Visar Zhiti: Një i plagosur rëndë në Luftën e Trojës flet përçart me Helenën

54m më parë

NJË I PLAGOSUR RËNDË

NË LUFTËN E TROJËS

FLET PËRÇART ME HELENËN

-

- Poezia e së Enjtes

nga Visar Zhiti -

-

…ah… dua… të mos vdes… tani…

Jashtë, pas perdeve të mëndafshta

të dritareve të mëdha

të pallatit tënd, përtej mureve rrethues, bëhet beteja. Dhe mbi plagët e mia bëhet.

Njerëz dhe kuaj vriten.

Dhe toka

dhe gjysmë perënditë. Digjen anijet

në breg, dhe jetët digjen. Si hobetë-

vorbulla urdhërash në ajër.

-

Ti je shkaku Helenë, ti! Bukuria jote

më tepër se ti vetë. . . Episode betejash thur nëpër qilima

me avlement nën pishtarët e ankthit. Mbaron një qilim

dhe betejat s’mbarojnë. Ndryshojnë pamjet

në fushën e qilimtë të luftës. Rrëkera e gjakut bëhet fill i kuq n’avlëmentin që s’mund të ketë

fantazinë

e një të plagosuri. Pu-pu, po afrohet

i Verbëri i së ardhmes?! Helenë,

-

rënkimet a qëndisen dot, britmat dhe

intrigat? Po plagët? Një njeri i shtrirë

nuk është qëndismë e vdekjes?

Të vdekurin

mund ta mbështjellësh me qilima,

por jo Vdekjen.

Çast është dhe përjetësi Ajo si Ti,

Helenë!

Ah, atje larg pranë plagëve të mia,

në fushën e hapur të asgjësë,

-

mijëra të vrarë i mbështjell veç terri. Vijnë korbat

dhe i hanë.

Bukuria jote e tepruar i ha, Helenë.

-

Ti ke shumë bukuri, aq sa vazhdimisht do të teprojë

për shekujt! Dhe korba do të ketë…

Më djegin buzët e kuqe të plagëve

si buzët e tua. . .

Aty është… varri im…. tani dua…

të vdes!... ah… h-h-h!

-—————————————-

Nga libri “Kujtesa e Ajrit”,

botuar në shekullin e kaluar,

Tiranë, “Lidhja”, 1993.

-

Ballina: pikturë nga Maestro

Ibrahim Kodra, dhënë posaçërisht

për librin nga Autori.