Visar Zhiti: Kjo dëshirë për të parë përmbys
KJO DËSHIRË
PËR
TË PARË PËRMBYS
-
përsiatje mëngjesi -

Të
pëlqen të shëtisësh, sa më afër asaj që është natyrë, më saktë: e natyrshme,
përmes pemëve dhe mirësisë, dua të them: njerëzve, pranë ujërave dhe fantazisë,
vetëm, duke patur brenda vetes të tjerë, se ndodh të jesh me të tjerë dhe je më
vetëm, - kështu po mendoja.
Ndjen
një buzëqeshje në erë, ndal diku, le të jetë stol druri ose kujtim…dhe do që të
lexosh, se është ndryshe leximi jashtë, pa rafte e mure…
Përreth
teje është një përmbysje, që nuk bën zhurmë, e prajshme, por edhe joshëse,
ujërat pasqyrojnë qiellin, por s’janë qielli, pemët janë me kryet poshte, por
jo ato vetë, peizazhi i gjithë kështu,
madje dhe një pellg vocërrak arrin t’i kthejë me kokëposhtë një grataçiel a
pjesë të tëra qyteti…
Nga
vjen kjo fantazi përmbysjeje e ujërave, vetvetiu do të thoshim, është e padëmshme, ambicje, pafajësi,
estetikë, porosi e heshtur?
Po
ka njerëz që përvetësojnë vetëm nga suprina e pellgjeve, të përmbysin ç’kanë
ndërtuar të tjerë, ktheji me kokë poshte ndodhitë, të gjitha çfarë shikon… Siç
duket, ata duhet të kenë ujëra të ndenjura në shpirt…
Uji,
jo, nuk e përmbys botën. Ai vetëm e pasqyron. Përmbysja është një iluzion i
syrit, ndërsa pasqyrimi është besnikëri ndaj dritës. Po apo jo? Reflekto! - i
themi vetes dhe tjetrit si vetes. Pemët nuk i lëshojnë rrënjët drejt qiellit,
as retë nuk fundosen në thellësi ujërash. Gjithçka mbetet në vendin e vet, edhe
kur ne shohim ndryshe…
Ndoshta
ky është një mësim që natyra e përsërit pa zë. Ka gjithmonë njerëz që duan ta
përmbysin realitetin, duke besuar me të drejtë se do ta bëjnë më të mirë ose më
të bukur. Por duhet ditur se bota nuk përmbyset ashtu… ka rrënjë, gravitet, ka
ligje që nuk i nënshtrohen ambicies së askujt, ka bukurinë e saj që duhet
kuptuar. Duhet të përmbysim brenda vetes!
E
vetmja përmbysje që natyra pranon është ajo e dashurisë, po mendoja i joshur
nga mendimi. Dashuria e kthen njeriun nga vetja te tjetri, i ndryshon rëndesën
e mendimeve, i zhvendos qendrën e botës nga “unë” te “ti”, në qendrën tënde. Në
dashuri e kemi qiellin përsipër, ujin më të kthjellët, pemët më të gjalla,
librat më te vërtetë… sepse zemra na ka përmbysur rendin e brendshëm. Është e
vetmja përmbysje që nuk shkatërron, përkundrazi, i jep gjithçkaje kuptim.
Uji
e di këtë. Prandaj nuk përpiqet të krijojë një botë tjetër. Mjaftohet ta
pasqyrojë me një besnikëri aq të përkryer, sa për një çast duket se mashtron.
Vetëm syrin. Kurrë të vërtetën.
Madhështia
nuk qëndron te dëshira për të përmbysur gjithçka, por te aftësia për ta parë
botën pa e dhunuar, sidomos rendin e saj. Si
dashuria: e vetmja forcë që e përmbys njeriun, pa e rrëzuar.
Vazhdo
leximin tënd, përreth teje ka ndodhur përmbysja, që është tjetër nga përmbysjet
në jetët njerëzore…
Vazhdo
shëtitjen tënde me një pikëllim më shumë, që dhe të duhej, me një mendim më
shumë, me dashuri më shumë, që je vetë ti…


