiptar,/themelet e saj janë të
patundura,/mbrohen nga mijëra Adem Jasharë”.
Në pjesën e dytë të këtij vëllimi spikatin poezi që shprehin mallin dhe
dashurinë e poetes Hoti për vendlindjen,
Drenicën dhe për çdo pjesë të kombit shqiptar. Tërheqin vëmendjen e lexuesit sidomos
poezitë: ”Jetoj në Norvegji në zemër kam Drenicën!”, “Rrënojat e shtëpisë
sime”, “Ëndrrat e mia janë për ty, Dardani”, “Shukria”, “36 vjet në mërgim”,
“Unë dhe im bir”, “Dallëndyshja s`e harron kurrë folenë!” etj. Te poezia “Jetoj
në Norvegji, në zemër kam Drenicën”, autorja shprehet me ndjenjë dhe tregon sesa
vlerë ka atdheu për çdo shqiptar, e sidomos për ata që kanë qenë të detyruar ta
braktisin atë, pasi u përndoqën nga regjimi fashist serb. Ndërkohë poetesha me
një gjuhë të thjeshtë dhe pa zbukurime, shkruan si lajtmotiv vargjet: ”Jam
atdhetare, në zemër kam Drenicën,/është vendlindja ime, ku lindëm dhe u
rritëm./Atje kam kujtime dhe shpirtin kam atje,/Norvegjia më tha: Mirë se
erdhe, Emine!/Jetoj sot këtu, me vajza, djem, mbesa e nipër,/jetoj në
Norvegji, në zemër kam Drenicën!” Te
poezia “Rrënojat e shtëpisë sime” janë emocionuese, veçanërisht vargjet
që mbyllin poezinë: “Te
kjo dritare ëndërroja dhe shkruaja,/shikoja të
ardhmen që unë përfytyroja,/por jeta e solli që të shkoja në mërgim,/ëndrrat e
mia mbetën nën këto rrënoja”. Në këtë pjesë autorja
kujton aktin çnjerëzor të pushtuesve serb që vranë shoqen e saj të ngushtë
Shukrien, së cilës ajo i kushton vargjet: ”Takimi i fundit me
Shukrien më 1997,/kur serbët masakruan shoqen time të rrallë,/ne motrat në
Drenicë më s`u pamë,/ e mira Shukrie jetën e dha për vatan/ Bashkë me lulëkuqet
e lulëbardhat,/ Shukria më thotë motër “jam këtu”,/e ndiej si jehonë nga larg zërin
e saj,/unë mërgimtarja e malluar në Norvegji”. Kurse te poezia “36
vjet në mërgim”, spikatin sidomos vargjet: ”Atje e kam vendlindjen dhe
kujtimet,/ atje kam historinë e të parëve të mi,/atje pushojnë breza të
tërë shqiptarësh,/atje mësova fjalët nënë, atdhe e liri”. Po aq emocionuese është edhe
poezia: ”Dallëndyshja
s`e harron kurrë folenë!” ku nëpërmjet një paralelizmi figurativ me zakonin e
njohur të dallëndysheve, që ngado
shtegtojnë, kthehen përsëri në vendlindje, autorja ndër të tjera shkruan: ”I drejtohem me vargje Drenicës
sime,/vallë ndonjë rrahje zemre ma dëgjon,/ as s`e harroj dhe ajo s`më
harron,/për gjithçka të saj malli më përvëlon./Zemra më thotë të kthehem atje,/
te rrënojat e shtëpisë sime,/të njomë duart, buzët e sytë te burimi,/të rri
ngrohtë në vatrën time”.
Te pjesa e dytë, nuk mund të rri pa përmendur edhe disa vargje nga poezia:” Unë dhe im bir”, ku autorja, duke qëndruar
në kopshtin përpara shtëpisë së saj në Norvegji, bashkëbisedon me djalin e madh për jetën në mërgim. Ja se si shkruan
autorja: ”Bisedoj
me tim bir,/për jetën tonë në mërgim,/flasim e gjithçka rrëfejmë,/mendjen e
kemi tek atdheu ynë./Im bir më kërkon hollësi,/për gjithçka të bukur në
atdhe,/edhe për pemët, gurët e burimin,/për historitë e trimit Skënderbe./...Flasim
me tim bir për atdheun,/flasim dhe nuk pushojmë,/ si qindra mijëra shqiptarë të
mërguar,/atdheun kurrë s`e harrojmë”.
Po aq interesante dhe tërheqëse për
lexuesin është edhe pjesa e tretë e vëllimit
që
autorja e titullon “Apel poetik” e ku bien në sy tema poezish të
tilla: “Populli e kupton ujkun e
vërtetë”,
“Ujqërit te pragu”, “Jeta vazhdon”, “T’i ndalim!”, “Të mos i lejojmë! ”Egërsi”,
“T`u besojmë
veprave!”, “Bashkë” etj. Do të doja të sillja këtu disa vargje nga poezia “Populli e kupton ujkun e
vërtetë”, ku poetesha
Hoti, qorton ashpër disa sjellje të padenja të disa pushtetarëve të etur për
pushtet, të cilët qeverisin në kurriz të njerëzve të thjeshtë dhe abuzojnë me
besimin e popullit dhe të shtetit të tyre. Autorja shkruan: “Ne kemi besim te vetja, jemi
të pamposhtur,/Kosova ecën në rrugën e drejtë e me guxim,/ju duhet të ndryshoni
zakonet e mbrapshta,/mos u ngjani egërsirave që kishim mbi shpinë!/Mos e lini
popullin në mëshirën e fatit,/se “ujku” përgjon e dobësitë tuaja pret,/vesh
petkun e qengjit dhe hiqet si i mirë,/populli e kupton
ujkun e vërtetë”. Në përgjithësi kjo pjesë e
vëllimit u bën apel dhe u tërheq vëmendjen pushtetarëve dhe të tjerëve që të
jenë vigjilentë se, duke drejtuar dhe e udhëhequr popullin, kanë një
përgjegjësi të madhe përpara atdheut dhe flamurit, përpara dëshmorëve dhe
heronjve që ranë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, por edhe përpara popullit
që i zgjedh dhe ka besim te drejtimi dhe udhëheqja e drejtë e tyre.
Pjesën e katërt të
vëllimit autorja e titullon: “Peizazhe letrare”. Aty ajo shkruan poezi
të frymëzuara kushtuar “Bukurisë”, “Dashurisë”, “Të mirës” dhe “Të keqes”;
poezi kushtuar “Koleges sime poete”, apo dhe poezi që shprehin dashurinë
për të kaluarën historike të popullit shqiptar: “Moj e bukura Arbëri”,
sikurse dhe poezi kushtuar “Pajtimtarëve”, për të cilët ka shumë nevojë
populli ynë, poezi kushtuar Nënës së Madhe të popujve të botës Nënës Terezë,
poezi mbresëlënëse për natyrën, sepse ajo është “shtëpia jonë e njerëzimit”.
Te poezia “Koleges sime poete” ajo shkruan edhe vargjet: ”Ti motër je
luftëtare,/përhapëse e mendimit të lirë,/me veprat e tua të vyera,/ndez drita
në errësirë... Te poezia “Pajtimtarët” poetesha Hoti shkruan: “Kemi
nevojë për pajtimtarët,/i duam se ata janë mes nesh,/janë në fis, familje e
shoqëri,/janë prindër, bijë, nip e mbesë./Ata jetojnë pranë e pranë,/janë si
palët e flamurit në shtizë,/ata janë ëmbëlsia e legjendave,/janë të urtët që i
mbajmë në shpirt”. Kurse te poezia kushtuar Nënës Terezë, autorja shkruan vargje plot emocion e dashuri: “Në një botë të
“vrarë” nga dhembja,/u ngrit një zë i butë, si lutje në erë,/nuk mbante armë,
por duar të hapura,/Nënë Tereza — dritë që s’fiket asnjëherë./Nga gjaku ishte
shqiptare, por zemër e botës,/ajo mësoi njerëzimin të besoj në paqe dhe
miqësi,/me buzëqeshjen e saj shëroi plagë shekujsh,/një hap i vogël, por me
peshë në gjithësi./Tha ta mbrojmë natyrën, jetën dhe njeriun,/se pa to paqja
mbetet veç gjest edhe fjalë./Si Nënë Tereza të mbjellim dashuri e
mirësi,/dashuria është gjuha që kupton globi mbarë”. Tërheqëse dhe me
interes për lexuesin janë edhe poezitë që i kushtohet natyrës, e ku autorja vë
theksin në dashurinë për natyrën si ekzistenca jonë, atë ta duam, ta mbrojmë
dhe të mos e zemërojmë, sepse ajo bën pa
ne, por ne s`bëjmë dot pa atë. Prandaj dhe poetesha Hoti shkruan: “Ajo është mbrojtësja nëpër
shekuj,/na jep gjithçka: ujë, bukë dhe dritë,/është e dashur dhe shkrihet me
ne,/e kemi detyrë ta mbrojmë çdo ditë./Natyra bën edhe pa ne,/ne na takon që të
bashkëjetojmë,/të kemi marrëdhënie të mira me të,/dhe asnjëherë të mos e
zemërojmë”.
Pjesa
e pestë e librit titullohet: “Bota po tronditet”, ku autorja, si dhe në
vëllime të tjera shpreh shqetësimin që sjellin luftërat... Kësaj padrejtësie të
madhe njerëzore, autorja i kushton poezitë: “Bota po tronditet”, “Turbullirë”, “Flakë”, “Vajtim”, “Quo Vadis” (Ku po shkojmë?), “Mos u mashtroni!” etj. Në poezinë ”Bota
po tronditet” autorja shigjeton artistikisht sulmet ogurzeza të pushtuesve,
demaskon dhe nxjerr në shesh qëllimet e tyre agresive për të mbajtur nën
thundra popujt. Ajo shkruan: “Botën s`po e tronditin jashtëtokësorët,/botën s`po e
tronditin meteorët,/botën s`po e tronditin
dinozaurët,/botën po e tronditin uzurpatorët!/Botën po e tronditin
kriminelët,/botën po e tronditin lakmitarët,/botën po e tronditin
grykësit,/botën po e tronditin barbarët!”
Në
pjesën e gjashtë të këtij vëllimi,
autorja i ofron lexuesit një intervistë dhe një numër fjalësh të urta, që janë
përvojë e jetës së saj. Gjatë leximit, më entuziazmuan përgjigjet që jep zonja Emine
Hoti në intervistën e realizuar nga z.
Fatmir Terziu, poet, shkrimtar, studiues dhe drejtues i portalit “Fjala e
lirë”, Londër. Sikurse pyetjet me plot origjinalitet nga z. Terziu, edhe
përgjigjet e zonjës Hoti vijnë te lexuesi me kulturë, të sinqerta e të vërteta,
me mendim, thjeshtësi dhe bukuri shkrimore. Në ato përgjigje shprehen mendimet
e një gruaje të mbushur me përkushtim
rreth vlerave njerëzore e intelektuale, aty përcillen mendimet e njeriut
që e jeton jetën me thjeshtësi, por dhe në harmoni të plotë e të lidhur
ngushtësisht me shoqërinë, me arritjet, sukseset, brengat, mundimet, vuajtjet e
gjithçka ndodh në jetën e njerëzve. Në mënyrë figurative, zonja Emine Hoti
shfaqet aty si një rreze drite, që bën
"detyrën" e vet duke ndriçuar, teksa jeta dhe vepra e saj, është një
kontribut i çmuar për shoqërinë. Them se përgjigjet e asaj interviste mund të shërbejnë edhe si një model sesi mund
të përgjigjet një intelektual në një intervistë, shkurt, saktë, qartë, bukur,
si dhe me ide dhe mesazhe që mbahen mend dhe nuk harrohen.
Po
aq interesante dhe origjinale janë mbresat e poeteshës Hoti për shtëpinë e saj
në Drenicë, e cila tashmë e pabanuar është rrënuar krejt. Ajo e sheh në ëndrra
atë shtëpi, sepse atje ka kujtimet, atje u rrit e jetoi me familjen e saj të
dashur, atje dëgjoi histori e rrëfime mbresëlënëse dhe të paharrueshme, atje
dëgjoi për vuajtjet, por dhe për heroizmin e popullit shqiptar në shekuj për të
mbrojtur trojet e tij. Prandaj ajo shkon në atë rrënojë, e cila i duket më e
bukur se një shtëpi floriri, atje ajo kujton se si dikur aty u torturua
stërgjyshi i saj Sheqë Hoti, të cilin mizorët serbë e lidhën tek trau i
shtëpisë dhe, duke e torturuar dhunshëm i kërkonin të tregonte se ku fshihej i
biri, Istrefi, i cili kishte dalë malit për të luftuar për çlirimin e atdheut.
Duke qenë redaktor
i disa librave poetikë të zonjës Emine S. Hoti
dëshiroj të them se ky vëllim shënon një rritje të dukshme poetike,
veçanërisht nga tematika dhe mesazhet që përcjellë; poezitë këtu e shprehin
drejtpërdrejtë mendimin poetik, teksa figurat letrare si, metaforat,
krahasimet, simbolet, epitetet etj. i japin vlerë dhe bukuri. Mund të them se
zonja Hoti i thur vargjet e saj me bukuri artistike dhe ngjyrime, ashtu siç
krijon dhe qëndis me art, pasion dhe dashuri veshjet kombëtare shqiptare. Jo më
kot ajo është konsideruar nga vlerësuesit e saj, por edhe nga media e shkruar
dhe ajo televizive me emrin tashmë të njohur:”Marigoja shqiptare në Norvegji”.
E urojmë nga zemra
poeten Hoti për këtë vëllim mbresëlënës poetik, dhe i urojmë suksese në vëllime
të tjera!
Faleminderit!


