Visar Zhiti: Dita Botërore e Librit, Panteoni dhe shkrimtari që iku sot…
DITA BOTËRORE E LIBRIT,
PANTEONI
DHE SHKRIMTARI
QË
IKU SOT…
- Nderim Akademikut Rexhep Qosja -
Nga
Visar Zhiti
Teksa
më shfaqet imazhi i një tempulli librash, befas lexoj se është shuar sot
Akademik Rexhep Qosja… Gjithandej shkruajnë lexues, dashamirës të shumtë,
kolegë dhe kritikë të tij, etj. Sipas njoftimit familjar, porosia e Shkrimtarit
ishte të mos kishte ceremoni zyrtare, heshtje dhe zi në shtëpinë e tij.
Po
Rexhep Qosja ka një emër zulmëmadh dhe shtëpia e tij është Letërsia Shqipe, që
ai e përfytyronte si një panteon, kolonat e të cilit po rralloheshin.
Dhe
unë kam shkruar dikur:
KOLONË
NË PANTEONIN
E
LETRAVE SHQIPE…
Nderim
akademikut Rexhep Qosja, studiues dhe kritik letrar i fuqishëm, prozator me
tregime, romane dhe drama që kanë shenjuar ecuri në modernitetin e letërsisë së
sotme…
Dhe
fjala e tij përbën qendresë për Republikën e Kosovës, mendim rilindas dhe
forcë, pjesë e lirisë dhe e ardhmërisë…
Veprat
e tij krijojnë kohë dhe identitet Kombëtar, paradigmë dhe gjuhë…
Sigurisht
që mund të mos ishim në një mendje për çështje dhe qendrime, jo vetëm politike
dhe ideore, madje dhe kundërshtarë sidomos në raportet me diktatorin Hoxha të
Shqipërisë, me ‘97 apo me lidershpin e Republikës së Kosovës, por mund të them
se ai i dha letërsisë dhe kultures Kombëtare shumë. Ta mendosh që jetoi dhe
punoi në Prishtinë, në Jugosllavinë e dikurshme, regjimi sundues i së cilës,
edhe pse liberal dhe vetadministrativ, ishte me pasoja dhe trauma për
shqiptarët dhe për më pas, prandaj mbetet akt i madh, sublim dhe historik që
letërsia dhe artet në Kosovë qendruan, që u shkruajt shqip me dashuri për dheun
amë dhe arritën të japin metaforën e një identeti modern shqiptar.
Ishte
koha e mbylljes dhe ndalesave kur mësuam emrin e Rexhep Qoses dhe lexuan
romanin e tij “Vdekja më vjen prej syve të tillë”. Dhe e deshëm…
Do
ta takoja në Prishtinë dhe në Tiranë, në panaire të librit, autoritar,
fjalëfortë.
E
kujtoj në përurimin e librit tim me poezi “Si shkohet në Kosovë”, në rreshtin e
parë, pranë kundërshtarëve të tij politikë, libri na bashkon, thashë… biseduam…
kemi shkëmbyer mesazhe, rrallë, por vlerësimet e tij mbeten si gurë të çmuar
për mua.
Dhe
ata sytë e atillë prej nga vinte vdekja duket se ende vëzhgojnë
vëngër,
të mjegulluar, por prapë të rrezikshëm, që, përveç të tjerash, arrijnë të
pengojnë emra dhe libra, jo si në diktaturat e tyre, por me forma të tjera,
madje demokratike, të konvertuara…
Profesor
Rexhep Qosja e pranoi letërsinë tjetër që erdhi nga burgjet dhe internimet…
Dhe
ka një Panteon të Nëndheshëm, - ky është dhe titulli i një studimi që kam bërë
për letërsinë e dënuar, që gërmimet po e bëjnë të duket…
PARTENONI
TJETËR
I
LIBRAVE
Dhe
më ndërmendet një vepër arti e çuditëshme, si Partenoni - një instalacion nga
skulptorja argjentinase Marta Minujuin.
U
ngrit në Gjermani, në qytetin Kassel, me 100 mijë libra të ndaluar, nga
nazifashizmi, ku përfshiheshin 170 tituj të deriatëhershëm, pjesa dërrmuese e
librave u dhuruan nga vetë vendasit dhe u vizitua nga dhjetramijëra qytetarë.
Partenon
me kolonat dorike prej librash, çatia trekëndore - pedimenti, - i gjithë prej
librash, ngrehinë stërmadhe librash të ndaluar, që do t’i shtonin diktaturat
komuniste më pas…
* * *
Shkrimtari
Rexhep Qosja më shfaqet tani në studion e tij dhe me dorë mënjanon perden e
dritares dhe shikon andej nga ku nuk lejohej…
…dhe
nëse përdorim një metaforë të tij, ai vetë u bë kolonë në panteonin e letrave
shqipe.

















