Visar Zhiti & Eda Agaj Zhiti: Skicë e 30 Gushtit dhe përqafimet pa mbarim…

2h më parë


SKICË

E 30 GUSHTIT

DHE PËRQAFIMET PA MBARIM…

…Ca vija e harqe të shpejta si urimi, si frymëzimet, piklat e bukura të syve, vetullat dhe një tufë kaçurrelash mbi to sikur të këtë rënë pak ëndërr dhe kapuçi i bebit - copëz qielli, doçka që lëviz aq ëmbël dhe copat diellore të ditës, e gjitha kjo mbi një gazetë, po vizatonte Maestro Ibrahim Kodra, siç e kish zakon me miqtë, ja, firma e tij “si një vizatim më vete” - siç i thoshte Picasso, dhe ti e ke tënden tashmë këtë vepër, dhuratë çasti, dhe më dukej se ishte lajmi më i bukur në të gjitha gazetat e botës asaj dite: kishte lindur një fëmijë! - dhe ja, portreti i tij i pëllumbtë, kur kishte mbushur 1 vjeç dhe dinte të qeshte…

…Dhe pastaj, kur ai të ishte rritur, aq i bukur si çdo adoleshent dhe bëhej gati për në universitet… të nxjerrësh nga iPfone i tij imazhe për këtë ditë, përqafimet e mëdha me mamin dhe me babin, se gjithmonë mbetesh biri, edhe kur bëhesh shok me ta, çfar?do që të sjellë e ardhmja…

Janë në shtëpinë tënde, përqafime plot gëzim dhe dhimbje të bukur, njëri vjen si më fluturues, arrin qiejt gjithë gaz, tjetri ka dhe forcën e jetës, mendim dhe dramë, gjithsesi praruar me buzëqeshjen tënde.

Gjej dhe përqafime të tjera, ashtu gjithë dashuri, por unë desha të thosha se e kam kuptuar që edhe përqafimi kërkon dije si dhe shpirt dhe atë mister të veçantë, hyjnor, për të mbetur i përjetshëm.

Dhe mrekullisht ti na e mësove duke na e dhënë…

E & V