Visar Zhiti: Arti i leximit dhe miku ynë, Dhimoja

ARTI I LEXIMIT
DHE MIKU YNË, DHIMOJA
Dekalog nga Visar Zhiti
Marrëdhëniet me librat janë si me njerëzit… Këtë
desha të thosha,
por po e nis me makinën e Dhimos.
1.
Takohemi
shpesh e makina e tij ngjan me një bibliotekë me rrota, se ka libra gjithandej,
letra të shkruara, duhet t’i mbledhësh dhe t’i shtysh më tutje që të ulesh,
edhe sedilja pas është me libra, rrëmujë që më pëlqen, i shoh, flasim shpesh
për librat, i kërkoj ndonjë të ri, por shoh që s’e ke, i them, është në bagazh,
më thotë. Kur ndalim diku, e hap, libra dhe aty, anglisht e shqip, babiloni e
vogël, ja, merre, jepja dhe… por lexo dhe këtë që ta diskutojmë, s’m’u duk
ashtu siç po thonë, por…
2.
Librat
nuk janë thjesht faqe të shtypura, që të tregojnë ngjarje dhe njerëz, libri për
Dhimon është frymë njerëzore. Edhe takim si me njerëzit.
Të
ndalësh te fjala, tek heshtja mes dy fjalëve, tek dhimbja, tek ajo që është
lënë pa u thënë plotësisht. Se nuk duhet lexuar vetëm teksti, por dhe njeriu
pas tij, prandaj dhe takohemi. Kështu thotë Dhimoja pak a shumë…
Librat
janë si njerëzit. Disa kalojnë pranë nesh si kalimtarë të rastit, si
përshëndetjet e tyre. Disa të futen në jetë, ashtu si disa fytyra që nuk
largohen kurrë nga kujtesa, të trazojnë, për mirë dhe për keq, bëhen miq dhe
kundërshtarë. të ndjekin gjithë jetën…
3.
Dhimoja
e ndjen këtë.
Dhe
pikërisht aty fillon arti i leximit.
Dhe
na pëlqen ta bisedojmë. Ka lexime të pastra, të sinqertë, të pandikuara nga
simpatitë jashtëlibrore apo nga e kundërta, siç na ndodh, sidomos për
shkrimtarët bashkëkohës, ndokënd dhe e kemi njohur, e kemi takuar, paragjykimet
në lexim ta prishin leximin, edhe vetëkënaqësia e të ndjerit i lëçitur, pa le
ideologjitë, se kujt i përket një autor, i socrealizmit aq bezdisës dhe tani
apo që ka qenë në burg, dhe kjo s’duhet ngatërruar me vlerat letrare, morale
po, themi ne. Ka lexues intaçinj, që lënë librin dhe marrin hurin, qeshim ne…
Dhe
Dhimoja babanë e ka patur në burg politik, po unë që kam qenë dhe vetë në burg,
i them, por kjo nuk ndikon në leximin tim, më thotë. Kështu besoj. Po lexoj
prapë “Rrugët e ferrit”, por më jep në « Kohën e britmës », se ia dhashë
njërit, pa e mbaruar vetë, që ta lexonte, m’u duk sikur e donte…
4.
Dhimo
Jano u rrit baltrave socialiste të fshatit, kooperativave, me gjyshin të ikur e
babanë në burg, me biografi të keqe, pra, siç thuhej atëhere, pa përkrahje duke
qenë dhe vlleh, çobanë, po jo, i them unë, s’kemi patur dallime të tilla,
përkundrazi, luftë klase po, edhe të egër. Ndikon dhe në lexim, edhe tani, më
duket.
Kur
ra perandoria komuniste dhe Shqipëria jonë ndryshoi, Dhimoja kreu fakultetin
Ekonomik në Tiranë, në moshë më të madhe se e studentit, ishte dhe i martuar,
por e kishte ëndërr shkollën, por paskësh qenë dhe kohë e humbur, më thotë, se
e shqetëson cilësia e shkollë, pastaj ai mërgoi në Greqi, të tjerë tregojnë
vetëm për punët andej, vështirësitë, etj, ai kujton dhe librat që lexonte, e di
ç’më tha një grua, kur po bisedonin për Dostojevskin, rrëfen: unë nuk e lexoj,
por i përjetoj romanet e tij. Ky është lexim…
5.
Dhimoja
mësoi të lexojë apo leximi është art, që nuk mësohet, e ke ose nuk e ke?
Ai
lexon dhe libra ekonomikë, filozofi, ese, po edhe gazetat e mëdha amerikane
online çdo ditë, ndihmon bizneset e tij, bursën, shkon ku ka investimet, andej
këndej me makinën e tij, bibliotekë lëvizëse, në Chicago shokët e shohin si “të
suksesshëm”, ai buzëqesh, arritje quan të qenit njeri, të krijosh ato mundësi
dhe të guxosh të bësh… I vjen keq kur të
rinjtë nuk lexojnë letërsi, por gjithe kohës në celular, në fb, vanitete.
Gezohet kur djemtë e tij i sheh me ndonjë libër në dorë dhe ma tregon…
Dhimoja
bën dhe për të tjerët, ka shumë shokë e miq..
ashtu si librat…
Dhe
do të flasim per Kafkën, Camus, Jungun… Dickens… Peterson, po edhe Coelho
lexohet shumë, statistikat tregojnë se…Dhimoja i njeh ato… ja dhe ballkanasit
tanë, Kazanzaqis, Andriq… sa më trondit Kosova me ato ç’ka hequr, pashë një
film… patjeter flasim dhe për Kadarenë, është yni, unë e kam lexuar të gjithin…
ty të pëlqejnë amerikanët Whitman, Hemingway, etj. Po poezia sot si është?… Dhe s’ka si të mos
flasim për atê që na dhemb, për letërsinë që erdhi nga burgjet…Shallamov,
Sollzhenicin… At’ Zef Pllumi… Kasëm Trebeshina, Lubonja…po edhe ai që ti mke
qenë në burg, ka kujtime me interes, më tërheq memuaristika, e vërteta…
shfleton herë pas here për ndonjë emër a ndodhi “Rrugët e ferrit”, “Ferrin e
çarë”… Romani yt, “Funerali i pafundmë”,
- më thotë, - po të kishte emrin e ndonjë shkrimtari të njohur në botë, do ta
shikoje… sa mirë që doli dhe në SHBA anglisht dhe më uron prapë e buzëqesh
paksa…
E
kuptoj që e trishtojnë ata që s’dinë ë urojnë. Shkojmë marrim ndonjë birrë,
thotë, i thërrasim dhe Strategut, Uliksit, Doktorit, e mbledhim grupin dhe një
here….
6.
Si
i ke marrëdhëniet me librat,
ashtu
i ke dhe me njerëzit. Si thua? Se edhe librat janë si njerëzit, e thamë, por
edhe njerëzit janë libra të gjallë…Tê lexosh njerëzit…Mbase.
Vazhdoj
bisedën me Dhimon. Njoh njerëz të mirë, por që nuk lexojnë, s’e di… E kanë
brenda vetes librin që s’kanë për ta lexuar kurrë dhe ka që lexojnë, por s’kanë
pësuar gjë nga librat, shablloni madje ka shtuar energjinë negative të tyre.
Qesh
kur më thotë që ndokënd libri “e çorienton”, më mirë të mos lexojë, të tjerë “i
çakordon”, lexojnë keq… mjerë libri!…
Ehe
mund të shkruash mirë apo dhe shumë mirë, kjo i takon estetikës, por libri
gjithsesi ka karakterin e autorit të vet, vetëm karakteret e mëdha bëjnë vepra
të mëdha, më thotë. Madje dhe leximi ka karakterin e lexuesit të vet, shtoj
unë…
A
mund të jetë leximi profesion?
Art
po…
7.
Dhe
i vazhdojmë bisedat me të tjerë, në tryeza të tjera, çështje të tjera, politika
në SHBA dhe në Shqipërinë tonë, lufta tani, Irani, Kina, mos harroni Ukrainën,
moslufta, demon…kracia… Presidenti, shkrimtarët mënjanas. Konica, Noli,
themeluesit e “Vatrës” me libra…
Dhe
na pëlqen të pranojmë se të lexuarit duhet të jetë mënyrë jetese. Dhe ndonjëherë,
një libër të dhemb. Jo sepse është i trishtë, por sepse të thotë një të vërtetë
që nuk doje ta dëgjoje. Libri duhet të jetë e vërteta…
8.
Dhimoja
leximin e ka bërë artin e të vërtetave njerëzore. Jo thjeshtë që të zbulojë ato
që s’i dinte, histori dhe mistere, por psikologji, trauma, pasoja, kuptim jete,
etj.
Mund
të mos shkruash bukur, por duhet të lexosh bukur patjetër, kjo për mua ka më
rëndësi… Arti i të lexuarit nuk është vetëm arti i të kuptuarit, por: të lexosh
me shpirt!
Libri
nuk duhet të na presë veç në raft, ai duhet të jetë afër, me ne… edhe në
makinë… si rruga, si mendimi dhe emocioni, që nuk ndalet... Edhe kur jemi në
lëvizje, duhet të mbetemi brenda leximit. Libri të jetë brenda nesh. Shkrimtari
na e zbulon…
9.
Prandaj
dhe kufiri mes librit dhe njeriut është pothuaj i padukshëm për Dimon. Ai azhdon dhe i lexon librat si të ishin njerëz
me zë, me karakter, me plagë dhe me heshtje dhe njerëzit i sheh si libra që
duhen kuptuar, jo gjykuar menjëherë.
Disa
“libra-njerëz” i hapen lehtë dhe të dhurojnë menjëherë kuptim. Disa të tjerë
kërkojnë durim, si kapituj që nuk zbërthehen me një lexim të parë. Ka edhe nga
ata që mbeten të mbyllur, por prapë të respektuar, sepse çdo libër ka të
drejtën e misterit të vet.
10.
Dhimbjet
dhe gëzimet jetojnë mes faqeve të shtypura të librave, sepse ua dhamë ne dhe
ato na i kthejnë, të gjitha, edhe më shumë se ç’u dhamë, ku I gjen:e? Kjo është
letëria, ky është leximi. Por dhe një bisedë është si një kapitull i ri, një
njeri është si një roman i hapur dhe çdo takim është një faqe ku mund të
nënvizosh ose le të harrohet.
-
Na u bënë shumë libra dhe këtej, Dhimo, s’i mbartim dot…
-
Po edhe duhen lënë, jo vetëm libra, por edhe njerëz, - ma kthen Dhimoja, -
duhen flakur!… - dhe ma thotë ai që është aq njerëzor… Prandaj ai nuk nxiton as
me librat, as njerëzit. Sepse e di që kuptimi i vërtetë nuk jepet menjëherë, ai
zbulohet, prandaj dhe vazhdojmë të lexojmë, por edhe të takohemi… dhe pastaj
mund të tregosh.
Po
që ti ke datëlindjen sot? Edhe 100 vite të tjera, 100 librat më të mirë të
shekullit, 1001 net, gëzime po aq, edhe më shumë...
Edhe
leximi është datëlindje, e jotja dhe e të tjerëve çdo ditë.





