Visar Zhiti: Papa Françesku - Një vit në qiell…
PAPA FRANÇESKU
NJË
VIT NË QIELL…
Rikthim
te Takimi ynë i parë… Duart…
Nga
Visar Zhiti
1.
MBRESË QË SHKËLQEN
GJITHMONË…
Të
takohesh… me Papa Françeskun, të shtrëngosh duart me Shenjtërinë e Tij, të
vështrohesh në sy, të prarohesh nga drita e vështrimit të tij, e mirësisë, ku
pëziehen një si ngazëllim qiellor dhe përkushtimi përdëllyes i Bariut, të
shkëmbesh disa fjalë, ku Ai menjëherë të thotë atë që të duhet, edhe pse çastet
pranë tij janë tejet të pakta, megjithatë ato të japin ndjesinë e një
përjetësie biblike tënden…
Në
atë copëz rruge nga ku ti je nisur nga ana ku rrinte Trupi Diplomatik, teksa i
afrohesh Atij, që po pret në këmbë, i bardhë, i qirinjtë, i ëndërrt, ndërkohë e
ndjen dhe si një Mik të hershëm… të Shqipërisë… të kapin emocione të veçanta
dhe një përgjegjësi e bukur, superbe.
Po
shkon drejt Tij si qytetar shqiptar, përfaqësues i vendit tënd, mbart me vete
nga kumtet shekullore, pëshpërima liturgjike buzukiane, hedh dhe një hap
tjetër, në vend të dekoratave që të tjerët përreth kanë plot, ti e mbush
gjoksin me dhimbjen e plagëve të martirëve të vendit tënd, ke dhe Fishtën,
“Lahutën e Malcis”, madje dhe anglisht, krah teje të shoqërojnë përunjësisht
imazhet e dy kardinalëve shqiptarë, me të cilët ke qenë në ferrin e diktaturës
si bashkëvuajtës, vazhdon të ecësh, të lëbyrin sytë buzëqeshjet magjepsëse të
Shenjtores tonë Nënë Tereza përhapur nëpër ajër si flatra pëllumbash, një hap
tjetër, shungëllojnë muret e tempujve të ringritur, lëvizin ikonat me të kuqen
e kardinaltë, që është dhe onufriane, ndjen besën dhe vëllazërinë proverbiale
midis feve në vendit tënd, të kapllojnë shqetësime të tanishme, ecja të
rëndohet, mbi supe ke tragjedinë tënde, kurse nëpër këmbë si gracka të
përshfaqen ligësitë e shkaktarëve, të pjellave vrastare, fyerjet, hapat
hutohen, përbaltjet e klanit presidencial të republikës së banalitetit, heshtja
pikëlluese e popullit, braktisjet, guri sizifian i mundimit, dashuria e atyre
që vetëm dinë të duan, etj, engjëlli mbrojtës vetmitar që prin, gjenerata e
engjëjve ringjallëse e atdheut, ku jeni?...
ndërkaq ti ke arritur para Papa Françeskut, ndal aty duke u përkulur
lehtë…
Shenjtëria
e Tij po të priste, të sheh, të kupton menjëherë, të jep dorën, atë dorë që e
kanë shtrënguar mijëra e mijëra njerëz nga kudo, anonimë e të shquar, edhe nga
vendi yt, fëmijë e të moshuar, varfanjakë, artistë, burra shtetesh nga të
gjithë kontinentet, krerë të feve, etj, etj, ndërsa Ai me ato duar ka larë dhe
këmbë të burgosurish çfardo, këmbët e vuajtjes, të njeriut, të penguara, të
vrara, të ecjes së njerëzimit, por tani…
Ai
është me ty, për ty i gjithë dhe ti e ndjen se duhet të thuash diçka në emër të
asaj që je, që nuk ia ke thënë më parë, e dua Shqipërinë, të thotë Ai sërisht,
por që kumbon e re, e veçantë, zëri të nëpërmend meshat e Tij të shenjta e ti
merr zemër e i thua se aq sa bëtë Ju, Shenjtëria Juaj, vitin që shkoi, për
shqiptarët dhe kishën e tyre, sa ç’ka bërë Selia e Shenjtë tani për Shqipërinë,
etj, nuk ishin bërë për 1.000 vjet, 2.000 vjet dhe Ai qesh me zë, Ju jemi
mirënjohës, shton ti dhe Ai zgjat krahët e kap fort të tutë e ti ndjen
ngrohtësi apostolike të Atij që sot është udhëheqësi më i fuqishëm moral i
botës.
Do
të doje të vazhdoje t’i thoshe se bota është bërë më e mirë me Ju, por duhet të
largohesh që të vijë tjetri në takim pas teje, i një vëndi tjetër, por atë që
ti s’arrite t’ja thoje dot, e përplotëson jot shoqe me përqafimin që i jep Papa
Françeskut si një Marie e veshur me të zeza. Dhe teksa ikni, shikoni në
dritaret e mëdha mikelanxheleske vegimin e Birit, të Krishtit në Qiell.
2.
SHQIPONJA JONË
ME DUART E PAPËS…
“Papa
Françesku i qeshur, me kaq shumë dritë në sy, me duart e Tij bëri shqiponjën
shqiptare, natyrshëm dhe shenjtërisht...”, duke u kthyer nga të rinjtë
shqiptarë, - kështu kisha shkruar dikur.
Ishte
në një takim ndërkombëtar rinor… Dhe s’kam si të mos kujtoj porosinë e
Papës , që na la gjatë vizitës në
Shqipëri: “…mos harroni foletë dhe plagët…”.
Ngjajnë
plagët me foletë, kështu më duket… Në plagët tona ka shqiponja dhe në foletë e
tyre ka diell malesh…
Dhe
kur shqiponjën tonë e bëri me duar dhe Shenjtëria e Tij, ndërkohë dhe lideri
moral më i madh i botës, misionari i paqes së popujve, atëhere ne e çmojmë ende
më shumë emblemën tonë, heraldikën e identitetit dhe të lashtësisë…
3.
Në
qiell fluturojnë me pëllumbat e paqes e me shqiponjat tona… dhe shpirtrat…
Shpirti
Yt… Papa Françesku…
Një
vit… që ike… dhe drita Juaj prin drejt paqes hyjnore.
Bari
i mirë, tashmë në amshim, lutu për ne pranë fronit të Zotit… siç na thoshe:
Lutuni për mua… e kujtoj…
Po
Shenjtja jonë Nënë Tereza si thoshte: takohemi nëpër lutje…







