Visar Zhiti: Letra e Papa Leonit është për të gjithë ne

48m më parë

LETRA E PAPA LEONIT

NUK ËSHTË VETËM PËR KARDINALIN TONË, POR PËR TË GJITHË NE,

(EDHE PËR ATA QË S’DUAN TA LEXOJNË…)

Nga Visar Zhiti

1.

Letra e Papës:

VËLLA I NDERUAR,

me një mallëngjim të thellë bashkohem shpirtërisht me Eminencën Tuaj dhe me të gjithë ata që janë mbledhur në ish-kampin e burgimit të Spaçit, ku Ju ktheheni pas kaq vitesh për të kremtuar Eukaristinë, Sakrificën e Krishtit, e cila e shndërroi Kryqin nga shenjë vdekjeje në premtim jete.

Ai vend, i gdhendur në kujtesën e popullit shqiptar, mbetet një prej faqeve më të dhimbshme të historisë së tij. Spaçi ka qenë një vend ku shumë njerëz kanë mbartur kryqin e rëndë të padrejtësisë; gjaku i atyre që kanë vuajtur dhe kanë vdekur mes atyre maleve e ka ujitur atë tokë, duke e bërë një dëshmi të heshtur besnikërie, guximi e shprese. Sa shumë lutje do të jenë ngritur drejt Qiellit nga ai vend! Sa përgjërime janë pëshpëritur në zemër! Sa shumë njerëz, të shënuar nga mundimi dhe privimet, ia kanë besuar Zotit shpresën e tyre të fundit!

Memoria na e kujton se asnjë zinxhir nuk është aq i fortë sa të burgosë një ndërgjegje të ndriçuar nga Ungjilli, asnjë natë nuk është aq e gjatë sa të pengojë agimin që Zoti përgatit për bijtë e Vet dhe asnjë burg nuk është aq i thellë sa ta ndajë njeriun nga dashuria e Hyjit (krh. Rom 8,35-39).

Bashkohem në lutje për ata që kanë vuajtur dhe kanë vdekur në Spaç, që kujtimi i tyre të mbetet i gjallë dhe të jetë për brezat e rinj një thirrje e vazhdueshme për të respektuar dinjitetin e pacenueshëm të personit njerëzor, vlerën e lirisë dhe angazhimin për paqen.Të gjithë të pranishmit ia besoj ndërmjetësimit të së Lumes Mari Virgjër, Nënës së Shpresës, dhe, duke ju siguruar se do t’ju kujtoj në lutje, i jap me gjithë zemër Eminencës Suaj dhe të gjithë pjesëmarrësve në kremtim Bekimin Apostolik të kërkuar.

Nga Vatikani, më 30 korrik 2026

LEONI PP. XIV

2.

EMOCION IMI:

Vëlla i nderuar! - i shkruan Papa Leoni bashkëvuajtësit tonë, tani Kardinalit dom Ernest Simoni, që është rikthyer atje ku ka qenë i burgosur dhe po mban Meshën e Shenjtë.

Vëlla i nderuar, - i thotë. Sa mallëngjyes është mallëngjimi i Tij! Njerëzor, që arrin qiejt…

Dy fjalë: “vëlla” dhe “i nderuar”, që na mungojnë aq shumë…

Kujtoj me dhimbje të thellë bashkëvuajtësit e mi, ata që s’janë, që i vrau shteti e u vranë në minierë e ferrit, kujtoj miqtë e miqtë e mi të prangave me flokët e bardhë e plagë në zemër, ku nuk shohin dot të gjithë…Papa është me ne, me vuajtjen tonë…

Letra është dhe për shtetarët e tanishëm, politikanë e deputetë, Kryeministrin e Presidentin, që nuk bëjnë asgjë me rëndësi për kujtesën kolektive, muzeume të diktaturës, BunkArt 1 e sikur të mos mjaftonte edhe BunkArt 2, Shtëpi me Gjethe e të Socrealizmit, jo muze Spaçin, as filmin per revoltat në burg, as Burrelin, Tepelenën, Savrën, etj, veç barriera të padukshme dhe te dukshme per letërsinë që erdhi prej andej, per poezinë e romanet e përkthimet e mëdha, jashtë teksteve të edukimit shkollor… dhe sa trishtim, kur ka nga ata, edhe intelektualë, që duhet të ishin vërtet vëllezërit e ish të burgosurve politikë, empatikë për vuajtjen e tyre, kur vetë ishin me ata që shtypnin, me veprat dhe fjalën, vazhdojnë të dalin kunder si policët të veshur civilë, jo vetëm me braktisje dhe heshtje, por dhe me urrejtje e xhelozi kriminale, madje dhe me sulme, sa duket se duan të mbulojnë kështu nga vetvetja e dikurshme dhe e tanishme, për atë që bënë e që s’guxuan të bëjnë, qortojnë si Judë me talent ish të burgosurit… Në qoftë se kjo shoqëri ka ende nder e moral, në eshtër e ka prej të burgosurve politikë, që tani duan t’i nëpërkëmbin, se pa ata do të dukeshin ata që nuk janë dot… por fali, o Zot, se nuk dinë se ç’bëjnë!

Apo e dinë shumë mirë, pyes prapë…

Vëllezër të nderuar, - kështu siç thotë dhe Papa!

Lexojeni sërish letrën e Shenjtërisë së Tij, është e thjeshtë si Letrat Biblike, e pakët si metaforat e saj, po ka aq botë me thirrjen se ku duhet të jemi…

3.

PËRGJIGJE LETRËS:

Shenjtëri, Papa Leoni,

Si një ish i burgosur i Spaçit, ju falënderoj dhe unë me gjithë zemër për letrën tuaj drejtuar Kardinalit tonë, Dom Ernest Simoni

Troshanit me rastin e Meshës së kremtuar në atë vend vuajtjeje dhe martirizimi.

Edhe Krishti ishte aty…

Letra Juaj është për të gjithë ne.

Fjala juaj i prek thellë shpirtrat tanë.  Ajo na kujtoi se, edhe në errësirën më të madhe, “Drita shndrit në errësirë dhe errësira nuk e mundi.” (Gjn 1,5). Ky ngushëllim dhe ky bekim do të mbeten të pashlyeshëm në kujtesën tonë.

Unë ju shoh shpesh si vegim para Zonjës së Këshillit të Mirë, që është dhe Pajtorja e Shqiptarëve, ku Ju, Shenjtëri, bëtë vizitën e parë jashtë Vatikanit…

Zoti ju bekoftë dhe Shpirti Shenjtë ju udhëheqtë gjithmonë në shërbimin tuaj për Kishën dhe mbarë njerëzimin.

Me nderim dhe lutje,

një ish i burgosur politik i Spaçit,

Visar Zhiti

nga Chicago-ja Juaj,

31 Korrik 2026 See less