Visar Zhiti: Kardinali ynë…

21.09.2026, 06:54 PM (GMT+1)

KARDINALI YNË…

Është një mrekulli, vjen nga Qielli…

Nga Visar Zhiti

Zbret në SHBA… fluturoi nga Londra, ku u takua dhe me Mbretin Charles III… meshë dhe në New York… nga Shkodra jonë ka shkuar në Firencen e Rilindjes… kthehet në Tiranë… fluturime prapë… në avion, në kishë… i ftuar dhe në Shtetin e Illinois-it… meshë për shenjten tonë Nënë Tereza… po ajo ka dhe shtëpi të dashurisë në Chicago…

Dom Ernest Troshani, për atë po flasim… nga i burgosur në Spaç - në Kardinal… nga ferri në altaret e dritës…

…Dikur, në Shqipërinë e diktaturës, prift i ri, kremtoi Meshën për shpirtin e Presidentit John F. Kennedy, Presidentit të parë katolik të Shteteve të Bashkuara, që i bënë atentat. Dhe në Krishtlindjen e vitit 1963 e arrestojnë për atë meshë. U dënua me vdekje, pastaj dënimi iu kthye në burgim dhe punë të detyruar: Spaç, minierë, errësirë, djalli, uri, dhunë… ne… dhe u bëmë pjesë e jetës se tij misionare…

Dhe ai vjen në atdheun e Presidentit Kennedy, në kryqytet, në Washington mban meshën e shenjtë… e mirëpresin kudo, e kërkojnë… viziton dhe Muzeun e Madh të Krimeve Botërore të komunizmit… vjen si Kardinal… por dhe si dëshmi e gjallë dhe e shenjtë…

Në Ungjill lexojmë:

“Drita shkëlqen në errësirë dhe errësira nuk e mposhti.” (Gjoni 1:5)

Sa e thjeshtë, madhërishëm kumbon dhe tani, si e thënë dhe për Kardinalin tonë, Dom Ernest Simoni Troshanin. Ai po mbart dhe bekimet e martirëve tanë, të të pushkaturve, të atij besimi të lartë, kujtimin e të burgosurve, të të vuajturve, fjalën, premtimin, ndërgjegjen, dritën…

Është 98 vjeç… Një shekull qendrese… Njeriu mund të dalë nga errësira pa e mbartur errësirën brenda vetes. Dhe bashkohemi me lutjet e tij. E presim…

Vetë kjo pritje është Kujtesa e një mrekullie. E vetëmjaftueshme, kuptimplotë… Këmbët që kanë tërhequr vargonjtë e vuajtjeve, edhe lodhen, por hapat kanë gjurmët prej drite në atë rrugë, të prirë nga Hyji… ja, afrohen…

Avitet ikona e tij, fryma… me një histori që nuk duhet harruar, histori mrekullie dhe e së ardhmes…